top of page

Faruk Myrtaj: KATËR VJERSHA NË PRAG-VJESHTE

  • 3 minutes ago
  • 2 min read

KATËR VJERSHA NË PRAG-VJESHTE

 

NUK MUND TË MËRGOJMË PA FUND

Vetem kur e vuan dashurinë për dikë, të bëhet vend-lindje...

Kjo s’ndodh me gjithë të dashuruarit, as me tërë ‘dashuritë’,

se, ti mund të mërgosh edhe prej nga atje ku ke mërguar

Dhe në vendlindje të kthehesh si mërgimtar, sërish...

 

NGRIHEN NGA ANDEJ, NA SHFAQEN SI ËNGJËJ

Sa vjen e më dendur kthehemi në fëmijëri,

në viset dikur, kur gëzoheshim edhe pa shkak

Edhe pse e dimë se Nënat nuk janë më aty

Me një mijë arsye të gëzojmë ca më rrallë.

 

Bëhet vonë e më vonë: a e kuptuam ç’na ishin,

Ç’na janë, ende nëna, që ngrihen si Engjëj

për tu siguruar se mos na ndodh gjë neve...

Neve, që na duket se kjo ndodh veç në ëndërr!

 

KËRKOHET ARKË TJETËR PËR NOEN

Se-përse duken njerëzit e sotëm si Noe i Ditë-Dritës së Parë,

atë që thuhet se sajoi Arkën e Shpëtimit të Farës së Dëlirë të Jetës

si kusht të vetëm, u lutemi, të mos e kenë atë dreq celulari në dorë

të shpëtojnë dhe të shpëtohen nga Vetja e Vetmuar, së pari!

 

Pastaj të mund të ngjitemi në barkë dhe të nisemi, së toku

Si njerëzim, i tërë, me gjuhë të gjalla e të vdekura së shkruari

S’e thonë Dhjatat- e Reja dhe e Vjetra, as Bibla dhe Kurani,

Kaq vetmuar ndehej Noe me të Vetët, gjer-kur mori mesazhin?

 

NJË MIJË MËNYRA TA TRISHTOJMË NJERIUN

Ne të gjithë, se si e mërzitim Njeriun

Njëmijë mënyra ta trishtojmë, si e si

Po pra, edhe atë më të afërmin fare...

 

A thua art a syth luleje, loti që i çel në sy...

 

Pastaj penduar, të falur veten e gjejmë

në minutën më pas, pas shpine a sy në sy

Tek e dëgjojmë, vazhdon ai të vërshëllejë...

Teksa zërin e dytë ia shtojmë gëzimit të tij.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page