top of page

Shpresa Fundo Gjergji: KUR TRUPI BËHET METAFORË E GJENDJES NJERËZORE

20 hours ago
4 min read

 

Poezi nga Prof. Dr. Fatmir Terziu: Tri grimca ndryshe

 

KUR TRUPI BËHET METAFORË E GJENDJES NJERËZORE

Nga Dr. Shpresa Fundo Gjergji

 

Alegorizmi kur bëhet pjesë e poezisë

 

Te poezia “Mushkëritë”, alegoria nuk vjen si një zbukurim i vargut, por si mënyrë për të menduar dhe shprehur një realitet njerëzor përmes figurave.

“Sëpatat”, “egërsirat”, “ferrat”, “sorkallet”, “muret” dhe “dekoratat e arta” nuk duhen lexuar vetëm në kuptimin e tyre të parë. Ato krijojnë një botë alegorike ku natyra, dhuna, instinkti dhe marrëdhënia njerëzore ndërthuren.

Vargu “Kur të ulim sëpatat, të gjitha egërsirat do të na ftojnë për darkë.”, e zhvendos poezinë nga një pamje konkrete drejt një kuptimi më të gjerë. Ulja e sëpatave mund të nënkuptojë ndalimin e dhunës, të luftës, të shkatërrimit. Por poeti nuk e thotë këtë. Ai e lë lexuesin ta zbulojë përmes alegorisë.

Mbyllja e poezise “e do të zgjohemi duke puthur njëri - tjetrin vetëm nga faqja.”, sjell një ironi të hollë. Kur shfaqet paqja, ajo mund të mbetet vetëm në sipërfaqe, një marrëdhënie formale, pa depërtuar në thellësinë njerëzore. Kështu, alegorizmi në këtë poezi funksionon sepse nuk e mbyll kuptimin; e hap atë. Figura poetike bëhet një gjuhë e dytë, përmes së cilës autori flet për njeriun, dhunën, paqen dhe hipokrizinë pa i emërtuar drejtpërdrejt ato. Pikërisht këtu alegoria bëhet art. Atëhere kur ideja pushon së qeni shpjegim, bëhet imazh.

 

1-    MUSHKËRITË

 

Kur të ulim sëpatat,

të gjitha egërsirat do të na ftojnë për darkë.

 

Ferrat do shtrydhin gjinj sorkallesh për të na dëfryer.

 

Ne do të mbushim muret me dekorata të arta,

e do të zgjohemi duke puthur njëri - tjetrin

vetëm nga faqja.

 

Kur kontrasti nënvizon luftën e të kundërtave në art

 

Te poezia “Veshët”, kontrasti nuk shërben vetëm për të krijuar dallimin mes imazheve, por për të shprehur “luftën e të kundërtave”. Në njërën anë kemi “grupin e lisave”, “burimin e ftohtë”, “rrënjët”, “flladin e shtatorit”, një botë të natyrshme, të pastër dhe të qetë.

Në anën tjetër shfaqet, “ekrani i televizorit”, simbol i një bote artificiale, të mbushur me zhurmë dhe ndikime të jashtme. Kontrasti bëhet edhe më i fortë në fund:

 

“Për të pastruar ajrin dhe frymën

 për t'i larguar ata natën dhe ditën

 (po deshët)

 mbyllini veshët.”

 

Këtu krijohet një paradoks artistik. Për të dëgjuar të vërtetën, duhet të mbyllësh veshët ndaj zhurmës. Pra, mbyllja bëhet një formë dëgjimi, ndërsa heshtja shndërrohet në kundërpërgjigje ndaj zhurmës. Kontrasti, kështu, nuk është thjesht teknikë stilistike. Ai shpreh një përplasje mes dy mënyrave të të qenit: natyrës dhe artifices, së vërtetës dhe zhurmës, asaj që dëshirojmë të dëgjojmë dhe asaj që na imponohet të dëgjojmë.

Në art, kontrasti bëhet i fuqishëm pikërisht atëherë kur të kundërtat nuk qëndrojnë thjesht pranë njëra-tjetrës, por përplasen dhe prodhojnë një kuptim të ri.

 

2-    VESHËT

 

Dolli me gotë argjendi

nën grupin e lisave pranë burimit të ftohtë,

(ku rrënjët nuk shkulen nga vendi).

 

Për të rënë në flladin e shtatorit,

(jashtë ekranit të televizorit).

 

Për të pastruar ajrin dhe frymën

për t'i larguar ata natën dhe ditën

(po deshët)

mbyllni veshët.

 

Kur vetvetja bëhet pjesë e artit

 

Te poezia “Fyti”, vetvetja e poetit bëhet pjesë e artit jo përmes rrëfimit të drejtpërdrejtë, por përmes përjetimit që shndërrohet në figurë poetike.

 

“Askush nuk ka telefonuar për shumë ditë,

 nuk ka asgjë për të shkruar në letër.”

 

Ve re se “Fyti”, ose e thënë ndryshe, vetvetja e poetit bëhet drejtpërdrejt lëndë poetike. Poezia nis nga një gjendje personale heshtjeje ku:

 

“Askush nuk ka telefonuar për shumë ditë,

 nuk ka asgjë për të shkruar në letër.”

 

Këtu poeti përjeton boshllëkun dhe mungesën e komunikimit. Por kjo gjendje nuk mbetet thjesht një përvojë personale. Ajo shndërrohet në proces krijues, sepse “Fleta e bardhë po më ysht një këngë të vjetër”. Fleta e bardhë, që në fillim simbolizon mungesën e fjalës, papritur bëhet nxitëse e saj. Pra, vetvetja e poetit dhe mendimi i tij fillojnë të marrin formë artistike.

 

Shprehja “zjarr 20 gradë në fyt”, e bën përjetimin fizik dhe emocional njëkohësisht. “Fyti” është vendi i zërit, i fjalës, i këngës; ndaj ajo që poeti ndien brenda vetes kërkon medoemos të dalë jashtë si shprehje artistike. Prandaj vargu përmbyllës, “Nuk i bëj dot bisht!”, është çelësi i poezisë. Poeti nuk mund t’i shmanget asaj që ndien dhe mendon. Vetvetja bëhet art pikërisht në çastin kur përvoja e brendshme nuk mbetet e mbyllur, por shndërrohet në fjalë, figurë dhe poezi. Kështu, “Fyti” është një poezi mbi nevojën e vetvetes për t’u shprehur. Heshtja krijon boshllëkun, fleta e bardhë nxit kujtesën, ndërsa ajo që përjetohet brenda vetes shndërrohet në zë, nëpërmjet imazhit të fytit dhe aty përjetimi personal bëhet art.

 

3-    FYTI

 

Askush nuk ka telefonuar për shumë ditë,

nuk ka asgjë për të shkruar në letër.

Fleta e bardhë po më ysht

një këngë të vjetër

zjarr 20 gradë në fyt.

Nuk i bëj dot bisht!


Këto “Tri grimca ndryshe” të Prof. Dr. Fatmir Terziut janë tri poezi të shkurtra, sintetike, por secila ndërton një botë simbolike më vete. M’u duken interesante sidomos për mënyrën se si trupi bëhet metaforë e gjendjes njerëzore nëpërmjet mushkërive, veshit, fytit.

 

Falenderime profesor, jam e lumtur që u ndala tek fjala juaj poetike e kuptimplote!

1 Comment


Fatmir Terziu
20 hours ago

E dashur Shpresa, të falënderoj nga zemra për këtë ndalesë kaq të bukur, të vëmendshme dhe mbi të gjitha, kaq të thellë në tri “grimcat” e mia poetike. Më gëzon veçanërisht fakti që nuk i ke parë këto poezi vetëm si vargje të shkurtra, por ke hyrë në hapësirën e tyre të brendshme, aty ku fjala, trupi, simboli dhe gjendja njerëzore takohen. Leximi yt më bëri të mendoj edhe një herë për “Mushkëritë”, “Veshët” dhe “Fytin”, sepse ti u ke dhënë atyre një këndvështrim të ri: trupin si metaforë, heshtjen si zë, kontrastin si përplasje dhe alegorinë si një mënyrë për të menduar njeriun. Është kënaqësi e veçantë kur një krijim rikthehet te autori përmes një leximi tjetër dhe i…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page