top of page

Meçan Hoxha: 110 vite shkollë shqipe në Kukur të Gramshit.

7 minutes ago
4 min read

           

Më 1 Tetor 1916, 110 vite më parë, u hap shkolla shqipe zyrtarisht në fshatin Kukur të Gramshit.

E them zyrtarisht sepse në Kukur kishte kohë që funksiononte një Mejtep, pranë xhamisë së fshatit. Aty shërbyen dhe dy hoxhë bij të atij fshati, që lanë emër të mirë në marrdhënie me bashkëfshatarët. Në atë Mejtep u mësua shqip, sapo atë çështje e morën në dorë çetat patriotike që luftuan për shkollën shqipe e për Pavarësinë e Shqipërisë. Një nga klubet e para në Shqipëri për këtë qëllim ishte dhe “Klubi Bashkimi” që u ngrit në Gramsh, më 29 korrik të vitit 1909. Në 17 antarët e Këshillit të atij Klubi ishte kukuraku me emër shumë të nderuar, Ali Mollajtemi. Klubet, me qendër “Klubin Bashkimi” të Manastirit, vunë detyrë mësimin e gjuhës shqipe dhe organizimin e Kryengritjes së armatosur. Në Gramsh ajo lëvizje mori vrull dhe ndezi shpirtin patriotik të gjithë banorëve të asaj treve. Ndodhi dhe në Kukur. Veç pjesmarrjes në çetat patriotike si: Zyfer Hoxha me të vëllanë Ahmetin në Çetën e Isuf Qoses në Shpat, pati shumë të tjerë në çetat e Vërçës të komanduara nga patriotët e shquar Kamber Dermyshi, Asllan Shahini, Qazim Dermyshi, Xhile Liçi, Mahmut Xhelili e tj.

Gjatë sundimit Osman, pas vitit 1886, në kazanë e Gramsht funksionuan katër mejtepe (Gramsh, Mollas, Kukur, Shënepremte), që ishin shkolla fillore me kohëzgjatje 4 vite, hapeshin pranë xhamive dhe ishin shkolla fetare. Më vonë funksionuan iptidaiet(shkolla fillore) me program më të zgjeruar. Pagesat e mësuesve bëheshin nga prindërit e fëmijëve. Dokumentet e kohës dëshmojnë se mejtepi i Kukurit zhvillonte mësimet sipas progranmit të iptidaies me mësim në gjuhën osmanishte e arabe. Ajo funksionoi rregullisht gjë që pasqyrohet dhe në emrimet e herëpasherëshme. Më 22 shkurt tëvitit 1894 njoftoej vilajeti i Manastirit se Murat (Murat Hulusiu) u emërua mësues në iptidaien e fshatit Kukur, më 14 maj 1896, një tjetër me emrin Abdurrahman dhe më 20 prill 1907, Hyseni u caktuan mësues në iptidaien e fshatit Kukur në Kazanë e Gramshit.

Mejtepët, nën ndikimin e frymës çlirimtare u kthyen në vatra ilegale të edukimit me ndjenja kombëtare. Fryma e revoltës dhe qëndresës ndaj pushtuesve turq nuk pushoi asnjëherë, po Rilindja Kombëtare i dha hov të organizuar në të gjithë vendin. Në Mejtepin e Kukurit mësimi shqip pati filluar që më 1905. Aty, hoxhët patriot Maksut Mollajtemi e Ismail Shuli, me mbështetjen dhe të patriotëve Ali Mollajtemi, Hysen Shuli, Dine Meçi, Salo Bega, Rexho Gjaçi, Halim Këmo, Dervish Zela, Haki Bega, Shahin Zani, Mite Kishta, Mahmud Çela e të tjerë, filluan ilegalisht tu mësonin fëmijëve germat e alfabetit shqip, abetaren shqipe, vjersha e këngë patriotike të krijuara nga rilindasit e mëdhenj: Naimi, Çajupi, Asdreni, Vaso Pasha, Meleq Shëmbërdhenji e të tjerë.

Më 12 shtator të vitit 1909 u hap shkolla e parë shqipe në Gramsh. Kjo e ndezi edhe më shumë dashurinë për gjuhën dhe shkollën shqipe në gjithë nënprefekturën. Qeveria e Vlorës e pa me përparësi shkollimin e popullsisë në gjuhën amtare dhe mori vendime për këtë qëllim. U hapën mjaftë shkolla në zonën që administrohej nag Shteti Shqiptar i Ismail Qemalit. Edhe në Gramsh, që më 1913, u çelën katër shkolla (Gramsh, Grabovë Sipër, Grabovë Poshtë dhe Çekin)

Vitet e Luftës së Parë Botërore sollën shumë fatkeqësi edhe për popullsinë e nënprefekturës së Gramshit, por rrjedhojë e politikave lëshuese për arsimimin e popullsisë vendase, ushtritë  ndërluftuese në zonat e pushtuara nga Austro-hungarezët dhe Francezët përmbushën kërkesat e parreshtura për hapjen e shkollave shqipe. Komanda e Ushtrisë Austro-hungareze me qendër në Shkodër, caktoi Drejtor të Arsimit Luigj Gurakuqin. Ajo drejtori urdhëroi çeljen e shkollave shqipe më 1 tetor 1916.

U krijuan kushte e mundësi që në Gramsh, në vitet e asaj lufte dhe më pas, të hapeshin disa shkolla: më 1916 në Kukur, Kodovjat, Grabovë Sipër, Shmbërdhenj e Nartë, më 1917 në Shënepremta e Bulçar, më 1918 në Sojnik, Snosëm, Gribë, Rmath e Rashtan.

Në Kukur u hap më 1 Tetor të vitit 1916, në Mejtepin e fshatit me mësues Kamber Karadaku nga Elbasani. Prej asaj kohe shkolla e Kukurit ka patur vetëm rritje e zhvillime. Në të vërtetë deri më 1945 ajo pati dhe ndërprerje, po  kurrë nuk u shua interesimi për të. Zhvillim të qëndrueshëm pati pas vitit 1930, kur u ngrit dhe godina e shkollës për katër klasë të fillores. Mësuesi që la më shumë gjurmë në ato vite qe Demir Koçi nga fshati Gramsh. Ai qe përgatitur për mësues në shkollën Normale të Elbasanit dhe qe shumë i përkushtuar ndaj detyrës. Në ato vite u shkolluan shumë djem e vajza nga fshati

I përkujtojmë me nderim e respekt të gjithë, ata atdhetarë që punuan e luftuan për hapjen e shkollave dhe  mësimin e gjuhës shqipe.

Ndjenja e dashurisë për shkollën dhe arsimimin e fëmijëve në Kukur ka qenë e vazhdueshme dhe nuk është e rastit që shkolla e këtij fshati është ndër të parat që u rihapën pas çlirimit nga okupatorët nazifashistë. Shkolla e Kukurit rifilloi si shkollë fillore në dhjetor të vitit 1944, për të vazhduar si 7 vjeçare më 1950 (e dyta në rrethin e Gramshit) e pastaj 8 e 9 vjeçare e më 1988 të nisij rrugën,  me shkëputje nga puna, shkolla e mesme që vazhdon edhe sot.

Në atë shkollë kanë kontribuar mësues të shumtë të ardhur nga rrethe të tjera si Elbasani e Korça, si dhe nga fshatra të tjera të rrethit të Gramshit. Të gjithë kanë  mbetur të kënaqur nga ndjenja arsimdashëse e banorëve të fshatit për shkollën, nga intresimi i vazhdueshëm i administratës shtetërore për arsimin dhe nuk u ankuan asnjëherë, pavarësisht kushteve shumë të vështira dhe largësisë. U duhej të vinin në këmbë që nga Gramshi, duke udhëtuar mbi 8 orë në terren të vëshirë, por nuk i munguan asnjëherë orës së mësimit.

Nderim e respekt për të gjithë ata heronj.

Roli i shkollës në Kukur ka qenë shumë i madh për arsimimin e popullsisë, për emancipimin kulturor e zhvillime të tjera sociale. Në atë shkollë mësuan kuadro të ardhshëm për të gjitha fushat. Ata vazhduan studimet në shkëllate e mesme e të larta që u hapën në Shqipëri dhe u specializuan si ekonomistë, agronomë, veterinerë e zooteknikë, inxhinierë, oficerë në ushtri, mësues, mjek etj. Edhe sot ajo shkollë është vatër zhvillimi e përparimi. Fshati Kukur mban një vend nderi në historinë e arsimit, duke qenë një nga qendrat e para ku lëvrimi i gjuhës shqipe sfidoi pengesat e kohës.                                                                               

 

                      

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page