Fatmir Terziu: Pse jam me Përparim Ramën
- 8 hours ago
- 4 min read

(Kosova nuk mund të jetë gjithmonë solidariteti i të tjerëve dhe kurrë e drejta për t’u respektuar)
Deklarata politike e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd nuk duhet lexuar vetëm në sipërfaqen e saj, as vetëm përmes një flamuri që hiqet apo vendoset në një shesh. Duhet parë parimi që qëndron pas veprimit. Dhe pikërisht për këtë arsye, në rastin e reagimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, unë jam me të. Jam me Përparim Ramën jo sepse mendoj se çdo vendim i një kryetari bashkie është i pagabueshëm, por sepse në këtë rast ai ka prekur një çështje që shkon përtej një flamuri, përtej një slogani dhe përtej marrëdhënieve të çastit mes Kosovës dhe Ukrainës: dinjitetin e shtetit të Kosovës dhe të drejtën e tij për të kërkuar respekt reciprok.
“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet”, ka deklaruar Përparim Rama. Për mua, ky është thelbi i çështjes. Dhe përpara se dikush të nxitojë ta interpretojë këtë si braktisje të Ukrainës, duhet bërë një dallim shumë i rëndësishëm, të jesh me Ukrainën në luftën e saj nuk do të thotë të heqësh dorë nga Kosova. Përkundrazi, Kosova e di më mirë se kushdo çfarë do të thotë të kërkosh solidaritet. Shqiptarët e Kosovës nuk e shikojnë luftën e Ukrainës vetëm përmes ekraneve televizive. Kosova e njeh luftën. E njeh pushtimin, dhunën ndaj civilëve, dëbimin, humbjen, frikën, familjen që pret dikë që nuk kthehet, fëmijën që rritet pa prindin dhe atë ndjenjën e tmerrshme kur një popull duhet t’i shpjegojë botës se edhe ai ka të drejtë të jetojë i lirë.
Prandaj solidariteti i Kosovës me Ukrainën nuk ka qenë artificial dhe as dekorativ. Nuk ka qenë një modë diplomatike. Ka qenë solidaritet njerëzor. Kosova e ka vendosur flamurin e Ukrainës në Prishtinë pikërisht sepse ka parë në dhimbjen ukrainase një pjesë të historisë së vet. Por pikërisht këtu lind pyetja që nuk mund të shmanget, a duhet të jetë solidariteti gjithmonë vetëm në një drejtim? Unë besoj se jo. Nuk mund të kërkosh nga Kosova të kuptojë dhimbjen tënde dhe njëkohësisht të mos marrësh parasysh historinë e saj, sakrificën e saj dhe të drejtën e saj për t’u respektuar si shtet. Vizita e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Beograd dhe qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës e vendosin këtë çështje në një terren të vështirë diplomatik. Ukraina ka të drejtën të përcaktojë politikën e saj të jashtme, ashtu si çdo shtet tjetër. Por edhe Kosova ka të drejtën të reagojë politikisht ndaj qëndrimeve që prekin drejtpërdrejt shtetësinë dhe subjektivitetin e saj.
Këtu duhet të jemi të qartë. Ukraina nuk është Zelenskyy dhe populli ukrainas nuk mund të bëhet përgjegjës për çdo qëndrim diplomatik të qeverisë së tij. Unë nuk e shoh Ukrainën si kundërshtare të Kosovës. Nuk e shoh popullin ukrainas si përgjegjës për qëndrimin diplomatik të shtetit të tij dhe nuk besoj se dhimbja e miliona ukrainasve duhet të përdoret si argument kundër vetë Ukrainës. Përkundrazi, Ukraina duhet mbështetur në të drejtën e saj për liri, sovranitet dhe integritet territorial.
Por pikërisht sepse e mbështesim këtë të drejtë, kemi edhe të drejtë të kërkojmë që parimi i respektimit të sovranitetit dhe dinjitetit shtetëror të mos funksionojë vetëm kur është në interesin e një pale. Nëse themi se një popull ka të drejtë të jetojë i lirë, duhet ta pranojmë këtë parim edhe kur emri i popullit është Kosovë. Nëse themi se sovraniteti dhe integriteti territorial i një shteti duhet të respektohen, duhet të kuptojmë edhe pse Prishtina reagon kur shtetësia e saj vihet në pikëpyetje. Nëse themi se pushtimi, dhuna dhe mohimi i të drejtës së një populli nuk mund të justifikohen, duhet të kuptojmë pse kujtesa e Kosovës nuk mund të trajtohet si një kapitull i parëndësishëm i historisë.
Prishtina nuk i ka shpallur luftë Ukrainës. Heqja e një slogani apo e një simboli solidariteti nuk është shpallje lufte ndaj Ukrainës. Nuk është as mohim i vuajtjeve të ukrainasve. Është një gjest politik dhe gjestet politike lexohen në gjuhën e marrëdhënieve politike.
Nëse një shtet nuk e njeh Kosovën, ndërsa Kosova prej vitesh i ofron atij shtet solidaritet publik, atëherë është e natyrshme që një ditë të lindë pyetja: çfarë kuptimi ka solidariteti kur ai nuk shoqërohet me respekt minimal për ekzistencën politike të atij që solidarizohet?
Kjo është pyetja që Përparim Rama ka sjellë në tryezë. Dhe unë mendoj se është një pyetje legjitime. Kosova nuk duhet të sillet si një shtet që kërkon vazhdimisht leje për të qenë shtet. Ka ardhur koha që Kosova të mos sillet gjithmonë sikur duhet t’u kërkojë të tjerëve leje për të mbrojtur identitetin, shtetësinë dhe dinjitetin e vet.
Kosova ka paguar një çmim të jashtëzakonshëm njerëzor. Ka kaluar nëpër luftë, nëpër dëbime, nëpër humbje dhe nëpër një proces të gjatë ndërkombëtar për të fituar të drejtën e saj për të qenë shtet. Mund të ketë ende sfida të mëdha në arenën ndërkombëtare, por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të jetë gjithmonë e heshtur. Një shtet i vogël nuk bëhet më i respektueshëm duke heshtur. Bëhet i respektueshëm kur di të artikulojë interesin e vet me qartësi, maturi dhe dinjitet.
Në marrëdhëniet njerëzore, reciprociteti është një nga format më të thjeshta të respektit. Edhe në diplomaci nuk mund të bëjmë sikur ky parim nuk ekziston. Nuk po them se çdo shtet duhet të njohë Kosovën vetëm sepse Kosova e mbështet atë. Diplomacia është shumë më komplekse. Shtetet marrin vendime mbi bazën e historisë, interesave strategjike, aleancave dhe kalkulimeve gjeopolitike. Por pikërisht për këtë arsye, edhe Kosova ka të drejtë të bëjë kalkulimet e veta. Nëse Ukraina zgjedh të mos e njohë Kosovën, ajo ka të drejtën e politikës së saj. Por Kosova gjithashtu ka të drejtën e politikës së saj. Dhe Prishtina ka të drejtë të thotë, se ne ju kuptojmë, por kërkojmë të na kuptoni edhe ju. Kjo nuk është shantazh. Është reciprocitet.








Comments