
Kur të bindësh të gjitha manitë dhe komplekset e tua ke për të më gjetur po këtu, në këtë vend e me këtë mendje. Nuk e ktheve kokën pas kur ike, jo nga vendosmëria jote, por nga shija e rëndë e humbjes. E vërteta dhe trauma duan kohë. Pretendohet që braktisjen e përjeton më shumë ai që rri, s'është e thënë, ndonjēherë ndodh që i ikuri merr vetëm kilogramët e tij me vete. Pse erdhe ti e di, dhe pse ike, po prapë ti. Ardhjet janë mister. Ikjet janë absurde. E gjithë kjo gjendje s'është e pēlqyeshme, por zgjidhjet nuk janë thjesht matematikore. Ikjet moderne janë pllanga që mbulojnë shpirtin. Edhe atë dlirësinë tënde të bardhë, atë të shkëlqyeshmen , njëzet e katër karatëshen. Ti mund të vish në vite e dekada më vonë, unë do jem po kaq e re, asnjë ditë më të madhe s'do më gjesh. Ti do jesh plakur, kërrusur, do jesh mbushur me rrudha pendese, me thinja që ndërgjegjja t'i ka zbardhur dhe u ka hequr të gjitha pigmentet. E di pse do të ndodhë gjithë ky shpërfytyrim?! Nga koha, ajo është aleatja ime. Koha ime të tregoi se ka dhe njerëz si unë. Nuk të ofrohet asgjë veç së vërtetës. Po, do të thotë sa vlen shpirti yt, sa të mira ka tek ti, depërton deri atje ku nuk sheh kush gjë. Ama kaq, asgjë më shumë, asnjë iluzion. Kam besuar gjithmonë se miqësitë e vërteta i kalojnë pengesat gjinore, bëhen më të fuqishme se çdo raport njerëzor. Megjithatë, unë kam besuar se dhe lisat flasin kur kërcasim gishtat . Ti mund të jesh kthyer në një krijesë të çuditshme, nuk i dihet se nga cili univers më survejon. Kjo nuk më tremb, njoh thelbin, zotëroj të gjithë aftësinë e të qenit e dlirë. Pritshmëritë e tua mund të jenë të shohësh ndonjë monstër. Nuk ka. Dhe kur lind një mendim negativ ekzekutohet që në fetus. Rastësia mbase, por kam një intuitë të pashembullt, emisari yt mori çfarë unë desha t'i jepja, jo çfarë ty t'u desh. Nuk kam frikë të them se ti ke plot të mira, madje ato duken si brerore gurësh të qendisura me merak. Kam frikë të them se ti e ke përqendruar vështrimin vetëm tek ato dhe je cinik për të pranuar se ildisja e lidhë për shpirti cohën e mirë. Jam e bindur që kur do mund të takohemi ndonjëherë, sytë do i ul unë, ama ndjesë do kërkosh ti. Dhe mund mos të takohemi. Unë do të shikoj drejt e ti falje s'ke pse merr.
Eshte proze e rrepte, kerkon fat, njeriun e nxjerre ne rruge dhe e le te gjej veten...Nese ia arrin...