Myzafer Ramzoti: REALITETI NË VËLLIMIN ME POEZI “ QIELLI I KRISUR “
- 1 hour ago
- 8 min read

I POETIT Bajram SULEJMANI
Vëzhgim
Në faqet e Face book kam lexuar herë pas here disa nga prurjet në poezi të poetit ushtarak Bajram SULEJMANI. Di që i ka përmbledhur ato në disa vëllime dhe unë , ngaqë nuk po i gjeja në libraritë e qytetit, i u drejtova vetë autorit i cili më afroi librin e tij më të fundit me titull një metaforë tepër interesante “ Qielli i krisur” botuar nga Studio Grafike “ 2M Printing “ në Durrës.
Librin e lexova duke i u rikthyer disa herë secilës poezi e, sipas mënyrës time, duke mbajtur shënime. E përtypa ngadalë varg pas vargu dhe e lashë mbi tavolinën time të punës pa ndonjë indicje për të shkruar mbi ato që kisha vëzhguar gjatë leximit.
Nuk di se si por, më erdhi ndërmend NIÇE i cili diku në studimet e tij filozofike definon: - O mision i shpirtit tim, ty që të quaj fat, ti që je brenda meje, që je përmbi mua, - më ndihmo e më rezervo një fat më të madh!
Kjo dëshirë apo thirrje e argumentuar në filozofi nga Niçe m’u duk se pa vetëdije ishte kristalizuar në vargjet e këtij libri “Qiellkrisur”. Aty , varg pas vargu, poeti, pa e kuptuar apo, ndoshta dhe me bindje ecën në jetë e në poezi krahas fatit të tij që , her i buzëqesh e herë ndeshet ashpër me të. Interesant është se këtë marshim ai e bën nëpërmjet poezisë lirike delikate , e dashur, e dhembur që nuk din të nxehet, nuk din të bërtasë e të thërrasë , që din mjaft bukur e mirë të kujtojë, të dashurojë, të mendojë të shkuarën në çdo drejtim me nostalgji, me hidhërim të veshur me vendosmëri për t’ja dalë situatave që i përcjellë fati , jeta.
Çdo njeri e jeton dhe e ndërton jetën ashtu si dëshiron , ashtu si ajo i imponohet nga rrethanat, ashtu siç e mendon në përputhje ose jo me kushtet , me kohën e shoqërinë ku jeton. Edhe autori i këtij vëllimi poetik është i motivuar për ta bërë këtë e për tu përballur apo pranuar çdo ndjenjë që ndesh në ëndërrat e tij apo në realitet duke u përpjekur të frymëzojë edhe të tjerët me krijimtarinë e tij për një jetë më të bukur e më të mirë.
“ Them kam qenë barut i ndezur,
Një shkëndi dhe merrja flake,
Ti më shihje duke qeshur,
Duart në qafë mi bëje çark.”
( Mbi sup zbrite )
Në faqet e këtij libri, lirikë pas lirike, deri tek e fundit “ Ruajta ëndërrën tënde”, idetë dhe realizimi estetik e artistik vjen në ngjitje pa shkarë në boshllëkun e ideve jashtë tokësore të artit për art; pasioni shpërthen me larmi ngjyrash e figurash drejtë majave më të larta.
Në këtë vëllim nuk ka asnjë grimcë të forcës apo të botës së tij të brendëshme krijuese , që të avullojë pa u shfrytëzuar, apo që të endet e lirë jasht mekanizmit të përpunimit të tij intelektual duke synuar përsosmërinë letrare. Nëpër poezi si “ Ma rrëmbyen ëndërrat”, “M’u dogj një kujtim”,”Strehëza” etj ka botë në lëvizje,Ka realitete në zhvillim, ka ujra të kristalta që rrjedhin e jo ligatina të ndenjura, ka rrjedha në vërshim, ka freski e siguri drejtë më të bukurës, drejtë më të mirës.
“ Nën krisma armësh nënat na kanë lindur,
Dhe nuset kur erdhën me to i kemi pritur,
Malet ato krisma në shekuj i lane zgjuar,
Dhe qiejt i ndezën kur yjet ishin shuar.”
( Kemi shuar diellin )
Në këtë vëllim Bajrami poet çlirohet jo duke dale nga vetvetja, por duke i dyfishuar vlerat nëpërmjet përdorimit me vend të paralelizmit si në poezitë “ Shkela qiejt”, “ Çmë trazohen krismat” etj kur shkruan :
“ Çmë trazohen krismat me piskamën tënde,
Kur një komandë lufte, e pata në mëndje,
Në skenë, thirrja jote, për mua, kushtrim,
Ai zë më ngjante, si të ish gjëmim.”
(Ç’më trazohen krismat )
Sinqeriteti i poetit është pafundësisht i guximshëm, i pa kushtëzuar, hartuar kurdoherë me realizëm. Diapazoni i gjërë tematik i poezive dëshmon për faktin se ai është poet i pasionuar që mbart e transmeton te lexuesi ndjesi njerëzore të pa kufishme e të pa cak. Ai dëshiron dhe përpiqet të jetë gjithmonë i vërtetë. Këtë e bën edhe kur s’është i qetë si në poezitë : “ Qiellit retë ia grisëm”, “ Pëllëmbë shokësh”, “ Emblemë burri”, “ Gozhdë shpirti” etj. Por edhe kur dashuron e përçon ndjenja intime si: “ Flas me erën”, “ Një copë mjegull” etj, ku ai prek ndjenjën, intimen, lotin, gëzimin, dhimbjen e mallin. Kjo e bën vargun e tij të ëmbël, por edhe të rreptë deri në ashpërsi pa u vetëfrenuar duke trajtuar ndjenja diametralisht të kundërta e duke iu bindur etikës e disiplinës brilante krijuese.
Mund të them me plot gojën se lirikat e tij janë si fitilat e zjarrvënësit që marrin flakë që me kontaktin e parë me realitetin jetësorë. Duket sikur ai është paisur me një shqisë të veçantë që e bën atë të përthithë me shpejtësi çdo çfaqje apo dukuri të bukur apo të shëmtuar të realitetit për të nxjerrë më në pah anën pozitive të tij.
Krijimtaria poetike e Bajramit në këtë libër të përcjell një ndjesi të bukur , një energji të rilindur mbrujtur me pasionin jetësorë të jetës së vështirë ushtarake që ai e ka dashuruar dhe e ka ushqyer me entuziazmin e tij, me besimin e tij, me frymën e familjes së tij që i shpalos në disa poezi si: “ Na rrëmbyen ëndërrat”, “Kur hapëm tunel”, “ Ku t’a gjej?” etj.
“ Ne ishim djemtë me kostume jeshile,
Që ngjanim si pylli me gjethe shumë,
Murtaja mbajtëm në mushkat me zile,
Dhe netët nga krismat i lamë pa gjumë.”
( Qillit yjet borxh iu dhamë ).
Vite të shkuara, kur unë isha student, Profesori ynë, i shquari Jakov Xoxe,si kishte lexuar një pozi timen botuar te gazeta “ Zëri i Rinisë” më uroi dhe ndër të tjera më tha; - Ritëm, ritëm djalosh ! Poezia pa ritëm nuk është poezi! Hera – herës duhet të sakrifikoni rimën, ndoshta dhe numurin e rrokjeve të vargut për të ruajtur ritmin e për të realizuar e shijuar poezinë!
Ndoshta, i nxitur nga ky mësim i profesorit tim, unë po analizoj me pa të drejtë krijimtarinë poetike të përfshirë në këtë vëllim të mikut e të kolegut tim ushtarak Bajram Sulejmani, prandaj i kërkoj mirëkuptim për ato që unë mendoj e po shpreh.
Lexoj poezitë : “ Pas tankesh vrapuam” , “Me natën flas”, “ Ku ta gjej?”, “Qiellit yjet borxh i dhamë” etj, dhe ndjej se nuk mungon thellësia e mendimit, nuk mungon forca e fjalës, nuk mungojnë idetë, metaforat, nuk mungojnë ngjyrimet poetike si epitetet, krahasimet etj, jo toni kryesorë apo një sere fjalësh të pranishme shpesh herë si krisma, fontana, qilli , krisje e grisje, mjegull etj, që, të ndërthurura e të bashkërenduara i japin poezive forcë e ritëm të brendshëm. Mendoj se kjo e bën poezinë e tij të ritmojë bashkë me dritën, jetën të cilën autori e sheh siç don ai që ajo të jetë duke glorifikuar të bukurën e shmangur të shëmtuarën që, duam apo nuk duam ne, godet e trazon jetën tonë shoqërore rreth nesh.
Ritmi i lirikave të këtij vëllimi është jo uniform e jo monoton. Ai endet apo ndërtohet në varësi të idesë që përshkon e përçon poezia. Ritmi ndryshon vazhdimisht duke u bërë hera-herës i lehtë e i pakapshëm e, hera-herës drthërues , herë i thjeshtë e herë i stuhishëm si në poezitë : “ Zëra nusesh”, “Betohen në gjunjë”, “ Përkundet flaka”,” Qielli i krisur “ etj,
“ Mi dogji kujtimet jeta, mi dogji një nga një,
Si digjen yjet qiellit, netëve pa bërë zë,
Unë si pata ndier,kur më janë shkrumbuar,
Veç buzëqeshjet mbetën, si thëngjij pa shuar.
(Zëra nusesh )
Ky libër më erdhi i qetë si rrjedha e ujit të burimit e përfundoi duke shkumbëzuar zhurmshëm e me madhështi si gurra e lumit kristal malorë. Kjo ndryshon kur në vargje harrohet rima, të cilën autori e kërkon kur ajo nuk vjen natyrshëm dhe, atëherë, ritmi i brendshëm, shpërthen drejt lirisë për të shprehur më qartë mendimin pa e cënuar strofën dhe atëherë poezia merr ajër e shpërthen si një fanfarë që të nxit për të vepruar si për shembull:
“ E tillë është lufta një monark pa mëshirë,
Ajo në derë nuk troket si një mysafir,
Në dorë mban një urë zjarri ndezur,
Në oborr hap gropa, i mbush me të vdekur.”
( Lufta një monark )
Apo:
“S’mendoj më për këtë botë,
Zjarr ti bjer të bëhet hi,
Njësoj ishte dje dhe sot,
Me trishtim e qiellin gri.
Ajo kurrë s’mendoi për mua,
Në një qoshe më braktisi,
Veç unë rrodha si përrua,
Aty poshtë nën rrënjë lisi.
Botë pa shpirt sa më s’ka,
Gjethen ma thërrmoi në dorë,
Nëpër gishta se ç’mu tha,
Ajo ngrin kur bie borë........... etj.
(Dridhet gjethja)
Është një poezi që ritmon, që oshëtinë aq bukur, me aq dhimbje e me aq ndjenjë sa që, që në vargun e parë e përthith lexuesin si një magnet në botën e brendëshme të autorit.
Në këtë vëllim ka shumë prurje poetike të bukura e të fuqishme që përngjasin me një pëlhurë mozaik të endur me inteligjencë artistike. Poeti është sot në një moshë të tillë ku elementi teknik, pra ai jetësorë, merr përparësi ndaj atij fantastik e emocional sepse dhe arti në tërësi, në thelb, është intuitive, i vetëdijshëm që shndërrohet në mjeshtëri e aftësi krijuese me kohë gjë që Bajrami tregon me këtë libër se ka aftësi për t’a arritur e shprehur.
Çdo njeri në jetë, pra edhe Bajrami , jeton historinë e jetës së tij e cila është më imponuesja, më e rrepta e më skrupulozja në ecurinë e krijuesit prandaj, nuk kish se si historia e jetës së tij të mos linte gjurmë , madje, të dukshme. Ajo është e pranishme në një pjesë të mirë të poezive që nga thellësia e viteve e deri në momentin actual. Duket ajo si gjurmë e të shkuarës që përcakton aktualitetin e të ardhmen, formëson ngjarjet me dorë të hekurt ,pa mëshirë, me edhe pa buzëqeshje. Ajo i jep udhë dhimbjes, dashurisë, mallit, nostalgjisë dhe optimizmit të ngjyrosura poetikisht me “të kuqen e Onufrit” por dhe me hovet e shpirtit.
Ky libër mund të quhej dhe “ Fanfarë e dhimbjes dhe e optimizmit”. Ndoshta kështu do të quhej sikur në të të përfshihej edhe poezia “Karafil në gotë” botuar në vitin 2021 në vëllimin me poezi “ Mall i pashuar”, ku poeti shkruan :
Të desha sa nuk gjej fjalë,
Megjithëse fjalë kjo botë ka plot,
Ti ishe gonxhja që çel në mal,
Unë gotën për ty e piva me lot.
Ke qenë e shenjtë siç ish çdo grua,
Me ty e shkela unë këtë botë,
Bashkë e shterrëm të tërë një krua,
Ti gonxhe mali zbrite në gotë .
( Karafili në gotë )
Vargje të tilla janë vargje malli, janë vargje dashurie, janë dhimbje që e bën poetin të përthyeshëm e të përulur në krenarinë e burrit që vështron përpara duke pëshpëritur a duke kënduar hymnin e familjes e të gruas që i jep jetë e bukuri dashuris më të madhe të jetës.
E nisa këtë vëzhgim letrarë e shoqërorë me një thënie të Niçes që mu duk e përshtatëshme jo si krahasim por si frymëzim e mësim dhe, po e përfundoj me një thënie të një tjetër vëzhguesi të madh, Stefan Cvajg kur thotë:
“ Formula mbi të cilën ndërtohet shpirti i njeriut është fati ; mosdashja që një jetë të mos jetë ndryshe nga çështë, as përpara, as mbrapa, as në jetë të jetëve. Jo vetëm të pëballesh me atë, që është e domosdoshme, as më pak ti fshihesh, por dhe ta dashurosh.”
Më duket se kjo thënie i shkon për shtat mikut tim që po e jeton jetën e tij në dy sisteme e me dy gjendje shpirtërore duke ruajtur ekujlibrin e shpirtit pavarësisht nga ato që ndodhën e po ndodhin rreth nesh. Prandaj mendoj se ky libër me poezi ja vlen të lexohet të shijohet e të kuptohet. Libri “ Qielli i krisur” është një prurje që e nderon autorin, Bajram Sulejmanin.








Comments