top of page

Shkëlqim Hajno: LOFATA IME E TRISHTUAR.

  • 1 hour ago
  • 6 min read

(Në kujtim të mikut tim: H.P.)

Aldrin Poga kurrë nuk e kishte menduar se ditët e fundit të jetës do t’i kalonte në shtratin e një spitali të huaj, në atë vjeshtë të tretë, të lagësht e të zymtë. Jo shumë larg qytetit bregdetar ku kishte kaluar pjesën e mbetur të jetës së tij.

Në çastet e vetmisë, kur ndodhte të mbetej fillikat në dhomën e pavijonit të spitalit të vjetër të qytetit helen, kishte fituar një zakon të ri: bisedonte me veten. Në mendje i vinin si sekuenca filmike episode nga jeta, sidomos ato të viteve para rënies së regjimit të frikës.

Ishin çastet kur engjëlli i tij mbrojtës, Lirika – gruaja me të cilën kishte lidhur jetën që nga vitet e universitetit, kur ai u diplomua si stomatolog në Tiranë – dilte për ndonjë nevojë të ngutshme në oborrin e spitalit ose, më rrallë, në qytet.

“ Ehh, Aldrin... Zoti të bekoi me vajzën që dashurove qysh studente. Kishe qenë mik me Zotin, doktor. E tani, ke zënë shtratin dhe mezi mbushesh me frymë. Vërtet. Isha me fat që kur të njoha dhe sytë tanë depërtuan thellë në shpirt për të mos u ndarë më kurrë.

Iu përhit një grimë biseda e largët me Lirikën vitin e fundit universitar. Dua të të them diçka... Unë kam një problem biografie, zemër. Ti, duhet ta dish. Dikur dajjua im, gjatë Luftës, ka qenë për disa muaj me Ballin… Kjo mund të bëhet problem për ne. Ti je vajzë partizani dhe komunisti...,-iu kujtua ajo pasdite te “Kafe Peza”, mes parfeve të servirura në tavolinë. ..Unë të dua ty, Aldrin. Ty. Nuk kam punë me të tjerët. Ti je njeriu i jetës sime. Edhe sikur prindërit e tu të jenë kundër? ,- kishte pyetur ai, pa ia ndarë sytë. Ta thashë. Unë të dua ty, Aldrin. Ty.!

***

Pas universitetit, çifti Poga u emërua në një qytet të vogël administrativ jugor, simbol i erërave të pandërprera dimër e verë, për shkak të luginave të tre lumenjve që kalonin përbri tij. Ata buzëqeshën kur dëgjuan për herë të parë epitetin që banorët i kishin vënë qytetit: “Drejtoria e Përgjithshme e Erërave”, me një filial verior në Milot.

Të përkushtuar ndaj profesionit dhe njëri-tjetrit, nisën vitet e para të jetës së tyre familjare. Ai, si stomatolog në klinikën dentare të qytetit të erërave, Lirika, si juriste në Komitetin Ekzekutiv. Pasditeve shijonin ritualin mbrëmësor të banorëve me shëtitjet në bulevardin “Lord Bajron”. Shëtitësit lëviznin në dy kahje, nga sheshi i agjencisë së udhëtarëve deri te monumenti i heroit të Luftës së Vlorës, pranë mureve të rënda të kështjellës së qytetit. Aldrini i vëzhgonte me kureshtje, sidomos muajt e parë. Në grupe, në çifte ose treshe, njerëzit bisedonin me zë të ulët ose me tone më të larta. Pensionistë, veteranë, ushtarakë, zyrtarë të Partisë dhe të Ekzekutivit, prej nga lidheshin me fije të dukshme e të padukshme qindra fate njerëzore. Dukej sikur e gjithë jeta e qytetit gëlonte në atë hapësirë urbane.

Po jetonin lumturinë e një familjeje të re dhe bekimin e tri vajzave që do ta mbushnin shtëpinë me zëra dhe gëzimin e një jete të begatë. Por fjala e gjyshes se, kur ne bëjmë plane, Zoti atje lart buzëqesh, do t’i rikthehej Aldrinit si një krusmë dhe kumt mistik. Atje, në qytetin e erërave, vigjilenca e luftës së klasave kërkonte vazhdimisht viktima të reja. Vigjilenca e luftës së klasave që nga zgafellat  e errëta të katakombeve të mistershme, ishte rikurdisur sërish për një hov të ri. Një ditë e njoftuan nga Seksioni i Shëndetësisë se ishte transferuar përgjithmonë në fshatin malor të Dormovës. Shpjegimi, ishte i shkurtër me frazë hermetike, të bronxtë dhe të mistertë: “Këtë e di Partia!”

Po ato ditë, edhe Lirika u transferua nga Komiteti në një ndërmarrje. Në këtë rast, as për forcën okulte të vendimit, as për shkallën e re të ngritjes së nielit të frikës, të dy, as që guxuan të kërkonin ndonjë farë shpjegimi. Ai, e kishte të qartë si drita e diellit: Dajua!

I shtrirë në pavijonin e spitalit të huaj, Aldrini kujtonte tani sekuencat e largëta të jetës së tij. Në ditët e trishta të transferimit nga qyteti në fshatin malor, kishte njohur Aranitin, një djalosh që sapo kishte përfunduar studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës dhe ishte emëruar mësues po në Dormovë. Pjesa më e madhe e trupës pedagogjike vinte çdo ditë nga qyteti. Banorët e fshatit, kur shihnin mësuesit dhe mjekët që ecnin në këmbë përgjatë monopatit malor, drejt vendit të punës, thoshin me humor: “ Kaloi socialkulturorja!”

Në rrugëtimet e përditshme drejt Dormovës, Aldrini punonte në klinikën dentare të fshatit dhe, pak nga pak, po rifitonte emrin që kishte krijuar më parë. “Aldrin Pogën e kanë çuar në Dormovë!,- thuhej shpesh. Por tani, përveç pacientëve të fshatit, në klinikë nisën të vinin herë pas here edhe njerëz nga qyteti, madje edhe nga krahina të tjera të Jugut.

***

 

 

Për të shkuar në Dormovë, që shënonte fillimin e krahinës lunxhiote, duhej të udhëtoje me autobusët e linjës jugore ose me kamionë transporti. Pas zbritjes, udhëtarët kalonin lumin mbi një pasarelë të varur me dërrasa druri dhe kabllo çeliku, për të vijuar më tej drejt fshatit rrëzë malit.

Një nga ditët e fundit të jetës, Aldrini i kërkoi Lirikës t’i sillte një nga albumet e fotografive. U zhyt sërish në vegime. Teksa dergjej në shtratin e vuajtjeve, kujtime të panumërta i kalonin para syve. Dhjetëra pacientë nga vise të ndryshme të Jugut. Miq, shokë e kolegë. Rrugëtimet në këmbë me Aranitin, nga pasarela * (Urë e varur druri)   deri në Dormovë e anasjelltas për të pritur ndonjë kamion, ishin një refren i pafund. Dhe ndjente tani, kaq pranë si currila të freskëta në ditë zhegu, çaste nga ato kohë. Biseda e humor. Episodet me arra, misra të pjekur dhe fiqtë e famshëm  të tij fshati, ishin pjesë e kujtesës së tij. Dhe shpesh, ecja e gjatë  në këmbë gjatë xhades kombëtare deri te pika turistike e Ujit të Ftohtë, në pritje të ndonjë kamioni ose zuku tregëtie që t’i kthente deri në qytet.

Nga albumi i fotografive iu shfaqën vitet e arta të Tiranës studentore pastaj,  kujtimet e paharruara të Dormovës. Si nga një botë tjetër, i vinin tani, currila memorie të humorit të  zi, kur Araniti do t’i  kujtonte  në mes të rrugës: “I more format e edukimit apo i harrove mbi tavolinë?!

 Një ngacmim  dramatik për humor mbi format e protezave* (masa në allçi të dhëmbëve), vendosur me kujdes në çantën e dorës që, miku i tij, i  quante “forma edukimi” dhe që e bënin Aldrinin të qeshte hidhur. Atëbotë, nëpër ndërmarrje e qendra pune kudo në Shqipëri, zhvilloheshin ato që konsideroshishin “format edukimit komunist”, derivate shqiptare të revolucionit kulturor kinez. Aldrini buzëqeshte sa herë e kujtonte. Pastaj mendja i shkoi te një tjetër episod. Aldrini do t’i rikujtonte mikut të tij, ditën dramatike të shakasë me ngjalën e kapur  me grep nate në lumë, kur në tentativë për të trembur në korridorin e shkollës një mësuese të re praktikante; përfundoi me llahtarën e mësueses dhe prerjen e majës së hundës nga pakujdesia e mikut të tij, aso kohe, drejtor i ri provizor në shkollë.

“Të kujtohet ?”” Si tani”,-ia kthente Araniti duke sjellë çastet emocionale me zërin në telefon dhe përgjërimet ta operote menjëherë. “Dhe ti Aëdrin bëre mbrekullinë. Mësuesja praktikante ishte edhe e fejuar dhe në shtator do të martohej, dy fshatra më tej Dormovës.“

.

***

 

 

“ I kurova vallë dy sëmundjet e mia të mëdha e të gjata? -bëzajti nga shtrati i spitalit.

Nuk dihej me kë fliste. Me fotografitë? Me engjëllin e tij mbrojtës , atje sipër, në hapësirat eterve? Me kujtimet? Apo me dikë që e priste në anën tjetër të udhëtimit?

“ I kurove i miri im”,-u dëgjua dëgjua pranë zëri i mëndafshtë i Lirikës, ëngjëllit të tij  mbrojtës.

Një çast, në mirazhet që ia kapluan memorien, iu bë se dhjetra ylbere lineare e qarkonin mendjen e tij në trajtë vizash  e harqesh me nisje nga qyteti i lindjes, Erseka. Pastaj të tjerë ylbere në Tiranën studentore; në qytetin e emërimit si mjek pas unversitetit ku ndërtoi magjinë e familjes. Më tej, ylberet lëbyreshin me vitet e fundore të jetës së re ne qytetin bregdetar dhe ndërpiteshin si vija vetëm, bardhë e zi, në këtë spital të Janinës. Vështrimi iu turbullua nga lotët që rridhnin prej atyre ylbereve, sigurisht.

— Fli pak, zemër. Mbylli sytë. Unë do të jem në korridor. Po dal, të marr pak ajër.

Lirika i ledhatoi flokët. Fiku dritën e dhomës, la ndezur abazhurin mbi komodinë dhe rrëshqiti qetë në korridorin e gjatë të pavijonit.

Aldrini futi lehtë dorën në nënkresën e butë dhe nxori një fletore të thjeshtë ku herë pas here mbante ndonjë shënim. Disa ditë më vonë, Lirika do të gjente aty vargjet e fundit, të shkruara me bukurshkrimin e tij të njohur.

"Askund s’më dhemb,

edhe shpirti më ka ikur,

si një i mërguar pa kthim.

Pemë, zogj dhe re në muzg,

pas qelqeve të dhomës,

më enden mugëtirës,

në këtë rrugëtim.

Ah, lofata ime përtej dritares,

ku janë lulet e tua rrushkuqe

që shpërndanin veç gëzim?

…Mbetën pas,

në ditët e prillit e të majit,

si vetë jeta ime,

varur tani te ky serum,

si një degë pa gjethe,

e tharë.

…Ah, lofata ime,

përtej qelqeve të këtij muzgu,

unë e di se dimri do të shkojë.

Nga lëkura jote

do të buisin sythat e gjelbërimit,

dhe lule-rrushkuqet e tua,

sërish do të shpërndajnë gëzim.

Por unë, moj mike e mirë,

nuk do të çel më.

Po nisem

në një ikje pa kthim.

Dhe nuk dua kurrë

që Lirika ime

të vishet me zi e trishtim.

Me zi e trishtim..."

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page