top of page

Sokol Demaku: Tradita gojore për Millosh Kopiliqin në Kosovë te popullsia shqiptare

  • 5 hours ago
  • 19 min read


    Tradita gojore për Millosh Kopiliqin në Kosovë te popullsia shqiptare, Beteja e Kosovës dhe roli i heronjve shqiptarë në këtë betejë në romanin „Skënderaj i Skënderbeut“ të Sokol Demakut

    Romani „Skënderaj i Skënderbeut“ i autorit Sokol Demaku është një vepër letrare ku ndërthuren historia, tradita gojore dhe kujtesa kombëtare. Një vend të veçantë në roman zënë rrëfimet popullore për Millosh Kopiliqin, lidhja e tij me Kosovën dhe interpretimi i Betejës së Kosovës nga këndvështrimi i traditës popullore shqiptare.

    Në traditën gojore shqiptare, Millosh Kopiliqi konsiderohet një hero i shquar me prejardhje nga Drenica, përkatësisht nga fshati Kopiliq në Kosovë. Sipas kësaj tradite, trimëria, besnikëria dhe gatishmëria e tij për flijim përbëjnë një shembull kalorësie që është përcjellë brez pas brezi. Në romanin e Sokol Demakut, këto rrëfime janë integruar në strukturën letrare për të paraqitur lidhjen shpirtërore dhe historike të banorëve të këtij rajoni me të kaluarën e tyre.

    Beteja e Kosovës në roman nuk paraqitet vetëm si një ngjarje historike, por edhe si simbol i qëndresës, lirisë dhe luftës kundër pushtimit osman. Autori thekson rolin e heronjve shqiptarë, të cilët, sipas traditës popullore dhe kujtesës historike lokale, morën pjesë në betejë krah për krah me luftëtarët e tjerë të krishterë. Trimëria dhe sakrifica e tyre paraqiten si pjesë e rëndësishme e kujtesës kolektive të popullsisë së Kosovës.

    Vëmendje e veçantë i kushtohet figurës së Millosh Kopiliqit, i cili në roman paraqitet si simbol i nderit, dinjitetit dhe qëndresës. Vepra dhe flijimi i tij marrin një vlerë të fuqishme simbolike, ndërsa personaliteti i tij bëhet një urë lidhëse midis traditës gojore dhe interpretimit letrar të historisë.

   Përmes romanit „Skënderaj i Skënderbeut“, Sokol Demaku synon të paraqesë pasurinë e traditës gojore, rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe vendin që zë Beteja e Kosovës në kujtesën kolektive të popullsisë shqiptare në Kosovë. Njëkohësisht, vepra paraqet një interpretim letrar të së kaluarës, duke u mbështetur në traditën, legjendat dhe rrëfimet gojore që janë ruajtur ndër shekuj në mesin e popullit shqiptar.

    Mendoj se ky publikim zë një vend të rëndësishëm në letërsinë dhe historiografinë shqiptare. Ai vjen në një kohë kur, pothuajse çdo ditë, në mediume të ndryshme, një pjesë e historiografisë serbe përpiqet të përvetësojë figurën e Millosh Kopiliqit dhe ta paraqesë atë jashtë kontekstit të traditës dhe kujtesës historike shqiptare. Ky botim sjell në vëmendje burime, nga tradita popullore dhe dëshmi që pasqyrojnë vendin e Millosh Kopiliqit në kulturën dhe kujtesën kolektive shqiptare, veçanërisht në Drenicë, ku ai nderohet si një hero i shquar.

    Në këtë mënyrë, libri nuk ka vetëm vlerë letrare, por edhe historike e kulturore, sepse kontribuon në pasurimin e debatit shkencor mbi një nga figurat më të rëndësishme të mesjetës ballkanike. Ai i jep lexuesit mundësinë të njohë një këndvështrim të mbështetur në traditën shqiptare dhe në burime të ndryshme, duke nxitur një qasje kritike dhe të argumentuar ndaj interpretimeve historike. Në këtë kuptim, ky botim përfaqëson një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe afirmimin e trashëgimisë historike shqiptare dhe të kujtesës për heroin drenicak Millosh Kopiliqi.


Më poshtë po paraqesim disa fragmente nga romani i përmendur, në të cilat Beteja e Kosovës është përshkruar në një mënyrë origjinale.

 

 

                              Fusha e Mëllenjave

 

    Vapa ka kapluar Fushën e Mëllenjave në të katër anët. Është muaji maj e, si duket këtë vit kjo verë do jetë e nxehtë, përvëluese. Nuk kanë thënë kot të vjetrit “Dita e mirë shihet në mëngjes”. Kjo vapë përvëluese e kësaj vere, kishte pjekur çdo gjë që ishte në sipërfaqe të tokës. Edhe korja e tokës ishte çarë.

Koha dhe moti janë një, nuk ndryshohen. Por më e keqja e këtyre njerëzve ishte sundimi grabitqarë i osmanve, të cilët shtrinë zullumin në këtë troje.

Kishte kohë që nuk kishte rënë pikë shiu. Duket se edhe natyra është hidhëruar në troje, të cilat durojnë zullumin e sunduesve të huaj. Dimri pa borë, vera pa shi, pra thatësi që vështirë të përballohet, por duhej bërë si bëhet, e si nuk dinte askush këtu.

    Edhe Fusha e Drenicës digjej nga të nxehtit, ishte bërë shkrumb e hi çdo e mbjellë, po edhe drurët kishin filluar të thahen në bjeshkë. Ishte vit i prapë, të nxehtit dhe thatësira, ishin një pengesë për jetën normale të banorëve. Kishte filluar të zvoglohej uji dhe ushqimi. Edhe lumit të Fushës së Drenicës po i pakohej uji. Nuk kishte atë fuqi rrjedhëse si dikur. Kishte kohë kur te Guri i Plakës grumbullohej rinia dhe kalonte kohën rreth zjarreve të natës në stinën e verës. Por ja kaloi ajo kohë. Ishte një kohë tjetër tani. Kishin ardhur agallarë e bejlerë të tjerë në këto troje.

    Po Milosh Kopiliqi, ku e kalonte kohën ky trim i këtyre anëve?

Ai kishte pasuri dhe toka nga të cilat siguronte jetën dhe ndihmonte edhe bashkëfshatarët në ato kohë të vështira të atij viti të brisht. I ndihmonte fshatarët me bukë, me veshmbathje, por edhe me kujdesin për bagëtinë, që ata rrisnin e që në këtë kohë thatësire nuk ishte e lehtë të kujdeseshe për to.

    Atë mengjes Miloshi ishte ngritur që herët në mengjes. Kishte dalë në çardak dhe përshkoi me një vështrim pronat e tij që shtriheshin nga bjeshka në bjeshkë, në fushat e fshatrave të Drenicës. Sa çudi, çdo kund mbretëronte një heshtje mbytëse, heshtje e cila të kujtonte se diçka nuk shkonte, se diçka nuk është në rregull. Nuk punonin të bekuarit, sepse nuk kishte ujë, kishin shterrur të gjithë lumenjtë, po edhe puset.

    Eh! I shkoi mendja atje, tek pashallarët dhe agallarët, të cilët me urdhër të Lartmadhërisë kishin shterrur krojet dhe burimet e ujit në Fushën e Drenicës. Nuk qëndroi shumë trimi në fusha, por me të shpejtë u kthye në shtëpi.  Dukej në fytyrë se kishte shumë vrerë në shpirt. E ndjente atë të keqe, që pushtuesi kishte ndërrmarë për të nënshtruar këto anë.

    Me të shpejtë, së bashku me bashkëfshatarët dhe të afërmit e tij u fut në kullë. Ishte një kullë guri me frëngji, e cila kishte një pamje në gjithë pasurinë e trimit. Kishte një pamje në të katër anët. Kishte një pozitë nga ku shihej dhe përcillej çdo lëvizje dhe ecje në këto anë.

    U ngjit lart në kullë, vuri xhezvetë në prush, në mangall, edhe për vete por edhe për ata që e shoqëronin. Piu tri kafe pa ndërprerë.

    Eh, edhe kjo tregonte mllefin dhe vrerin që kishte në shpirt. Kafet i piu pa sheqer, që nuk ishte traditë e tij, por si duket ishte mllefi ndaj pushtuesit dhe keqbërësve të fshatarëve  të pafajshëm të kësaj ane, ajo që  e kishte hidhëruar pa masë dhe kafenë e donte pa sheqer. Kjo nuk i kishte ngjarë prej kohësh. Ishte një shenjë e keqe, ishte një shenjë trazimi e trimit, ishte një trazim shpirtëror për të, e ndjente në shpirt vuajtjen e bashkëfshatarëve të tij. Po, po ky popull është trim, është i zoti për veten e vet, nuk i nënshtrohet pushtuesit, jo, kurrë!  Nuk ishin vetëm turqit që e hidhëronin trimin, ishin edhe fqinjët e tyre që bënin zullume në fshatrat e anës.

    Trimi nga Drenica kishte miqësi me princa shqiptarë nga troje dhe vilajetet shqiptare nga të katër anët. Ishin këta princa, ata të cilët do i dilnin zot kësaj toke në këto kohë të vështira. Edhe Princi nga Drenica kishte autoritet në trojet shqiptare.

    Drenica ishte pjesë e Fushës së Mëllenjave, sikur edhe pjesë të tjera që ishin ngjitur me të. Turku kishte shtrirë zullumin në të katër anët.  Në Fushën e Mëllenjave, Sulltani, me të arritur në Ballkan kishte ngritur çadrat. Kishte shpërndarë ushtrinë thujase në të gjithë territorin arbëror. Por, edhe princat shqiptarë e, ndër ta edhe Miloshi së bashku me 2000 luftëtarët e tij prej Drenice, ishte i gatshëm në dyluftim me ushtarët e Sulltanit

    Ishte një mrekulli, të gjithë princat shqiptarë ishin bërë një, ishin të gatshëm për atdhe, ishin të gatshëm për të mbrojtur pragun e shtëpisë. Mbi qiellin arbërorë, mbi Fushën e Mëllenjave, mbi Fushën e Drenicës për çdo ditë shpërndaheshin re të zeza, të cilat e ngulfatninin jetën. Re të cilat nuk lëshonin shi por rrezik për jetën e njerëzve të këtyre trojeve.

Sulltani kishte bërë përgatitjet e duhura për një luftë të ashpër me princat e Ballaknit, të cilët nuk i nënshtroheshin udhërave të Portës së Lartë. Këtu kemi të bëjmë me princër nga të gjitha kombet, të cilët jetonin këtë kohë në trojet ballkanike. Ishte krijuar një lidhje bashkëpunimi mes tyre dhe ushtrive të tyre. Donin që të ishin sa më të fortë në betejën që i priste kundër ushtrisë pushtuese turke. Ishte formuar Lidhja Ballkanike për të përballuar ushtrinë  osmane. E, në atë Lidhje Ballkanike sigurisht që kishte edhe ushtri nga kombet e tjera. Këto kohë, Sulltani, në Arbëri, kishte pësuar humbje të mëdha nga luftëtarët shqiptarë, nga ushtritë e princave shqiptarë në truallin arbëror, sepse bashkim bënë fuqinë, sa herë e zbatonin këtë, ata fitonin kundër armiqve. Ishin krahë për krahë me 2000 luftëtarët e Miloshit, edhe luftëtarët e Muzakajve, Balshajve, por edhe të vet gjyshit të Gjergj Kastriotit.

Kjo betejë u humb. Ushtria osmane e komanduar nga Sulltan Murati dhe dy bijtë e tij fitoi mbi ushtrinë e Lidhjes Ballkanike.

Në betejë ranë dëshmorë edhe shumë trima dhe luftëtarë shqiptarë.

Sulltani ishte përgatitur në mënyrë speciale për këtë luftë, kishte angazhuar forca nga të gjitha pjesët e tokave të pushtuara.

    Ishte ditë e premte.

    Agu i mëngjesit i gjeti ushtarët osmanë në gatishmëri. Ishte e premtja e fundit e muajit qershor. Në Fushë-Kosovë kishte mbërritur edhe Sulltani, i cili do të drejtonte betejën. Kishte sjellë ushtarë nga më të zgjedhurit,nga ata që ishin gati të flijoheshin për rrugën e Allahut. Shigjetarët ishin në pozicione, ata ishin të parët që do të qëllonin armikun, i cili ishte përballë tyre.

Ranë trumpetat dhe daullet e luftës.

Të parët në sulm kundër ballkanasve u drejtuan këmbësoria osmane, që ishte në mbi dyqindmijë. Të gjithë të veshur në çelik, që, nga shkëlqimi i parzmoreve dukej si një mal i dendur në të zi. Pas sulmit me shigjeta, në anën kundërshtare, shihej se si kuajt binin për tokë ose vraponin duke braktisur kalorësit. Por edhe luftetarët e Lidhjes e, sidomos lufëtaret e princave shqiptarë dalloheshin në këtë luftë të pabarabartë për nga numri  me osmanët. Në të dy taborret shiheshin të rënë të panumurt. Degjoheshin britma njerëzish, hingëllima kuajsh, fërshëllima të gjyleve.

Ushtarët turq filluan tu bien borive. Ishte kohë e riorganzimit të sulmit ku mendohej t`i jepej edhe një goditje tjetër e fuqishme ushtrisë së Lidhjes. Nisën përsëri sulmet njëri pas tjetrit, ushtritë e Lidhjes nuk po i përballonin dot. Shumë princër ose ishin vrarë, ose ishin zënë rob në duart e armikut. Ishin zënë robë gati treqind princër.

    Beteja e Fushë - Kosovës përfundoj në mënyrë katastrofale për princat e Ballkanit dhe ushtrinë e Lidhjes Ballkanike. Sulltan Murati I doli fitimtar.

Fusha e Mëllenjave u la me gjak dhe beteja e Kosovës u humb. U humb një betejë vendimtare për trimat e Ballkanit.

Në taborrin e trimit nga Drenica kishte mbi 2000 luftëtarë e, në mesin e tyre ishte edhe Labi, një trim me vlera atdhetare e kombëtare. Edhe Meti, po të ishte në jetë, sigurisht që do të ishte krah për krah me luftetarët e Miloshit dhe trimat e Drenicës në atë betejë.

Ishte shkatërruar çdo gjë, edhe toka sikur qante nga lëngimi, edhe drurët ishin në vaj nga ajo çka kishin përjetuar në dyluftimin mes turqve dhe forcave ballkanase.

    Turqit kishin marrë urdhër nga Sulltani të mblidhnin plaçkat e luftës dhe robërit, dhe të dërgoheshin në Stamboll, në Portën e Lartë si dhuratë për fitoren e madhe të Sulltan Muratit në Betejën e Fushës së Kosovës.  Dëgjoheshin daulle e buri për fitoren e famshme të turqve, për fitoren e Sulltan Muratit dhe të dy bijëve të tij, Bajazitit dhe Jakupit. Me atë fitore të madhe kundër Lidhjes Ballkanike, osmanëve u hapej rruga për në perëndim.

 

Taborri i Sulltanit në Vendin e Shenjtë

 

    Fusha e Mëllenjave ishte mbuluar në të bardhë nga çadrat e ushtrisë turke në vendin e Shenjtë.

Fusha e Mëllenjave, apo Fushë - Kosova ishte në zi, dukej e shkretë. Në të katër anët, në një hapësirë të paparë shtriheshin mijëra kufoma njerëzish, koka të prera, kuaj të vrarë, hanxharë, shpata, topuze dhe lloje të ndryshme të armëve, të cilat ishin përdorur në betejë. Të mbijetuarit e forcave ballkanike ishin tërhequr dhe nuk u dukej as koka, as bishti. Secili kishte marrë rrugën e  tij për të shëruar plagët dhe dëmtimet nga beteja e madhe dhe e pabarabartë me forcatë e Sulltan Muratit dhe bijëve të tij.

Trimi i kohës, kreshniku i Drenicës Milosh Kopiliqi, me ushtarët e tij, edhe para betejës kishte vendndodhjen e tij në malet e Qyqavicës, atje kishin shtëpinë e dytë kreshnikët e Drenicës.

    Por ishte interesante se Kryetrimin e Drenicës nuk e  kishin pranuar të ishte pjesë u ushtrisë së forcave Ballkanike pasi të gjithë flisnin pas shpine për të. Nuk i ishte besuar asnjë formacion ushtarak, që të luftonte nën drejtimin e tij.

Kështu, ushtarët trima nga Drenica do t`i bashkangjiteshin dhe do të radhiteshin krah për krah në formacionet e Gjergj Balshajt, Dhimitër Jonimasë dhe të Theodhor Muzakës.

    Në kampin turk kishte edhe pështjellime të përfundimit të betejës, kishte dhe eufori për fitoren e madhe kundër forcave ballkanike, por, gjithsesi, siguria dhe kujdesi për të ruajtur Sulltanin ishte në shkallën më të lartë.

Fusha e Mëllenjave, me gjithë rrethinë, por edhe pjesa tjetër e tokës arbërore ishte shkretuar nga beteja. Ngado ndjehej era e luftës, shihej trishtimi nga ajo dhembje për humbjen e madhe.

Sulltani, cili udhëhoqi vet me dy të bijët betejën, kur pa se fitorja ishte afër, u tërhoq në çadrën e tij, ku e prisnin vajza nga haremi, të cilat  do të kujdeseshin që ai të çlodhej dhe ndjehej mirë pas asaj fitoreje të madhe.

Trimat e kreshnikut Milosh Kopiliqi, ishin vendosur nën kurorën e maleve të Qyqavicës dhe qëndronin në gatishmëri, nëse do krijohej ndonjë rrethanë e befasishme sulmi mbi trupat osmane.

Vetë kreshniku i Drenicës mbante në vete një fshehtësi të madhe, fshehtësi e cila kishte kohë që e mundonte sepse princat kishin dyshimin se ai do t`i tradhtonte, por kjo ishte siç dukej një lojë e ndyrë e disa princave të vilajeteve fqinjë.

    Krenshniku nga Drenica nuk kishte vënë gjumë në sy me ditë e javë. E mundonte ajo humbja dhe shkatërrimi total i çdo gjëjë në këto toka.

Dita e premte kishte qenë ditë fatale, dita më e vështirë edhe në jetën e tij.

Pasdrekja e asaj dite ishte dita e shkatërrimit. E pikërisht atë pasdreke ai kishte bërë gati kalin, ishte veshur luftëtar me parzmoren e hekurt, që e mbante veshur kur shkonte në beteja të vështira.

Bashkëluftëtarët ende ishin në Fushën e Mëllenjave. Do vizitonte Vendin e Shenjtë pas disfatës së pësuar atë ditë dhe do të takonte Sulltanin e madhërishëm. Kështu kishte vendosur.

    Nuk kishte asnjë mëdyshje në fitoren e tij ndaj Padishahut. Ishte i brumosur së bashku me luftëtarët e tij në ditën e sakrificës, - këtë e përsëriste shumë herë.

    Mori atin, u përshendet me nënloken me një përqafim të përmallshëm dhe fillikat doli në majë të Qyqavicës.

Vështroi me kujdes Fushën e  Drenicës, Fushën e Mëllenjave, atë rrafsh të pafund, që nuk i dukej skaji.

    Çfarë të shihte!

    Një çmenduri dhe mizëri në çdo anë.

    Çadra në të katër anët, që kishin mbulua atë bukuri të natyrës dhe e kishin shëmtuar me pamjen e tyre, me lloj - lloj ngjyrash. Lëvizje kaotike njerëzish.

Me një nervozizëm prej trimi, i ra kryq e tërthor asaj bjeshke krenare dhe kaloi nëpër Gjytet sepse kishte vendosur për ta çuar fjalën e dhënë në vend.

Princi nga Drenica Milosh Kopiliqi u nis për në Vendin e Shenjtë, në Fushën e Mëllenjave, ku kishte suitën dhe çadrën e tij Sulltan Murati, nën kujdesjen e gocave nga harremi i tij, të cilat e ledhatonin  atë në çdo pjesë trupi e, sidomos mjekrrën e tij. Ndihej mirë kur e ledhatonin dhe tregonte krenari për lajmet që i vinin ga froni i betejës. Të gjithë osmanët ndiheshin mirë dhe krenarë me fitoren.

    Me kalin e  tij të praruar në çelik, por edhe vet i veshur në tërë trupin me parzmore çeliku, Miloshi u gjend para rojeve turke, të cilët kujdeseshin për sigurinë e Sulltanit dhe suitës së tij. Kërkoi ta takonte Sulltanin, sepse donte që t`i thoshte disa sekrete, që vet kreshniku i Drenicës mund t`ia thoshte sy më sy Sulltanit, donte ta  informonte për të kaluarën e tij, për të bamat dhe trimëritë, për të cilat dukej se edhe Sulltani ishte në

dijeni dhe ishte i interesuar për të sikur edhe për princat fqinjë, të cilët kishin filluar me thashetheme...

    Sulltani u dha urdhër me kokë rojeve që ta lejonin Milloshin të futej në oborrin e çadrës së tij. Shpejt kreshniku Millosh u gjend përpara Padishahut.

Sulltani largoi nga çadra vajzat që e përkdhelnin dhe  thirri një zadrazem, të cilin e urdhëroi që ta çarmatoste mysafirin. Ishte njëri nga zadrazemët më të besuar të sulltanit, tek i cili Padishau kërkonte edhe këshilla. E pikërisht ai zadrazem e këshilloi Sulltanin, që në vend që t`i jepte dorën për mirëseardhje, t`i zgjaste këmbën, në shenjë nënçmimi.

    Kjo ishte një shenjë, që princi shqiptar ta kuptonte se ai ishte nën sundimin apo më mirë me thënë, nën thundrën e pushtetit të Sulltanit.

    Kreshniku nga Drenica, trimi i kohës, ishte përgatitur për këtë vizitë speciale. Duke e vështruar Sulltanin dhe duke iu afruar, në kokë i silleshin mendime nga më të ndryshmet. Thoshte me vete: Ky mendon se unë do t`ia urojë fitoren, se ndoshta unë do t`ia puthë dorën, se ndoshta unë do t`i nënshtrohem pas kësaj fitoreje. Por unë nuk jam tradhtar, unë  e dua atdheun tim, kurse ti Sulltan ke gabuar që ke ardhur të pushtosh këto troje e këto fusha, të cilat ne i mbrojmë me trupat tanë dhe me gjakun tonë. Ke gabuar rëndë, që ke trazuar vendin e  shqipeve, ato hakmerren për këtë që ti po bënë.

Këto mendime i silleshin në kokë trimit, teksa ndodhej përpara vet Sulltan Muratit.

    Unë kam ardhur këtu, jo që të të puth ty këmbën dhe të të uroj për fitoren, por që të të bëj me dije Ty dhe Portës së Lartë se ky është vendi i shqipeve, se ato kërkojnë të jenë gjithmonë të lira, se i keni bërë gabim llogaritë ju atje në Dardanele.

    U përkul përpara Sulltanit, duke tentuar t`i puthë dorën, por, për çudi ai i zgjati këmbën. Atëherë trimi nga Drenica nxorri biçakun e tij të helmuar nga mënga dhe me shpejtësi vetëtimë e goditi me të disa herë drejt e në zemër Sulltan Muratin.

    Me të kryer këtë veprim trimi tentoi të largohej nga vendi me hapa të shpejtë në drejtim të kalit të tij, që e mbanin për freri ushtarë turq, diku aty afër Lumit të cekët.

    Disa herë iu shmang rojeve turke, që tentuan ta kapnin të gjallë. U krijua një rrëmujë e hatashme në çadrën e Sulltanit. Rojet i ishin vënë në ndjekje nga të katër anët. Me çdo kusht duhej ta zinin trimin të gjallë.

Në ikje e sipër, në atë poterë, ushtarët turq e rrethuan dhe ia arritën që ta zënë të gjallë Milloshin.

     Lajmëruan të birin e Muratit, Pajazitin, i cili erdhi me të shpejt. Ishte urdhëri i tij i prerë, që t`i prisnin kokën Milloshit, ta ekzekutonin sa më parë, që t`i lehtësonin vdekjen të jatit që po përpëlitej.

 

    Rrëfimi popullor për Millosh Kopiliqin

 

    Legjenda thotë se kreshniku Millosh, ia arriti të marrë kokën e tij, të hidhet në kalë dhe ashtu vazhdoi rrugën tutje, në mënyrë që mos të binte në dorë të turqve. Ai mori rrugëtimin e tij drejt perëndimit, drejt vendlindjes se atje e kishte shpirtin, atje e kishte jetën. Siç dukej ishte bërë njeri i padukshëm. Zanat e malit ishin kujdesur që të ndoidhte një gjë e tillë.

Kjo ndodhi, i habiti turqit, i mahniti. Mbetën pa mend dhe pyesnin veten dhe njëri - tjetrin të habitur sesi ishte e mundur që njeriu pa kokë t`u ikte përduarsh, hipur në kalin e tij të shpejtë. Sigurisht që do të ishte diçka  e panatyrshme, një njeri me një forcë të paimagjinueshme mbinatyrore, të paparë. Osmanët vazhdonin ta ndiqnin, kurse ai vazhdonte të ngiste kalin me shpejtësi buzë lumit të cekët.

    Më në fund osmanët e arritën kalin dhe kalorësin pa kokë. Por nuk e mbanin dot, aq i fuqishëm ishte. Atëherë ishte një grua  e pabesë, e cila u tregoi turqve se, që t`i hiqnin fuqitë, ata duhej t`i hiqnin nga dora një byzylyk dhe, vetëm atëherë, kreshniku do ta humbiste fuqinë e mbinatyrshme dhe do të dorëzohej i vdekur.

    Duke vepruar siç u tregoi gruaja e pabesë, turqit ia arritën t`i hiqnin nga dora byzylykun dhe ia arritën ta zënë Milloshin. I morën bylyzykun nga dora. Fuqia e trimit u dobësuan. Kur po jepte frymën e fundit iu drejtua ushtarëve osmanë që e kishin rrethuar:

-A ka mundësi t`i lë një amanet kësaj gruaje pasi unë po vdesë?

Si për çudi ushtrët turq pranuan këkesën e Milloshit.

Ai pa një pa dy, konkretisht koka e tij u drejtua nga shtriga plakë, e kafshoi me dhembë dhe e hodhi në Lumin e Cekët. Këtu përfundoi jeta e një tradhtare dhe shtrige serbe.

    Trimi vazhdoi vrapin e kalit fliuturimthi për në vendlindje. Në rrugëtim e  sipër disa vajza, që po lanin rroba në lumë panë duke flutura Miloshin pa kokë dhe njëra prej tyre, si për çudi u tha të tjerave: “Shikoni motra, si fluturon një njeri pa krye”. Në fluturim e sipër mbi kalin e tij, Miloshi ua kthen përgjgjen: “Unë pa krye, ju pa sy” dhe, mu  në këtë çast bie në tokë koka e Miloshit. Vajzat i zë mallkimi tij dhe verbohen.

Kreshniku arrin në vendlindje i vdekur.

 

    Ndërkohë ushtria osmane ishte shumë e tronditur nga humbja e prijësit Sulltan Muratit nga dora e një armiku të vetëm. Për këtë shkak ushtarët osmanë filluan hakmarrjen ndaj popullatës së pafajshme në gjithë fshatrat e Fushës së Mëllenjes, po ashtu edhe në fshatrat përreth, por edhe në Fushën e  Drenicës dhe në shumë vilajete të tjera shqiptare të kohës.

 

Si zakonisht, edhe këtë ngjarje, e përjetësoi në tel të lahutës populli i këtyre trojeve. Këngëtari popullor e paraqiti shumë realisht nё kёngёn:

 Prej Drenice del nji djalёN’Fushë-Kosovë Murati i Parë,Kamb turqisht rrin fitimtar.Prej Drenice del një djalë,Fluturon me kalë të bardhë,Mes për mes i bjen ushtrisë,Shkon e i falet Naltmadhnisë:-Tungjatjeta, Naltmadhni,jam një arbër, vendali.E jam ardhë ktu pa vonua,Me t’puth dorën, me t’nderua.Zgjatet mbreti, i jep kamёn,Ngrihet djali, i ban gjamёn,Mik pa thirrë ke ardhë, dai,Prej Azie n’Dardani,Me na marrë magjet e miellit,Me na zanë hisen e diellit,Gjithë ushtrinë e paç me shndet,Kjo Arbni ka bijt e vet,Ta ven kryet maje kapicës,Jam Mileshi prej Drenicës..Mbret e krajla shpesh gabohen,Bijtë e Arbrit nuk pushtohen,Një ushtri iu hodh djaloshit.Zogjtë e malit bajnë çudi,Kush po ngjitet për njat bri?Ec një trup me krye n’dorëBahet mal i bardhë dëborë!

    Pas këtij akti qyqar dhe të paskurpullt të ushtarëve turq dhe të vet Bajazitit, bashkëluftëtarët e kreshnikut nga Drenica morën trupin e  pajetë të trimit dhe e dërguan në fshatin Rezallë, ku e varrosën. Edhe sot e kësaj dite prehet në qetësi trupi i tij pranë një Bungu të madh, i cili i bën hije këtij varri, kësaj legjende të Drenicës dhe trojeve arbërore. Rapsodi popullor shqiptar me kujdes dhe respekt i thuri këngë heroit, trimit, i cili iu kundërvu dhunës së egër barbare të kulshedres së Bosforit, e cila me çdo kusht kërkonte të vinte sundimin në këto troje jetike dhe etnike të shqiptarëve, por Miloshi trim e drangua iu kundërvu Sulltanit, kurse fitoren e ushtrisë turke e zbehu krejt dhe e vuri në dyshim.

Kqyr Mileshi n'kamë na u çuetanë me hekur e paskan thakrueedhe atkís hekur i kan veshunmirë Mileshi n'shpinë iu ka gjueme askerë te mbreti kánka shkueNibetxhija hiç s'e paska lshuehaber mbretit m'i kanë kallxue:-A me lshue Mileshin a mos me lshue?Mirë dovleti haber i ka dhanun:-Lshone Mileshin ktu me ardhun!Kqyr veçilve mbreti çka u ka thanun:-A t'ja japi unë dorën e djathtë?-A t'ja japi tha kambën e majtë?-Jepja babë, qat kambën e majtëse gjithëmonë raja jet nër neve!Mirë Mileshin ma paskan lshuete dovleti Milloshi á shkuekam'n e shmajtë Sulltani ja ka dhanunMe ni dorë tha kambën ia ka marrëpaj me tjetrën hanxhar i ká mshuezorr e mushkni n'tokë i kan raNjizet e katër orë Sulltani ka rrnueat'her jetë Sulltani ka ndrrueLuftë e madhe na kánka marueShih, Mileshin gjá e gjallë s'pe prete gjujnë pushkë, pushka nuk e zenedhe shpata hiç nuk pe pret.Nji shkinë plakë kqyr çka ka thanun:-U vraftë Zoti askert e dovletit!A s'po shihni Mileshi krejt u preu?Tanë për tokë tha pushkët me i shtrimun!Bylyzykt atkís i paskan ramungjallë me dorë Mileshin e kanë nxanëI bín pushkë tha, pushka s'po ja lenI bín shpatë tha, shpata nuk pe pretKqyre shkina askerin e ka msue:-Shtat kerr dru, biro, ju me i kallën'grop t'zjarmit Mileshin me çitë!Kqyr Mileshi at'her çka ka thanë:-Amanet, more askert e dovletit!Qat shkinë plakë tha, ktu e due!Se shum mall, thot, m'ka qillueqasaj shkine po due me ja lanë!Se zhag shkinën ma kanë afruese me dhambë Mileshi e ká kafshue.At'her shpata Milloshit i ká mshuekryet Milloshit, tha, i ka flutruese n'Magrip Mileshi kur á shkuegra e çika tuj la janë qillue:-Kqyrne, motra, nji njeri pa kry!-Un pa kry kish thanë, ju pa sy!Qat'her kryet Mileshit n'tok i ra.

Hakmarrja

    Trimëria dhe heroizmi i princit drenicar mori dhenë dhe për të flitej në çdo cep të trojeve arbërore.

    Kulshedra e Bosforit nuk u ngjinj me vrasje dhe krime të njëpasnjëshme mbi popullin që kërkonte liri. Përbindshi i zi vazhdoi të derdhë gjakë të pafajshëm nëpër fshatrat  e Fushës së Mëllënjes, fushën e  Drenicës, pothuajse në të gjitha vilajetet shqiptare të kohës. Ishte një hakmarrje e papaparë nga ata barbarë të pashpirtë të Dardaneleve.

Ushtarë dhe jeniçerë mësynin të tërbuar në fshatrat arbërore, u vinin flakën, i shkatërronin, vrisnin dhe torturonin të pafajshëm, bënin krime nga më çnjerëzoret.

     Ishte një hakmarrje ndaj një populli të pafajshëm, ndaj një populli me kulturë dhe me tradita, i cili kërkonte vetëm që të jetonte i lirë në trojet e tij. Por, pushtuesi është pushtues, ai nuk ka as ndjenjë, as kulturë, ai është thellësisht barbar dhe i pamëshirshëm. I vetmi qëllim i tij është të pushtojë e të shkatërroj gjithçka. Të tilla ishin hordhitë e Anadollit, që kishin mësyrë trojet arbërore.

    Mllefi më i madh e më i shfrenuar i përbindshit të zi, ishte drejtuar veçanërisht  në Drenicën Kreshnike, e cila duke mos  e pranuar nënshtrimin reagonte dhe përpiqej të mbronte jetën, popullin, gratë, fëmijët, të moshuarit. Bijët e saj më të mirë, viheshin në ballë të luftës, ata nuk mund të pranonin që toka e tyre, familjet dhe fiset e tyre, të viheshin nën këmbët e osmanëve dhe sulltanëve arogantë.

     Sulltani  embajti nën rrethim Drenicën heroike, me ushtarë dhe jeniçerë, dogji e  poqi çfarë gjeti, shkatërroi fshatra, pasuri e prona, robëroi dhe mori peng mijëra djem, të cilët i dërgoi në Stamboll.

Fshatin e Kryetrimit e bënë shkrumb e hi, duke djegur e shkatërruar gjithçka. Të gjithë e dimë atë fjalën e  popullit “Që ku shkel turku, as bari nuk mbinë”. E pikërisht atë bëri ai pushtues mizorë mbi truallin tonë arbëror.

Shumë familje nga këto vise filluan të braktisin shtëpitë dhe trojet  e tyre. Kjo ishte mënyra e vetme për të shpëtuar dhe për të mbijetuar nga  ai tmerr dhe nga vala e dhunës, nga raprezaljet e bishës së Dardaneleve.

    Edhe familja e  kryetrimit të Drenicës kishte vendosur të lëshonte vendin. I ati i Milloshit kishte shkuar në Raguzë, me një pjesë të familjes, pjesa tjetër në Shqipëri.  Elbasani do të ishte streha e tyre e ardhshme. 

    Në qytetin e Vushtrrisë,  ku Sullatani kishte shtënë në dorë dhe kalanë e këtij qyteti, kishte vendosur t`i zinte robër dhe t`i torturonte deri në vdekje banorët, në mënyrë që ata të pranonin të pranonin sundimin e tij.

Ishte koha kur nën presionin otoman shumica e shqiptarëve kaluan  në fenë myslimane. Ishin torturat e turqve në popullatën e pambrojtur të këtyre viseve që ata të bëheshin shërbëtorë të Sulltanit dhe të përqafonin fenë islame, vetëm ajo ishte mënyra e vetme për të mbijetuar.

    Lidhur me qëndrimin e të vëllait të Miloshit në burg, në Kalanë e Vushtrrisë, ka disa variante. Tregohet veçanërisht për qëndrimin e tij heroik  dhe të papërkulur përpara dhunës dhe torturave çnjerëzore që i bënin pushtuesit.

Por në fund të fundit ai pranoi të ndërronte fenë, nga i krishterë - në musliman, me qëllim që të shpëtonte të bijtë dhe të bijat nga hordhitë gjakatare aziatike, të cilat synonin që bijat e tij t`i dërgonin në haremin e Sulltanit, në Stamboll, kurse djemtë në forcat turke për luftime në Azi e Afrikë.

Hili nuk e pranoi këtë poshtrim të familjes, edhe sepse e gjithë prona dhe pasuria e tyre ishte shkatërruar. Vendosi të ndërtojë në fshat një xhami, kishte pre njëqind kurbanë dhe ndërroi emrin në Hysk.

Ky ishte i vëllai i kreshnikut nga Drenica Milosh Kopiliqi, i cili ishte zënë rob nga Sulltani së bashku me familjen e tij dhe ishte vendosur në kalanë e Vushtrrisë.

    Xhamia që ndërtoi Hysku, siç dukej pati jetë të shkurtër, ajo u zhduk sa çelë e mbyll sytë.

    Pronat e tij, edhe sot e kësaj dite, mbajnë emrat e tyre në fshatin Kopiliq. Kur fshatarët pyesin njëri - tjetrin se ku do të shkojnë sot për të bluar, ata përgjigjen:

-Po ku tjetër more, po në ”Mullinin e Hyskut”. Ose,

-Ku ishe sot që herët?

-Po ja, kisha pak punë në mëhallën e Hyskëve, në “Vreshtat e Miloshit”, apo dhe te”Kisha e Miloshit”.

    Këto janë shenja dhe dëshmi të ekzistencës së familjes së kryetrimit të Drenicës Milosh Kopiliqi nga fshati Kopiliq i Drenicës.

    Por, është edhe më interesante se atje ende janë të ruajtura themelet e Kullës së Miloshit dhe ato sikur flasin dhe tregojnë për kohën e kaluar dhe trimëritë e të bëmat e bijëve të Drenicës nën pushtimin turk.

Me javë e muaj e mbajti nën rrethim këtë trevë arbënore pushtuesi i egër, por arbënorët nga Fusha e Drenicës nuk u dorëzuan edhe pse u shaktërruan, u dhunuan, dhe sakatosën.

    Jeniçerët  dhe ushtarët që mbanin nën rrethim fushën e  Drenicës ndiheshin të lodhur, të raskapitur, pasi kishin javë që mbanin shpirtin e  tyre vetëm me kunguj nga arat e fshatarëve drenicas.

    Flitet gjithashtu se shumë prej tyre, ato ditë ishin bërë ushqim për korbat dhe sorrat. Këtë e dëshmojnë edhe shumë topinime, të cilat edhe sot e kësaj dite janë gjallë dhe jetojnë në këto troje heroike si “Lugu i Korbave” apo edhe “Kodra e Kungujve”. Janë toponime që vijnë gojë më gojë që nga ato kohë kur barbarët osmanë vinin si pushtues në këto vendbanime.

 

 

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page