top of page

Shkëlqim HAJNO: MANAT VETMITARE

  • Apr 17
  • 5 min read

MANAT*) VETMITARE

 

Nga Shkëlqim HAJNO

Një tis mjegullor ka mbuluar lagjet e fshatit Leshnicë (e Poshtme).

Është ditë prilli dhe syri të rrok lofatat me lulëzimin e rrushkuqeve që duken si zjarre të vegjël në të dy krahët e gjelbëruar të luginës së thellë.

Fshati me pesë lagje: Billo, Licat., Halapul,  Simatatat, Koçat dhe Leskovec, të gjan si një djepi gjigand në mes të vargmaleve që kulmojnë me Shtugarën.

Si kudo në fshatrat e minoriteit entik grek, këtej dhe matanë malit të Leshnicës së Sipërme (në Dropull), mungojnë prej kohësh zërat e fëmijëve dhe moshat e tjera me përjashtim të të moshuarve të vetmuar.

Si një karakoll, i mbirë befas nga toka, duket mes mjegullnajës përmbi luginë struktura dykatëshe e shkollës së dikurshme, dëshmi e një jete të gjallë rinore dhe një qytetërimi të dikurshëm që ka mbetur veç në kujtimet e moshës së tretë.

Të dyja Leshnicat mbahen mend si fshatra me emigracion ekonomik historik  para, dhe midis dy Luftërave Botërore, ndërsa më pas, për dashurinë e madhe për arsimin. (Leshnica mbahet mend si vendi me më shumë mësues).   

Mësoj se në lagjen e epërme, atë të  Leskovecit (pranë kufirit dhe në prehër të Shtugarës), prej disa vitesh nuk ka asnjë banor.

Lagjja është shuar.

Në fshatin malor ka rënë muzgu.

 Në katër mëhallat e tjera: Billo. Licat. Halapuli. Simatat dhe Koçat, jetojnë tek-tuk vetëm të moshuar të afërmit e të cilëve prej vitesh ndodhen në vise të ndryshme të Greqisë.  Të moshuarit përtypin ditë e natë vetminë, kujtimet, dhe, shpresën se një ditë, dhëntë Zoti për festën e ardhshme apo gjatë verës,  pragu i shtëpisë së tyre ndoshta do të shkelet nga këmba e fëmijëve apo nipave që kanë linduar andej. Dhe ndoshta, (dhëntë Zoti) llojisen të moshuarit e vetmuar, na gjejnë ende gjallë...


 

1.     Mana Tasho

a.     . Në lagjen Simatat, në prehrin e bukur të malit të Shedenikut   dhe poshtë kishës së Shën Dhimitrit, ende jetojnë vetëm dy të moshuar.

Në shtëpinë poshtë një bregore që e quajnë Raqi, jeton Mana Tasho.

Mana, ka zgjedhur një dru gorice të trashe dhe e hedh në oxhak për të ushqer një zjarr bubulak. Ështël 86 vjeçe. Llojiset. Vitjeta e saj është ndarë në dy kohë: me burrë gjalle e burrë vdekur. Zjarri duhet të mos shuhet. Ai mat jetën dhe ditët që i kanë mbetur ende.

Dy miq afrohen te oborri i saj

-Paska njerëz. Dëgjohen zëra....Por pas pak kuptojmë se janë zëra që dalin nga një televizor, volumi i të cilit është hapur në maksimum.

-Kujtuam se kishte mysafirë në shtëpi...

-Jo, zëmra e Tashos, jam vetëm, si çdo natë e çdo ditë.

Këto të dyja nuk i shuaj kurrë, -thotë Mana, duke treguar televizorin dhe zjarrin në oxhak. Nga televizori atë çast transmetohej një ndeshje ndërkombëtare futbolli....

Ka merak mikpritjen dhe merr qelqen e rakisë nga tavolina për të ardhurit.

-Po si ia bëni me mungesat? Dyqan nuk ka. Bukën si e gjen?

-Bukën e blija çdo të mërkurë nga Ai që vjen nga Dhivri me furgon. Tani, Ai vjen një herë ne tre javë se njerëz nuk ka. Ne, dy veta jemi në mëhallën tonë këtu në Simatat: unë dhe Anesti, atje sipër...

Heshti pak.

-Një ditë flisja me zë të lartë. Më dëgjoi Anesti atje sipër.” Me kë flet ashtu, moj Tasho?

“Flas me Lizën, qenin dhe me dy pulat e mia që më bëjnë shoqëri kur lëviz.....Ja kështu. Ky eshte komunikimi im i perditeshem Flas bisedoj me gjënë e gjallë.....

 

2.     Mana Anthi.

Në Billo Mana Anthi, është 84 vjeç. Jeton si shumë të tjerë, e vetmuar. Kam një dhi dhe pak pula, thotë Mana Anthi.

“Qumështin sa per vete, mund ta marr edhe tek çobani por, dhinë me dy kecat,  e kam që të lëviz dhe të mbaj mendjen në kokë nga helmi për djalin humba në Greqi  . 

 “... që të mbaj  mendjen në kokë...” Kjo shprehje na ngeli si një gozhdë në tru kur ishim larguar nga Mana Anthi.

 

3.     Në muzg, në rrugën e varrezave.

 

Për pak  bie muzgu mbi pesë lagjet e Leshenicës së Poshtme dhe në luginën e thellë te  Ura e gurtë mesjetare që ka lidhur në shekuj  Simatatin me pjesën tjetër të këtij fshati kurbetlinjsh.

 Në Shedenik dhe Shtugarë mjegullat kanë qafuar kreshtat dhe po ulen poshtë me shpejtësi nga erërat. Hija e rëndë e Shën Ilias nga  majta zgjatet si një karakoll gjigand përkëtej lumit dhe duket se bie përballë në kories e varrezave të lagjes Billo .

Djathtas rruga e pashtruar kufizohet me një liqen të bukur rrethuar me kallamishte  dhe tokë të argjiltë. Pasqyra e bruztë e liqenit duket se ka një tis legjendash mërgimi.

Në këtë orë këmbë njeriu nuk të sheh syri. 

Po ja, ne rrugë befas shfaqet një njollë e zetë si silueta e një njeriu. Makina afrohet edhe pak dhe  shquaj një plakë të vetmuar veshur me të zeza që çapitet çalë-çalë me një shkop në dorë.

Sapo ka zbritur nga varrezat dhe po shkon për në fshat.

 

Gjatë kohës që qëndrova në këtë fshat, nuk di pse kisha ndjesinë e mjegullës së baladave. Me vesë e lagështi dhimbje. Dhe qetësi e shurdhët. Veç lehja e largët e ndonjë qeni arrin deri tek ne.

 

Kostandin i vdekur,ç’bën kaq vjet pa tretur?— Për besën që i kam dhënë nënës,

 

-Kalispera mana!Si je? Nga vjen në këtë orë?

-Aahh korba e qyqja! Vij nga varrezat,-na e kthen greqisht , në gjuhën e saj amtare.

Të habitur se në varreza rrallë shkohet në muzg, dëgjojmë:

 

-Isha te vajzëkorba. Vdiq në Greqi ..Ishte e re, qyqja. 38 vjeçe!..Tani shkoj dy herë dita atje....Iku ajo dhe rroj unë! Jiati na zisou ego me tin kori mu ston tafo?Jiati?*Përse të jetoj unë me vajzën në varr?Përse?)

-Esi ise , Urania? Me dhiskola se anagnorisa, kaimei!*( Ti je moj Urani? Mezi të njoha, moj e shkretë?)

 

E moshuara në makinën që drejtoj takohet me përzemërsisht me manën e vetmuar në rrugë  dhe të dyja përloten.

Në shpirt më kumboi elegjia labe e grupit delvinjot  “Koanët” të Ajet Dukës që si maja  e mprehtë e një stërralli që grisi cipën e shpirtit nga dhimbja:

 

Qajnë pyjet, qajnë retë

Qaj, o qaj, o cul’ e shkretë!”

Do të ngrën dallgët përpjetë,

Qaj e qaj, o cul’ e shkretë!”

Dhe malet lëshojnë  rrëketë

Qaj e qaj, o cul’ e shkretë!”

Haj e bjer me daramet o

Se s’i sos hallet kjo jetë, /

Qaj e qaj, o cul’ e shkretë!”

 

Tej në Dhivër, në ballkonin ne Vurgut, që nga kroi i Kamarës, shquheshin sa dy pëllëmbë larg, zjarret e perëndimit të diellit që po zhytej ngadalë në det si në një ritual sublim të një ditëprilli që do ikte  dhe natëprillit që po afrohej.

*) Nënat.///   


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page