top of page

Migel Flor: KËNETA

11 minutes ago
3 min read

Jashtë çdo imagjinate, kurrë një kënetë të tillë, dhe nëse sheh këtë lloj kënete, duhet t’i rrish larg. Nuk e pastron dhe as e than dot. Si mund të merresh vesh me larvat, krimbat, hardhucat, mushkonjat, zhabat, shumëkëmbëshat, gjarpërinjtë, çakejtë... dhe speciet e tjera të neveritshme që e popullojnë, ku fuqia e tyre është shtazarake, demoniane.

Shumëkëmbëshat...

Janë simbol ligësie që nuk veprojnë të vetmuar, por fitojnë si shumicë, bashkërendimi dhe këmbënguljeje, ku njëri sulmon, tjetri përhap; njëri ushtron presion, të tjerët krijojnë përshtypjen e një normaliteti. Kështu, ajo që nis si një veprim i veçuar shndërrohet në një mekanizëm që helmon mjedisin dhe frymën shoqërore...

Rreziku bëhet ende më i madh kur ligësia insiston të përmbysë të vërtetën, ta denatyrojë atë, duke e cilësuar si fajtore për dëmin si viktimë. Në këtë kontekst, nuk cenohet vetëm individi, por edhe aftësia e shoqërisë për të dalluar të drejtën nga e padrejta, dinjitetin nga poshtërimi dhe të vërtetën nga manipulimi.

Këneta...

Nuk është thjesht një mjedis i ndotur; është një hapësirë ku ndotja gjen terren për t’u shumuar. Kur sjelljet e ulëta përsëriten pa u kundërshtuar, ato rrezikojnë të pranohen si të zakonshme, pra ndodh amjetimi. Njerëzit fillojnë të heshtin, të tërhiqen dhe të peshojnë çdo fjalë nga frika e pasojave. Kështu, ndikimi i kënetës shtrihet edhe te ata që nuk janë pjesë e këtij procesi.

T’i rrish larg nuk do të thotë ta pranosh apo të pajtohesh me ekzistencën e saj. Do të thotë të kuptosh se jo çdo konflikt zgjidhet me dialog dhe jo çdo mjedis mund të ndryshohet me vullnetin e një individi. Kur pala tjetër nuk kërkon mirëkuptim, por nënshtrim, përpjekja për t’u marrë vesh mund të shndërrohet në një lodhje të pafundme. Atëherë, largimi bëhet një mënyrë për të mbrojtur dinjitetin dhe për të mos u zhytur në të njëjtën baltë, duke e bërë indiferencën filozofi nënshtrimi...

Gjithsesi, heshtja e të ndershmëve mund t’u krijojë hapësirë atyre që nuk njohin kufij moralë, ndaj largësia nuk duhet të kthehet në indiferencë, as në vetëmbrojtje. Duhet guxim për ta njohur të keqen, kthjelltësi për ta kuptuar dhe vendosmëri për të mos u bërë pjesë e saj, pra një rigjallërim i vetvetes.

Edhe pse çalojnë krahasimet, prapë vezullojnë:

«Çfarë bën ky i ligu, çuditet i miri.»

Ndoshta, sepse njeriu i mirë ka tjetër njësi matëse, me ndërgjegjen e vet. Ai e ka të vështirë të përfytyrojë deri ku mund të shkojë ligësia, sepse kërkon arsye aty ku mund të ketë interes, sinqeritet aty ku mund të ketë manipulim dhe mirëbesim aty ku tjetri sheh vetëm përfitimet...

Por mirësia nuk duhet të kthehet në naivitet. Të jesh i ndershëm nuk do të thotë të mos e dallosh ligësinë, as të ruash pastërtinë morale duke mbyllur sytë përballë padrejtësisë. Përkundrazi, kërkohet të mos lejosh që e keqja të të ndryshojë, por as të mos i japësh mundësinë të veprojë e pakundërshtuar.

Ndotja e shoqërisë nuk matet vetëm me numrin e atyre që bëjnë keq, por edhe me ndikimin që ushtrojnë, me heshtjen dhe me humbjen e ndjeshmërisë. Kjo është gjëmë!

Rreziku nuk është se shumëkëmbëshat e popullojnë kënetën, por se, duke u shumuar, kthehen në sundues e zgjerohen përtej kufijve...

Dhe, siç e lartpërmendëm, shoqëria mësohet me erën e kënetës, rrezikon të mos e dallojë më ndotjen dhe ujin e moçalishtes e pi për ujë kroi, ku mushkëria njerëzore nuk thith më ozon dhe, si e tillë, ajo bashkëjeton me këtë të keqe dhe prish atmosferën që u ndërtua nga gjeneratat fisnike.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page