Skënder Zogaj: ALI M. PREBREZA – DOKTORI NË RRUGËN E LETËRSISË

Ali M. Prebreza me profesion është dentist, por, krahas profesionit, me pasion merret edhe me letërsinë: është autor i një vargu botimesh me poezi e prozë, për fëmijë dhe të rritur, ka botuar roman, pjesë skenike, aforizma e mendime filozofike. Për nga numri i botimeve letrare, është ndër mjekët kosovarë që kanë botuar më së shumti vepra letrare, gjithsej tetëmbëdhjetë libra, dhe ka edhe disa të tjera në dorëshkrim.
Me këtë opus krijues, dr. Ali M. Prebreza përfaqëson atë kategori krijuesish që nuk e kanë letërsinë profesion parësor, por pasioni për të shkruar e kapërcen kufirin e profesionit. Sasia dhe larmia e botimeve të deritashme dëshmojnë se Aliu është, në një kuptim të veçantë, më shumë se një mjek që shëron: ai është një shkrimtar që profesionin e mjekut e ka shndërruar në një burim të rëndësishëm përvoje, vëzhgimi dhe frymëzimi njerëzor.
Këtë konstatim e mbështesim në veprat e botuara: tetë vëllime me poezi, tregime dhe pjesë skenike për fëmijë, pesë vëllime me poezi, një roman dhe tri vepra publicistike me aforizma e mendime filozofike për të rritur. Në sajë të këtij bagazhi krijues, Ali M. Prebreza është pranuar me meritë në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës.
LIBRAT PËR FËMIJË
Në botën e fëmijëve, krijimet letrare të Ali M. Prebrezës janë të mirëpritura dhe lexohen me ëndje, sepse sjellin një veçanti artistike që lëviz ndërmjet poezisë së traditës dhe prirjeve moderne. Ato shquhen si për formën e shkrimit, ashtu edhe për larushinë tematike, e cila lidhet fuqishëm me aktualitetin e jetës dhe me kujtesën e së kaluarës. Këtë përvojë autori e shpreh me një funksion të theksuar didaktik, duke e bërë porosinë poetike një nga synimet e qëndrueshme të krijimtarisë së tij për fëmijë.
Kjo është një nga karakteristikat kryesore të librave të tij për fëmijë, duke filluar me librat poetikë “Morri te doktori” dhe “Kokëkashta”, të cilët janë të ngjeshur me sharmin e një humori të angazhuar, të formës “qesh e ngjesh”, që e argëton, por njëkohësisht edhe e edukon fëmijën.
Te “Morri te doktori” është parësore qasja e kujdesshme e mjekut dhe porosia universale për kujdesin shëndetësor. Autori e shpreh këtë bukur përmes situatës humoristike të një morri që shkon te doktori; ndërkaq, te “Kokëkashta”, autori vë në thumb të kritikës dobësitë dhe veset njerëzore që e damkosin karakterin e njeriut.
Pas këtyre dy sprovave letrare, autori, tashmë me një përvojë më të gjerë krijuese, shkruan librin “Mrekullitë e botës”, i cili paraqet një qasje të veçantë ndaj bukurive të natyrës. Shpezët dhe kafshët përbëjnë në këtë vepër një botë të mrekullive dhe të pasurisë së jashtëzakonshme të jetës, sepse secila prej tyre kryen një shërbesë të veçantë, të cilën njeriu nuk mund ta zëvendësojë.
Në fillim të librit, autori apelon:
“O njerëz
Duani shtazët
Në e doni botën
Vetëm ashtu
E gjeni
Qëllimin e jetës
Dhe të vërtetën”.
Bleta është personazhi i parë i kolonës së vjershave, sepse është punëtorja më e mrekullueshme që prodhon mjaltin. Por, me adhurim dhe dashuri të thellë, autori thur vargje miradie edhe për Dallëndyshen krah gërshërë, Fluturën e bardhë, Bilbilin këngëtar, Pulën, Patën e Shqiponjës, pastaj kafshët shtëpiake: Kalin, Dhinë, Delen, Lopën, Gomarin, Qenin e Macen, si dhe gjallesat e maleve, stepave dhe ujërave. Të gjitha së bashku e përbëjnë thesarin e mrekullive të natyrës dhe të jetës. Autori, me një humanizëm të ndjeshëm, thur vargje duke nxjerrë në pah karakteristikat më të mira dhe veçantinë e secilës gjallesë, kështu që fëmijët, sikur të gjendeshin në një kopsht të madh zoologjik, njihen me botën e gjerë shtazore të planetit.
Në këtë galeri të personazheve të poetit Ali M. Prebreza qëndron edhe “Cupëza e vogël”, një vëllim me vjersha që shpalosin imagjinatën e botës fëmijërore, ëndrrat dhe lojërat me shumë drita e ngjyra, si dhe dëshirat e dëlira, plot dashuri për njerëzit që i rrethojnë.
Tema të zgjedhura që lidhen me fëmijët dhe jetën e tyre trajtohen edhe në kontekstin e realitetit të shqiptarëve në Kosovën e okupuar, të luftës dhe të çlirimit të vendit, ku nuk ka munguar as kontributi i fëmijëve dhe i të rinjve. Në librin “Mirani ecën përsëri”, autori flet për qëndresën e njeriut në jetë dhe për fuqinë e tij për t’u përballur me vështirësitë. Mesazhi është i qartë: duke mos iu dorëzuar pengesave, përpjekja e njeriut do të triumfojë, e keqja do të mposhtet dhe Mirani, njëri nga personazhet e tregimeve, do të ecë përsëri dhe do të vazhdojë t’i realizojë ëndrrat e tij.
Ky motiv dominon edhe në tregimet e librit “Vajza pa emër”, ku shembulli i protagonistes dëshmon se punët dhe veprat e mira mbeten të paharruara dhe shndërrohen në vlera që kujtohen me respekt. Kështu ndodh edhe me vajzën e këtij tregimi, e cila, pas tridhjetë vjetësh, zbulohet se ka qenë ajo që kishte ndihmuar një demonstrues të plagosur. Takimi i rastit me Vajzën pa emër është një çast shendi dhe krenarie, sepse në sajë të ndihmës së saj dhe të djalit është shpëtuar jeta e një të plagosuri në demonstratat kundër okupatorit. Kështu, kujtesa e veprës së mirë bëhet një nga shtyllat morale të këtyre tregimeve.
LIBRAT PËR TË RRITUR
Ali M. Prebreza e ka kurorëzuar me sukses krijimtarinë e tij letrare edhe për të rritur, duke botuar prozë, poezi dhe roman. Mendoj se poezia i shkon më së miri lirizmit shpirtëror të doktorit, sepse pikëpamja e humanizmit profesional është një lloj standardi që përshkon një pjesë të konsiderueshme të lirikës së tij poetike.
Kjo prirje shfaqet që nga libri i parë, “101 vjet vetmi”, dhe vazhdon me “Përtej dhimbjes”, poemën epike “Në Prekaz lindi kënga”, “Bota ka ende diell”, “Në cep të shamisë”, me vargje kushtuar nënave, si dhe “Për ty zemër”, një vëllim me lirika dashurie, deri te libri më i ri, “Kaq ishte N.”, botuar më 2024.
Poeti Ali M. Prebreza i përket profilit të poetëve të ndjesisë së përditshme, të cilët frymëzohen nga gjërat e rëndomta të jetës së tyre: në punë, në rrugë, në familje, por edhe kur meditojnë për të kaluarën. Krahasimi i rrjedhës së kohës e frymëzon të shkruajë një varg ose një fjali, i vetëdijshëm se ajo që shkruhet është një mënyrë e veçantë e përjetimit dhe e mos-harrimit, sepse fjala e shkruar jeton më gjatë dhe është në shërbesë më efektive të kujtesës ndër breza.
Prebreza i kultivon disa nga format dhe mundësitë shprehëse të poezisë, por me nuanca më të mprehta shfaqen vargjet e tij lirike, ku dashuria është kryefjala.
Në këtë kuadër, do të veçoja vëllimin poetik “Në cep të shamisë”, me poezi që i kushtohen dashurisë për nënat, atyre zemrave që, me frymën e shpirtit të shenjtë, e shumëzojnë botën dhe që, gjatë gjithë jetës, shkrihen për të rritur e mbrojtur me dashuri trashëgimtarët e tyre. Prandaj poeti nënën e quan “Mbretëreshë në zemër” dhe i këndon: “Yjet sec i zbrita
Ti vura në ballë
Nënë ti je mehlem
Që shëron cdo varrë” (fq.8)
Janë shkruar dhe do të shkruhen poezi të panumërta për nënën, në kohë dhe hapësira të ndryshme, por ende nuk është gjetur fjala më e bukur për të. E kërkojnë të gjithë, por urojmë që të mos e gjejnë kurrë fjalën e fundit, më të bukurën e të bukurave. Le ta kërkojmë, sikurse doktor Ali Prebreza, i cili, në cep të shamisë së nënës, ka kërkuar edhe vetveten.
“Për ty zemër” dhe “Kaq ishte N.” janë dy nga vëllimet më të realizuara artistikisht të Ali M. Prebrezës. Lirika dashurore e librit “Për ty zemër” është e ndjeshme dhe shpërfaqet që në vargjet e poezisë së parë të librit:
“Të pres ende
si një pikë shiu
në mesverën e thatë”
dhe përfundon me vargjet:
“Do të vi
Kudoqoftë
Edhe në parajsë
edhe përtej ferrit
Për ty.”
I gjithë libri vlon nga impresionet emocionale, të cilat shndërrohen në një dramë të natyrshme të dashurisë.
Dy vjet më vonë, autori boton vëllimin tjetër, “Kaq ishte N.”, ku gjithashtu motivi i dashurisë është qendror, por këtu ndjesitë poetike janë më të zbutura, fjala është më e natyrshme dhe vlerësimi më racional. Te poezia “Jeta vazhdon”, poeti thotë:
“në simfoninë e jetës
dirigjentin e bëj vet,
sa loja me operën
Beethoven a Mozart
s’ka rëndësi
jeta vazhdon tutje” (fq. 20)
Siç shihet, poezia është mënyra më efikase e të shprehurit të ndjenjave për poetin-doktor, i cili, në mos asgjë tjetër, përbën një rast konkret të dashamirësisë ndaj letërsisë. Kjo vetvetiu nënkupton se ai është një lexues i madh dhe i mirë, sepse trysnia e leximit të letërsisë është e dukshme në punën krijuese të këtij autori.
NJË VËSHTRIM KRITIK
Natyrisht, në një opus kaq të gjerë krijues nuk mund të pritet njëtrajtshmëri e plotë artistike. Krahas poezive dhe prozave ku autori arrin një shprehje më të natyrshme, më të përqendruar dhe më bindëse, në disa krijime vërehet prirja për ta theksuar drejtpërdrejt porosinë, duke e afruar tekstin më shumë me funksionin didaktik sesa me përvojën e pastër estetike. Kjo është veçanërisht e dukshme në disa nga krijimet për fëmijë, ku dëshira për të edukuar nganjëherë e paraprin kërkesën për një përpunim më të thellë artistik.
Edhe në poezinë për të rritur vërehen herë pas here vargje ku ndjenja shprehet drejtpërdrejt, pa kaluar gjithmonë nëpër filtrin e figuracionit dhe të simbolikës poetike. Megjithatë, këto kufizime nuk e zbehin rëndësinë e përpjekjes së tij krijuese, sidomos kur merret parasysh vazhdimësia, larmia dhe përkushtimi me të cilin autori i është qasur letërsisë. Përkundrazi, ato e bëjnë më të qartë rrugën nëpër të cilën ka kaluar dhe vazhdon të ecë një krijues që e ka ndërtuar profilin e vet përmes një pune të gjatë e të pandërprerë.
Në këtë aspekt, vlera e krijimtarisë së Ali M. Prebrezës nuk duhet kërkuar vetëm në përsosmërinë e çdo teksti të veçantë, por edhe në këmbënguljen për ta mbajtur gjallë lidhjen me letërsinë, për të shkruar dhe për të komunikuar me lexuesin përmes një spektri të gjerë temash, motivesh dhe formash.
Pos librave të përmendur, Ali M. Prebreza është edhe autor i romanit “Triumfi i dashurisë në kohë korone”, i vëllimit me pjesë skenike për fëmijë “Flamuri në gërshetë”, i dy librave me aforizma dhe i një libri me mendime filozofike.
Kjo kolonë e gjatë librash dëshmon për një veprimtari krijuese të pandërprerë, në të cilën përvoja e profesionit, ndjeshmëria njerëzore, dashuria për jetën dhe pasioni për letërsinë janë shkrirë në një udhëtim të veçantë krijues.
Në fund të këtij udhëtimi, Ali M. Prebreza shfaqet jo vetëm si një dentist që shëron, por si një doktor-shkrimtar, i cili ka ndërtuar me këmbëngulje një hapësirë të vetën në letërsinë kosovare. Vlera e tij qëndron mbi të gjitha në vazhdimësinë e këtij udhëtimi, në larminë e temave, në humanizmin që e përshkon krijimtarinë dhe në dëshirën për ta kthyer përvojën e jetës në fjalë të shkruar.
Kështu, nga profesioni i mjekut te pasioni i shkrimtarit, Ali M. Prebreza ka ndërtuar një urë të veçantë ndërmjet jetës dhe letërsisë. Dhe pikërisht kjo e bën rrugën e tij krijuese të denjë për vëmendjen e lexuesit dhe të kritikës letrare.








Comments