top of page

Faruk Myrtaj: SHTIZA NË TË CILËN NGRIHET FLAMURI

45 minutes ago
9 min read

SHTIZA NË TË CILËN NGRIHET FLAMURI


-tregim-


 "Qeveritë ndërrohen për të përsosur kontrollin njerëzit ndryshojnë, për të mbetur njerëz..."


Qeveria e radhës, ndryshe nga të mëparshmet, e tha me zë të lartë se trojet e atdheut ishin më pak se meritonin shtetasit e tij, bëri të ditur se një ISHULL në skajin më verior të vendit ishte lënë si tokë e askujt, në midis-kufirin nën akuj me fqinjët dhe që dilte si detyrë e shpejt, atdhetare, e shenjtë, që Ishulli t’i bashkohej atdheut.

E sigurt që shprehte edhe dëshirën e qytetarëve, qeveria e shndërroi në thirrje publike: Ta popullojmë një orë e më parë ishullin, përpara se atje të arrij ndokush tjetër.

Ca pak njerëz, që tërë jetën e kalonin bibliotekave duke shfletuar arkivat e vjetra, nuk ndenjën dot pa thënë se s’ishte hera e parë që Ishulli o diçka tjetër si ai, shërbente si kujtesë për patriotizmin e sovranitetin, por mënyra se si e ri-lexuan shpluhurosësit e arkivave tingëlloi më shumë si kuriozitet.

Edhe pasi u njoftua se dikush do të nisej për në Ishull.

Në fillim-gusht, një tufë vullnetare la pas të nxehtit e rërës djegëse të verës së brigjeve jugore dhe, pas disa ditësh e ca orësh lundrim, po i gëzohej freskisë së ajrit që frynte mbi syprinën e ujërave të Veriut. Përgjatë orëve të tjera, që zgjateshin për shkak të paraleleve dhe meridianëve, dy anijeve ushtarake ku kishin zënë vend ai numër familjesh në përgjigje të thirrjes, u desh tu printe drejt ishullit një akullthyese.

 ***

“Jam ende djalosh i ri, i fuqishëm dhe kureshtar”, shkroi në ditarin e vet, fill ato ditë, Alaba Andalak, njeri nga vullnetarët e përcjellë me nderimet më të mëdha. “Qëndrova tërë dëshirë në kiçin e anijes, kryelartë dhe krenar, nën flamurin e bekuar të vendit tim që paskësaj do zmadhohej me një ishull tjetër.”

Nisi të errej, dëgjoheshin krakëllimat, përplasjes e akull-thyeses me akujt dhe ndjesia e deri-atyshme e vapës, që për pak ua kishte marrë frymën, qe këmbyer me një të ftohtë që dikur i urdhëroi rreptë të hynin në kabinat e anijeve. Shtuan në trup të tjera nga rrobat që kishin marrë me vete, hodhën krahëve edhe ca pelerina ushtarake, ndjenë lodhje por gjumi s’i zinte, duke pritur të gdhihej, pasi u thanë se pothuajse po arrinin dhe kishin dremitur, pa e kuptuar, kur i ndërmendën zërat e uniformave të anijeve.

Një hapësirë e pafund, e bardhë, u shfaq përpara syve të tyre.

“Ky është Ishulli juaj!” thanë ushtarakët. “Për fat, u nisëm në kohë dhe arritëm përpara të tjerëve. Është ishulli ynë! Vëmë këmbë mbi të dhe atdheu ynë bëhet një ishull më i madh. Secili prej atyre në tokën mëmë, do mbetet mirënjohës e falënderues për jetë në aktin tuaj!”

 ***

“Pas pak ditësh kuptuam se deri sa hante syri ishte një ishull, truall i ngrirë bore, kurrë i banuar, i izoluar nga bota," shkroi në fund të javës së parë Alaba Andalak, duke përshkruar peizazhin ku zbarkoi familja e tij, përbri familjesh të tjera ardhur me të njëjtat anije.

“Kishim me vete jo pak pajisje, lënë nga ushtarakët, tendat, çantat e shpinës, jo pak ushqim në to, që mbase do të na mjaftonin gjer sa ata të ktheheshin sërish me anijet ushtarake, për furnizimin e radhës, kur të shkrinin akujt e ujërave. Ata ishin larguar, kur ne kuptuam se s’arritëm t’i pyesnim: ujin, ku do ta merrnim?

Zhvendosja nga trojet, ujërat dhe ajri i ngrohtë i jugut në këtë hapësirë të akullt, nga shtëpia e bollshme me dyer e dritare që vështronin në të gjelbër, për të hyrë në një guvë nën akull- edhe pse veshura me sfungjerë e mushama speciale ushtarake, u kthye në tronditje të rëndë për babanë tim…Vdiq nga një atak në zemër, pak javë pasi ishim ngulur në ishull, në moshën e përkuljes së pjekurisë së burrit. Prej asaj dite, sytë më shkonin e mbeteshin te nëna. Gjithë jetën përpara vetëm ajo, kush tjetër, do tu bënte ballë punëve, pas ikjes së babait, në një ishull si ky...”

Në dorëshkrimin e Alaba Andalak, në këto çaste, duhet t’i jetë dredhur edhe zëri.

Qeveria e radhës kishte bërë tërë premtimet, që ata të niseshin pa dilemë për në Ishullin e Epërm në Veri.

“...Natyrisht nuk na bëri atdhetarë qeveria. Jo! Dukej se vet ne kishim qenë në pritje që dikush t’ia vinte zjarrin kësaj dhembshurie që vlonte brenda nesh. Ushtarakët, gazetat e televizionet përsëritnin se ne do të kishim furnizime e ushqime të bollshme, të posaçme do t’i kishim edhe lojërat për fëmijët.

Sigurisht, edhe pa këto fjalë, do niseshim për ta bërë atdheun sadopak më të madh, por prej tyre u ndjemë deri në qelizë të qetë në dëshirën e gufuar për tu bërë pikërisht ne, banorë të parë të atdheut tonë edhe atje. Ndjeheshim edhe të privilegjuar, pasi morëm vesh se jo pak të tjerëve, nuk u ishte plotësuar kjo dëshirë, ngaqë thjesht ishte plotësuar numri i duhur i vullnetarëve.”

Kjo ndjesi e brendshme, e ëmbël, gëlonte e gufonte edhe kohëve të para në ishull. Tradita e të moshuarve që flasin orë të tëra për historinë e së shkuarës, shërbeu edhe aty ku kishin ardhur. Përcillnin ndjesinë e fisit dhe të gjakut, si diçka thjesht familjare, te brezi tjetër. Këto rrëfime vazhduan deri ditën kur dikush para-tha se teprimi me të shkuarën, mund të sillte edhe mërzi, në mos edhe trishtim te fëmijët.

Si për kompensim, ky ishte edhe momenti kur erdhi ndërmend që, sipas një radhe, secila prej si-shtëpive nën akull, të bënte vend edhe për vallëzim.

“Na gëzoi ideja se po bënim diçka, bashkë, tërë familjet, deri në ardhjen aty të panjohura me njera-tjetrin. Vetëm ndjesia e brendshme pse kishim ardhur aty, na bashkonte, jo ndonjë lidhje gjaku. Tani, pikërisht kjo “largësi në afërsi” qetësonte. Duke vështruar se si gëzonin fëmijët, teksa vallëzonin orë të tëra, çdo ditë, deri në mesnatë, po i gëzoheshim një lloj afërsie fizike si e guvave këtu, aq pranë sa…edhe kur ndaheshim dhe hynim secili në guvën e vetë, ndjeheshim ngrohtë prej kësaj afërsie.

 ***

Ata që na sollën në ishull, ushtarakët, ishin deri në fund të përkushtuar në detyrën e tyre. Burra korrektë, rritur dhe edukuar me idenë e ardhjes në jetë vetëm për të zbatuar urdhra, kush më shumë se ata, kishte lidhje më jetike me ngjarje të tilla, me thirrje dhe rritje atdheu.

“Mbase edhe ne, për të qenë banorë të parë në Ishull, si këta ushtarakë nën betim ishim: shtiza ku mbështetej flamuri i Atdheut", shkruan Alaba Andalak.

Për gjatë muajve të dimrit të parë dhe gjatë tërë vitit tjetër, për shkak të ardhjes të dy anijeve me furnizim në pranverë dhe të një tjetre në vjeshtën e tretë, edhe pse s’kishim si në fillimet, nuk na mungonin gjërat më të domosdoshme. Nuk pritej të ishte e kollajtë siç menduam në fillim por nuk dyshuam kurrë se qeveria s’do vazhdonte të përpiqej të plotësonte kërkesat e tyre, si qytetarë të vet në Ishullin Plus. Nuk bëhej fjalë thjesht për premtimet, kur në rastin me ishull hynte në mes vet sovraniteti…

Megjithatë, në krye të shkurtit të katërt aty, lindi nevoja të bëheshin ca llogari, nisi të përdorej fjala kursim. Pastaj përsëritja e saj: “kursim, kursim”. Më pas akoma shtrirja e fjalës në një fjali të tërë: “kursim, kursim në çdo gjë kursim!” Gjërat e duhura edhe mund të vonoheshin dhe ata kuptuan se nuk duhej ta linin veten duke parë nga deti. Duhet t’i mbronin jetët edhe sikur asnjë anije të mos shfaqej në brigjet. As në horizontin e ujërave.

Pritja për një shenjë nga trojet amë zgjati aq shumë sa, sapo në qiell shquhej pak diell, njerëzia dilte anë-detit dhe ngujoheshin aty. As nata dhe as ngrirja e ujërave nga të ftohti s’i largonte dot prej aty. Provonin ngjalljen e një lloj ëndjeje për tu kthyer në shtëpitë dikur, përpara se të niseshin për në ishull...

Vajtje-mendja për ta lënë ishullin u mor vesh vetëm pasi u vu re mungesa e dikujt. Pas kësaj u përfol se edhe ndokush tjetër, më herët, ishte larguar nga Ishulli, por qe kthyer sërish. Jo aq pak të tjerë kishin ikur dhe nuk qenë ishulluar më. Po pra, me anije pirate aty pari se, me ç’tjetër mund të çaje ato ujëra në atë blu të thellë të frikshme edhe pse prej shkrirjes së akujve formoheshin.

Bëhej me gisht tregues, ndaj ndokujt prej të Ikurve, i kthyer sërish, në fillimet, si për pllangë përfolje, qortuese, në mos edhe turpëruese, sado që thellë-thellë po bëhej gjithnjë e më e lehtë se s’ishin pa shkak. Aq më pak kur numri i arrative po shtohej dhe i të kthyerve sërish po bëhej gjithnjë e më i paktë...

 ***

Pikërisht prej ndokujt nga këta ikanakë që pendoheshin ose nuk tërhiqeshin dot përfundimisht prej nisjes me tërë dëshirë për në ishull, u mësua ç’kishte ndryshuar ndërkaq në kontinent. Zgjedhjet e parakohshme, kishin ndryshuar qasjen ndaj Ishullit. Qeveria tjetër nuk merrte përsipër detyrimet për ishullorët.

Qëndrimin ndryshe e kishin paralajmëruar disa gazeta dhe televizione. Në to ishte thënë se Të Ikurit në Ishull ishin gati të ktheheshin, por nuk e bënin këtë thjesht prej turpit që druheshin se do të binte mbi ta. Më keq akoma, sipas këtyre informimeve, edhe ata pak që ngulnin këmbë të mbeteshin në Ishull, e bënin këtë se pas kaq viteve vegjetativë qenë dembelosur dhe s’ishin gati të ktheheshin në atdheun ku do duhej të punonin si më parë, pra si të tjerët ende aty.

Më në fund, si përherë, në një studio televizive ishte gjendur dikush për të thënë se ky lloj patriotizmi nuk shërbente veçse për "ngjyrosjen e një ishulli në hartë!".

Kur vet opinioni, ata pra që dikur i kishin përcjellë për në Ishull pothuajse si heronj, testohej se kishte ndërruar, Qeveria e re e tha copë se s’kishte asnjë interes, as kapital politik, ajo s’e kishte premtuar, as e humbiste ishullin, që s’ishte paqe, as luftë e saj.

Askush prej atyre që s’kishte qenë, as merrte me mend ç’ishte ai Ishull i bardhë në tërë stinët, s’mund të kuptonte çdo të thoshte që njerëzit atje të mbeteshin me sytë nga deti, teksa ushtarakët që i kishin sjellë aty ndërkohë kishin marrë detyra të tjera...

“Paskëtaj, qëndrimi ynë ndaj atyre që riktheheshin në Ishull, ndërroi tërësisht”, shkroi në ditarin e vetë Alaba Andalak. “Këta njerëz, që na sillnin të vërtetën prej vendlindjes për ne, në syrin tonë tashmë jo vetëm nuk qortoheshin por po kundroheshin edhe më të guximshëm, në mos më të nderuar, se ne vullnetarët për t’i shtuar Atdheut ishullin!”

 ***

Teksa thuajse s’prisnin më ndonjë anije dhe kishte mbetur fare pak mundësi ushqimi rreth e qark vendit ku qenë ngulur në ishull, atyre që po bënin gjithçka të ndjeheshin vendas në atë ishull, iu desh të dilnin për gjah gjithnjë e më larg. Nëse dikur kishin ardhur tërë dëshirë për të rritur Atdheun, tashmë u duhej të mbanin frymën gjallë.

Pa vërtetueshëm, por flitej se në ishull kishte vdekje urie dhe qenë shfaqur shenja origjinare kanibalizmi, gjë që për psikologët në kryeqytet, nga vinin reagimet, nuk shihej si habi. Në brigjet shfaqeshin të palëvizshme, mbase të ngrira prej ngricave nordike, trupa njerëzish si kreshta, koka përgjuese ndaj horizontit detar. Pa mundur të merreshin me mend se kishin mbetur ashtu në pritje të ndonjë anije ndihmash, mbetej që trupat dhe eshtrat e brejtura nga çafkat të soditeshin si punime arti në natyrë.

E kot fare, të akuzoje ndonjë qeveri të dështuar, apo vetë shoqërinë për kujtesë të shkurtër, kur vet ata qenë ngutur të niseshin si vullnetarë për në ishull. Mbase prandaj, tashmë po thuhej se më mirë që Ishulli të kishte mbetur tokë e askujt, të mos i përkiste asnjë shteti. Po pra, të lihej në natyrë të vet, si vetmi ishullore, qoshk i kësaj bote në grindje të pafund me veten...

 ***

Më në fund po besohej se tërë historia me Ishull Plus kaq ishte. Përfytyrohej si një monument, me skelete vertebrash në brigjet e tij, duke u shndërruar i tëri në simbol mirënjohje për sakrificën sublime të atyre që erdhën dhe mbetën ishullorë. Më shumë se si kuriozitet, kishin mbërritur në kontinent shënime të njërit prej pjesëtarëve të familjeve të para që zbritën në atë Ishull.

“Na falni që nuk shpëtuam dot as veten. Dhe që se bëmë dot tonin këtë Ishull...

E deshëm, jo më pak se ju që nuk erdhët me ne. Besuam se nderimi e sakrifica ndaj atdheut do të provohej duke e bërë më të madh, por...ju lutemi, mos na gjykoni si të dështuar. Nuk humbet kush që paguan për atdheun edhe kur borxhi nuk kthehet dot deri në fund...

Tanimë, kur po i humbas thuajse të gjitha, po besoj përfundimisht se për atdheun fitohet vetëm duke humbur…duke e humbur edhe atë vet...”

Autori i të shkruarave, Alaba Andalak rrëfente me hollësi se si ishte ndarë nga njerëzit e vet, ndërsa hipnin në anije tregtarësh lëkure që do t’i kthenin në Atdheun me Ishull Plus.

“…duke qarë u nisa edhe dikur, kur lamë kontinentin dhe u nisëm për në Ishull. Më gulfoi nga brenda parandjenja se mund të mos ktheheshim dot më. Po, kujtohem se më pyetën për lotët, atëherë, ata që na përcollën, por unë u thashë tjetër gjë. Sepse isha mes shtetarëve të lartë që bënin fotografi me ne. Dhe se atë ditë kishte më shumë televizione se flamuj. Me ç’të drejtë mund të rrëfehesha i vockël, frikacakë, kur aty gjëmonte himni kombëtar?”

Pasi kishte mbetur mes atyre të paktëve që do mbeteshin në Ishull, Alaba Andalak e kishte më të thjesht të merrte vendimin e duhur.

“Për veten, vetëm për veten, vendos unë. Paguaj çmimin tim duke shtuar këtu një varr, si provë për Atdheun tim...Kaq gjë e bëj. Jo për fëmijët, me jetën e fëmijëve jo…”

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page