Ruzhdi Gole: Laps
- 7 hours ago
- 4 min read

LAPS
(prozë)
-Shporrmu nga shtëpia, shporrmu, mos të të shoh më këtu! Mos të pafsha as hijen ! Mjaft, më turpëron
përhera gjithandej!
-Nuk iki, këtu do rri...
-Oooo, më rëntë pika, më rëntë! Unë flas këlthas, ti pjerdh, rrugaç.
-Rrugaç unë ?
-Shporrmu !!!
*
-Ja, ja ku është, mos e lini të ik'! Në mos, do t'u përlaj përsëri nesër, pasnesër, do t'ua përlaj të gjitha. Të gjitha ç'keni në shtëpitë tuaja, në dyqanet tuaja, në hauret. Do t'u përlaj gratë, vajzat, do t'ju ...
(O botë, o botë e rrugaçëve, kudo shkon lë nam e nishan! Gjithkund lë gjurmë gishtash, pllaqplluq këmbësh. Të qelbet fryma, të kanë zënë leshterikë, myk trutë!)
-Ja, ja ku është, mos e lini t'u ik'! Pse më shihni si të tromaksur, pse më shihni si të rrjedhur?
-Mua s'më ka rrjep kush. Askush s'më rropos mua. I kam me dryna dhe me llozë të gjitha.
-Ti vëri dryn gojës, o Hava Bokërrima, dëgjove? Mbete gjithë ditën duke sharë mallkuar.
-Po pse për të lëvduar është kjo botë, kjo jetë, o Shushaq ?
-Çakërdisur, kjo botë këtu dhe gjithandej- zëri i hollë i Nasit.
-Jemi bërë nevojtore fare.- ia nxiti fjalën Nuri Huqja aty afër.
-Rrofshin rrugaçët! - qesëndisi Lukë Dushku.
Sa dëgjoj fjalën "rrugaç" tregu sikur u drithërua i gjithi, sikur i kërcyen leshrat përpjetë. Gjithçka tek ky treg e la vendin ku prehej e dergjej dhe nisi të kërcej përpjetë shputa dhe krahë, këmbë e sy, hundë e veshë, vet çafka e kokës. Fluturuan plot pëshpërima, tështima e gulçe, rroba, enë guzhine, rripa, çanta e valixhe bosh, paisje elektrike, çarçafë batanije, syza miopi e dielli, gjithfarë rroçkullash e mbroçkullash. Mbi kolonat e zgjatura të dritave si qafa lejlekësh u varën brekë e sutjena. Nga valixhet dhe çantat dalldisur në ajër, u zbrazën gurë, guralecë, myshqe, revolverë uji, ora muri mbi kokën e secilit. Po hakërrohesh gjithë tregu s'e nuk po i shitej asgjë, po i shiteshin pak gjëra, kuleta rrasë e jeta toç.??
Ç'është ky mllef ? - u habit Mrriz Mekja.
Prapë na zuri kjo gjëmë, - tha Stoli Dega.
Qesh e ngjesh kjo botë - zbrazi fjalët e tij Sinan Ikja.
Ngjesh e ngjeth kjo jetë - pëshpëriti Havaja, shamatorja e gjithë dynjasë.
Pse trembej e kallej kjo botë nga një rrugaç? A nuk e shihnin njerëzit prej kohësh njeri-tjetrin hajdutërisht, a nuk e puthnin njeri-tjetrin dhe nj'aty e kafshonin, a nuk ia mjekonin plagën dhe
aty e helmonin, a nuk jetonin me njeri - tjetrin gjithësie gaz, gaz e plumb dhe kotnasikoti ?
*
Rrugaçi rrjepacak vinte natë e mesnatë në treg. Trupin e vet e linte jashta tregut. Hynte në rruginat e shitoreve vetëm me hijen e tij. Sa shkelte syrin...menjëherë nisnin kërkëllimat e qepenave, ata ngriheshin ngadalë përpjetë, mbështilleshin në rrokullat e tyre, zhdukeshin fare.
O, po kjo magji kështu,- një zë basi.
O po ky magjistar?- zëri soprano.
Rrjepacaku rrugaç merrte dhe trazonte gjithfarë mallrash nga njeri dyqan tek tjetri, rrëmujshëm ua ngatërronte rropullitë e barkut. Pastaj, o pastaj, t'jua them ? Nxirrte palloshin e tij e shurroste.
Pastaj, o pastaj, l’pinte gishtat e tij, rrotullonte kokën andej këndej, merrte ndonjë brisk për t'u
rrojtur, ndonjë palë këpucë, byzylykë jo kushedi se ç'ë. Të florinjtat s’i donte se i verbonin sytë.
Rrugaçi u shkelte syrin qepenave dhe pa prit e pa kujtu ata uleshin ngadalë-ngadalë për të fjetur. Ndërkohë, rrjepacaku ia vishte lëkurën e trupit hijes së vet dhe ikte i qetë. Nuk u trembej sirenave. Të nesërmen kur vinin shitësit e tregut sa ngrinin qepenat zgurrdulloninn sytë.
O, zot, ç'rrëmujë,- bërtiti Kalim Kala.
O, ç'rrënjosje, kjo - qante Bile Lukunia.
O, ç'varrosje - foli...( kush foli?)
-Na janë mpeksur e na janë ngatërruar të gjitha - u çudit Zylfia Dërrasa, e cila sa ngriti dy-tri jelekë
nga dyshemeja e shitores së vet pa brekë e sutjena që i shiste Mbufate Vila përballë dyqanit të saj.
Mua s'më kishte trazuar asgjë për be, asgjë rrugaçi. Të tjerë mua më vidhnin, m'i vidhnin të gjitha.
Policia vinte shpejt tek tregu, s'gjente asnjë gjurmë gishtash, mbërthente përkrahu të dehurin e përjetshëm të të gjithave pijetoreve në taban të dheut Asket Vragën dhe ia mbathte me ty-ty-ty...
Një natë tjetër rrugaçi ia behu vrap në treg. Cull fare, vapë e madhe. Nata digjet nga hunda e nga
veshët.Kësaj here ai e la hijen e vet në trotuar dhe hyri me trupin e tij në tregun gjumash. U shkeli syrin lehtë qepenave. Ata nuk po hapeshin. Nuk po e njihnin cili ishte, pse kishte ardhur, çfarë donte para tyre.?S' vonoi dhe këmbadoras nja dy-tre baule me nofulla të shtrënguara fort, katër pesë çanta shpine mbushur dëng gjer në gryke aq sa u mbahej fryma mbërritën vrundulli aty me njeriun e natës.Qepenat, thua, u bënë me krahë fluturash, ndoshta edhe me xixa pikaloshe xixëllonjash. Gjithçka u hap vet, lehtë - lehtë, baulet dhe çantat e shpinës, gjithçka doli prej tyre qetë e pa rrëmujë. Aq të sjellshme ishin laçkat e plaçkat sa i hapnin rrugën njeratjetrës për të hyrë secila në dyqanin e vet me pronarin e pronaren
e vet e jo me hile tek ngrehina tjetër. Gjithçka të vjedhur nga i ati, dikur hajdut me nam, djaloshi e solli pas kaq e kaq kohësh, tek secila shitore, tek i zoti i vet. Njeriu i natës kërceu disa herë hopa e pupthi, u ngrit në ajër, u shkund kokekëmbë, veç pluhura, veç tym, asnjë cent, asgjë e asgjësë aty. Ja, ja ra një krodhe.
Njerëz, o njerëz, pse ne trembemi nga rrjepacaku ynë i varfër?
Ai na tremb pak, nuk na e pi djersën, ai na rrëmben pak, ...Po pse ati e rrihte sa i hante krahu birin e tij thatanik? Për një laps ? Për një laps të zi a të kuq, që i biri ia mori shoqes së bangës fshehtas nga çanta e saj ? Ati nxehej dhe tërbohej, pas kësaj ndodhie keqas. Më keqas turfullonte i biri kur i kujtonin babanë, kur i kujtonin lapsin. Gjaku i të atit e kishte helmuar paksa gjakun e tij, por ai donte të jetonte ndryshe. I gjithi ndryshe. Andaj dehej rrëmujshëm nata e tij ? Për inat të botës? Për fajet plot nam të të atit ?








Comments