top of page

Skënder Kapiti: Skrapari dhe Kosova

  • 2 days ago
  • 5 min read

Nga Skënder Sadri KAPITI

Vëllezër! Europa nuk dëshiron të shohë një Shqipëri të lulëzuar në kufijtë etnikë të saj. Mblidhni mendjen se themelet e Shqipërisë do t’i vendosim vetë.”

Riza Cerova, 15 mars 1923, artikull në gazetën “Politika”.



Skrapari është një krahinë e Shqipërisë, e cila ka nxjerrë burra e patriotë të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, të Kuvendit të Vlorës, të Kongresit të Lushnjës, për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe për arsimin e diturinë; patriotë që kanë kontribuar aq shumë për Çështjen Kombëtare Shqiptare; patriotë që kanë marrë pjesë me pushkë dhe penë për atdheun, për Shqipërinë etnike; patriotë që kanë qenë gjithmonë në kohën e duhur dhe kur ka pasur nevojë atdheu, si në mbrojtjen e Vlorës, në Luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjës dhe në pjesëmarrjen në Luftën Nacionalçlirimtare kundër nazifashizmit.

Patriotët e Skraparit gjithmonë kanë vënë interesin kombëtar mbi atë personal, klanor e krahinor dhe janë shembull i unitetit kombëtar. Figurat e mëdha patriotike të Koprenckajve, Xhelal, Ali, Sami etj., nga Skrapari heroik, dhe ato të Kosovës kreshnike, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri etj., kanë kontribuar shumë me veprimtarinë e tyre në ngjarjet më të rëndësishme atdhetare dhe politiko-ushtarake për mbrojtjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, të trojeve shqiptare dhe për Shqipërinë etnike.

Patriotët e Skraparit gjithmonë kanë pasur lidhje shpirtërore me Kosovën.

Lidhja patriotike e Skraparit me Kosovën vërtetohet edhe nga fakti se abetaren e parë në Skrapar e ka sjellë një shqiptar nga Kosova, mësuesi atdhetar Idriz Novokazi nga Gjakova, si dhe nga fakti tjetër se bashkëluftëtari i Bajram Currit, Qamil Luzha, ka qenë kryetar komune në Skrapar. Ka në Skrapar edhe një dëshmor nga Kosova, komandanti Xheladin Beqiri, nga Karadaku; fakte këto që njihen. Prandaj duhet domosdoshmërisht që të rishkruhet historia dhe të zënë në të vendin që meritojnë patriotët e vërtetë, të cilët, për fat të keq, historia i ka lënë anash.

Unë, Skënder Sadri KAPITI, vij nga një familje me tradita dhe me kontribute atdhetare e nacionaliste nga Kosova.

Për Skraparin, për patriotët dhe për traditat e skraparlinjve fillimisht më ka treguar babai im, Sadri KAPITI, i cili gjatë kohës së Mbretërisë së Zogut ka pasur shumë miq dhe shokë nga Berati dhe Skrapari. Kur zogistët kishin vrarë patriotin e madh Hasan Prishtina, ai këtë lajm e mësoi prej skraparlinjve, të cilët ia treguan atij të përlotur nga kjo ngjarje e dhimbshme.

Babai më ka treguar, që kur isha fëmijë, për patriotin e madh Riza Cerova, si bashkëpatriot i Bajram Currit; për nacionalistin Prof. Abas Ermenji dhe më ka treguar se traditat e Skraparit dhe zakonet e asaj krahine, si shenjtëria e familjes dhe e fisit, burrëria, ndershmëria, patriotizmi, besa dhe mikpritja, janë njëlloj si ato të Kosovës.

Kjo ndoshta mund edhe të jetë një lidhje e shumëkahershme, e shekujve më parë, ku ka pasur lëvizje të popullsisë dhe familjeve shqiptare brenda trojeve shqiptare për arsye të ndryshme, e sidomos si pasojë e barbarisë, dëbimeve dhe gjenocidit sllavo-serb mesjetar në Kosovë.

Babai im ka qenë invalid i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, gjë e cila na ka mundësuar që ne, bijtë e tij, të njohim patriotin e Skraparit, Qemal Mançen, ish-kryetarin e Shoqatës së Invalidëve të Luftës Nacionalçlirimtare, Dega Durrës, si një personalitet babaxhan, zemërgjerë, shembull fisnikërie e besnikërie, patriotizmi, urtësie, komunikimi, tolerance dhe ndjesie të lartë shpirtërore e krenarie kombëtare.

Qemal Mançe ka qenë mik i yni dhe, edhe pse në moshë të thyer, ai tregonte e vepronte me një dashuri të madhe për Kosovën dhe për Luftën e UÇK-së. Ai na ka inkurajuar shumë për mobilizimin e vullnetarëve të UÇK-së te qendra e mobilizimit të vullnetarëve të saj, te “Drenica e Durrësit”, si dhe në organizimet festive e përkujtimore të festave kombëtare e patriotike të Pavarësisë së Shqipërisë e të Kosovës, të Epopesë së UÇK-së, te kjo qendër kryesore e mobilizimit, te lokali i Gani KAPTIT.

Ai, për kontributin e familjes sonë dhe për historikun e qendrës së mobilizimit të vullnetarëve të UÇK-së, i ka propozuar, në emër të Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-it, Dega Durrës, institucioneve më të larta shtetërore e vendore të Shqipërisë që “Drenica” e Durrësit të shpallet shtëpi-muze dhe familja e Sadri Kapitit të dekorohet.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri”.

Qemal Mançe, së bashku me Shoqatën e Invalidëve të Luftës Nacionalçlirimtare Shqiptare, Dega Durrës, ka bërë vizita në Prekazin e Jasharajve dhe në Gllogjan menjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Nga patriotët e Skraparit përmendim edhe nacionalistin dhe Kosovëdashësin e madh, Profesor Abas Ermenji, i cili, kur u kthye në Shqipëri pas rënies së komunizmit, si kauzë të tij kishte, ashtu siç e kishte pasur gjithmonë, Bashkimin Kombëtar, Shqipërinë etnike dhe lirinë e Kosovës, aq sa shumë nga ata që e takonin atëherë thonin nën zë se këtij i paska mbetur ora te Kosova.

Profesor Ermenji ka lënë një vepër historike me titull “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë”, e cila, sipas autorit, është vepra më e saktë, më shkencore, edukative, me të vërteta nacionaliste dhe akademike e botuar deri më sot. Këtë histori duhet ta mësojnë shqiptarët dhe jo historitë e deformuara e të mbushura plot me gënjeshtra ideologjike dhe politike.

Është një histori që përfshin të gjitha trojet shqiptare, të gjitha luftërat e ngjarjet që kanë ndodhur kudo në trojet shqiptare; është historia e vërtetë dhe jo ajo histori e shkruar nga të huajt, siç është, në tërësi, historia që kanë mësuar deri më sot shqiptarët.

Një tjetër personalitet që i është përkushtuar Çështjes së Kosovës dhe Shqipërisë Etnike është shkrimtari patriot Ilir Teki Malindi, me kryeveprën e tij “Kosova është imja”.

Në këtë libër autori e trajton në aspektin historik faktin se Kosova është djepi i shqiptarizmit dhe se atje janë zhvilluar ngjarjet më të mëdha kombëtare, por ai është një libër edhe filozofik, analitik, akademik dhe shkencor, ndoshta si unikal në llojin e vet, i cili sfidon gjithë akademinë serbe antishqiptare, gënjeshtare dhe mashtruese.

Një vepër e cila shërben si leksion edhe për akademitë shkencore të Prishtinës dhe Tiranës, në të cilat, sipas autorit, janë zgjedhur individë jokompetentë dhe preferencialë të politikës dhe të pushtetit. Është një vepër e cila ka kërkuar një punë përkushtimore, të mundimshme dhe të lodhshme, në shërbim të lënies së një trashëgimie të vyer historiko-patriotike e shkencore.

Z. Malindi është edhe një veprimtar i palodhur për Çështjen Kombëtare, i cili ka marrë pjesë kudo ku janë mbajtur takime, simpoziume dhe aktivitete në shërbim të Çështjes Kombëtare.

Një vend të veçantë për kontribute kombëtare zë edhe letërsia me tematikë patriotike e kombëtare e akademikut të madh nga Skrapari, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe, më herët, edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, i cili, së bashku me shoqatën e shkrimtarëve të drejtuar prej tij, në prill të vitit 2000 bëri një vizitë në Muzeun e Luftës së UÇK-së, ngritur te “Drenica e Durrësit”, me rastin e njëvjetorit të çlirimit të Kosovës, ku ai shprehej se:

“Drenica e Durrësit është shtëpi lirie, tempull atdhetarie që pagëzohet sot nga shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë.”

Ky takim akademikësh, shkrimtarësh dhe artistësh, i drejtuar nga akademiku Xhevahir Spahiu, e ndërshqiptarizoi akoma më shumë këtë vend, nga i cili buroi edhe jetësimi i Çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar.

Paskëtaj duket deti dhe deti është liri, është kulturë, është Europë, – citohet dhe thuhet nga akademiku nga Skrapari.

Çështjen Kombëtare Shqiptare dhe luftën e Kosovës e ka mbështetur me poezi dhe publicistikë edhe poeti e shkrimtari nga Skrapari Xhevahir Cirongu, i cili shquhet për poezinë e tij kushtuar sidomos vendlindjes së tij, Skraparit, dhe më gjerë botës shqiptare.

Ai ka shumë miq e shokë intelektualë nga Kosova dhe është mjaft i pranishëm dhe i vlerësuar në Kosovë, ku ftohet dhe merr pjesë në aktivitete të ndryshme letrare që mbahen atje.

Durrës, më 8 gusht 2026

(Korektoi dhe përshtati "Fjala e Lirë" sipas origjinalit të autorit)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page