top of page

Shënime për librin e autorit Eduart Ramçi


Tërnova e Dibrës një fshat me histori

(Shënime për librin e autorit Eduart Ramçi “Tërnova e Dibrës”, botim i ripunuar)

Nga Sakip Cami



Dëshira për të shkruar për vendlindjen mbizotëron mbi dëshirat e tjera, edhe mbi hallet e jetës. Kështu ndodhi me Eduart Ramçin, të riun që u largua që kur ishte 14 vjeç nga fshati i lindjes, që provoi punën në minierë dhe shërbimin e vështirë ushtarak, për të shkuar edhe më tej në emigracion, në përpjekjet për një jetë më të mirë sikurse mijëra shqiptarë të tjerë.

Vendlindja nuk harrohet. Ky nuk është sllogan. Por më shumë se kushdo dashurinë për vendlindjen dhe Atdheun që na lanë amanet të parët, e ndjejnë të emigruarit.

Eduardi me kursimet e tij ka botuar dy libra për vendlindjen e tij, Tërnovën e Dibrës, këtë fshat të bukur që i qëndron Dibrës si kurorë dhe që e lidh me Tiranën dhe Elbasanin.

Librin e parë e botoi në vitin 2018 dhe pas katër vjetëve, pasi siguroi fakte, foto e dokumente të reja vendosi ta ripunojë dhe botojë atë, sigurisht me kursimet e tij, që brezave të ardhshëm të mos u mungojë informacioni dhe të ndjehen krenarë për historinë e fshatit të tyre.

Në qoshe të oxhakut tërnovas flitej për histori, shkruan në parathënien e librit Prof. Bernard Zotaj.


Historia e lavdishme, qëndresa e madhe e banorëve të këtij fshati ndaj të gjithë pushtuesve është thelbi i këtij libri, pa lënë mënjanë traditat dhe bukuritë mahnitëse.

Emisarët anglezë që u strehuan gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare në këtë fshat mikpritës për nga bukuritë natyrore e krahasuan me Alpet e Zvicrës.

Autori e quan Tërnovën një perlë të natyrës të fshehur në mes të maleve.

Mrekulli të tilla në bjeshkët e Tërnovës janë: Fusha e Dabrellës, Lugu i qyqes, Tapatoku i Epërm dhe ai i poshtëm, Fusha e gjatë, Fusha e Zerqanit, Livadhi i Hixes, Varret e të vramëve, Mali i Kazjakut dhe shpella e tij, Fushë kisha, Gurra e Topatokut me ujë të akullt ku nuk e mban dorës as 10 sekonda, Pylli i Zi, Kaptina, për të vijuar me liqenet si Liqeni i Zi, Liqeni i Bardhe, Liqeni i luleve etj.etj.

Fshati qendërzohet në vendin ku bashkohen tre zaje, Zalli i Tërnovës, Zalli i Okshtunit dhe Zalli i Smollikut, që bashkohen me Zallin e Lubaleshit e të Bulqizës për tu bashkuar në Lumin e Drinit të Zi.

Ndërtimet karakteristike me gurë të gdhendur nga mjeshtrit duar artë tërnovas janë një tjetër dukuri e këtij fshati piktoresk e turistik. Turistik, por për fat të keq pa rrugë të shtruar e infrastrukturën e nevojshme.

Autori ka trajtuar edhe toponiminë e vendeve që ndodhen në këtë fshat me shtrirje të madhe duke dhënë edhe shpjegime për emërtimet e tyre.

Trajton gjithashtu florën dhe faunën deri në detaje , të bimëve dhe të kafshëve të egra që rriten në pyjet pa fund të këtij fshati të madh, që banorët e ndajnë në Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël.

Autori Eduart Ramçi nëpërmjet faktesh dhe dokumentesh argumenton lashtësinë e këtij fshati, prejardhjen e banorëve të tij ilire dhe katolike, përpjekjet titanike për të mos u sllavizuar pas dyndjeve bullgare e atyre sllave.

Ngjarja e Osman Gjokës në Shkodër në vitin 1909 e shprehur nëpërmjet kangës së tij, vrasja e bimbashit turk në mes të pazarit, pa ju dridhur dora e qerpiku tregon për papërkulshmërinë dhe kundërveprimin e shqiptarit, dibranit dhe në rastin konkret të tërnovasit ndaj çdo hasmi që guxon ta nënshtrojë e poshtërojë.

Tërnova, për vetë pozicionin gjeostrategjik ka qenë qendër e luftrave ndaj pushtuesve turq, serb, bullgar e nazi-fashist. Po të merrte Tërnovën armiku nuk ndalej drejt Tiranës. Në fushën e Varreve të Vrame është bërë një betejë e madhe ndaj pushtuesve osmanë, po këtu në vitet 1913-1920 janë zhvilluar përpjekje me serbët, për të vazhduar më pas në kohë, kur gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Tërnova u bë qendër e strehimit të partizanëve dhe të emisarëve anglezë.

Jo vetëm u bë bazë lufte, por i dha kësaj lufte 4 dëshmorë si Halil Hasa, Fejzulla Gjika, Xheladin Murati e Faik Tërnova edhe 57 partizanë.

Autori trajton me detaje zhvillimin e arsimit që nga mësuesi i parë, Osman Moglica, i biri i atdhetarit të madh Hoxhë Hasan Moglica, për të vijuar më tej me Asllan Zenelin dhe me dhjetra mësues që dhanë mësim në Shkollën 8 vjeçare të Tërnovës.

Një vend të rëndësishëm në libër zënë edhe kuadrot e dalë nga ky fshat, ushtarakë, mjekë, agronomë, arsimtarë që kanë shërbyer në të gjithë Shqipërinë.

Në mbyllje do të thoja se ky libër është një pasaportë heroizmi dhe pune e çdo biri e bije të këtij fshati që ndjehet krenar me origjinën dhe fshatin e tij dhe më gjërë.

59 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page