top of page

Fatmir Terziu: SHTETI G.

2 hours ago
7 min read

SHTETI G.

 Nga Fatmir Terziu


Në fillim pushuan rrahjet e çekiçave. Askush nuk e kuptoi saktësisht se kur ndodhi kjo, sepse për një kohë të gjatë zhurma e tyre ishte bërë pjesë e ajrit, një lloj muzike e rëndë që shoqëronte ditët, netët dhe punët e zakonshme. Pastaj pushuan zhurmat e drynave, të zinxhirëve, të bravave që hapeshin e mbylleshin me ngut, sikur edhe hekuri të kishte marrë urdhër të heshtte. Pas tyre, njëra pas tjetrës, pushuan edhe zhurmat e tjera, ato që askush nuk i kishte numëruar ndonjëherë, por që tani, në atë heshtje të re, nisën të duken si shenja të një bote që po mbyllej.

Dhe kështu, një nga një, nga të gjitha llojet, racat, ngjyrat, madhësitë dhe gjërat e tjera ngjashmërore, u përzgjodhën ata që duhej të përzgjidheshin dhe u futën brenda. U bënë listat e para, pastaj tabelat, pastaj kolonat, pastaj dosjet. Çdo gjë duhej të kishte një numër, një përshkrim, një shenjë dalluese dhe, mbi të gjitha, një vend të përcaktuar. U bë inventari.

Kur inventari përfundoi, u realizua edhe saktësimi shkencor. U caktua geni, prejardhja, pesha, gjatësia, përbërja dhe, për të mos lënë asgjë jashtë, edhe historia e prejardhjes. U gjetën dokumente të vjetra, u sollën dëshmitarë të rinj, u krahasuan harta, u matën gjurmë dhe u shoshitën kujtime. Dikush solli një fotografi të zverdhur, dikush një vulë, dikush një hartë ku një vijë e hollë kalonte nëpër një vend që askush nuk e dinte kujt i përkiste. Por të gjitha këto, në fund, u futën në një dosje të vetme. Dosja u quajt: Çështja G. Pastaj u shkrua memorandumi.

U shkrua me kujdes, me gjuhë të ftohtë, me fjali të gjata dhe të qarta, nga ato fjali që nuk lënë vend për pyetje, sepse pyetja, në një dokument zyrtar, konsiderohet shpesh si shenjë pasigurie. Memorandumi u dërgua në OKB. U lexua, u shqyrtua, u përkthye në disa gjuhë, u vulos, u firmos dhe më në fund shteti i ri u njoh.

Njohja ndodhi me gjasa, jo sipas rrënjëve të tij, sepse rrënjët, siç dihet, janë tepër të çrregullta për dokumentet zyrtare, por sipas midesë së ideatorëve dhe qejfprishjeve. E më së shumti dihej se rrënjët shkojnë majtas kur harta thotë djathtas, depërtojnë në tokën e tjetrit, dalin në vende të papritura dhe, më e keqja nga të gjitha, nuk pranojnë të qëndrojnë brenda vijave të vizatuara nga njerëzit. Rrënjët e atij vendi ishin prerë, zhvendosur, lidhur, shkëputur dhe rimodeluar për shekuj me radhë. Prandaj u vendos që shteti të mos njihej sipas rrënjëve në bezen e ngritur mbi shtizën e tij, atë që e quajtën flamur. U njoh sipas dokumenteve. Dhe dokumentet thanë se emri do të ishte Shteti G. U vendos me shumicë kartonash. Askush nuk ishte plotësisht i bindur. Të gjithë kishin një dyshim, por askush nuk e vinte në pikëpyetje. Jo vetëm emrin, por as fatin. Në fund të fundit, një shtet që kishte dokumentet e duhura nuk kishte më nevojë për të vërtetën e tepërt. E vërteta ishte një luks i panevojshëm në administratë.

Pastaj u caktuan komisionet. Komisioni i parë do të merrej me tokën. I dyti me ujërat. I treti me kufijtë. I katërti me popullsinë. I pesti me burimet natyrore. I gjashti me simbolet kombëtare. U krijua edhe një komision i posaçëm për të përcaktuar se çfarë duhej të quhej komb dhe çfarë duhej të quhej thjesht banor. Dhe kështu nisën radhët e punëve. Ju e dini si caktohet një shtet, apo jo?

Në fillim vendoset gjeografia. Pastaj kufiri. Pastaj toka. Pastaj kullotat. Pastaj pyjet. Pastaj lumenjtë. Pastaj vendet ku mund të ndërtohen rrugët. Pastaj vendet ku nuk mund të ndërtohen rrugët. Pastaj vendet ku mund të kullosin bagëtitë. Pastaj vendet ku bagëtitë nuk duhet të kullosin. Pastaj përcaktohet se kush ka të drejtë të kalojë nëpër një shteg dhe kush duhet të presë lejen e shtetit për ta kaluar atë. Në një nga mbledhjet e para, dikush ngriti dorën dhe pyeti se çfarë do të bëhej me ata që kishin jetuar aty përpara se të caktohej shteti. U krijua një komision për këtë çështje. Komisioni u mblodh tri herë. Në mbledhjen e katërt vendosi se çështja ishte shumë e ndërlikuar dhe duhej t'i kalonte një komisioni tjetër. Komisioni tjetër kërkoi dokumente. Dokumentet nuk u gjetën. Atëherë u vendos që ata që nuk kishin dokumente të konsideroheshin si të ardhur. Dhe kështu, për herë të parë në historinë e Shtetit G., disa njerëz mësuan se ishin të huaj në vendin ku kishin lindur. Ndërkohë, shteti po merrte formë.

U zgjodh flamuri, u hartua himni, u projektua vula dhe u porositën pullat postare. Nëpër zyra nisën të shfaqeshin portrete të njerëzve që kishin qenë më të rëndësishëm se të tjerët, ose të paktën kështu thoshin dokumentet. U ndërtuan tabela me emra rrugësh, u vendosën tabela kufitare dhe u ngritën ndërtesa të reja për administratën. Dhe, sigurisht, u krijua edhe një zyrë për të kontrolluar zbatimin e vendimeve të zyrave të tjera. Kjo zyrë kërkoi një ndërtesë. Ndërtesa kërkoi një buxhet. Buxheti kërkoi një komision. Komisioni kërkoi një raport. Raporti kërkoi një arkiv. Arkivi kërkoi punonjës. Punonjësit kërkuan karrige. Dhe kështu Shteti G. u rrit. U rrit aq shumë sa, një ditë, askush nuk e dinte më nëse shteti ishte krijuar për të mbrojtur njerëzit, apo njerëzit ishin krijuar për të mbushur zyrat e shtetit. Por kjo nuk ishte më një pyetje që lejohej të bëhej, sepse pyetjet ishin futur në një kategori të veçantë. Dhe ajo kategori kërkonte leje.

Një mëngjes, pas shumë muajsh punë, dokumenti përfundimtar u vendos mbi tavolinë. Në krye të tij shkruhej me shkronja të mëdha: SHTETI G. Të gjithë u ngritën. Dikush duartrokiti. Dikush tjetër tha se kjo ishte një ditë historike. Një i tretë propozoi që dita të shpallej festë kombëtare. Propozimi u miratua. Dhe, kur lajmi doli në mejdan, njerëzit nisën ta lexonin emrin.

Shteti G. Dikush buzëqeshi. Dikush tjetër ngriti vetullat. Një plak që kishte parë shumë shtete të lindnin e të vdisnin e lexoi edhe një herë, pastaj e palosi gazetën me kujdes dhe e futi në xhep.

- G... - përsëriti ngadalë.

Askush nuk foli. Kjo pasi, ndoshta, gjithkujt i shkonte mendja te ndonjë shaka. Por, meqë emri ishte miratuar me shumicë, ishte regjistruar në dokumente, ishte njohur ndërkombëtarisht dhe ishte vulosur nga institucionet përkatëse, askush nuk guxonte të thoshte atë që po mendonin të gjithë. Dhe ajo fjalë mbeti pezull në ajër. Gomarëve. Ndodhi, ajo që ndodhi, se në fund të gjithë atij inventari shkencor, pas gjithë atyre komisioneve, hartave, memorandumeve, vulave dhe kufijve, askush nuk kishte menduar të pyeste se çfarë fshihej pas një germe. Askush nuk e kuptonte se kjo ishte e padukshmja e Shtetit G…

Me kalimin e viteve, Shteti G. u forcua, komisionet u shtuan, arkivat u mbushën dhe dokumentet u trashën, ndërsa poshtë tyre, në heshtjen e dheut, vazhdonte të qëndronte ajo që nuk ishte futur kurrë në asnjë dosje, ajo që nuk kishte marrë numër, vulë, klasifikim, apo vend në ndonjë hartë zyrtare. Ishte kujtesa, ajo kujtesë e vjetër që nuk dinte të bindej, që nuk njihte kufij të rinj dhe që, edhe kur mbulohej me dhe, vazhdonte të ruante brenda vetes zërat e atyre që kishin jetuar aty, kishin dashur, kishin vuajtur dhe kishin vdekur pa pyetur askënd nëse vendi ku do të varroseshin do të ekzistonte ende një ditë në dokumentet e shtetit.

Shumë vite më vonë, një djalë i ri u ndal pranë asaj kodre ku dikur ishte vendosur tabela që ndalonte çdo gërmim. Tabela tashmë ishte ndryshkur dhe fjalët mezi lexoheshin, ndërsa bari kishte mbuluar shtegun dhe askush nuk dukej se e dinte më pse ajo shenjë kishte qenë aty. Djali u ul pranë saj, preku tokën me dorë dhe, pa e ditur as vetë përse, nisi të gërmonte ngadalë me gishta. Nuk kërkonte asgjë të veçantë, nuk kishte një emër në mendje dhe as ndonjë dokument që ta kishte sjellë deri aty, kërkonte vetëm të kuptonte pse ajo tokë, megjithëse kishte kaq shumë vite nën shi e diell, dukej sikur ruante diçka që nuk donte ta harronte.

Pak më poshtë gjeti një kockë. E mori në pëllëmbë dhe qëndroi gjatë duke e parë, jo me frikë, por me atë heshtjen e njeriut që papritur ndien se ka prekur diçka shumë më të vjetër se vetja. Në atë çast kuptoi se nuk kishte gjetur thjesht një kockë, por një gjurmë njeriu, një dëshmi që nuk kishte pasur nevojë për memorandum, për komision, për hartë, apo për njohje ndërkombëtare, sepse kishte qenë aty shumë kohë përpara se dikush të vendoste me shumicë kartonash se si duhej të quhej toka dhe kush kishte të drejtë të quhej i saj.

Atëherë iu bë e qartë edhe diçka tjetër. Shteti mund të inventarizonte njerëzit, bagëtitë, shtëpitë, kullotat, rrugët, kufijtë, taksat, pasuritë dhe madje edhe varret, mund të rregullonte emrat, të ndryshonte hartat, të rishkruante historitë dhe të ndërtonte mbi to një rend të ri dokumentesh, por nuk mund të inventarizonte atë që njeriu mbante brenda vetes dhe që toka e ruante në heshtje, sepse toka nuk lexonte memorandume, nuk njihte vula dhe nuk e pranonte historinë vetëm sepse ajo ishte shkruar në një zyrë. Ajo mbante në thellësi gjithçka që kishte ndodhur mbi të, edhe atë që njerëzit kishin dashur ta harronin, edhe atë që shtetet kishin vendosur të mos e përmendnin.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, askush nuk e kishte kuptuar se ajo që po gërmohej natën, nën heshtjen e çekiçave të pushuar dhe larg syve të komisioneve, nuk ishin vetëm varret. Ishte kujtesa e varrosur bashkë me ta, ishin emrat që nuk kishin hyrë në libra, ishin rrënjët që nuk mund të priteshin me gërshërët e një administrate dhe e vërteta që nuk mund të zhvarrosej sipas rregullave të një shteti, sepse ajo kishte mbetur aty, në errësirën e tokës, duke pritur vetëm një dorë që të prekte dheun dhe një njeri që të kishte guximin ta pyeste. Dhe kjo ishte ndoshta e vetmja gjë që shteti nuk kishte arritur ta inventarizonte, kuptimin.

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page