top of page

SHPENDI TOPOLLAJ: DURRËSI, VATERLOJA E LUFTËS ÇEZAR – POMPE

  • 2 hours ago
  • 16 min read


   Për vetë pozicionin gjeografik dhe rëndësinë që ka pasur ndër shekuj, Durrësi (Epidamnos, Dyrrhachium), ka përjetuar shumë ngjarje historike, për të cilat është folur e shkruar shumë nga dëshmitarë, kronikanë, studiues, historianë dhe shkrimtarë të huaj, por që pak njihen te ne. Kështu, mund të përmendim ndër të tjera, faktin se pas asaj tragjedisë të fshatit Kljuç, ku në vititn 1014 u zunë robër nga ana e Vasilit të II të Bizantit, 14.000 ushtarë bullgarë, të cilët me përjashtim të njërit në çdo 100 të verbuar, iu la një sy për t`i drejtuar, çka shkaktoi sapo i pa, vdekjen nga ataku në zemër të mbretit Samuill, erdhi vrasja e perandorit pasues, që ishte i fundit i shtetit të parë Bullgar, Ivan Vlladisllavit, teksa luftonte në muret e kështjellës së Durrësit. Por, kërkoni sa të doni; nuk keni për të gjetur qoftë edhe një pllakë të vetme që ta përkujtojë këtë ngjarje. Por një pllakë të tillë, nuk keni për ta gjetur dot, as për betejën e famshme të vitit 48 para erës sonë, midis Gaj Jul Çezarit dhe Gneus Pompeut, në një kohë kur për këtë shkruajnë historitë që nga Straboni etj. dhe enciklopeditë e gjithë botës. Natyrisht që ushtritë romake mbaheshin mend qysh nga koha e birit të Pleuratit II - të, mbretit mjek Gentius, kur pas një muaji rezistence, ai me gjithë familje, përfshirë mbretëreshën Etleva, vajzën e Monunit, e lanë Shkodrën dhe iu dorëzuan gjeneralit romak Paul Emilit (229 - 160 para Krishtit). Dihet se nga 220 lembet ilire të kapura, një pjesë e tyre iu dhuruan edhe Durrahut. Por ajo që e vuri qytetin e Durrësit në qendër të vëmendjes, nuk ishte rezultat i luftimeve pushtuese, por zgjatim i sherreve dhe armiqësive që kishin lindur qysh në Romë, pas prishjes së Triumviratit të Parë. Duhet kujtuar se Durrësi përfaqësonte një qytet mjaft të zhvilluar, çka mund ta ilustrojmë vetëm me atë që i kumton më 25 nëntor 58 p.e.s. oratori që shpartalloi komplotin e Luç Serg Katilinës, Ciceroni, mikut të tij Atikus: “unë erdha në Durrakium sepse është një qytet i lirë. Banorët këtu janë të devotshëm ndaj meje”.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                 

                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                  Pra, le të japim një pasqyrë të situatës paraprake të asaj kohe. Në librin e tij të mrekullueshëm të autorit Edward Gibbon “Historia e rënies dhe e shkatërrimit të Perandorisë Romake”, shkruar 250 vjet më parë, diku thuhet: “Kufizimet nga Senati dhe ligjet mund të shërbejnë vetëm për të shpalosur virtytet, por ato nuk arrijnë të korrigjojnë veset e perandorit”. Kështu që nuk ka asgjë për t`u habitur, rreth shkaqeve që çuan në konflikt të armatosur tre burra të shquar si Çezari, Pompeu dhe Mark Krasi. I pari Julius Caesar (100 - 44 p.e.r.), që Tit Livi e quante “mendje hyjnore”, divus, iu kundërvu diktatorit Syla dhe u larguar, i ndihmuar nga Krasi, në Azi, ku u angazhua me politikë dhe u bë më pas, nismëtar i krijimit të Triumviratit. Ishte për reforma në favor të popullit, dorëlëshuar dhe shumë ambicioz për marrjen e pushtetit dhe e konsideronte prejardhjen e tij nga familja e krijuesve të Romës, pra e djalit të Eneut dhe perëndeshës Venus. I dyti Pompeu (106 - 48 p.e.s.), djalë senatori, ishte dhëndërri i Jul Çezarit, pasi kishte marrë për grua pas Antisias, Emilias, dhe Mucias bishtpërdredhur, vajzën e tij Julian. Kishte pasur suksese si komandant legjioneh në Afrikë, Siçili, kishte mposhtur nja tre mbretër me emër, i kishte dhënë dërmën piraterisë dhe kishte pushtuar Jeruzalemin, ndaj dhe i qe dhënë titulli Magnus. Si u kthye nga Spanja, ky pronar tokash u shpërndau ushtarëve 380 milion sesterce dhe i dorëzoi Senatit 480 milion të tilla. Madje në Romë i ishte ngritur një statujë nudo, ku paraqitej duke mbajtur globin në njërën dorë, çka donte të thosh se jam i gjithëfuqishëm. Ju dha shumë pushtet nga Senati. Të dy këta, mbanin rreth vetes, njerëz të shquar si filozofë e shkrimtarë, sidomos me kulturë helene. Kurse i treti, pra Mark Krasi (115 - 53 p.e.s.), kur ndodhi kryengritja e skllevërve e vitit 73, e shpartalloi atë, duke kryqëzuar gjatë rrugës Appia, plot 6000 të tillë, gjë që pas tre vjetësh i dha mundësinë të zgjidhej konsull. I qe ngarkuar të qeveriste Sirinë. Të tre së bashku në vitin 60 krijuan Triumviratin (Bashkimi tre burrave), i cili për atë çka thoshte Gibboni, pra veset e njeriut, pas vdekjes së Julias dhe martesën e Pompeut me Kornelian, vajzën e Metel Skipionit, si dhe vrasjen në vitin 53 të Krasit nga partët, u prish. Vlen të përmendet si kuriozitet se Krasit pasi ia prenë kokën e bënë sikurse shprehet Dante Alighieri, të provonte se “ç`shije kishte ari”, pasi vetë mbreti Orod i futi në gojë ar të shkrirë, duke i thënë: “Ti etje ke pasë për arin, pi, pra tashti”. Nisën turbullirat në Romë dhe Senati ja besoi pushtetin Pompeut, por në 17 dhjetor të vitit 50, Çezari me fjalët që kujtohen edhe sot e kësaj dite “Alea jacta est”, pra “Zaret u hodhën”, kaptoi Rubikonin dhe nisi marshimin. Ja sesi shkruan Mary Beard për këtë moment: “Kur Syla ktheu ushtrinë drejt qytetit (40 vjet më parë. Shënimi im), që të gjithë me përjashtim të një oficeri të lartë, refuzuan ta ndjekin atë. Kur Çezari bëri të njëjtën gjë, që të gjithë me përjashtim të njërit, Labienit e ndoqën pas”. Kështu që nuk vonoi dhe filloi lufta civile. Gërmat legjendare SPQR (“Senatus Populus Que Romanus” pra “Senati dhe Populli i Romës”), mesa duket, ende nuk po gjenin zbatim në praktikë, pasi të 600 anëtarët e atij senati, mendonin se i kishin të gjitha për të qenë mbret, përveç mbretërisë. Nga ana e tij, Pompeu, duke nuhatur synimet e Çezarit u bashkua me aristokratët që ishin kundërshtarë të tij dhe donin ta frenonin, ndaj e pa të udhës që të largohej nga Roma me gjithë ushtrinë e tij. U nis nga Brundisiumi, pra Brindisi i sotëm më 28 nëntor të vitit 49 p.e.s. dhe pasi zbarkoi në Orikum, u nis drejt Verria, afër Kosturit. Një pjesë e flotës së tij me afro 600 anije, zuri Durrahun. Por Çezari që ishte vetëshpallur sovran i Italisë, ju qep pas; në 8 janar të vitit 48 p.e.s. kaptoi Adriatikun me një pjesë të legjioneve, pasi pjesën tjetër ia la ta sjellë gjenerali i tij besnik, Mark Antoni, i cili kishte një përvojë jo të vogël, sidomos nga fushata e viteve 58 - 56 p.e.s. në Palestinë dhe Egjipt. Ushtria e Çezarit zbarkoi në Palasë, dhe për të shpejtuar ardhjen e pjesës tjetër të ushtrisë, i veshur si skllav, u nis drejt Brindisit. Kur drejtuesi i varkës iu ankua për kohën e keqe, ai i kujtoi se “Mos u tremb. Me vete ke Çezarin dhe fatin që e ndjek pas”. Pas Palasës, ende njihen toponimet Shtegu i Çezarit, Qafa e Çezarit ku gjendet edhe burimi i Ponaçes dhe vetë ai te libri i tij “Komentarët mbi luftën civile” në tre volume, flet për malin e Çikës mbi dymijë metra të lartë. Mirëpo, ankorimin e anijeve të tij në Durrës, të drejtuara nga Mark Antoni e pengonte flota e armikut të egër Alpurnius Bibulusit. Kështu që Mark Antoni gjeti strehë në Nimfe (Nymphaeum), nja tre milje nga Lisusi (Lezha). Nuk vonoi shumë dhe ushtria e Pompeut, tani e përbërë me 50.000 ushtarë u kthye nga Maqedonia në Durrës, gjë që e detyroi Jul Çezarin të kërkonte paqe. Mirëpo, bisedimet e të dërguarit të tij Publius Vatinius me përfaqësuesin e Pompeut, Labienus, nuk dhanë rezultat. Duke pasur nën udhërat e tij njëmbëdhjetë legjione dhe 1.500 kalorës, Jul Çezari vendosi të hyjë në luftë. Kaloi drejt Apolonisë dhe vazhdoi të bashkojë forcat e ato të Mark Antonit, të cilat nuk vonuan dhe menjëherë nisëm marrshimin drejt diku rreth trevës Tiranë - Elbasan. Në studimin e tij gjatë luftës së Parë Botërore, nënkoloneli austriak Xhorxh Veith mendon se përhapjen e lajmit për bashkërendime veprimesh mes Çezarit dhe M. Antonit e gjeti te natyra kureshtare e popullsisë vendase, të cilët sipas tij edhe kur takohen nuk pyesin si je, por hë ç`kemi? Të sqarojmë, se në këtë kohë legjioni përbëhej nga 6.100 luftëtarë, nga të cilët shumica ishin të armatosur rëndë, të tjerët të armatosur lehtë dhe në çdo kohortë prej 555 ushtarësh (se ishin 10 të tilla), kishte nga 66 kalorës, veç të parës që kishte 132 të tillë, të cilët marrshonin deri 25 km. në pesë orë. Të dy kapedanët dikur miq, nisën punën nga fortifikimi i pozicioneve. Pompeanët ngritën 24 llogore në 22 km. nga 15 këmbë të larta, pra 4.5 metra, kurse çezarianët u shtrinë në 25 km. Por ushtria e Pompeut kishte avantazhin e kapjes së lartësive nga 100 - 140 metra te Shkëmbi i Petrës (Guri i Bardhë, rruga për Kavajë), kurse ata të Çezarit 80 - 90 metra, por që mund të pengonin furnizimin nga deti të ushtarëve dhe kuajve të Pompeut. Nga ana e tij, Jul Çezari përdori dredhi si rënia çorientuese e borive për sulm, ndezja e zjarreve për të shmangur goditjet, dhe sidomos duke përhapur lajme të rreme se Pompeut nuk ia mban të futet në luftim, paçka se atë e quanin Agamemnon, pra trim të çartur ose më drejtë mbret të mbretërve. E vërteta ishte se ushtria e Pompeut ishte superiore në numër dhe kalorësi, dhe raportet ishin 45.000 me 22.000 kurse kalorësit e Pompeut qenë shtatë herë më të shumtë. Duhet ditur se kjo luftë nuk nisi e bitisi brenda ditës dhe as brenda një kohe të shkurtër. Ishin muaj luftimesh, nga 5 janari gjer në 12 korrik të vitit 48 p.e.s., dhe njerëzit e kafshët duheshin ushqyer. Por romakët që qenë mësuar me drithëra, kryesisht grurë (il frumentum), kur këto u mbaruan, e shuan urinë me atë që hanin fshatarët vendas, këlkozë (chara). Kishte një barazpeshë në veprimet luftarake, gjersa një ditë, vëllezërit alobrogë (galë), Roucili dhe Egi, djemtë e Abducilit, fshehurazi dezertuan dhe shkuan te Pompeu, ku treguan të gjitha pikat e dobëta të kundërshtarit. Kjo i dha përparësi pompeanëve, të cilët në prani të Pompeut mbanin sehir sesi i vriste me dorën e tij robërit ish shokë një farë Labieni, i cili ishte ai që nuk e kishte shoqëruar Çezarin gjatë kalimit të Rubikonit, dhe puna shkoi deri atje sa një herë i numëruan Çezarit plot 30.000 shigjeta dhe vetëm në mburojën e një çenturioni të quajtur Scevas kishte 120 vrima, gjë për të cilën ai e shpërbleu si me gradim ashtu edhe me 200.000 sesterce. Sulmin vendimtar të 36.000 ushtarëve të Pompeut ndaj pozicioneve të ushtrisë së Çezarit e ndali Mark Antoni, por Çezari kur pa se i qenë vrarë mbi 900 ushtarë dhe 200 kalorës, dhe kapur 32 flamurë, e pranoi humbjen dhe duke ndenjur gjithë natën pa gjumë, tha se si e bëra unë atë gabim që sulmova Durrësin, të cilin e mbronte Koponio? Duke theksuar rëndësinë që kishte pushtimi i Durrësit, Veith në librin e tij, përkthyer me mjeshtëri nga miku im i ndjerë Kostaq Xoxa, shkruan: “Në të vërtetë Çezarin nuk e ndihu rasti në Durrës. Madje pati edhe telashe të mëdha. Nga e gjithë fushata, Durrësi u paraqit fatal për Çezarin. Për Pompeun fushata e Durrësit, pas humbjes së Orikumit, të Apolonisë dhe të gjithë Epirit, paraqiste të vetmen lidhje ndërmjet ushtrisë dhe flotës ose, e thënë ndryshe, e vetmja bazë për ruajtjen e epërsisë dhe zotërimit të qëndrueshëm në teatrin e luftës; për Çezarin marrja e qytetit kishte kuptimin e kurorëzimit, të arriur me të gjitha mjetet, të parashikuara në planin e tij, për rrënimin përfundimtar të epërsisë armike, me një fjalë: fitorja. Qyteti i tërhiqte me një forcë magjike: të gjitha masat taktike dhe strategjike të të dy kapitenëve që synonin, në thelb, vetëm e vetëm fitoren mbi Durrësin dhe mbrojtjen e tij. Nevoja e operacioneve i kishte bërë të dy palët që t`i afroheshin gjithnjë e më tepër qytetit që hë për hë nuk ishte as i njërit, as i tjetrit. Vendimi duhej të merrej jo larg portave të tij. Prandaj episodi i luftës në Shqipëri mund të përmendet me emrin e “Fushatës së Durrësit”.  Ashtu si po zhvilloheshin ngjarjet, Çezari u detyrua të tërhiqet me rregull, duke i lënë ndjekësit 14 km. mbrapa, veprim të cilin ndjekësit nuk arritën ta shfrytëzonin. Ndërpreja e veprimeve luftarake në këtë pikë ishte dhe gabimi më i madh i jetës ushtarake të Pompeut. Pas nëntë ditësh Çezari u fut në Apolloni, dhe nga rruga Egnatia përfundoi në Thesali, kurse Pompeu me të tijët shkuan në Greqi, ku i dha betejë në 9 gusht në Farsalë (Pharsalus në Larisë), Çezarit i cili e mundi përfundimisht, edhe pse ai pati përsëri epërsi numerike. Nuk vonoi t`i shkruante Senatit: “Ja tani, unë jam zot i Efesit, zot i Egjiptit, “diktator i Romës” dhe zot i botës”. Dhe si i tillë, ishte Jul Çezari ai që nuk iu nda Pompeut këmba - këmbës, deri në Aleksandri, ku ai “mbreti i mbretërve” vdiq tragjikisht. Ja si ndodhi. Dhe këtu lejomëni të ndalem pak, pasi e di se ka nga ata që mendojnë se Egjipti në kohët e vjetra, gjithmonë është drejtuar nga Faraonët vendas. Por, jo. Për më tepër në historinë e saj kanë lënë gjurmë të pashlyeshme edhe shqiptarët, duke kujtuar Muhamed Pashë Kavallën, i cili mbi 40 vjet e bëri atë vend zap dhe e çoi drejt progresit, duke vijuar saga e tij për 150 vjet, deri te mbreti Faruk i çfronësuar me grusht shteti në 1965. Kur ishte duke vdekur në Babiloni në 11 qershor të vitit 323 p.e.s. nga shkaqe ende të paqarta (thonë nga ethet), strategu gjenial Aleksandri i Maqedonisë, i biri i Filipit të II - të dhe princeshës molose Olimpia, vajza e mbretit ilir Neoptolem, pyetjes se kush do ta drejtonte perandorinë iu përgjigj me fjalët: Më të fortit! Filloi lufta e egër mes gjeneralëve për ndarjen e pushtetit, por Egjipti i mbeti Ptolemeut I - rë, i cili konsiderohet edhe krijuesi i dinastisë Ptolemeane (është pikërisht ai që mbajti peng Pirron e Epirit sipas marrëveshjes së bërë nga kunati i tij Dhimitri i I - rë, dhe që më pas i dha për grua vajzën e tij, Antigonën. (Kujtoni qytetin e vjetër pranë Gjirokastrës), prej nga sunduan në vazhdim 15 mbretër, ku më e njohura në histori mbetet Kleopatra e VII - të. Kjo mbretëreshë që kurrë nuk u mësua në ishte me të vërtetë aq e bukur sa ishte dhe e zgjuar, ishte e rrethuar nga pretendentë të fronit si Ptoleme Auleti i XIII - të, vëllai i saj Ptoleme Dionizi i XIV - të, Arsinoi, e motra, Ptolemeu i Ri dhe tutori Potini, Komandanti i ushtrisë Akila dhe Teodoti mësuesi dhe këshilltari i Ptolemeut të XIV - të. Në këtë rrëmujë ju desh të vinte për të shpëtuar nga ndjekja e Çezarit, vetë Gnej Pompeut që atje në statujën e Romës, mbante ende rruzullin në dorë, i cili nga ana e tij përkrahte Ptoleme Auletin. Por kjo simpati dhe mbështetje nuk i vlejti, pasi atë, teksa kishte hipur në një varkë, në 28 shtator të 48 - ës, e vranë pa mëshirë Akila me Luc Septimin. Edhe vetë komandant Akilën e vrau Ganimedi, një eunuk që e kishte shtyrë Arsinoi. Ndërkohë, mbërriti Çezari i cili u tërbua kur i çuan kokën e prerë të ish dhëndërrit. Romës, ndofta nuk i bënin shumë përshtypje këto makabritete. Ajo kishte parë dhe do të shihte plot skena të tilla, qoftë si ajo e vrasjes mizore të vetë Jul Çezarit, qoftë si prerja dhe ekspozimi i kokës së Mark Tul Ciceronit në luftimet civile që pasuan, qoftë si ajo koka e prerë pas vetërvasjes së Mark Brutit, kunatit të Kas Longinit, shpirtit të komplotit, kokën e të cilit Mark Antoni e nisi nga Filipea e Maqedonisë për Romë, por që nuk mbërriti, pasi ra në det nga furtuna e madhe. Për më tepër, Plutarku thotë se ai duke thënë: Jo nuk desha kështu! derdhi lot. Mirëpo, mesa duket, mërzitja i kaloi shpejt, sapo u ndesh me hiret dhe ledhat e Kleopatrës. Ra në dashuri me të dhe patën një djalë që e quajtën Çezarion. Kur shkuan në Romë, Kleopatrës nuk ja varën shumë, ndofta edhe pse Jul Çezari e kishte gruan e tij, Kalpurninë. Çezari nga ana e tij, jo se nuk e donte kurorën, por i zgjuar dhe i kujdesshëm siç ishte, e kishte refuzuar atë kur ja kishin servirur gjatë festimeve të Luperkaleve, ku në 15 shkurt nderohej perëndia Pan (Faunus), që kishte vrarë ulkonjën e cila kish ushqyer Romulin dhe Remin. Ama, paradoksalisht, shprehja “Pani i madh vdiq” parajmëronte gjithashtu, fundin e një epoke, pse jo edhe për vetë Çezarin. Nga ana e tij, ai vazhdonte punët e tij të mira, ndërmerrte reforma e bënte bamirësi, jepte shpërblime, gjë që ndër të tjera, edhe e nderuan me titullin Pontifex Maximus. Por kjo nuk donte të thosh se nuk po krijonte edhe urrejtje. Ashtu si pa kuptuar, po nxitej dhe po ngrihej kulti i tij. Mjafton të citojmë diçka nga libri i profesoreshës së Klasiçizmit Mary Beard për ta kuptuar këtë: “Procesionet triumfale të Çezarit vunë në paradë plaçkat e luftës, të animuara ose jo, nga e gjithë bota romake. Triumfi i tij më 46 p.e.s., festuar gjatë një vizite të shkurtër në qytet, shfaqi jo vetëm rebelin gal Vercingetoriks, por dhe gjysmë motrën e Kleopatrës, e cila ishte gjendur në anën e gabuar të përleshjes për pushtet në Egjipt; ajo u vu në shfaqje pranë një modeli funksional të fanarit të Aleksandrisë. Fitorja e Çezarit mbi djalin e Mithradatesit, Farnaces, i cili pati vdekur në fushëbetejë pranë Detit të Zi, u përkujtua në të njëjtën paradë nga një pankartë e vetme, ku ishte shkruar një nga sloganet më të famshme në të gjithë historinë e botës: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, pashë, fitova” që kishte për synim të krijonte përshtypjen e shpejtësisë së suksesit të Çezarit), Por kishte edhe shenja alarmuese, në formën e pamjeve të viktimave romake të Çezarit. Parada e triumfit supozohej se festonte fitoren ndaj armiqve të huaj, jo shtetasve të Romës. Çezari vuri në shfaqje piktura tronditëse të momenteve të vdekjes së figurave udhëheqëse të anës së Pompeut: nga Kato që nxirrte zorrët e veta te Metelus Shipo që hidhte veten në det. Neveria e shumë njerëzve nga ky lloj i veçantë triumfalizmi u regjistrua në lotët e turmës kur këto imazhe kaluan para tyre. Në retrospektivë, ky ishte një paralajmërim i çuditshëm i fatit të përgjakshëm të vetë Çezarit dy vjet më vonë”. Kështu që po organizohej komploti kundër tij, sidomos nga grupi i aristokracisë senatoriale, të cilët kërkonin kthimin në traditat e vjetra tradicionale, pra te privilegjet e tyre. Kishte dhe nga ata partizanët e hershëm të Pompeut, të pakënaqur, pa harruar edhe ata që u kishte bërë mirë apo i kishte falur kur duhej t`i dënonte. Ndërsa komplotistët në fshehtësi thurrnin plane për ta vrarë, Çezari pati nja dy paralajmërime serioze të cilat i nënvleftësoi. E para qe ajo e një farë Spurine i cili i tha se nuk do të të zënë Idet e marsit (data 15), dhe Çezari kur e takoi atë më pas, dhe i tha si me të qeshur se Idet e marsit erdhën dhe unë ja ku jam, ai ia ktheu: “Idet e Marsit erdhën, por nuk kanë ikur ende”. E dyta është parandjenja e së shoqes që falë ëndrrave që kishte parë, nuk donte ta linte të shkonte atë ditë në Senat. Plutarku flet edhe për të trokitura të forta në derë dhe kur shkonte Çezari të shihte, nuk kishte njeri. Ishte Bruti ai që e bindi të paraqitej te senatorët te Kuria e Pompeut. Ai doli nga shtëpia i shoqëruar nga besniku i tij i aq e aq betejave, sidomos në Durrës, Mark Antoni, por kur mbërriti në oborr, disa senatorë e mbajtën me biseda të kota. Kur Çezari hyri në Senat, të gjithë u ngritën në këmbë si për respektin e postit që mbante si diktator i përjetshëm dhe ndërkohë i afrohet Tiliu Cimberi duke iu lutur që ta falte vëllanë e dëbuar nga Roma. Kur Cimberi e kapi nga manteli, çka mesa duket qe sinjali i sulmit nga ana e komplotistëve, ju turrën shumë senatorë, që kishin nxjerrë thikat e fshehura poshtë tunikave dhe nisën ta godasin. I pari e goditi Servilius Caska, por iu drodh dora dhe Çezari pati mundësi të kundërshtojë gjersa pa se nuk përballohej gjithë ajo turmë e tërbuar që në nxitim e sipër, po plagosnin edhe shoku - shokun. Kjo zgjati gjersa Çezari i befasuar, pa mes tyre Brutin dhe tha atë shprehjen e diskutueshme “Et tu, Brute?” Atëherë, mbuloi kokën me pelerinën e purpurtë dhe i la të bënin punën e tyre të fëlliqur. Si dha shpirt, u shtri sa i gjatë ishte te këmbët e statujës së Pompeut, me 23 plagë në trup, në moshën 56 vjeçare. Ra atje ku gjithkush mund të mendonte se ishte vetë statuja që po hakmerrej për vrasjen mizore të Pompeut. Ja, me vrasjen e njeriut më të shquar brenda mureve të Senatit, po luftohej autokracia dhe po mbrohej demokracia. Por gjithçka ishte shkallmuar. Nisi rrëmuja dhe e vetmja gjë që mbahet mend është fjala e mikut të tij Mark Antonit në funeral dhe që unë po e sjell si diçka të rrallë, të ujdisur nga Shekspiri dhe shqipëruar nga i mrekullueshmi Fan Noli. “O miq qytetarë, Romanë, më dëgjoni! Vinj ta varros, jo ta lëvdonj Qesarin. E keqja që ka bërë çdo njeriu i mbetet. E mira i mbulohet shpesh në varr me koskat. Ashtu i qoftë dhe Qesarit. Trimi Brut, ju tha tani, Qesari qe ambicios. Në paska qen` ashtu, qe faj i rëndë shumë. Dhe rëndë shumë e pagoi Qesari. Këtu, pas lejes Brutit e të tjerëve - Se Bruti është burr` i nderçim, Të nderçim janë që të gjithë, ay dhe shokët; - Vinj që të flas në funeralin e Qesarit. Ish miku im, më qe i drejtë dhe i besës. Po Bruti thotë, qe ambicios; Dhe Bruti është burr` i nderçim. Qesari i solli Romës shumë robër lufte, Dhe arkat me shpërblime ia ka mbushur. Kjo qe ambicia e Qesarit? Si ju duket? Qesari qante kur thërrisnin të vobegtët. Ambicia duhet t`ish me zemër më të ashpër. Po Bruti thotë, qe ambicios, Dhe Bruti është burrë i nderçim. E patë që të gjithë se në Luperkalet, Tri her` i dhashë një kurorë mbretërore, Edhe tri herë e hodhi poshtë; qe ambicie kjo? Po Bruti prapë thotë, qe ambicios, Dhe është, pa dyshim, një burrë i nderçim. S`dua të kundërshtoj ato që foli Bruti, Po s`munt t`ju flas përveç ato që di. Një her` e deshtë që të gjithë, - jo pa shkak. Përse tani s`ju vjen asfare keq për të? Nër egërsirat paske ikur, o gjykim, Dhe njerëzit e paskan humbur arsyen! Duroni pak, se e kam zemrën te Qesari, Aty, dhe pres sa të më kthehet prapë, E vutë re se ç`tha? E hodhi tej kurorën; Ahere pa dyshim nuk ish ambicios. Gjer djethinaj një fjal` e Jul Qesarit, i bënte ballë botës; ja tani ku dergjet. Dhe s`ka njeri të vogël mjaft sa ta nderojë. O shokë, po të desha, munt t`ju ndisja zemrat. Sa t`ju tërboja e të bënit kryengritje, Po do ta dëmtoja Brutin dhe Kasin; - Që janë, siç e dini, njerës të nderçim. - S`dua ta bënj; më mirë i bëj dëm Të vdekurit e vetes sim` e juve Se sa këtyre njerësve të nderçim. Po ja një pergamenë me vulën e Qesarit! Ia gjeta në sëndyq; kjo është dhjat` e tij. Po ta dëgjoni, qytetarë, këtë dhjatë, - Që s`kam nër mënt t`jua këndonj, më ndjeni, - Qesarit vdekur do t  `ia puthnit plagët, Në gjak të tij do ngjyenit shamitë; Do lypnin për kujtim makar një qime, Dhe kur të vdisnit do t`ua linit djemve, Me testament si trashëgim të pasur”. Kur Mark Antoni mbajti me kaq zgjuarsi dhe elokuencë këtë fjalë, e dinte mirë se ç`kishte thënë Ciceroni për një rast të tillë: “Nuk duhet vajtuar vdekja që pavdekësia e ndjek nga pas”. Dhe Gaj Jul Çezari mbeti i pavdekshëm. Po fati i vetë Mark Antonit cili qe? Edhe zemrën e tij e goditi shigjeta e Erosit të Kleopatrës, kur e pati ftuar në Tars të Cilicisë (Turqi e sotme), për të biseduar rreth ndihmës që ajo mund t`i jepte Triumviratit të Dytë, krijuar në vitin 43 p.e.s. midis tij, Gaj Oktavianit dhe Mark Lepidit. Pati dashuri të zjarrtë mes tyre dhe lindën edhe fëmijë, por nevoja për aleanca, bënë që Antoni të martohet me motrën e Oktavianit. Por zjarri për Kleopatrën që dinte të rrëmbente zemra mbretërish, e ktheu sërish në Egjipt. Atje, pasi humbi ndaj Partëve, u mund edhe nga forcat e Oktavianit në betejën detare të Aktiumit. Teksa ndodhej në Aleksandri, një vit më pas, pra në 30 p.e.r. i rrethuar nga trupat e Oktavianit, ku dëgjoi lajmin e rremë se Kleopatra kishte vdekur, nxorri shpatën dhe vrau veten. Nga ana e saj Kleopatra, tani e pa shpresë, edhe ajo vrau veten, duke zgjedhur ta pickojë, siç besohet, nepërka helmuese e fshehur në një shportë. Edhe djalin që kishte me Çezarin kundërshtarët ia vranë, kurse ata që kish me Mark Antonin nuk i ngacmuan. Dhe tani përfundimi: më 18 qershor 1815, në Vaterlo (Waterloo, në fakt pranë fshatit Mont Saint- Jean), një komunë gati e panjohur në Belgjikë, pas një ndeshjeje me forcat e Welligtonit, u mund ushtria famëmadhe e kapedanit të madh Napoleon Bonaparti. E kush ka qenë atje (Oh, sa turistë shkojnë), dhe nuk është mahnitur, duke parë skena gati të vërteta luftimi apo edhe nuk ka qeshur me vete, kur ka qenë gati t`u japë dorën e të përshëndetet me ato figurat, gati të gjalla që imitojnë ushtarët dhe oficerët e asaj beteje të lavdishme, ku Napoleoni humbi për herë të parë. Po Durrësi, qyteti gati 3.000 vjeçar, vendi ku për herë të parë humbi një kapedan i shquar si Gaj Jul Çezari, vallë nuk e meriton të ketë në përkujtim të asaj lufte titanësh, një pllakë të vetme mermeri?    

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page