Lela Dardha Kokona: Gjurmët që nuk i fshin koha
- 2 minutes ago
- 2 min read

Ka një moment kur njeriu nuk e mat më jetën me vitet që kanë kaluar, por me gjurmët që ka lënë pas. Dhe ndoshta pikërisht atëherë, kur vitet rëndojnë mbi supe, kur trupi është lodhur nga puna dhe kujtesa mbushet me fytyra, zëra, gëzime e dhimbje, njeriu e kupton më qartë se çfarë ka qenë, në të vërtetë, jeta e tij.
Unë, Lela, nuk kam jetuar jetën në pritje të vlerësimit, por kam punuar. Si mësuese, edukova breza, isha nënë, grua, krijuese; kam përballuar përgjegjësi familjare e shoqërore dhe, në një etapë tjetër të jetës, kam gjetur te letërsia një mënyrë për të folur për atë që ndoshta nuk mund të thuhej ndryshe.
Dëshmia më e madhe e imja ka qenë puna. Sepse ajo nuk të premton duartrokitje dhe as të pyet nëse je lodhur, por të kërkon të vazhdosh. Po, dhe unë vazhdova. Edhe atëherë kur jeta kërkonte prej meje më shumë forcë sesa kisha.
Doja ta sfidoja forcën, lodhjen time, sepse jeta nuk është vetëm ajo që merr, por, mbi të gjitha, ajo që jep.
Po, dhashë dije në klasë, dashuri në familje, përkushtim në shoqëri dhe, më vonë, shpirtin tim e dhashë në letër. Sepse fjala ime u bë një nevojë e brendshme; atë nuk munda ta ndalja. Ato fjalë të pathëna kërkonin rrugën e vet për t’u bërë libër, kujtim, dëshmi.
Kështu, mësuese Lela, që kishte prekur rrugën, jetën e brezave, u bëra shkrimtare, ku mundohesha të prekja shpirtin e lexuesit.
Dhe ndoshta këtu qëndron një nga të vërtetat e jetës sime. Unë nuk ndërrova mision, por vetëm mënyrën për të dhënë. Dikur nxënësve u flisja nga katedra e mësueses; më vonë iu drejtova lexuesit nga faqet e librave.
U bënë pjesë romanet:
“Kujtime të trishta”
“Fate të trashëguara”
“Dashuri rrëqethëse”
“Në telat e kitarës melankolike”
dhe i pesti,
“Me sytë nga deti”.
Janë dëshmi që nuk pranova të heshtja përballë jetës.
Vetëm mjetet ndryshuan, se misioni mbeti po ai.
Po, dhashë diçka nga vetja. Krijimtaria ime është pasqyruar jo vetëm në shtypin shqiptar, si: gazeta “Panorama”, gazeta “Telegraf”, gazeta “Shqiptare”, gazeta “Destinacion”, revista “Albanian Post”, dhe “Fjala e Lirë”, botuar nga prof. Fatmir Terziu në Londër, në Itali nga botuesi z. Gjin Musa, revista me autor gazetarin z. Pëllumb Troci, “Letra Shqip”.
Kënaqësi dhe krenari për mua ishin edhe disa vlerësime të dhëna për punën time, si “Fisnikëria Tiranase”, “Ambasadore e Paqes”, “Elita e Gruas Shqiptare”, “Model Suksesi”..., të cilat janë pasqyruar gjerësisht në gazetat “Panorama”, “Telegraf”...
Kështu arrita të hyja në hapësirën publike.
Dhe mendoj se kështu: – Plakesh më bukur dhe vazhdon të mbetesh i vlefshëm.








Comments