Fatmir Terziu: Tre dëshmi që nuk u thyen
- 23 hours ago
- 2 min read

Tre dëshmi që nuk u thyen
Prof Dr Fatmir Terziu
Në një fotografi të thjeshtë mund të shihen tre burra. Për dikë që nuk njeh historinë, ata janë vetëm tre qytetarë shqiptarë. Por në të vërtetë ata përfaqësojnë tri rrënjë të thella të dhimbjes shqiptare, tri familje që diktatura komuniste u përpoq t’i shkulë nga kujtesa e kombit, pa ia dalë kurrë.
Rajmond Sejko mban mbi supe emrin e të atit, Teme Sejko, një prej figurave më tragjike të historisë së Shqipërisë, i ekzekutuar nga regjimi komunist në një nga proceset më të errëta politike të kohës. Diktatura mendoi se me pushkatimin e njeriut do të pushkatonte edhe kujtesën. Por kujtesa nuk vritet. Ajo jeton në bijtë, në nipërit, në dëshmitë dhe në të vërtetat që rikthehen gjithmonë.
Pranë tij qëndron Simon Miraka. Ai lindi në internim. Nuk njohu fëmijëri të lirë. Jeta e tij u mat me kamionët e transferimeve dhe me urdhrat e administratës së frikës. Nga Berati në Tepelenë, nga Tepelena në Gjaz të Lushnjës, ai u rrit duke parë se si një shtet mund të shpallte armik edhe një foshnjë vetëm pse kishte lindur në një familje të padëshiruar nga pushteti. Por as internimi nuk arriti t’i burgosë dinjitetin.
Po aq domethënëse është historia e Ilmi Plaka, pinjoll i familjes Plaka në Gostimë. Babai i tij u damkos me etiketën famëkeqe të “kulakut”, një fjalë që në Shqipërinë komuniste shpesh vlente më shumë se çdo gjykim dhe shërbente si dënim i përjetshëm. Rruga e vuajtjeve nisi në kënetën e Maliqit, vazhdoi në burgje dhe kampe, në Spaç e Ballsh, atje ku regjimi kërkonte të thyente jo vetëm trupin, por edhe shpirtin e njeriut.

Megjithatë, historia e këtyre tre burrave nuk është vetëm histori dhimbjeje. Është histori qëndrese. Është dëshmia se regjimet mund të ndërtojnë burgje, tela me gjemba, kampe internimi dhe procese politike, por nuk mund të ndërtojnë harresën. Harresa nuk imponohet. Ajo kërkon dorëzimin e ndërgjegjes, dhe ndërgjegjja e këtyre familjeve nuk u dorëzua.
Diktaturat e të gjitha kohërave kanë një tipar të përbashkët: besojnë se frika është e përjetshme. Besojnë se një brez i trembur do të lindë breza të nënshtruar. Por historia e njerëzimit ka treguar të kundërtën. Nga vuajtja lind kujtesa, nga kujtesa lind e vërteta, dhe nga e vërteta lind liria.
Prandaj fotografia e Rajmond Sejkos, Simon Mirakës dhe Ilmi Plakës nuk është thjesht një takim njerëzish. Është një monument i gjallë. Një kujtesë për Shqipërinë dhe për botën se liria nuk është dhuratë, por trashëgimi e fituar me sakrifica. Është një paralajmërim për çdo shoqëri që mendon se diktatura i përket vetëm së kaluarës.
Sepse diktaturat ndryshojnë emra, flamuj dhe parulla, por gjithmonë kërkojnë të njëjtën gjë: heshtjen. Ndërsa këta tre burra, me praninë e tyre, dëshmojnë të kundërtën. Ata janë zëri i atyre që u pushkatuan pa faj, i atyre që u internuan pa gjyq, i atyre që u burgosën për bindje, për origjinë ose thjesht për dinjitet.
Dhe për sa kohë që këto histori tregohen, për sa kohë që këta emra kujtohen, fitimtarë nuk janë diktatorët, por ata që mbijetuan. Jo sepse harruan, por sepse patën kurajën të kujtojnë.








Comments