Shpendi Topollaj: ABSTRAKSIONIZMI NË EKSPOZITËN E MARJANA GOXHABELLIUT
- 35 minutes ago
- 2 min read

Qysh në vitin 1912, kur Wasili Kandinsky botoi librin “Për shpirtëroren në Art”, ku thekson efektet psikologjike të ngjyrës së pastër në shprehjen e gjendjes emocionale, dua të besoj se piktura abstraksioniste, nuk vihet më në dyshim. Pikërisht këtë e ndeshim edhe te pikturat e Marjana Goxhabelliut në ekspozitën dinjitoze të çelur në Durrës te Galeria “Nikolet Vasia”, ku ajo, jo vetëm që ashtu si Fovistët, i jep vlerë ngjyrave, por shkon më tej, teksa pa u merakosur për thellësinë, anon edhe nga Picasso, dhe për këtë, mjafton të kujtojmë tablonë e tij “Violinë dhe rrush” (The Museum of Modern Art, Nju Jork).

Janë vepra të realizuara me vullnet e talent, për të cilat mund të gjykosh gjithsesi, por që tek e fundit paraqesin gjendjen e brendshme, pra trazirat e vetë autores, trazira që i përjeton gjithkush nga ne në këtë kohë plot pështjellime e turbullira. Vetiu, vizitorit do t`i lindin shumë pyetje, nga të cilat, përgjigjet mund të jenë gjithfarësh ose mund të mos marrë fare përgjigje, por kjo nuk ka pikë rëndësie. Se ishte vetë Vincent Van Gogh - u ai që në një letrën e tij shkruante “…ç`punë na prishet neve nga kjo?” Ajo që duhet vënë në dukje është fakti se nga shikimi i këtyre tablove pa emra, truri ynë zë e punon vetiu, ashtu në heshtje.
Dhe ku më shumë se sa te kjo heshtje, ndihet fuqia e magjishme e artit. E atij arti që kjo autore e zotëron më së miri, ashtu sikurse na ndodh me fshehtësinë, enigmën dhe misteret e poezisë. Dhe janë këto cilësi, që e veshin atë me një bukuri të përherëshme. Se ku ka më bukur, sesa të bashkosh në një, ato që në dukje nuk kanë asnjë lidhje. T`i bashkosh aq harmonishëm, sa të të duket se ke parë një të tërë plot dritë e shkëlqim.
Pasi e viziton këtë ekspozitë, para se të dalësh nga kjo Galeri me këtë përshtypje, ndesh në shikimin e heshtur, plot të fshehta e mistere të vetë autores. Është një shikim dashamirës, ku mesa duket ajo kërkon mbresat e tua, të cilat duket se i gjen edhe te një fjala jote e vetme ose edhe te bashkimi që ajo i bën me përfytyrimin e saj, disa copëzave nga lëvizjet e gjestet e tua, për të krijuar atë “violinën” e famshme të spanjollit gjenial të Francës.
04.05.2026








header.all-comments