top of page

Fatmir Terziu: Gëzuar ditëlindjen, mik!

  • 3 hours ago
  • 4 min read

Rishtrëngim duarsh dhe një gotë nga larg

 

Mbetem ende në një cep të kujtesës. Ende atje larg në ish-trasenë e hekurudhës që nuk u krye.  Mbetem jo si fotografi mbi momente të ngrira, por si aryse të rishikoj njerëz që vazhdojnë të ecin bashkë me mua, edhe atëherë kur rrugët tona janë ndarë në vende, profesione, vite e fate të ndryshme. Dhe pastaj vjen një ditë, krejt e zakonshme në pamje të parë, kur jeta të sjell përsëri përballë një emër të hershëm, një fytyrë të njohur, një dorë që e ke shtrënguar dikur në ditë të vështira. Në atë çast kupton se disa miqësi nuk kanë nevojë për përditshmëri për të mbijetuar. Ato kanë nevojë vetëm për të vërtetën. Emigracioni është një provë e veçantë për miqësitë. Ai i shpërndan njerëzit nëpër harta, por njëkohësisht i provon më thellë se çdo afërsi fizike. Sepse kur nuk ke më mundësi të takosh dikë në një kafe të zakonshme, kur nuk mund t'i trokasësh në derë, kur secili ka marrë me vete barrën e vet dhe është vendosur në një tjetër realitet, mbetet vetëm ajo që është e vërtetë. Dhe nëse një miqësi e kalon këtë largësi, ajo nuk është më thjesht shoqëri; është një pjesë e jetës së përbashkët.

Kështu më vjen sot në mendje Përparim Muça, jo thjesht si një emër i njohur i një kohe tjetër, por si një prej atyre njerëzve që koha nuk i ka ndryshuar në thelb. Njeri i fjalës së mbajtur, i punës së bërë dhe i vlerës së treguar pa shumë zhurmë. Njerëz të tillë nuk kanë nevojë të shpallin veten. I dëshmon rruga. Dhe rruga e Përparimit ka njohur shumë prej atyre kthesave që e matin karakterin e një njeriu. Ai e njeh tokën jo vetëm nga sipërfaqja e saj, nga ajo që duket në dritën e diellit, por edhe nga thellësia. E njeh atë si njeri që ka punuar me të, por edhe si dikush që ka mësuar se toka nuk të jep asgjë pa ia kthyer mundin. Për të, bujqësia nuk është vetëm profesion. Është një mënyrë për të kuptuar jetën. Toka ka ligjet e veta. Ajo nuk bindet nga fjalët e bukura. Nuk impresionohet nga emrat. Nuk pyet se kush je. Ajo të kërkon punë, durim dhe përkushtim. Të mëson se fara nuk shpërthen në bimë vetëm sepse ti e dëshiron; duhet kohë, kujdes, shi, diell dhe dorë njeriu.

Ndoshta pikërisht kjo e ka bërë Përparimin të tillë, sepse ai ka kaluar edhe nëpër thellësinë tjetër të tokës: në minierë. Vitet e para të nëntëdhjetës nuk ishin vite të zakonshme. Për shumë shqiptarë, ato ishin një kufi midis dy jetëve. Një botë po shembej dhe një tjetër ende nuk kishte marrë formë. Në atë kaos, disa njerëz zgjodhën të largoheshin, disa të qëndronin, disa të provonin gjithçka nga e para. Përparimi e njohu punën e rëndë në minierë dhe, si shumë burra të asaj kohe, e kuptoi se njeriu nuk mund të mendojë vetëm për veten kur pas shpine ka një familje. Familja bëhet atëherë busulla. Dhe ndoshta ky është një nga dallimet më të mëdha mes njeriut që punon vetëm për të fituar dhe njeriut që punon për të ndërtuar. I pari numëron të ardhurat. I dyti numëron ditët që mund t'u japë më mirë njerëzve të vet. Përparimi duket se i përket kësaj të dytës. Më pas erdhi emigracioni dhe një tjetër provë. Të fillosh nga e para në një vend tjetër nuk është thjesht të ndryshosh adresën. Është të rindërtosh veten. Të mësosh rregulla të reja, të kuptosh një shoqëri tjetër, të fitosh respektin e njerëzve jo me atë që ke qenë, por me atë që je në gjendje të bësh.

Dhe këtu përsëri toka u bë pjesë e rrugës së tij. Në Mbretërinë e Bashkuar, ai e gjeti veten pranë bujqësisë, pranë kopshteve dhe punëve që lidhen me tokën. Por këtë herë toka ishte tjetër. Klima tjetër. Mjedisi tjetër. Mënyra e punës tjetër. Megjithatë, parimi mbeti i njëjtë: ajo që mbillet me kujdes, një ditë do të japë fryt. Ndoshta kjo është edhe filozofia më e thjeshtë e emigracionit. Të mbërrish pa e ditur se çfarë do të bëhesh dhe, dalëngadalë, të mbjellësh veten në një tokë tjetër. Pastaj një ditë të kuptosh se ke zënë rrënjë. Por rrënjët nuk nënkuptojnë harrimin e tokës së parë. Përkundrazi. Sa më shumë rritet pema, aq më shumë kupton nga erdhi fara.

Sot, në ditëlindjen e Përparimit, një gotë ngrihet nga larg. Ndoshta jo në të njëjtën tavolinë. Ndoshta jo nën të njëjtën dritë. Ndoshta secili në një qytet tjetër dhe mes një dite tjetër të zakonshme. Por ka gota që nuk kanë nevojë të prekin njëra-tjetrën për të qenë një dolli e vërtetë. Mjafton kujtesa. Mjafton miqësia. Mjafton ajo dorë që dikur e ke shtrënguar dhe e di se nuk ka ndryshuar. Prandaj sot, Përparim, rishtrëngojmë duart nga larg. Jo për të kujtuar vetëm atë që kemi qenë, por për të nderuar atë që kemi mbetur. Dhe ngremë një gotë për ty, për punën tënde, për familjen që ka qenë arsyeja jote, për tokën që e ke njohur nga sipër dhe nga nëntoka, për ditët e vështira që nuk të thyen dhe për ditët e mira që nuk të ndryshuan, sepse në fund të fundit, njeriu nuk matet me sa larg ka shkuar. Matet me atë që ka marrë me vete dhe me atë që ka lënë pas. Ti ke marrë me vete punën. Ke marrë familjen. Ke marrë kujtesën. Dhe, mbi të gjitha, ke marrë atë cilësi të rrallë që nuk blihet, nuk emigron dhe nuk plaket, fisnikërinë për të mbetur njeri.

Gëzuar ditëlindjen, mik! Një gotë nga larg, një shtrëngim duarsh dhe një urim i thjeshtë: qofshin vitet që vijnë më të lehta se ato që kaluan dhe më të pasura se çdo kujtim që ruajmë. Përparim Muça, për ty dhe për rrugën tënde, gëzuar!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page