top of page

Halil RAMA: MONOGRAFIA “KAMBER DURIÇI

  • 2 hours ago
  • 3 min read

MONOGRAFIA “KAMBER DURIÇI - BESË ME SHPIRTIN”, VEPËR SHUMËPËRMASORE E AUTORIT AQIF PUCA

 

Halil RAMA 

Mjeshtër i Madh

 

“KAMBER DURIÇI - BESË ME SHPIRTIN”, monografi e sapobotuar nga Shtëpia Botuese “UNIVERS”, është shkruar me dashuri dhe frymëzim, me pasion e vërtetësi, me një poetikë rrezëllitëse e me ligjërim të fjalës shqipe, në të cilën studiuesi Aqif Puca, në rrafshe të ndryshme e këndvështrime interesante gdhend jo vetëm portretin njerëzor të Heroit që i kushtohet e nga ku ajo merr titullin, por që sjell të letrarizuara këndshëm ngjarje e histori që e plotësojnë atë.

Faqe pas faqeje na shfaqet vendlindja e Heroit, Vajkali i Bulqizës, qëndresa heroike e patriotëve të këtij fshati emërndritur në historinë tonë kombëtare si dhe trashëgimia e pasur patriotike e familjes Duriçi.

Autori A.Puca vjen me këtë vepër, pas një studimi  gjer në detaje, jo në një ditë, një muaj apo një vit, por për aftro një dekadë, të kësaj trashëgimie të pasur njerëzore, shpirtërore e hyjnore, si dhe duke ju qasur me realizëm mozaikut shumëngjyrësh që përbëjnë faktet arkivore, dokumentare e gojëdhënat, si dhe opinionet e  bashkëkohësve të Kamber Duriçit. Kësisoj, në këtë monografi spikat elementi analitik si bërthama kryesore e evidentimit të kontributeve dhe vlerave të Kamber Duriçit, duke e parë e analizuar atë nga këndvëshrime reale,  jo vetëm si ish - Hero i Punës Socialiste që për kohën që jetoi  vlerësohej e nderohej si i tillë, nga minatori më i thjeshtë i Minierës së kromit të Bulqizës e deri të Nomenklatura e kohës, por edhe si bartës e përçues i vlerave më të spikatura njerëzore, i karakterit të formuar në mjedise atdhetare dhe fisnikësh të njohur të kësaj treve lavdiplote.

Parë nga ky këndvështim, them me bindje se Aqif Puca, një personalitet i njohur në qarqet krijuese e intelektuale, jo vetëm të Bulqizës e Dibrës, por në rang kombëtar, për vetë origjinën dhe kontributin madhor si kuadër me përvojë dhjetravjeçare në fushën e kulturës e të Artit, krijimtaria e të cilit e pasur dhe shumëplanëshe ka qenë gjithnjë e frytshme, cilësore dhe e suksesshme, edhe në shkrimin e monografisë “KAMBER DURIÇI-BESË ME SHPIRTIN” mbështetet fuqishëm në trashëgimëninë e pasur shpirtërore, në motivet popullore, si rrjedhojë e njohjes mirë të gjuhës së popullit, zakoneve, traditave, këngëve e legjendave të zonës së Bulqizës ku lindi, u rrit, u edukua dhe u fomua heroi i veprës së tij. E dëshmon më së miri këtë lënda e pasur e kësaj monografie ku shtjellohen artistikisht qindra artikuj me titujt intrigues mes të cilëve unë do të përveçoja: “Bulqiza - vend i lakmuar nga çdo pushtues”; “Tentakulat e oktapodit serb”; “Në kullën Duriçi bëjnë Kuvend”; “Ujvara e Duriçit”; “Nënë Terezat e Vajkalit”; “Mehmet Duriçi ngre flamurin e pavarësisë në Vajkal” e “AND –ja e Kamber Duriçit”.

Siç shkruan Prof. Enver Hysa në parathënie, “Duke shfletuar faqet e librit “Kamber Duriçi – besë me shpirtin”, lexuesi do të njihet me jetën e veprën e këtij heroi, me lindjen, fëmijërinë, martesën, me punën heroike të tij në minierë, me përkujdesjen deri në hollësi për vartësit e tij, me mbështetjen e pakufishme të tij për njerëzit në nevojë, me mendimet e vlefshme e diskutimet e shumta e të shpeshta për problemet e ndryshme që lindnin herë pas here në galeritë e shumta të minierës.

Autori ka ditur ta japë mirë e në mënyrë të gjithanshme figurën e Kamber Duriçit jo vetëm nga njohjet personale e familjare që ka me familjen e tij, por edhe nëpërmjet kujtimeve të fëmijëve e të farefisit nga njëra anë, por edhe sidomos nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij: drejtues miniere, inxhinierë, teknikë miniere e punëtorë të thjeshtë. Kështu dalin në rreshtat e librit kujtime nga fëmijët, vajzat, nipat e mbesat(Hatija, Adelina, Servetja,Tahiri, Marvi, Melisa, Sula, Sida, Erioni, Lida, Enea, Flori, Nardi, Gerti, Adi, Sara)dhe të tjerë nga farefisi, inxhinierë, drejtues miniere, të niveleve të ndryshme, teknikë miniere e minatorë të ndryshëm, si Llambi Gegprifti, Jorgo Kola, Hamza Gurra, Isuf Koçi, Martin Cukalla, Bujar Pata, Mexhit Shehu, Naxhi Likalla, Azis Keta e shumë të tjerë.”

Duke e shtrirë studimin e tij dhe përfshirë në këtë vepër shumëpërmasore: “BURRAT QË BËNË HISTORI NË BULQIZË E VAJKAL”, “TOPONIME PËR VENDE E NGJARJE NË VAJKAL E BULQIZË” “ETIMOLOGJINË E FJALËS DURIÇ”, “DURIÇET NË MAL TË ZI - GRYKËN E KOTORIT”, “VËLLAZËRINË DURIÇI NË BOSNJË, NOVI PAZAR, KOXHAXHIK”, “DURIÇET NË DUSHAJ”, “DURIÇET NË DRAGU”, “DURIÇET NË VAJKAL”, dhe veçanërisht në formësimin e personaliteti Kamberit si djalin me gen Duriçi,  si meditues me shpirtin, si artist, si krenari dhe frymëzim për brezat, me këtë monorafi autori Aqif Puca jep një kontribut madhor në pasurimin e letërsisë dokumentare shqiptare.

Në këndvështrimin tim analitik, “KAMBER DURIÇI-BESË ME SHPIRTIN” është një monografi e shkruar me shpirt dhe vizion, jo vetëm për këtë Hero shumëdimensional, por një rrëfim i gjallë njerëzor që shpalos përkushtimin, vizionin dhe identitetin e një treve lavdiplote si ajo e Bulqizës,  ku vlerat shpërfaqen natyrshëm përmes tregimeve konkrete e momenteve që mbeten të gjalla në kujtesë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page