top of page

Hasan M. Shahinaj: Poezia thelbësoro- metaforike e Hajri Lamajt

7 minutes ago
7 min read


Refleksion studimor

Poezia substanciale dhe metaforike e poetit të ri Hajri Lamaj i ngjan mirëfilli asaj arrës gungaçe, por ama thelbësore, sepse brendinë e saj aq të ëmbël dhe apetitive nuke ta jep kollaj. Dmth, kërkon mundim e durim për t'ia fituar zemrën asaj e mandej,  pa dyshim, të ta dhurojë nektarin e vet mjaltor. Kërisoj, unë dëshirëplot, vendosa të reflektoj profesionalisht për risitë konkrete të vëllimit poetik «Krenar për origjinën», të poetit berataso-tepelenas Hajri Lamajn, botim i vitit 2025. Qysh në krye të herës, rikthekoj se, ky vëllim i suksesshëm, origjinal dhe i mirepritur prej lexuesve e poetit në fjalë, përshkohet dukshëm në të 80-të poezitë e larmishme nga disa veçori përveçëse si vijon:

Së pari, përmes shumë poezive të thjeshta por mbresëlënëse, ai e pikturon vendlindjen thuajse me të gjitha ngjyrat ylberiane. Realizohet kjo me sens mase pa asnjë tepri, pa harruar asnjë fshat nga gjerdani i praruar berataso-skrapariot, që nga Çorrogjafi i foshnjërisë së poetit, zona e Terpanit dhe deri tek Spathara nusërore e hiroshë; ku ai, poeti i ardhshëm, ka kaluar çapat e fëmijërisë së papërsëritshme; kurse më pas stazhin e agronomit për 18 muaj. Poeti vë në dukje xhevahiret e kësaj zone punëdashëse, arsimdashëse, bujare, mikpritëse, gaztore në vijim të traditave të kryemalit të patundur ndër breza, Baba Tomorrit, hazretialian e Çajupian! Përmes këtij trajtimi evokues të së kaluarës dhe dhimbjes shpopulluese të së sotmes, poeti ynë i ndjeshëm i qëndron besnik tërësisht sentencës së njohur: «Nëse do të jetosh më gjatë, patjetër e domosdoshmërisht rikthehu veçse në fshat!» Psh, tipike për sa më lart, është poezia e fq. 17 «Rrugë e bukur por e harruar» ku poeti ynë me finesë i drejtohet dallëndyshes zogut të parë shtegtar pranveror, që ngre çerdhet e përvitshme nepër dhjetra fshatrat Zhapokikë, Rehovë, Panarit, Vozhar, Malinat dhe Vokopolë: «Ku po shkon, kush të pret?» Pra, malli zhuritës i poetit i përmend fshatrat një nga një, ashtu të lidhura në shpate malesh porsi gjerdanet e kostumeve të bukura krahinore. Tablloja është tamam si tek poeti ynë liriko-tradicional shkodrani Filip Shiroka me ato dy të famshmet lirika «Shko, dallandyshe!» dhe «Dallandyshe eja!». Figurativisht, duke animizuar shpirtërisht dallëndyshen porsi korriere, shpreh dhimbjen deri në lotë edhe poeti ynë Hajri Lamaj për braktisjen e fshatrave në fjalë:

«- Ku po shkon, moj dallandyshe?

 - Po shkoj në viset e tua

se sivjet më duken ndryshe...»

Së dyti, poezitë me temën sociale e qytetare zënë gati gjysmën e vëllimit, përmes të cilave përftojmë motivet e sakta shtytëse të autorit dhe veçmas mesazhet e goditura që na përcjell qartazi artistikisht ai. Plaga e rëndë e kurbetit mbetet e pambyllur, madje kullon; përrjedhojë autori definon nga njëra poezi në tjetrën me sentencat e forta fshikulluese: «O kurbet i mallkuar, ndarë për së gjalli burrë e grua!»; «Kurbeti, mbase të jep bukën, por të merr jetën!»; «Kurbeti të humb jo vetëm emrin, por të vjedh kombësinë e identitetin!»; «O kurbet i zi, qofsh mallkuar në përjetësi!» etj.  Dhe, ky kurbet i mallkuar, ka sjellë e po sjell veçse fatkeqësi, tragjizëm dhe humbje jete deri në ekstrem! Psh, në fq. 84, në poezinë «Nusja nuk erdhi kurrë», autori Lamaj shpërthen: «O kurbet, të rëntë zjarri/, çfarë mynxyre që ma solle, / prisnim djemtë me gjithë nuse/, por na solle arkivole!» Dhe ,, dhe, më e keqja është se kjo dramë e kurbetllëkut vijon akoma sot e gjithë ditën, duke boshatisur vendlindjen e Atdheun e duke përfunduar nga sytë këmbët!...

Së treti, poeti H. Lamaj evokon me mjeshtëri të kaluarën e brezave prindërore, të sakrificës së pamohuar me ato virtytet, ëndërrat, veset, dëshirat, premtimet e saja. Psh, nisur nga faqja tipike 48 etj, në vijim ndeshim motive, amanete, postulate, duke ndjerë dhimbjen deri në kockë për ikjet e dy brezave të parë, gjyshër e prindër. Kurse sot brezi i ri s'pyet as përëndi, divorcohen duke qeshur e duken ngërdheshur duke braktisur fëmijë e pale, pale duke ndërruar edhe gjini! O gjëmë e paparë e mallkuar! Autori me mprehtësi zgjuarsie zbërthen motivet shkatërruese të demokracisë dështake, e cila na mashtron me kinse «liritë tona të mohuara e të munguara !». Shkurt: ndodh si ajo puna e qenit të pabesë, i cili sapo u zgjidh nga zinxhiri, të parin kafshon të zotin, pa lërë më komshiun apo bashkëkrahinarin! Mund të vazhdojmë ilustrimet me plot shembuj. Bie fjala, në fq. 49 është poezia me nëntekst alegorik, e cila nënkupton marifetet e demokraturës (demokracisë dështake), e cila sposton mësuesit e aftë dhe i zëvendëson me patronazhistë, servilë, egoistë e karrieristë të paskrupullt në çdo këndvështrim etj.

Së katërti, tematikën erotiko-dashurore, poeti ynë e lëvron me merakun e bujkut e të fermerit berataso-skraparo-tepelenas duke u përkujdesur me njohuritë e agronomit tradicional. Kështu, përpos tjerash, aftësia e poetit në fjalë duket shkoqur në poezitë e bukura me atë sensin e nektarit të ndjenjës sublime të të riut siç janë: «Çapkënia» në fq. 21; «Te stacioni e kishim lënë takimin» fq. 30; «Dashuronim edhe në dikur» fq 36; «Ishte kroi i atij fshati» fq. 74; «Zhgënjimi i emigrantës» fq. 46 etj , duke kulmuar me mall e dhimbje tek poezia «Kështu e desh zoti» në fq. 78. Natyshëm, autori ndjen edhe dhimbje për dashuritë e humbura; shprehur kjo në kohë e hapësirë. Psh, le të ndërmendim vargjet prekëse e zbiruese, do thoshja deri në substancë, sipas faqes 85 të vëllimit poetik «Krenar për vendlindjen» «Lotët mbi jastëk dhimbjen kanë mbuluar; me kripën e lotëve emrin tënd kam shkruar; nuk qan vetëm zemra dhe trupi qan; dhimbjen që kam brenda as ky det s'e mban!» Dhe si një lajtmotiv të poezive dashurore të poetit tonë Hajri Lamaj janë dy vargjet pikante të poezisë «Ta ndezim zjarrin këtë natë behari», në fq. 86: «Le ta shuajmë këtë zjarr që na djeg përbrenda/, me mjaltin që marrim nga të ëmblat buzë!»         Autori sedërli e vizionar, po dhe i ndjeshëm kulmërisht, del hapur në mbrojtje të dashurive duke ngulmuar përmes poezisë-kredo «Nuk vritet dashuria!». Dhe rubrika erotike e vëllimit poetik, që po analizojmë, kulmon si kurorë homazhi e promemorje me dy poezitë postulate për varrin e nënës që s'e njohu kurrë të birin-pëllumb paqeje; përshkruar me plot dhimbje krenare se Ajo, së toku me të shoqin e Krishtin e bekuar, u ngjitën një ditë për të mos u kthyer në qiellin e pafund të Parajsës së amëshuar!

Poezia e fundit i kushtohet motrës së madhe të poetit Hajri, të cilën e ka cilësisht si zëvendësuese të nënës fatkeqe e të munguar dhe që tashmë kjo motër e dashur e bujare jeton në Spatharën e bukur skraparase rrëzë Tomorrit hijerëndë...

 Së pesti, krejt vëllimin poetik të parë të autorit tonë Hajri Lamaj «Krenar për origjinën» e përshkon si një fill i stërmadh kaltërosh nga vorbujt e Osumit e të Vjosës ujërashumë, poezia autoktone vendlindëse, poezia qytetare, e mallit evokues, traditat, mikpritja, bujaria shpirtërore. Janë tipike thuajse të gjitha poezitë pa përjashtim nga nr. 1 deri tek e 80-ta, ashtu siç thamë më lart. Ta japin pa kursim thelbin mesazhues, nëse je i përqendruar, për të thithur nektarin metaforiko-alegorik të secilës. Ja, bie fjala, poezia e thjeshtë «Lapsi» na rrëfen se krahas evokimit për kohën e bukur shkollore; në përmbyllje ajo jep rezultanten e goditur: «O laps, mos e quaj veten fajtor; fajtor është ai/ajo që të përdor!» Bukur fort. Nënteksti është: dora e keqe dhe e papërgjegjshme firmos korrupsionin, tenderimin, makuterinë, shpifjen, drogën, patronazhizmin etj etj.  Ose psh, poezia «Mos e lëndoni poetin», se poeti nuk vdes kurrë; ai shkruan përjetësisht dhe ringjallet porsi burrë!». Poeti ynë H. Lamaj rebelohet me dukurinë negative të të rinjve mendjefyell, të cilët së toku me partneren e re vendosin: «T'i çojmë pleqtë në azil; kurse qenin e mbajmë në shtëpi!» Dhe qartazi poeti ynë guximtar i tall këta/këto të rinj e të reja duke i quajtur shqeto rezilë, superrezilë!...  Ngaqë, sipas tyre: «Se me qenin në shtëpi, do jemi në paqe; ai s'do as shërbëtore, as

ilaçe!»                                                                                                                              

Kësisoj,  poeti ynë Lamaj shpërthen deri në sarkazëm edhe tek poezia «Qyteti pa muza» në fq. 117:                                                                                                                                                                        

«S'kish muza, s'ishte Lasgushi, as Kuteli,

drejton i paafti, për Korifejtë vend nuk

ngeli!»   

 Së fundi, risi interesante është tek poeti Lamaj larmia e vargëzimit tradicional me rregullat e njohura metrike, por ama shoqëruar me të gjitha mjetet figurative stilistike qysh nga krahasimi, epiteti, 3 llojet e metaforës (folje, emër, mbiemër) e deri tek alegoria, ironia e sarkazma therëse apo ato tablotë e gjetura antonimike e ballafaquesë të të dy realiteteve përjetuese shqiptare. Lexoni dhe rilexoni poezitë e mëposhtme e do të më jepni veçse të drejtën e hakun e Çezarit. Psh, poezitë e zgjedhura: «Himni i pijanecit!» fq. 64; «Hijet e së shkuarës» fq. 19; «Burrë për skrap» (burrështerp) fq. 41; «Na i hëngri djemtë kurbeti» në fq. 54; «Kurbeti, laneti, kijameti» fq. 57; «E vrava ëndërrën» fq. 57; «Poezia lëshon dritë» në fq. 67; «Erdhe ti dhe hëna iku!» fq. 69; «Binjak me vjeshtën» fq. 113 etj. Përpos tjerash, aftësia e poetit Hajri Lamaj spikat shkoqur edhe në përdorimin e fjalorit të ri leksikor; në futjen efikase edhe të fjalës së përbërë të tipit: theqafje, keqardhur, bukëshkalë, besëprerë, karrierëzinjtë, puthadorët, mosmirënjohësit, bythëgrisurit, kokëkrisurit, arsimdashës, gojëmjalte, zemërflori etj, gjë që i japin librit të parë poetik «Krenar për origjinën» sharm e nur të duhur. Megjithatë, si e vetmja vërejtje dashamirëse gjuhësore është: më tepër kujdes në përdorimin (atje ku duhet) dhe mospërdorimin (kur s'duhet) të zanores ë,  ë-së fundore në trup të fjalës. Pra, në rasat emërore dhe vetat foljore, me qëllim që të mos prishet uniformiteti i kontekstit vargëzues të shqipes së njësuar e të standartit kombëtar drejtshqiptimor e drejtshkrimor. Natyrshëm dhe gëzueshëm, duke përfunduar këtë refleksion studimor jo të lehtë për t'u zbërthyer e vënë siç duhet në shinat e trenit ekspres besimtar e meditativ të kohës së sotme galopante digjitalizuese; unë me sinqeritetin më të plotë e të hapur kanatash zemre, e uroj miqësisht kolegun e ri, poetin e talentuar e të mirëpritur, Hajri Lamajn për lartësi të reja tomorrinare në krijimtarinë e tij të pandërprerë të së ardhmes më premtuese sesa sot!...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page