top of page

Shpirtrat nuk vdesin


Shpirtrat nuk vdesin

(Në kujtim të nënës)


Thërras nën zë "a je me mua këtu"?!

Kaq shumë dua...

të ndjej ajrin e qiellit ku shpirti yt,

larg fluturimin ka marrë!

Jam unë,

shpirt i shpirtit tënd me vite pa të parë...


Ma thuaj at' emër si dikur, sa herë dorën lehtë mbi kokë ta ndjeja,

Më kujtohet,

për kaçurelat mu përgjërove,

dhe unë

"rashë e vdiqa" sa i preva...


Më thuaj mos vallë je mërzitur?!

Jam unë,

kam ardhur këtu, ku gjumi i rëndë të ka zënë,

të kam sjellë zambakët e tu të preferuar,

ato lule të brishta si shpirti yt, tashmë i ftohtë, i largët,

i bekuar!


Pse nuk më përgjigjesh vallë?!

Një shenjë dua...

Jam unë,

shpirt i shpirtit tënd,

apo shpirti yt është larguar, diku ka rreshtur e ka zënë vend?!


Unë,

kurrë s'kam për tu lodhur,

vjolat

aty nën qiparisë ti kam mbjellë,

dhe ti si shtojzavalle nën dritën e hënës,

vjen dhe u merr erë!


Ah, që nuk u ngopa dot me ty nëpër ëndrra,

ti veç ndonjëherë vjen e më mbulon me kujdes,

dhe unë e trazuar nga gjumi im i lehtë,

prap, nuk arrij të të dalloj,

eh, ky boshllëk do t'më tresë...


Malli më dogji për ty dhe pluhur

do të bëhem...,

një ditë do fryj lëndinash,

nga buzëqeshja

do të të njoh,

ti do t'më shohësh nga larg!

Në krah

si fëmijë do të t'hidhem kur të rendësh tek unë,

të pi prap pak nga mjalti yt,

si bleta kur thith nektar!


E di,

Ti je zemërbardha ime, dikur na prisje...,

fjalëpak dhe e duruar sa ska!

Në sofrën tënde të gjithë i gostisje,

me mua qëndroje përkrah.


Si ikin vitet dhe njeriu bëhet "llaf",

kështu thoshe dikur,

por shpirti nuk tretet

ai ngjitet lart e lart...

dhe zemrës i vë një gur.


Ah, sa rëndoka me vitet

ai gur

që mbeti e mu bë xhevair!

As mua s'do t'më tresë dheu,

kur ai gur

dikujt do ti mbetet mbi shpinë...!

18 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page