top of page

Shekulli XXI


Astrit Lulushi


Krenohemi se i përkasim shekullit XXI, por a jetojmë vërtet në këtë shekull? A jemi duke përparuar? Konsideroni sa pak bën ky komb për kulturën e vet. Shihni vandalizmin e fundit në Apolloni, dhe sa pak u fol e u shkrua për ngjarjen - gjë që tregon sesa u shqetësuam. Me këtë shkrim nuk dua të kënaq ata që lexojnë, as të kundërshtohem prej tyre, sepse kjo nuk do të përparojë asnjërin nga ne. Por kemi nevojë të nxitemi - jo të rrimë të gozhduar siç jemi - drejt një qëllimi. Kemi një sistem relativisht të mirë shkollash, vetëm për fëmijë, të gjitha 9 vjeçare, ku ata përgatiten të vendosen jashtë vendit, sepse të gjithë ëndërrojnë të ikin për të studiuar a punuar - kjo ndihmon përparimin e tyre në vend të huaj, sepse brenda kombit ata mungojnë. Ne shpenzojmë më shumë për pothuajse çdo artikull të ushqimit trupor sesa për ushqimin mendor - dhe kështu pengojmë a vonojmë zhvillimin kur jemi të rritur. A do të kufizohet bota në një Paris apo Oxford përgjithmonë? A nuk mund të përgatiten studentët në vend? Përse të mos forcohen institucionet e tyre dhe jo të shfrytëzohen ato nga politika meskine?Edhe politikanët të mos i nisin fëmijët e tyre për të marrë një arsim të lartë në perëndim - kjo është mendësi e trashëguar nga koha e diktaturës dhe izolimit, kur sundimtari qëllim kishte madhështinë e vet dhe shantazhin e nënshtrimin për të tjerët - dhe jo përsosjen e tyre - kur Partia dërgonte jashtë besnikët e saj, gjysmën e të cilëve e fuste burgjeve a internimeve pasi ktheheshin “ideologjikisht të infektuar”.

Njeriu sot harxhon shumë për gjëra koti, por shpenzon pak për gjëra për të cilat njerëzit më inteligjentë e dinë se kanë shumë më shumë vlerë; ose harxhon miliona për një apartament, falë pasurisë apo parave të politikës, por nuk shpenzon aq shumë për edukimin, ushqimin e vërtetë që e mban njeriun gjithë jetën. Nëse jetojmë në Shekullin XXI, pse nuk duhet të gëzojmë avantazhet që ofron ky shekull? Pse duhet jeta të zhvillohet si në provincë, ku ngjarja kryesore është dalja nëpër rrugë e udhëheqësit dhe të gjithë e ndjekin dhe bëjnë ç’bën ai? Nëse dimë të lexojmë, të paktën, pse të mos i lëmë thashethemet dhe të marrim gazetën a librin më të mirë e të mësojmë çka thotë.

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page