Skënder Milaqi: POEZIA QË VJEN NGA DETI
- 2 hours ago
- 4 min read

Festivali mbarëkombëtar “Poezia e Detit” shndërroi Golemin në një tempull të artit dhe shpirtit krijues Në brigjet ku dallgët e Adriatikut puthin rërën e artë të Golemit, aty ku horizonti bashkon kaltërsinë e detit me ëndrrat njerëzore, më 23 maj 2026 u zhvillua për të dytin vit radhazi festivali mbarëkombëtar poetik “Poezia e Detit”, një veprimtari tashmë e konsoliduar në jetën kulturore shqiptare.
I organizuar me përkushtim nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, festivali mblodhi poetë, krijues, artistë dhe artdashës nga treva të ndryshme shqiptare, duke e kthyer ambientin madhështor të FaFa Blu në një skenë të vërtetë emocionesh, frymëzimi dhe komunikimi shpirtëror.
Në një kohë kur ritmi i shpejtë i jetës moderne rrezikon të zbehë ndjeshmërinë njerëzore, ky festival erdhi si një rikthim i fuqishëm te fjala artistike, te poezia që buron nga shpirti dhe prek zemrat. Valët e detit dukeshin sikur shoqëronin ritmin e vargjeve, ndërsa era e lehtë e mbrëmjes mbante pezull emocionet e qindra të pranishmëve.
Poezia, në këtë takim të veçantë, nuk ishte vetëm art i shkruar; ajo u bë frymë, tingull, kujtesë dhe identitet. Poetët sollën krijime ku ndërthureshin dashuria, deti, atdheu, malli, koha dhe njeriu, duke krijuar një mozaik të pasur ndjenjash dhe vizionesh artistike.
Çdo interpretim mbante vulën e individualitetit krijues, por njëkohësisht bashkohej në një frymë të përbashkët: dashurinë për artin dhe fjalën shqipe,kjo e shprehur bukur nga fragmente të caktuara të disa poezive të autorëve të vlerësuar apo jo nga juria,por që lanë një ndjesi të bukur shpirtërore.

Unë po paraqes fragmente të poezive të disa autorëve që mua më lan më mbresa e po i citoj më poshtë,por pa e diskutuar cilësinë e poezive të tjera të autorëve të tjerë të nderuar.
-Në poezinë e Nada Mingulit shihet lidhja sintezë mes jetës dhe dhimbjeve që shkakton deti në dashurinë dhe egërsinë e tij ku në të citohet:
Toka mban në gji plagët e kohës së vjetër, Ndërsa deti i lag me kripën e përjetësisë,
Në këtë përqafim mes materies dhe eterit,
Lind dashuria si si një valë e ngrohrësisë.
-Në poezinë e Merita kuçit ndjehet lidhja e ngushtë mes qytetit dhe detit ku në një strofë të poezisë”Ëndërr në dhjetor”thuhet:
Gëzoni njerëz në çatitë tuaja,
Frymoni blu,qyteti sa ju ngjan,
Detin e zemrës mos e mbytni,
Zjarrin kuqërremtë,tek shëron plagë.
-Poetja e njohur Teuta Dhima në poezinë e saj”Rrathë mbi ujë”,ndërthuret bukur mataforikisht thellësia që të jep deti me thellësinë e ndjenjave të shpirtit ku ndër të tjera thuhet:
Më i pafund je ti, apo qielli mbi ty,
Por ju mbaj të dy brenda shpirtit tim,
dhe nganjëherë më tremb
Sa i thellë mund të jetë ai.
-Në poezinë e poeteshësh Elona Tabaku”Det i kaltët,e i zi” ka një lidhje të bukur mes shpirtërorës dhe bukurisë së detit e shprehur në një fragment si më poshtë:
Vala puth bregun ngadalë,
Qielli puth detin në ballë,
Shumë njerëz qajnë mbi valë,
Qajnë plot dhimbje,plot mall.
-Në poezinë e mikut tonë artist Luan Jaupi“Pasqyra e kaltërsisë” jemi në simbiozë të bukurisë qiellore me atë detare,ku në një fragment citohet:
Një hapësirë e kaltër pa fund e pa anë,
Ku qoelli me ujin puthen në distancë,
Rëra e nxehtëpret çdo dallgë që vjen,
Si një mall i vjetër që shtëpinë e gjen.
-Ndërsa poetja Edlira Gorreja na vjen me një thellësi mendimi poetik në poezinë e saj”Dallgë ti e valë unë” ,ku ndër të tjera thuhet:
Dhe pse kurrë s’ta njoha thellësinë,
Inatet me dallgë shumë,
Sot ta kuptoj ndryshe mërzinë,
Kripën tënde në trup mbaj dhe unë. ………..
Dallgë ti e valë unë,
Thesare brenda vetes mbajmë fshehur,
Në breg si anije prej letre ti lashë mërzitë,
Ti më vjen në formë Morfeus.
-Myrteza Mara na jep lidhjen e pazgjithshme mes poetit dhe detit dhe në poezinë e tij”Siamezët”citohet:
Pak nga magjitë që krijoj Zoti,
Dy i mbajti veç për vete,
Shëmbëlltira me shije loti,
Njeri deti,tjetri Poeti.
-Apo ndjesia e ëmbël që të krijohet në poezinë e Lulzim Hajdarit”Mall ndër valë” ku citohet:
Sonte vetëm deti më kupton në heshtje, Mundohet t’më freskoj që të vij në vete,
Veç malli ndër valë çon tinguj harrese,
Që dëshira t’mbyllet në një guackë kujtimesh.
-Në poezinë e Agim Likës përzihet melankolia e perëndimit me ndjenjën njerëzore ku në poezinë”Në muzgun e heshtur përqafuar me ty”,citohet:
Shijoj gjuhën e valëve që në breg përplasen si meteorë,
Perendimin e diellit që aq shumë më pëlqen, Njerëzit e shumtë që vrapojnë me telefonat në dorë,
Për të kapur ktë çast,sikur deti zhytet në det.
Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë dhe më elegante nga interpretimet muzikore të këngëtarëve pjesëmarrës, të cilët me këngë të zgjedhura me shije artistike krijuan një harmoni të bukur mes poezisë dhe muzikës.
Tingujt melodiozë, të kombinuar me bukurinë natyrore të bregdetit, i dhanë aktivitetit një dimension festiv dhe emocional të rrallë. Meritë e veçantë i takon organizatorëve, të cilët dëshmuan seriozitet kulturor, vizion artistik dhe aftësi organizative për të ngritur një aktivitet me nivel të admirueshëm estetik e qytetar. “Poezia e Detit” nuk ishte thjesht një festival poetik; ajo u shndërrua në një urë komunikimi mes krijuesve, në një tribunë të fjalës së lirë artistike dhe në një festë të kulturës shqiptare.
Ky aktivitet dëshmoi se Durrësi, qyteti i lashtë i detit dhe historisë, vazhdon të mbetet një vatër e rëndësishme e kulturës dhe artit shqiptar. Nëpërmjet kësaj nisme, arti fitoi edhe një herë hapësirën që meriton në jetën shoqërore, ndërsa poezia tregoi se mbetet një nga format më të bukura të komunikimit njerëzor.
Festivali “Poezia e Detit” po shndërrohet tashmë në një traditë të bukur kulturore, që jo vetëm promovon krijimtarinë poetike, por edhe bashkon njerëzit përmes ndjenjës, bukurisë dhe artit. Dhe ndoshta kjo është fuqia më e madhe e poezisë: të bëjë zemrat të flasin në të njëjtën gjuhë, si dallgët që nuk reshtin kurrë së kënduari pranë brigjeve të detit.








Comments