Shpresa Fundo Gjergji: Për dashurinë flasin edhe yjet
- 1 day ago
- 6 min read

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji
1.
Do të takohemi
Ku nis ajo rrugë e padukshme, s'e di,
Besoj se ka një vend përtej horizontit,
Ku heshtja bëhet dritë e shpirti gjen qetësi.
Ku vetë dashuria ndahet prej pasionit!
Atje koha nuk i numëron më ikjet,
As loti nuk ka më peshë mbi zemrën,
Nuk besoj do t'i shijojmë më grindjet,
Duart që humbëm, do t'përqafojnë erën.
Dhe kur rruga jonë të mbarojë një ditë,
Kur drita të na thërrasë përtej kësaj bote,
Kur çast i shumëpritur të vijë në shpirt,
Dielli do të ndrinte, dita sërish do t'agonte!
Një përqafim pa ndarje, dua ta ndjejë,
Deri atëherë, do ta mbaj në zemër,
Pastaj si mungesë do t'më dhemb e brejë,
Si dritë do t'më shoqërojë, jo si gënjeshtër.
Sepse dashuritë e mëdha, s'kanë fund,
Edhe kur vjen momenti nuk ndalojnë...
Veç do të presin një takim tjetër fatlum,
Universi di çdo gjë ta transformojë!
2.
Ajo
Me flokët e tu si nata pis,
M'u shfaqe me supet e brishta
Dhe s'dua kurrë të të mërzis,
Nuk dua lotë e sy të trishta.
Errësirës sonë t'i japim dritë
Buzëqeshja të të ndrijë në buzë,
Si perlë ndriçon loti yt me kripë,
Unë fatlumi të bie në gjunjë!
Për ty më folën edhe perënditë,
Në gjithë Universin ty të përshkruan,
Si oaz i purpurtë në shkretëtirë,
Aty ku edhe sytë e mi, vrapuan...
Flokët e tua si nata pis,
Edhe supet e bukura e të brishta
Më mbetën lotëve të dashurisë,
Imazh i tretur syve të trishta!
3.
Të jetosh pas lamtumirës
U deshëm, u ndamë e prapë u deshëm.
Të çmendur e të heshtur të dy,
Edhe sytë t'i xhelozoja ndjeshëm,
I dashuruar marrëzisht me ty.
Si nuk të dhembi aspak për mua?!
Një lamtumirë ma derdhe mbi sy.
Për mua që t'u përgjërova: të dua,
Si të bëri zemra?! S'di ta besoj, s'e di!
Dhe mbetëm me fjalët e pathëna,
Si mund të vdesë një dashuri?!
Ah, sa të desha, aq të urreva,
Kjo lamtumirë një marrëzi!
Më thuaj kë të urrej tani?!
Tregomë kë të dashuroj kaq fort?!
Kjo lamtumirë një marrëzi,
Edhe qielli gri po m’duket sot.
4.
Kush e shpiku ndarjen
Ëndërroja të të kisha pranë,
Në krahët e tu t'më mbështillje,
Oh, sa do t'doja, të dëgjoja "të dua",
Një dhemshuri të na përfshinte!
Ah, sikur të t'kisha pranë!
Sikur të ishte lojë kjo ndarje,
Mos ta ndjeja largësinë tënde,
Ta ndjeja në shpirt atë frymëmarrje!
Kush dreqin e shpiku ndarjen, e vuaj!
Kush e solli dashurinë në jetë?!
Ah malli im, s'di ta përshkruaj!
Në shpirt e mendje nuk rreshtin pse-të.
Malli mbyt fjalët, në fyt më mbeten.
Të mësohem me të, jo jo nuk dua!
Ah, kjo dhimbje! - kaq shumë u deshëm,
Heshtje që rëndon mbi ty e mbi mua!
Jeta është labirint i mistershëm!
Brenda heshtjes, e qava dhimbjen!
Lotët i gëlltita me forcën e zemrës,
Të sfidoj i thashë, s'ta duroj shijen!
5.
Të t'i prek dua
Mbi flokët e tua
Ç'bën kjo dritë e rrall'?!
Sa doja të luaja!
T'i puthja me mall.
Të t'i prek dua,
A ti prek dot vallë?!
Të arta si dielli,
Për to ndjeva mall.
Thonë janë të mëndafshtë
Thonë se janë të rrallë,
Të t'i prek dua,
A t'i prek dot vallë?!
Ah t'i ledhatoj,
Njëherë t'u marr erë,
Ato kaçurrela,
me aromë përzjerë!
Ato kaçurrela,
me aromë përzjerë,
Mbi gushë e mbi faqe,
Të t'i prek njëherë!
Aromë luleshtrydhe,
Aromë lule mali,
Ato kaçurrela që Zoti t'i fali.
Ato kaçurrela që Zoti t'i fali,
Përmbi sytë e tua,
Me dritë kristali.
Kur t'i shoh mbi sy
Kur qesh e kur qan,
Më çmende dhe mua,
Çmende gjithë dynjanë!
6.
Shpresoja të vije
Mall kam për oborin e shtëpisë,
Atje ku linda te shtëpi e vjetër,
Sapo kanë çelur lulet e qershisë,
Aromë e fëmijërisë, eh, s'ka tjetër.
U njohëm, aty fëmijërinë lamë,
Rrugëve të lagjes së vjetër,
Kujtimet e dashurisë së parë,
U deshëm, sa shumë u deshëm!
S'di sa larg ke shkuar, sa larg!
Sa të kam dashur unë edhe hëna,
Edhe detin e kam pyetur gjatë,
Të kam pritur, për ty akoma më flet zemra!
Kur çelte qershia, më kujtonte ty,
Se ti, larg meje kishe shkuar,
Shtëpizë e vjetër mbetur aty!
Sot një buzëqeshje e harruar!
I fola qershizës, i fola me zë të qetë,
Mos më ka harruar?! Obori s'ka dritë!
Ajo degët tundi, i shkundi lehtë,
Shpresoja të vije, të vije vërtetë!
Akoma të pres të vish një ditë...
7.
Kur s'të zë gjumi
Rrugët kanë zë e nuk ndalen.
Unë pa gjumë paskam mbetur,
Edhe ëndrrat ndjejnë përmalljen,
Të fshehtat trokasin heshtur…
Momenti ndodh pa pyetur,
Çdo kthesë e ka një mister,
që dua ta jetoj pa rreshtur…
Eh, sa doja ta jetoj dy herë!
Se jeta ndodh kur s’të zë gjumi,
Dhe zemra ime troket fort.
Jeto!
Jeto edhe ti çastin magjik!
Në çdo buzëqeshje jam dhe unë!
Nga drita, mos ki frikë!
Jo, jo nuk dua gjumë!
E di që nuk rresht as sfida,
Kjo jetë nuk ndalet kurrë.
Ëmbël nis e zbardhet dita,
Jo, jo nuk paskam gjumë!
Yjet më flasin me zjarr,
Heshtja më flet për ty,
Ndjej kohën që s'di sa zgjat,
Sa e çuditshme për të dy.
Gjumi s'më zë, ti je aty,
Përpiqem të fle, nuk dua,
Jeta vazhdon, troket në sy,
Eh, ky gjumi im u shua!
Se jeta ndodh kur s’të zë gjumi,
Dhe gjum nuk paskam ndër sy,
Njëmijë fjalë më flet zemra,
Kujtimet më flasin për ty!
Kur gjumi s'më zë, jetoj edhe për ty,
Mëngjeseve diellin takoj,
E në çdo rreze kërkoj ata sy,
Magjike, të çmojë!
Kjo jetë është energji...!
8.
T'u luta
T'u luta ma shto buzëqeshjen!
Të ftoj të buz'qeshësh edhe ti me mua!
Më përqafove fort, më pëshpërite thjesht:
"të dua"!
Gjithmonë, të pata thënë,
ka një arsye,
Bota do të duket më e mirë!
Tek ty reflektohem edhe unë,
Ti dielli që përflak dhe unë deti valëshkumë!
Asgjë në këtë botë nuk ndodh kot!
Veç ti, pa buzëqeshje mos rri,
Madje unë timen ta fal si shenjë mirësie,
Për shpirtin tënd...për pak lumturi!
Kur çaste lumturie të shpërndahen,
Ti vetë buzëqesh kaq bukur,
Befas, një ditë do të rishfaqem,
e shndërruar me krahët si flutur...
Pranverën do t'sjell në shpirtin tënd,
Do të jem edhe unë një shpirt i lumtur!
Në vetmi, përsëri buzëqesh,
Ti vërtet e di që
ajo është ngjitëse...!
E mos harro, prapë e prapë buzëqesh!
Me buzëqeshje je rrezëllitëse!
Telat e universit i bënë të dridhen,
Veç pak nga shpirti yt i pastër,
Pak shprehje ku dita ëmbël shkrihet.
Buzëqeshja tënde nuk ngjet me retë,
Ësht' dritë e zbritur nga universi vetë!
9.
Për ty
Për ty,
për mua,
ky mall që s'u shua,
jo më kot,
u bë det,
u bë valëza vetë,
e nuk u shua dot!
Të dy,
premtuam,
me heshtje,
pa fjalë,
me zë bilbili,
një melodi e rallë...
Të dridhur si në faj,
fjalosëm pastaj...
Si këngë e kënduar
me gjuhë dashurie,
me besë Perëndie!
Në rërën e lagur,
shkruajta "të dua",
i thashë edhe valës,
ti, më njeh mua,
sa herë na ke parë,
fort të dashuruar,
kështu të malluar.
Kujdesu, mos ma prish,
është mall i dashurisë,
do t'më dhemb pastaj...
dhe vala at' mall,
e ruajti të bardhë,
t'i ngjate asaj!
Me zemrën e dridhur,
kur sytë seç thanë,
pasionesh u treten...
pastaj, përqafuar,
ashtu të trazuar,
mallit, aty mbetëm!
Aty, si i harruar...
për ty e për mua
ky mall rrugën humbi,
diku mbeti,
u bë fjalë...
E mori një valë,
e kripur,
e treti,
u bë ujë deti!
10.
Yjet rrinë e më vështrojnë
Yjet rrinë e më vështrojnë,
Ato ma dinë frymëmarrjen,
Kjo natë me hënë të re fillon,
Nis ciklin e ringjalljes.
Sot as gjumi s'po më përkund,
Tek ty mendjen kam dërguar,
Yjet rrinë, vështrojnë me ngulm,
Sikur më thonë: je e bekuar!
Unë pajtohem e sytë i mbyll,
Brenda shpirtit kam dritën e tyre,
Me energji më flet një yll,
Universi me dritë m'u rrëfye!
Dhe yjet rrinë e më vështrojnë
Ma njohin ëndrrën edhe zgjimin,
Kjo hënë e re më sjell magjinë,
Shkrihet pentagramit t'shpirtit!
11.
Nuk dua dashuri që zvarritet
Nuk di pse je harruar e kaq larg të ndjej?!
Kthehu sonte, një lutje e shenjtë!
Lere aromën tënde të më gjej,
Kjo mbrëmje si e mbytur s'di pse hesht...
Vendosi sytë mbi mua o dashuri e harruar!
Se koha s'më pret, ikën pa zhurmë,
Sytë të kërkojnë për të të kujtuar,
S'di pse ke harruar rrugën për tek unë...
Pres si mali pret borën të shkrijë,
Të vish nga larg qoftë edhe si gënjeshtër,
Dërgomë një "të dua" dhe shpirti të ndrijë,
Më thuaj: do të vij patjetër!
Distancë kjo, që më ther në mes,
Kaq larg të dy edhe era çuditet,
Por unë nuk e dua këtë dreq ves,
Nuk dua dashuri që zvarritet...
12.
Puthjet kurrë s'i numëruam
Në heshtjen time bëhesh zë,
Që më zgjon ëndrrat e fjetura,
Më shfaqesh si dritë e shpresë,
M'i përkëdhel netët e heshtura.
Kujtimeve fryma më ndali,
Dhe pi nga buzët e tua mallin,
Si udhëtar pranë një burimi,
Mbetem peng i atij tundimi.
Se ti pushtove zemrën time,
Me buzë aromë luleshtrydhe,
Vije mëngjeseve e hijshme,
Më pëshpërisje si dallëndyshe.
E mbaj mend puthjen e pare,
Sepse qershitë sa kishin çelur,
Prisnim të vinte behar
Me puthje shpirtin kishim djegur...
Të parën puthje e kam ndër sy,
Por të fundit s'doja ta besoja!
S'di ta kujtoj, tani nuk di...
Që ish' e fundit s'do ta mendoja!
Ne të harruar qeshnim pa fre
Dhe puthjet kurrë s'i numëruam
Në sytë e tu s'di se çfarë fsheh,
T'i doja shumë moj e uruar!
- FUND -








Comments