
SI THONI JU
Përçmuesve të Luftës dhe këngës sonë

.poemë.
Për Luftën,
U zure
Sot
Me dikë në kafene
Megjithëse pas Luftës bisedohet për paqe,
Të zihesh, të grindesh, nuk ka sens, nuk ka përse!
***
Po!
Ne
I kënduam Luftës.
Si thoni ju
Të mos i këndonim kapedanes,
Guximtares, trimreshes, luftëtares,
Partizanes me yll në ballë,
Sjellëses së lirisë,
Çlirimtares ?
Mbi zaje inkandeshente
Dhe dëborë flakësh,
Si Kapaneo
I Ferrit
U vu
Atdheu ynë;
Si Kapaneo i Dantes
Që s’diti të nënshtrohej
Në shekuj,
Në jetë
E si mund ta linim ne atdheun
Të nënshtrohej në shekullin njëzetë ?

Si thoni ju
Të mos i këndonim trimërisë së maleve me yll në ballë,
Si thoni ju të mos i këndonim,
Pushkës fisnike me gjalmë,
Pushkës modeste,
Pa stolira ari,
Argjendi,
Fildishi;
Pushkës trime
Që po na sillte blerimin,
Të mos buçiste për të kënga jonë
Me tinguj ari:
Dalëngadalë
Po na vjen
Behari?
Po.
Ne
I kënduam pushkës me gjalmë