top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: JA KU NUK JAM NË NJË MENDJE ME FROJDIN

2 hours ago
10 min read


(Mendime rreth veprës “Psikoanaliza fëminore)

  

   Figura e Edipit, djalit të mbretit të Tebës Laiut dhe Jokastës, ka tërhequr qysh në lashtësi vëmendjen e tragjikut grek Sofokliut (496-406 p.e.s), dhe latinit Lucius Annaeus Seneca (4 para e.s.-65 pas e.r.), pa folur për francezër Pierre Corneille (1606-1684) apo Fransua Mari Arouet-Voltaire (1694-1778), e të tjerë pas tyre. Laiu u paralajmërua nga Orakulli, se i biri do ta vriste, dhe do të martohej me nënën e tij, ndaj sapo lindi ia dha një skllavi për ta vrarë. Por ky e çoj foshnjen në malin Citeron dhe e vari në degën e një peme, ku e gjeti një bari. Ai e çoi te mbreti i Korintit Polibi, i cili e rriti si djalin e tij. Një ditë kur Edipi shkoi të konsultohej me Orakullin e Delfit, ai i tha të mos kthehej në vendin e vet, se do të vriste babanë dhe do të martohej me nënën. Duke pandehur se i ati ishte Polibi, Edipi shkoi në Beoti, ku pas një grindje, vrau një burrë të moshuar, i cili ishte babaj i vërtetë, Laiu. Rrugës takoi Sfinksin i cili i hante të gjithë ata që nuk e zgjidhnin gjë a gjëzën se “Kush është ai që në mëngjes ecën me katër këmbë, ditën me dy këmbë dhe në mbrëmje me tri këmbë”. Këtë e gjeti Edipi, çka e zemëroi aq shumë Sfinksin, sa u hodh nga shkëmbi. Tebanët që shpëtuan nga mizoritë e tij, e quajtën Edipin shpëtimtar dhe e shpallën mbret, duke i dhënë për grua vejushen e Laiut e cila ishte nëna e tij, dhe me të cilën pati katër fëmijë. Por kur ra një murtajë, Orakulli urdhëroi të largohej vrasësi i mbretit, pra i biri i saj, Edipi, që ndërkohë e kishte mësuar që e shoqja ishte nëna e tij, Jokasta. Kjo nuk e duroi turpin dhe vrau veten, kurse Edipi nxorri sytë dhe e kaloi jetën në Kolonë që ishte një lagje e Athinës. Këtej lindi shprehja “kompleksi i Edipit” dhe pikërisht këtu u frymëzua Zigmund Frojdi (Freud), për të shkruar ndër të tjera, veprën e tij “Psikoanaliza fëminore”, për të cilën do të flas në këtë shkrim. Natyrisht që e kuptoj se nuk është e lehtë të shkruash për veprën e babait të psikoanalizëz, për të cilin është shkruar e folur aq shumë, dhe i cili i propozuar plot dhjetë herë për çmimin Nobel, edhe pse nuk i është akorduar, konsiderohet si të gjithë nobelistët më të shquar. Dhe vështirësia tjetër është se mund të keqkuptohesh (paçka se e kam cituar në të 45 librat e mij me kritika letrare), nëse merr guximin edhe të shfaqësh mospajtime me të. Unë nuk jam as mjek, as psikiatër, as psikoanalist dhe e di se me Frojdin është marrë gjërë e gjatë, veç të tjerëve edhe një mendje e ndritur si ajo e psikoanalistit tjetër, amerikanit Erich Fromm (1900-1980), i cili te libri i tij “Hyrje në psikoanalizë” e ka renditur atë mes udhëçelësve të mëdhenj të mendimit. Psikoanaliza në vetvete, ndofta është shkenca më e debatueshme, pasi flitet për, le të themi, sëmundjet subjektive, si fjala vjen neurozat. Në këto kushte, qoftë edhe si lexues, e kam të drejtën që pavarësisht autoritetit dhe reputacionit të merituar të autorit, të jap mendimet e mia. Fundja, nga romakët e vjetër na ka mbërritur ajo shprehja e pakundërshtueshme “Amnis de finitio pericoloso est”, që vlen për të gjithë. Por së pari, le të ndalem fare shkurt te jeta e vetë Frojdit. Ai u lind në 6 maj të vitit 1856 në Freiberg (Moravi, sot në Çeki), dhe ndërroi jetë pas 83 vjetësh në Londër, pra në 23 shtator të vitit 1939, pasi mori një dozë të lartë morfine, nga që nuk po i duronte dhimbjet e kancerit në gojë. Nga origjina ishte hebraik, dhe pati gjashtë fëmijë me gruan e tij Martha Bernays, ku u dallua Ana, dhe ajo psikoanaliste, që ai e mbante si sekretare dhe infermiere. Por duke folur për jetën e tij sentimentale, ka prova se dashuronte dhe Minën, kunatën e tij. I ndikuar nga teoritë e Darvinit, studioj për mjekësi në Universitetin e Vjenës dhe u largua nga vendi i detyruar nga përndjekjet e nazistëve. Ai shërbeu si mjek psikiatër dhe profesor që iu përkushtua psikoanalizës, shkencës që merret me metodën terapeutike me anë bisedash, diskutimesh dhe fobive të fshehura. Për të psikoanaliza ishte njësoj si kimia e fizika, gjë që ka ngjallur qysh aso kohe, mjaft diskutime. Ishte nga të parët që i kushtoi vëmendje të veçantë studimit të mendjes së njeriut. Me pacientët, shqyrtoi fenomenin e ëndrrave dhe përdori hipnozën, por ajo jepte rezultate afatshkurtëra. Të sëmurëve u krijonte kushtet që të shpreheshin lirshëm e pa drojë, me qëllim që ai të arsyetonte rreth shkaqeve që kishin sjellë gjendjen e tyre depresive, ankthit ose neurotike. Kishte bindjen se duke u hapur para tij, qoftë edhe duke e hedhur turpin pas krahëve, ata do të lehtësoheshin dhe do të përmirësoheshin. Mendjen e ndante në tri pjesë: Id, që ushqente ndjenjat që kërkojnë kënaqësi të atypëratyshme, Ego, Uni që mbron veten nga të tjerët dhe shërben si balancim mes ekstremeve Id dhe Superego e cila nga ana e saj përmban drejtimin nga ato vlera që njeriu i ka marrë nga prindërit e tij dhe shoqëria që e rrethon. Mirëpo në këto kategori të parashtruara nga Frojdi, predominojnë lidhjet e forta seksuale që sipas tij ngrenë krye e shfaqen qysh në fëmijëri. Dhe kur teoritë e tij ngjallin polemika, Frojdi pas vitit 1911 zbret nga piedestali, pasi vetë thosh se “nuk është bartës shëndeti më të madh mendor se pacientët e tij”, dhe e prish miqësinë me Alfred Adlerin ((1870-1937), i cili vinte si bazë të sjelljes së njeriut “kompleksin e inferioritetit”, Carl Gustav Jungun (1875-1961) që u shkëput nga ndikimi i seksualitetit frojdian, e deri Rankun e të tjerë. Shkroi dhe botoi libra që patën jehonë dhe ndikim deri në rrethet kulturore, artistike dhe letrare si “Interpretimi i ëndrrave”, “Psikopatologjia e jetës së përditëshme”, “Principet e përtej kënaqësisë”, “Civilizimi dhe pakënaqësitë e tij”, etj. ku zotëron bindja e tij se neurozat janë pasojë e konfliktit midis Egos tonë dhe parimit të kënaqësisë, dhe sa shërohen nëpërmjet psikoanalizës. Dhe tani të kalojmë te analiza e librit të sipërpërmendur. Qysh në krye, Frojdi i referohet një pasazhi nga letrat familjare të mendimtarit të madh holandez Multatuli (Eduard Douwes Dekker 1820-1887), i cili mbron idenë se padija, pra fshehja që u bëjmë fëmijëve, i shtyn ata që të dyshojnë për të vërtetën, dhe i kthehet letrës të Lilit, një vajze të vogël që e pyet teze Malin se si ka lindur Kristeli dhe Pauli, pasi ajo nuk beson se ata i ka nxjerrë lejleku nga pellgu (hurdha). Pastaj, si pasojë e mossqarimit ajo kalon në neurozë, se nuk e përballon dot “konfliktin psikik” që i shkaktohet. Kjo duket pak e pabesueshme, se të gjithëve, për të na shuar kureshtjen, na kanë treguar variante deri qesharake të lindjes së bebeve, por nuk kemi kaluan kurrë në neuroza. Po ashtu, mos shpjegimi i seksualitetit qysh në vogëli, pra deri në moshën pesë vjeçare, që Frojdi kupton edhe kopshtin, nuk na ka bërë rebelë apo të humbasim sjelljen e drejtë, sikurse ai pohon. Ai edhe vetë ka mëdyshje kur thotë se prifti, pra feja, nuk do të lejonte kurrë të bëhej kjo, dhe se fëmijët janë krejt të ndryshëm dhe  interesi për seksin, zgjohet në stade të ndryshme të moshës. Fëmijët nga ana e tyre, nuk kanë dijeni për shumë e shumë gjëra e fenomene të tjera, por kjo nuk është arsye që ata të humbasin arsyen. Do mësojnë plot çudira dora-dorës, pra duke u rritur. Dhe pikërsht kjo ështe edhe bukuria e jetës. Fëmija duhet të dijë aq sa i lejohet moshës së tij, se nuk mund të pretendohet që ai të jetë qysh i vogël, një shkencëtar. Frojdi në parashtresën e tij, shtjellon interesimin e fëmijës së paralindur, për daljen në jetë të motrës së tij, pra të paslindur, dhe kërkon me insistim të gjejë arsyen pse ajo nuk ka, më falni, penis, thuajse nuk ka lodra, qoftë dhe fare të thjeshta, me sa të merret. Ky interesim sipas tij, shkon deri tek e ëma. Tani, edhe pse nuk ka mbushur katër vjeç, fëmija e paska mendjen te seksi dhe e tmerron trembja se nuk duhet ta prekë organin, se në të kundërtë do ta tredhin. Por a mund ta dijë një copë kalamani se ç`është tredhja dhe a keni dëgjuar ju ndokënd që ta kërcënojë atë me të tilla vulgaritete? Pastaj, dini ju ndonjë fëmijë aq kureshtar, sa të kontrollojë shtratin e prindërve se mos gjen ndonjë njollë gjaku që ai e interpreton si agresion të babait ndaj nënës, gjë që çon në urrejtje për të atin dhe dashuri (erotike) për të ëmën. Absurditete! Dhe si për t`i vërtetuar të gjitha këto, Frojdi i madh, merret me analizën e rastit të Hansit të vogël, bazuar te letrat që babai i tij, rast pas rasti, i dërgonte. Pra, vëzhgimet e psikoanalistit, bëhen me korrepondencë. Për lexuesin e vëmendshëm duket se letrat me vëzhgimet e babait të djalit, më shumë se reale, janë të stisura, pra, në funksion të teorive që psikoanalisti do të parashtrojë. Por, këtu mund të jem unë i gabuar. Veç duhet thënë se kjo nuk ka fare rëndësi. Rëndësi kanë konkluzionet dhe përgjithësimi i analizave që autori i librit nxjerr dhe që sipas tij, përkojnë me ato hipotezat e tri eseve mbi teorinë e saksualitetit qe ai ka shkruar. Në fakt kemi të bëjmë me një bashkëbisedim midis babait dhe djalit të mitur dhe bashkëpunimit që ai bën me mjekun e shquar. Babai i Hansit flet me të birin sikur ai të jetë shoku i tij dhe i bën pyetje që vërtiten rreth bibilushit. E pyet për prirjet e tij ndaj shoqeve Berta dhe Olga, por pyetjet e tij janë sugjestive dhe e fusin vogëlushin në një botë dhe në një fantazi që ndofta nuk ka fare lidhje me ëndërrimet e tij. Kuptohet se ai është sa i zgjuar aq dhe i pushtuar nga një farë neuroze, por më duket se diskutimet me të atin, po e sëmurin më keq. Babai i thotë: “Po qesh me bibilushin e Hanës?”. “Pse?” . “Pasi është shumë i këndshëm”. Hana është motra e tij, ndaj më thoni, a mund të ndodhë kjo? As me shaka, babai nuk ia ka lejuar vetes të flasë me ne në këtë mënyrë, apo ne me fëmijët tanë. Dhe kjo shkakton te Hansi i vogël, prirje homoseksuale ndaj babait të tij. Dokrra! Le pastaj, kur Hansi që mezi pret t`i futet në shtrat të ëmës, e sheh të atin si rival, ndaj dhe e urren atë. Jo, as në përfytyrimin e grekëve të vjetër, pra në mitin e Edipit, nuk ndeshim të tilla perversitete. Perversitete që në mendjen e Hansit, fluturojnë nga organi i kalit, te qafa e xhirafës që i kujtojnë penisin e madh dhe mangësinë e tij. Më thoni, a mund të ngjasë që edhe një baba i pashkolluar, pra injorant, t`i thotë fëmijës si babai Hansit: - Atëherë je bërë kureshtar dhe ke kërkuar të dish se si ishte edhe bibilushi i Bertës dhe ai i mamit. E më tej vazhdojnë pyetjet komike: - Do doje të martoheshe me mamin? Dhe përgjigja e Hansit: - Ah po. S`ka më bukur. Edhe vetë Frojdi, kur ishte i vogël, thua ta kishte këtë dëshirë? Babai vazhdon në të tijën: - Në Gmunden a ke shkuar shpesh në shtrat me mamin? Idiotësia e babait nuk ka fund: - Kur rrije ulur mbi oturak, dhe të vinte kaka, mendoje se bëje një fëmijë? Dhe për këtë lloj babai që ishte me sa duket, më i sëmurë se i biri, Frojdi na thotë se ai ishte në rolin e mjekut. Po ky lloj “mjeku” edhe normal të ishte, Hansin e vogël, do ta luante nga mendja. Nëpër faqet e librit, Hansi flet si i rritur jo vetëm me llogjikë, por edhe me artikulimin e fjalëve. Ai i përgjigjet të atit me fjalët që përdorin vetëm të rriturit: Je në humor të keq, As Zoti nuk e donte një fëmijë tjetër, …Të dëshirosh nuk është të bësh dhe të bësh nuk është të dëshirosh, Natyrisht, Sigurisht e kështu me radhë. Por paradoksalisht, ai e kupton dhe e pranon marrëzinë e tij, gjë që nuk mund të ndodhë kurrë. Madje ai duket se merr pjesë edhe në kurimin që me psikoterapi po i bëhet. Ja si thotë vetë Hansi kur i ati i thotë hapur e pa takt se shënimet që mban do t`ia çojë profesorit që ta shërojë nga “marrëzitë”: - Besoj se ky është shkaku që më ka sjellë marrëzinë. E më tej: - Ndoshta marrëzia më erdhi pasi thonin kështu: “si kali”. Kjo më kujtoj një fjalë të urtë se “Më drejtë se çdo gjë në botë është ndarë arsyeja: askush nuk thotë jam budalla”. Epo, Hansi i vogël e thotë. Të habit fakti që Frojdi vetëm këtë Hansin që ngado shkon sheh penise kuajsh, sikur ata edhe pse të rraskapitur nga tërheqja e karrocave e paskan mendjen te pelat, ka zgjedhur për ta bërë shembull terapie. Rasti i Hansit, mund të jetë rreptësisht i rrallë ndër miliona e miliona fëmijë që ka bota. Dhe që janë nga ata fëmijë, ku prindërit e tyre, as kanë dëgjuar ndonjëherë se ka psikologë e psikoanalistë, por i lenë lirshëm fëmijët e tyre të lozin e bredhin me shokët dhe jo duke i “burgosur” e duke u qëndruar mbi kokë si tutorë pedantë. Po ashtu duket si diçka e pabesueshme dhe shkencërisht e mangët ajo që konkludon Frojdi: “Në këtë rast, zgjatja e thjeshtë në kohë e një eksitimi seksual me fuqi aq të lartë do të kishte qënë e mjaftueshme për të shkaktuar sëmundjen”. Djali paskej parë të rrëzohej një kalë dhe menjëherë paskej nisur ankthi. Sipas kësaj llogjike, të gjithë duhej të ishim të pushtuar nga ankthet e makthet, pasi çfarë nuk kemi parë në fëmijëri. Nga ajo që thotë si përfundim vetë Frojdi, del se ishte i ati i Hansit ai që e ndihmoi dhe nuk e la të binte në deformim të karakterit të birin, për të mos thënë në prirje drejt neurozës. Kurse unë do të thosha se pikërisht ai bëri që sëmundja e Hansit të agravohej, aq sa në qoftë personazh i vërtetë, duhet pyetur se mos ndofta ka vrarë veten. Megjithatë, duhet pranuar se Frojdi nuk pajtohet me ata mjekë që thonë se pas një neuroze, nuk duhet të përzjehen me pacientin. Madje, ai tallet me ta, kur kujton; “Shumë zhurmë për asgjë”, të Shakespeare dhe shkruan: “…harrojnë, me thënë të vërtetën, se janë mjekë, kështu që fjalët e tyre të sjellin ndërmend për fat të keq ato të Konkokolës, atje ku i këshillon rojes të shmangë çfarëdo kontakti me hajdutët me të cilë i bie të ndeshet, “pasi sa më pak të kesh të bësh me ta, aq më mirë është për ndershmërinë tënde”. Ama, për të qënë edhe unë i ndershëm me të, duhet të sjell në vëmendje se vetë ai, herë pas here, shprehet se kështu mendon ai dhe se “…jam i prirur të mendoj në këtë mënyrë, por nuk di nëse shumë të tjerë do të jenë në një mendje me mua dhe nuk di as nëse përvoja ime do të provojë se kam të drejtë”. As unë nuk e di në kam të drejtë ta qortoj atë për këtë libër, pra për “Psikoanaliza fëminore”, me të cilin, krahas veprës gjeniale të tij, më duket se i ka bërë dëm moralit shoqëror. I ka bërë dëm, pasi emri i tij ka qenë për rreth njëqind vjet, dhe do të mbetet në vazhdimësi, me ndikim në sjelljet njerëzore, nëpërmjet kulturës, artit e letërsisë, dëm që shkon përtej mëkatit të Edipit. Ndofta do të ishte më e arsyeshme që ai të na jepte përvojën personale nga fëmijëria e tij, apo nga fëmijë normalë, pa komplekse, apo me defekte që nuk shkonin deri te dëshira për ta parë motrën të vdekur, te homoseksualiteti, tek urrejtja për babanë ngaqë e kishte bibilushin më të madh, apo tërheqja aspak njerëzore ndaj nënës së tij dhe dëshirës të pashuar për t`u futur në shtrat me të. Apo edhe nga dashuria e gabuar me kunatën e tij, pasi do të vërtetonte konstatimin e bashkëkohësit të tij, austriakut Karl Kraus (1874-1936) që me shpoti thosh se: “Psikoanaliza është profesioni që lidh çdo gjë që ndodh në botë me çështjet seksuale, përveç profesionit të tyre”. 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page