Shkëlqim Hajno: MALOKU, XHEMË UKA
- Jun 6
- 4 min read

Sa herë mbyllej viti shkollor, Marko merrte rrugën për te dajua në fshatin malor.
Aty kishte lënë beharet e fëmijërisë, shtigjet e gurta ku rendte me moshatarët pas foleve të pëllumbave të egër; këmborët e bagëtive nëpër lugina e stane dhe mbrëmjet kur, zëri i bulkthit përzihej me erën e lëmenjëve të grurit. Në kujtesën e tij flinte edhe kalaja e lashtë, e mbështjellë gjithmonë me një tis misteri.
Kur mori lajmin për vdekjen e barba Pandeliut, në Athinë, ku jetonte prej dekadash, të gjitha kujtimet e fëmijërisë iu derdhën njëherësh në mendje. Një trishtim i thellë e shoqëroi gjatë gjithë ditës.
Varrimin e kishin lënë në mesditë dhe ai arriti në kohë. Në kësollin 1) e Pandeliut nuk ishin as njëzet vetë. Shtëpië janë mpakur, mendoi, një nga një, siç po ikin të moshuarit e vetuar, një nga një. Pas liturgjisë 2) të drejtuar nga Papa Thimio dhe drekës së përmortshme, mësoi më tepër hollësi nga jeta e fshatit ku dikur ishte derdhur fëmijëria e tij.
I kishin dhënë lamtumirën dajos dhe njerëzia e paktë për ngushëllim, qëndronin tani pranë një ish dyqani të kooperativës ku ishte shtruar dreka e përmortshme.
-Aksehastos! 3)
-Aksehastos ! Silipitirja! 4)
- I paharruar ! T’i rojnë fëmija dhe nipërit!
-Qoftë i xhenetit!-dëgjoi Marko një ngushëllim të pazakontë për krahinën e tij të krishterë.
Teksa gjerbëte kafenë mes i ra në vesh një bisedë.
-Siç kanë ardhur punët, do vijë shumë shpejt një ditë, kur, të moshuarit e mbetur që do të vdesin, nuk do të ketë njeri t’i kallë në dhe. Nuk do të ketë kush t’u hapë as një gropë në varrezat e fshatit...
Marko ngriti kokën. Nuk u besoi veshëve.
-Petro, -iu kthye djalit të dajos.
-Si u veprua për barba Pandeliut? Kush e hapi varrin në varreza?
-Për ne, rroftë Maloku!
- Ç’malok? Nuk kuptoj.
-Një burrë nga veriu. Ka pak kohë që jeton ndër ne…
Petro u ngrit nga stoli dhe hodhi sytë nga veranda e ish objektit të kooperativës, tashmë klubi i Mikelit. Dalloi njeriun që kërkonte dhe i bëri shenjë me dorë.
Një burrë i thinjur, shtatëlartë si një selvi, e truplidhur, u afrua.
-Urdhëno Petro!- tha ky me aksent verior.
-Njihuni: Ky është kushëriri im i pare, Marko që erdhi nga Athina për varrimin. - Kurse ky është Xhema, nga veriu. Fshatari ynë më i ri.
Burri buzëqeshi lehtë.
_-Disa më kanë cilësuar “ai Maloku i nga veriu”. Po sa më njohën, më tharrasin në emër. Herë: Xhem Uka e here: Xhemal Uka. Këtë, të fundit, me Xhemal, e kanë më kollaj tani edhe këtu ku unë banoj po edhe në fshatrat këtej rrotull kur më del punë…
-Domethënë shkoni mire me vendasit?! Kjo, ka rëndësi,-tha Marko.
-Fort mirë, besa!
Pastaj shtoi:
-Rrnofshi e ju koft lanë urata e Barbë Pandit! E takojsha pothuejse përditë, n’katund. Kur shkojshim te klubi, s’m’linte kurrsesi me shti dorën n’xhep. “Ti je jabanxhi,” m’thoshte. E ma bante borxh me at fjalën e ngrohtë t’nji fisniku…
Marko e vështroi me vëmendje. Në pamje të parë dukej thjesht një punëtor krahu. Por sa më shumë fliste, aq më tepër kuptoje se para teje qëndronte një njeri i rrallë.
- Ne familjarët të falënderojmë që ndihmove për varrimin e njeriut tonë të dashur, -tha ai.
-Po na bëri edhe një gabim, Xhema!…-e ngau bisedën me buzëqeshje, Petro.
Tjetri hodhi sytë nga veriori.
- Mos ma thuj at, or çun. Barbë Petro kish’ qenë si njeri i shpís teme. Takoheshim pothuejse çdo ditë, herë n’rrugë e herë te klubi i Mikelit. Prandej mos ma zâ n’gojë lekun për vorrin e t’ndjemit…
Heshti një çast.
-Ka nja dy vjet, qi po vij kah shtatori n’këto vise e katunde t’jugut dhe largohem në verë. Por tash, kam vendos me qëndru ma gjatë. M’pëlqejnë, këta njerëz. Janë t’butë e me kulturë. Kur e ban punën, ta japin hakun e punës. Kur ua shkel pragun e derës, t’presin si mik e të përcjellin si mik.
-Ku banon? –pyet Marko,
-Këtu, në nji shpi t’braktisun. Për punë m’thërrasin edhe ndër fshatra rrotull. Me telefon, kuptohet. Ktu në fshat kanë mbet vetëm dymbëdhjetë të moshuar. Domethënë dymbëdhjetë dyer ende të hapura,-tha i ardhuri.
-Ka të drejtë, -tha një nga burrat e tavolinës.
Xhema pohoi me kokë.
- Po çka me bâ? Shumë dyer po mbyllen me dekën e pleqve t’vetmuem. Edhe puna jeme, s’asht ma si dikur. Tash, njana ndër punët e mija asht me çelë vorre t’reja për ata që ikin.
Pastaj uli zërin.
- Veç mos harroni…
Të gjithë heshtuan.
- Me ikjen e nji plaku, shuhet nji derë... përgjithmonë...
Askush nuk fliste.
- Gjynah!..Disa prej tyne i kam njoft. M’kanë pritë me kafe e raki te porta e shpis. Tash, po m’bjen me i përcjellë ata qi dikur m’kanë pritë... O Zot!-ngriti sytë nga qielli.
Në verandë pllakosi një heshtje e rëndë.
-Sot s’po shuhen veç shpia e lagje, por kam ndigjue se po shuhen edhe katunde krejt. A asht e vërtet, Petro?
Tejtri pohoi me kokë trishtueshëm.
-Po shuhen prej ikjes, prej dekës s’t’moshuemve. T’rinjtë s’po kthehen ma prej kurbetit-tha Xhema.
Pastaj i vështroi një e nga një burrat e mbledhur.
-A e dini, burra?
Ata të kësollit e pamë me vëmendje.
-Në kët fshat temin të ri, unë nuk iki pa i përcjell krejt të moshuemit e vetmuem. Si me i pas gjakun tem.
Askush nuk fliste.
Heshjta që pasoi ishte më e rëndë se çdo fjalë.
Ata të kësollit e vështruan me mirënjohje.
Përtej verandës, te muret prej guri dhe portat e mbyllura, fshati dukej si i thinjur dhe më i heshur se kurrë.
Marko mendoi se shumë prej atyre shtëpive do të mbeteshin shpejt pa zot.
Por jo pa njeri që t’i përcillte.
Përsa kohë në atë fshat malor, jetonte Xhemë Uka.///
--o0o--
1. rasti i vdekjes në një shtëpi me ceremonitë përkatëse.
2. procesion fetar për shpirtin e të vdekurit
3. qoftë i paharruar! (gr.)
4. ngushëllime!-(gr.)








Comments