Fatmir Terziu: Krijimtaria shqiptare midis makros dhe realitetit
- 1 hour ago
- 8 min read

Krijimtaria shqiptare midis makros dhe realitetit
Letërsia shqiptare, sa nuk është vonë, ende ka kohë të ndalet dhe të pyesë veten jo se sa libra ka prodhuar, sa emra ka ngritur në piedestal, apo sa herë është duartrokitur nëpër salla, por nëse ajo ende po e dëgjon kohën. E them këtë, pasi dihet se letërsia, në fund të fundit, nuk matet me zhurmën që krijon rreth vetes, por me aftësinë për të dëgjuar atë që koha thotë në heshtje. Dhe koha jonë po flet me një gjuhë tjetër (shto dhe atë që shtohet nga ChatGpt). Në krijimtarinë shqiptare ekziston ende një dukuri që meriton më shumë se një vëzhgim të rastësishëm. Ajo është përpjekja për ta mbajtur gjallë një madhështi të kaluar[1], sikur fama e dikurshme të ishte një pronë që trashëgohet dhe jo një marrëdhënie që duhet të ripërtërihet me veprën. Disa autorë vazhdojnë të jetojnë mbi fotografitë e vjetra, mbi prerjet e gazetave, mbi kopertinat e dikurshme, mbi fjalët që u thanë për ta në një kohë tjetër. Ato dëshmi mund të kenë vlerën e tyre historike, por nuk mund të zëvendësojnë veprën e re. Fotografia dëshmon se ke qenë. Krijimtaria duhet të dëshmojë se je ende. Këtu fillon një nga paradokset më interesante të kohës sonë. Autori kërkon të mbetet i pranishëm në një hapësirë ku prania nuk matet më vetëm me librin, por me shfaqjen publike. Një pëlqim në rrjetet sociale, një koment, një ndarje, një përmendje, shpesh marrin peshën e një gjykimi estetik. Dhe kështu krijohet një ekonomi e çuditshme e vëmendjes, ku vepra rrezikon të bëhet vetëm arsyeja për të folur për autorin, ndërsa autori bëhet më i rëndësishëm se ajo që ka shkruar.
Por, e them hapur dhe qartë, se letërsia nuk është konkurs popullariteti. Ajo është një përballje. Përballje me kohën. Sfidë me kujtesën. Kacafytje me të vërtetën. Përplasje me veten. Ndoshta problemi nuk qëndron te dëshira e një shkrimtari për të qenë i lexuar. Kjo është dëshira më e natyrshme e çdo krijuesi. Problemi fillon atëherë kur dëshira për t'u parë zë vendin e nevojës për të shkruar. Atëherë lind ajo që mund ta quajmë ngjitje drejt majave pa maja, një lëvizje e vazhdueshme drejt një lartësie që ekziston vetëm në imagjinatën e rrethit që e promovon. Në këtë proces, botuesi mund të kthehet në një arkitekt i iluzionit, panairi i librit në një skenë të ekspozimit, ndërsa vetë libri në një objekt që duhet të qarkullojë më shumë sesa duhet të lexohet. Dhe kur ekonomia e librit përzihet me ekonominë e egos, kritika humbet një pjesë të përgjegjësisë së saj, e kam thënë më herët, që në studimin tim „Kritika Ndryshe: Një vëzhgim në brendësi të prozës dhe poezisë shqiptare“ Vëllimi I, se kritika nuk duhet të jetë shërbëtore e reputacionit. Ajo duhet të jetë ndërgjegjja e letërsisë. Por kjo nuk do të thotë se krijimtaria shqiptare është e mbyllur brenda kufijve të saj. Përkundrazi. Një pjesë e rëndësishme e saj është duke jetuar jashtë Shqipërisë, në hapësira ku identitetet janë më të përziera, ku personazhi shqiptar mund të jetojë pranë një anglezi, italiani, greku, turku, afrikani apo aziatiku, ku gjuha dhe kujtesa përplasen me shumë gjuhë e kujtesa të tjera. Kjo nuk është humbje e identitetit. Është forma e re e tij.
Shqiptari i sotëm nuk jeton më vetëm brenda një harte. Ai jeton në lëvizje. Ai punon në një vend, mendon në një gjuhë, ëndërron në një tjetër, ndërsa kujtesën e mban diku tjetër. Kjo është bota e kompanive shumëkombëshe, e emigrimit, e aeroporteve, e komunikimit të menjëhershëm, e jetës së shpërndarë në kontinente. Prandaj edhe letërsia shqiptare nuk mund të sillet sikur realiteti ende përfundon në kufirin e një qyteti apo të një atdheu të vetëm. Ajo që duhet të ruajmë nuk është izolimi, por filli. Filli shqiptar mund të kalojë përmes botës pa u këputur. Madje, pikërisht në këtë lëvizje, ai mund të bëhet më i dukshëm. Këtu përballemi me një tjetër paradoks, ndërsa realiteti shqiptar është bërë më kompleks, më ndërkombëtar dhe më i lëvizshëm, një pjesë e ligjërimit tonë letrar vazhdon të sillet sikur inovacioni më i madh të ishte zbulimi i postmodernizmit[2]. Bota ndërkohë ka kaluar përtej shumë prej kategorive me të cilat ne ende përpiqemi ta përkufizojmë të tashmen. Hipermodernizmi, metamodernizmi, kozmomodernizmi, performatizmi, posthumanizmi dhe format e reja të dixhitalizimit tregojnë se koncepti i realitetit vetë është duke ndryshuar. Dhe këtu pyetja bëhet e dhimbshme, a po e jetojmë kohën tonë apo thjesht po e komentojmë me fjalorin e një kohe tjetër?
Dua ta rithkesoj se të jesh modern nuk do të thotë të përdorësh termin më të fundit. Moderniteti i vërtetë është aftësia për të kuptuar ndryshimin që po ndodh përpara syve tanë. Muri i Berlinit ra. Bota u riorganizua. 11 shtatori ndryshoi perceptimin e sigurisë. Krizat financiare tronditën besimin te modelet ekonomike. Migrimet masive ndryshuan qytetet dhe shoqëritë. Ngrohja globale e vendosi planetin përballë pasojave të veta. Teknologjia hyri në mendje, në marrëdhënie, në kujtesë, në mënyrën se si prodhojmë dhe konsumojmë informacion. Inteligjenca artificiale tashmë po e vë në pikëpyetje edhe vetë kufirin midis krijuesit dhe makinës. Në një botë të tillë, letërsia nuk mund të mjaftohet me lojën e formës. Ajo duhet të rikthehet te njeriu, ama jo te njeriu abstrakt, por te njeriu i plagosur nga koha, te emigranti[3] që nuk di ku përfundon vendi dhe ku fillon malli. Te prindi që rrit fëmijën në një gjuhë tjetër. Te i moshuari që sheh botën e vet duke u zhdukur nga dritarja. Te i riu që ka qasje në të gjithë botën dhe megjithatë ndihet i humbur. Te familja e ndarë nga kufijtë. Te individi që jeton mes dy identiteteve dhe nuk pranon më të zgjedhë vetëm njërin. Kjo është makroja e vërtetë. Nuk është kjo madhështia e pretenduar e autorit, por madhështia e realitetit që ai guxon të përballojë. Letërsia e kohës së re duhet të ketë më pak frikë nga realiteti. Ajo duhet të hyjë në traumat kolektive dhe personale, të hapë arkivat e heshtjes, të rikthehet te e kaluara jo për ta idealizuar, por për ta kuptuar. Duhet të jetë dëshmitare e së tashmes, edhe kur e tashmja është e shëmtuar. Duhet të dijë të flasë për politikën pa u bërë pamflet, për shoqërinë pa u bërë statistikë, për dhimbjen pa rënë në sentimentalizëm.
Dhe po, duhet të dijë edhe të qeshë. Satira është një nga format më të fuqishme të së vërtetës. Në një shoqëri ku absurdja shpesh është bërë më e besueshme se e vërteta, letërsia ka të drejtë të përdorë groteskun, ironinë dhe distopinë për të treguar atë që fjalimi serioz nuk arrin ta thotë. Ndonjëherë një personazh i imagjinuar mund të tregojë më shumë për një sistem real sesa një raport i tërë. Por ekziston edhe rreziku i kundërt, kthimi i letërsisë në muze folklorik. Kur çdo konflikt i së tashmes shpjegohet me zakonet e dikurshme, kur çdo personazh duhet të mbajë mbi supe një kostum tradicional, kur fshati bëhet dekor dhe folklori bëhet dëshmi identiteti, atëherë letërsia mund të humbasë aftësinë për të parë njeriun që po vjen. Tradita ka vlerë kur është rrënjë, bëhet pengesë kur shndërrohet në kafaz. Në këtë kuptim, romani[4] është ndoshta fusha më e pasur ku mund të testohet kjo marrëdhënie midis faktit dhe trillimit. Ai ecën mbi një vijë të hollë ku nuk dihet gjithmonë se ku përfundon jeta dhe ku fillon imagjinata. Një personazh mund të jetë më i vërtetë se një njeri real. Një ngjarje e trilluar mund të shpjegojë më saktë një epokë sesa një dokument historik. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse romani i mirë nuk pyet vetëm, se çfarë ndodhi? Ai pyet, çfarë mund të kishte ndodhur? Në këtë pyetje qëndron një nga fuqitë më të mëdha të letërsisë, sepse historia u përket atyre që kanë jetuar një ngjarje. Letërsia u jep zë edhe atyre që mund ta kishin jetuar, por nuk patën fatin, vendin, kohën apo mundësinë. Midis atij që ia doli dhe atij që do t'ia kishte dalë në një tjetër kohë, në një tjetër qytet, në një tjetër familje, në një tjetër rrethanë, ekziston një humnerë e padukshme. Letërsia është ura që mund ta kalojë atë humnerë.
Prandaj krijimtaria shqiptare sot ka nevojë për një ndryshim të perspektivës. Nuk ka nevojë të bëhet më e madhe duke e shpallur veten të madhe. Ka nevojë të bëhet më e thellë duke parë më larg. Nuk ka nevojë për më shumë piedestale, por për më shumë pyetje. Nuk ka nevojë për më shumë duartrokitje të organizuara, por për më shumë lexues që heshtin pasi kanë mbyllur një libër dhe vazhdojnë të mendojnë për të. Ajo që mbetet nga një vepër nuk është fotografia e autorit pranë saj. Është ajo që ndryshon brenda lexuesit.
Në mbyllje, por jo thjesht si konkluzion, por edhe si një ftesë për mendimin ndryshe, dua të hap debatin, se letërsia shqiptare nuk duhet të zgjedhë midis makros dhe realitetit, por ajo duhet t'i bashkojë. Të shohë botën e madhe përmes jetës së vogël dhe jetën e vogël përmes tronditjeve të botës. Një dhomë shqiptare mund të mbajë brenda saj gjithë dramën e emigrimit. Një nënë që pret telefonatën e djalit në Londër mund të jetë një figurë e globalizimit më e fuqishme se çdo teori. Një fëmijë që flet shqip me gjyshen dhe anglisht me shokët mund të jetë vetë romani i kohës sonë. Kjo është e ardhmja që duhet kërkuar, jo një letërsi që vrapon pas botës për ta kapur, por një letërsi që ecën në të njëjtin hap me të, sepse koha nuk pret autorin që të përfundojë së shpjeguari të djeshmen. Ajo ka ikur tashmë. Dhe shkrimtari, nëse dëshiron të mbetet shkrimtar, duhet të ketë guximin të shkojë pas saj, jo për ta kapur, por për të kuptuar se ku po shkon njeriu. Vetëm atëherë krijimtaria shqiptare do të dalë nga hija e emrave, nga nostalgjia e fotografive dhe nga lavdia e ricikluar e së shkuarës. Dhe do të hyjë në vendin ku letërsia ka qenë gjithmonë, në të panjohurën.
______________-
[1] Është karakteristikë e disa shkrimtarëve që erdhën me fotot dhe këputjet tekstore të botuara në gazetat dhe revistat e para 90-ës të quhen ende vlera të papërsëritshme. Në fakt ata që janë gjallë, dhe pas tyre ndonjë pak më rallë, që ka marë një nënshkrim prej dikujt, nuk bëjnë like në facebook, nuk komentojnë, por kërkojnë të pëlqehen dhe të komentohen. Disa nuk e pranojnë se ka ikur koha e tyre, por gudulisen drejt majave pa maja. Këtë ua bëjnë botues të shumëzuar me kuleta dhe individë që vetëm lexues nuk janë. Pastaj vijnë botuesit dhe panairistët e librave. Nejse kjo është temë më vete.
[2] Gjithashtu, dua t'ju kujtoj se shumë kritikë të postmodernizmit kanë folur për vdekjen e tij që nga vitet 1990 - Raoul Eschelman, Timothy Vermeulen dhe Robin van der Acker, Christian Moraru, Josh Toth, Neil Brooks dhe tregojnë parakushtet për të në rënien e Murit të Berlinit në vitin 1989, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe terrorizmin në përgjithësi, krizën financiare, valët e refugjatëve..., ngrohjen globale, turizmin alla turizëm… Në këtë kontekst, "koha e re" kërkon nga letërsia (jo vetëm nga fantastiko-shkencore) më shumë realizëm dhe më pak lozonjari, më shumë angazhim me axhendën dhe më pak tradicionalizëm.
[3] Një pjesë që vepron jashtë Shqipërisë, mbështetet në përzierjen kulturore, prezanton personazhe të kombësive të ndryshme, por nuk e humbet fijen shqiptare, sepse në fakt kështu duket bota moderne, përfshirë edhe për shumë shqiptarë nga trojet etnike shqiptare. Kjo është bota e kompanive shumëkombëshe, e zhvendosjeve të lehta, dhe gjithashtu e pritjeve shqiptare për të jetuar në një shkallë makro dhe për ta parë këtë të reflektuar në letërsinë tonë vendase.
[4] Romani përshtatet në radhën e atyre që tregojnë sa e hollë është vija ndarëse midis faktit dhe trillimit, midis atyre që kanë pasur sukses dhe atyre që do të kishin pasur sukses nëse do të kishin qenë mjaftueshëm me fat të lindnin në një kohë dhe vend tjetër, dhe që, në fund të fundit, reflektojnë me guxim dhe gjerësisht mbi të ardhmen nga pozicioni i parashikuesve të zymtë.








Comments