Prof Dr Eshref Ymeri: Me përkthyesen e talentuar të frëngjishtes Teuta Turhani

Para pak ditësh, në Portalin “Fjala e Lirë” ishte botuar një homazh i mrekullueshëm i Zonjës Teuta Turhani, të cilin ua kishte kushtuar brezave të përkthyesve të Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Siç e pata theksuar në shënimin tim në fund të atij homazhi, Zonjën Teuta e kujtoj me shumë respekt. Kam parasysh kohën kur ajo ishte studente e degës së frëngjishtes në Fakultetin e gjuhëve të huaja në vitet 1969-1973. Asokohe isha pedagog i katedrës së gjuhës ruse në atë fakultet. Teuta, si një studente shembullore, binte në sy për rezultate të larta në mësime dhe për seriozitetin e saj gjatë stërvitjeve ushtarake dhe në aksionet e ndryshme të rinisë studentore gjatë verës. Por në vitin 1975 Teutën e njoha më nga afër se ç’vajzë me dinjitet të lartë ishte.
Sipas një marrëveshjeje të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Kinës, veprat e zgjedhura të Enver Hoxhës, në 6 vëllime, do të përktheheshin, do të redaktoheshin dhe do të korrektoheshin në Tiranë, por botimi i tyre në katër gjuhë të huaja (në anglishte, në frëngjishte, në spanjishte dhe në rusishte) do të bëhej në Pekin. Botimin në Pekin do ta ndiqte një përkthyes nga Tirana për çdo gjuhë dhe një përgjegjës nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste. Vëllimi i parë u botua në Pekin në vitin 1974. Për të ndjekur nga afër botimin e vëllimit të dytë në gjuhën ruse, në vitin 1975 më dërguan mua me shërbim në Pekin. Bashkë me përkthyesen e anglishtes Natasha Hito, të frëngjishtes Teuta Turhani dhe me përkthyesin e spanjishtes Skënder Vuçini, të shoqëruar nga një punonjës i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste, Selim Beqirin, u nisëm për në Pekin me avion, në linjën Tiranë-Bukuresht-Teheran-Pekin. Udhëtimi vazhdoi 12 orë e 30 minuta. Na vendosën me banim në Hotel-Pekin, që ndodhej në anë të bulevardit kryesor të qytetit. Tërë kohën punuam në hotel për të kontrolluar fashikujt e librit që na i sillte kohë pas kohe një punonjës i shtypshkronjës. Gjatë ditëve që ishim duke pritur ardhjen e fashikujve ose edhe në fundjavë, miqtë kinezë na argëtonin me shëtitje në vende të bukura, interesante, piktoreske. Veç kësaj, na çuan edhe në vende të tjera, si në Murin e Madh Kinez, në fushat naftëmbajtëse në lindje të vendit, pranë Detit të Kinës, përballë Japonisë, në vendstrehimet gjigante që ndodheshin në nëntokën e qytetit të Pekinit, ku, në rast lufte, krejt popullsia mund të strehohej në to. Në ato vendstrehime kishte jo vetëm tunele të pamata, por edhe mjedise të bollshme për strehimin e popullsisë, ku jeta mund të vazhdonte si në sipërfaqe.

Gjatë qëndrimit në Pekin, na priti në një takim ambasadori ynë në Kinë Behar Shtylla.
Kur e mbaruam punën për botimin e vëllimit të dytë, miqtë kinezë na organizuan edhe një ekskursion në qytetin e Shangajit dhe prej andej udhëtuam me tren për të vizituar vendlindjen e Mao Ce Dunit, në Shaoshan, lokalitet i qarkut Svjatan të provincës Hunan. U kthyem në Pekin, u çlodhëm një ditë dhe të nesërmen u nisëm për në Tiranë. Ishte muaji tetor. Pra, edhe gjatë atyre pesë muajve të shërbimit në Republikën popullore të Kinës, në personalitetin e Teutës njoha edhe më shumë një vajzë të formatit të admirueshëm intelektual. Respekti im për Teutën u shfaq edhe më shumë në Tiranë, kur Redaksia e gjuhëve të huaja, që unë drejtoja, kishte ngarkesë të madhe përkthimi. Asokohe Teuta qe ftuar si bashkëpunëtore e jashtme për përballimin e punës në sektorin e frëngjishtes, bashkë me Jusuf Vrionin, Edmond Tupen, Fotaq Andrean, Viktor Kalemin, Pashuk Matinë, Rajmonda Vuçinin, Margarita Gegën, Krenar Hajdërin, Loreta Mokinin, Fatma Agollin. Kur po përkthenim veprën e Enver Hoxhës “Shënime për Kinën”, kemi punuar me turne deri në 36 orë. Edhe gjatë atyre orareve të tejzgjatura, Teuta dëshmoi më së miri se ishte një përkthyese sa e talentuar, aq edhe me karakter të fortë.
Kaliforni, 16 shtator 2026








Comments