Shpresa Fundo Gjergji: UNIVERSI I PADUKSHËM BRENDA NESH

Brenda meje ka një qiell, që syri s'mund ta shohë,
ka yje që digjen pa dritë,
ëndrra që mbetën peng të së shkuarës,
një hënë që qan në heshtje për netët që u harruan.
Brenda meje ka dete, ku dallgët përplasin kujtime,
brigje ku shpesh e kam lënë veten,
anije që presin të nisen drejt askundit... destinacion pa krye.
Hapësira ku shpirti kërkon të largohet nga e tashmja,
pa e ditur se ku dëshiron të shkojë,
sikur të bridhte hapësirave me yje!
Ka fjalë që s’i thashë dot kurrë,
emra që zemra i ruan si lutje të pathëna në shpirt,
përqafime që më mungojnë,
ka plagë që buzëqeshja i ka mbuluar me dritë!
Brenda këtij universi shpirtëror
është akoma një fëmijë që ende ëndërron,
një grua që ka mësuar të durojë e të vazhdojë përpjekjet,
një shpirt që s’pranon të rudhet, të plaket,
një zemër që jetën, di ta dashurojë ende.
Askush nuk e di sa universe shembim brenda vetes.
Sa universe përtypim për të qëndruar në këmbë,
sa herë vdesim në heshtje, që të mos lëndojmë të tjerët,
sa herë ringjallemi nga një fjalë e vetme apo nga një këngë.
Sa shumë drithërohemi nga një vështrim,
apo lumturohemi nga një rreze dielli,
në agun e mëngjesit si shërim...,
ndodh edhe qe universit vete t’i fshihemi!
Dhe kur më pyesin kush jam, unë buzëqesh.
Si t’u tregoj se brenda meje ka pafundësi?
Si t’u them se mbaj galaktika në shpirt dhe udhëtoj pa lëvizur ndër vite?
Si ta shpreh se ndonjëherë humbas vetes sime për të gjetur një grimë drite?!
Eh, ky univers i padukshëm!
Sa pak e njohim njëri-tjetrin...
Prekim duart, por jo dridhjet e shpirtit;
shohim sytë, por jo netët që kanë kaluar brenda tyre.
Dhe, të kesh guximin të trokasësh lehtë në universin tënd...,
pa i trembur yjet që mezi kanë mësuar të ndriçojnë,
është aq e bukur sa vetë pafundësia...!
Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji








Comments