Mirëmëngjes miqtë dhe dashamirësit e mi, sigurisht me 5 poezi…
Nga Fatmir Terziu
Bota nuk mund të kuptohet ndryshe me dhe pa praninë e peshqve. Peshqit janë grupi më i larmishëm midis vertebrorëve, me mbi 33 000 varietete të ndryshme të llojeve të peshqve.
1. Peshk
Më kujtohet një mësues që kam takuar në atë qytet
shkruante tregime, romane, botonte libra
të gjithë e respektonin. Atje
kalonte plotë dimra,
thuhej se dinte të zinte peshk
edhe aty ku s'kishte ujëra.
Dhe unë e pyeta me kurreshtje:
Në sa qytete mund të kapësh peshk?
Në vend të përgjigjes një buzëqeshje.
Pas buzëqeshjes: kudo për fat të keq!
2. Krudo
Nga „Krap“ në gji të detit,
krap në mendjen e Tjetrit.
Gjuha e bukur shqipe e mbjell
kudo ku syri i sheh ndonjë pellg.
3. Ngjala
Koha shpesh më sjell në rrjetet sociale
urimin më finok të një kohe:
„Sa ka deti peshk e ngjala,
aq urime dhe të fala..“
Fetusi i ngjalës së huaj ngjyen gjuhët
mes fletëve të së verdhës.
Jashtë dritares
hijet e vjeshtës
mbahen të fshehura ndesh pjatancës në zemër,
është urim,
apo një peshkatar që kthehet nga nata e egër?!
4. Cironka
Një si ju
zvarritet nga trupi i memorjes
mbahet peng këtu.
E Bota kthen sytë nga Korça
ata e takuan me e në gjuhë.
Statujë ka bërë cironka
në menu
pa fjalorë me këtë,
duke u ringjallur si heroinë,
pa zë.
5. Peshk i huaj
Kaloni në Jon, pastaj në Adriatik.
Habitem.
Nuk keni frikë?
Në udhëtim duke fjetur
keni pasur marrëdhënie me tragetin
a do të rezultojë kjo në shtatzëni?
Te peshqit ndoshta hormonet nuk janë cirkadiane,
por nuk është ngërç, apo të jesh i shtyrë
të shtrihesh
në një tokë që lëpihet prej peshqve
është ndoshta një dashuri e mirë.
Dashurisht,
je mbjellë në një argjinaturë të pjerrët
shikimi i ndërtesave dhe dritës së hënës
rrëshqasin në lumin Shkumbin.
Peshk i huaj,
kur qëndroni në pjatën e së ngrënës,
derdhet uji flori për kurorën tuaj.
Comments