top of page

Shefqet Meko: BALTA QË DUHET TA DUAM

12 minutes ago
5 min read

 

– Një syhedhje librit “Balta që (s)duam” të  publicistit lezhjan  Gjovalin Gjeloshi –

 

Në këtë vjeshtë të trazuar shqiptare, kur duhet të shihnim rënien e gjetheve dhe ngjyrat e bukura, jo flakët, shkatërrimin dhe urrejtjen “pa kandar” ndërshqiptare, shfletoja me kureshtje librin publicistik të Gjovalin Gjeloshit. Është një libër me dedikim privat nga autori, me fjalë të thjeshta: “Mikut tim të parë të gazetarisë”. Dhe kujtoj: askush nuk trokiti në atë redaksi të vogël si Gjovalin Gjeloshi: i sjellshëm, i urtë, plot respekt më tha: “Dua të shkruaj”. Dhe rrëmbeu çelësat e botimit vetëm me talentin e vet publicistik. Koha i dha  të drejtë në “unin”  gjeloshjan…

Ky libër, si kulm i publicistikës së Gjeloshit, “nusëron” në bibliotekën time në Minneapolis. Në fakt, disa herë e kam shfletuar për të mësuar të rejat  e autorit që e njoh aq mirë, por shpesh telefonatat e punët e papritura më ndërprisnin. Këtë vjeshtë thashë: Ta lexoj Gjeloshin (Gjelin e dashur, siç e kam quajtur edhe kur jemi “kacafytur”). M’u drodhën duart ndërsa lexoja titujt aq të gjetur të Gjeloshit të Lezhës, si “Kullotje me shkop”, “Pa çati, por ka themele”, “Më hidh në baltë se të nxjerr në dritë”, “Bujqësia shqiptare mes lëngesës dhe harrimit”, “I zoti e shet, Tellasi s’e jep”, “Drini ku prehen eshtrat e Pjetër Budit”, “Lumi i vdekur i Lezhës” apo “Shqipëria, ‘Delja e zezë’” e plot tituj që vetëm Gjovo  “i peshkon”  aq gozhdueshëm.

“Një libër i mrekullueshëm i së vërtetës publicistike”, thashë me vete  ndjeva gëzim. Gjeloshi ngeli te dashuria e parë: gazetaria. Ai nuk bëri asnjë tradhti ndaj asaj që quhet “puthja emocionale” e botimit, që e realizoi te gazeta e vockël, por serioze ato kohë: “Studenti i Bujqësisë”. Me krenari e fillon  librin me “Studentin e Bujqësisë”  e sjell në “vitrinë” gjithë organet ku botoi (Bashkimi,Koha jonë, Rilindja Demokratike,Tema etj,) duke e mbullur me gazetën që themeloi vetë “Drini). Shfletoj në Minneapolis publicistikën e Gjovalin Gjeloshit dhe ndihem në një “katapultë” drejt Atdheut tim, ku edhe pata fatin të njihja auorin dhe shumë talente të tjera të realitetit publicistik shqiptar. Lexoj Gjeloshin e Lezhës dhe “vij” në Shqipëri, futem në orizoret e dikurshme të Shkodrës dhe fushat pa fund me misër e “humb rrugën” në tëmatikën therëse që trajton libri. Më tmerron fakti se nuk mund të kthehem në Minneapolis, ku jeta ime ka marrë “kthesë perëndimore”.

Unë nuk mund të tejkaloj  dot publicistin me përvoje mbi gjysëmshekullore, Bashkim Koçi. Në parathënien e këtij libri ai na nxjerr “lakuriq” talentin e lindur publicistik të Gjovalin Gjeloshit, siç e ka cilësuar Prof. Boriçi, në të cilin, pa fshehur modestinë, “kam meritë edhe unë”. Por kjo nuk mjafton. Kjo është thjesht për të përkëdhelur egon time që po “kacavirret” drejt të 70-ve. Por duke qenë në midis Shqipërisë dhe Amerikës, midis “Moshës së Boriçit” dhe “Viteve të mia”, ndihem i çlodhur duke lexuar Gjovalin Gjeloshin. Libri “Balta që (s’)duam” është një “Piramidë mendimi” ndërtuar me fjalën e Gjeloshit në Lezhën  legjendë. Ai që në fillim përulet ndaj mësuesit të madh të gazetarisë shqiptare, Hamit Boriçi, kur shkruan: “Mësuesit tim të gazetarisë, Prof. Dr. Hamit Boriçi, në 40-vjetorin e miqësisë sonë”. Kjo më ngazëllon. Prof.Boriçi është edhe për mua Vlerë e Ҁmuar e Gazetarisë Shqiptare e meriton çdo nderim edhe “kumbari” i parë i Gjeloshit ka emrin tim.Ishte fati im rastësor “të krehja” shkrimet e para të  tij.Ishte kjo “krehje redaktoriale” nga ku do kalonin edhe analisti i sotëm Martin Lekaj, apo fabulisti po nga Lezha, Edmond Kaçeli si dhe   poeti e romancieri modern i sprovuar Marash Mirashi.

Ndërsa unë zhytesha në “dallgët publicistike” të Gjovalin Gjeloshit, një telefonatë nga Çikago më befasoi. Ishte Emin Kukli, agronomi fotograf i gazetës që na rriti dhe “moshoi”. “Keko, - më tha Kukli.- Jam në Çikago...” Më erdhën në mendje të gjitha aventurat tona në një gazetë rionre siç ishte “Studenti i Bujqësisë”. Isha gati të vrapoja drejt Çikagos, por “Balta që (s’)duam” nuk më la. “Herën tjetër”, i thashë Emin Kuklit tiransit fjalë-ëmbël.Unë shfletoja librin publicistik si një “letër që nuk m’u dërgua”. Në fakt, ashtu është. Gjeloshi nuk më dërgoi kurrë letër në Amerikë. Ai thjesht më harroi, siç ndodh harresa për shumë e shumë të tjerë. Ai kurrë nuk bëri telefonatën si ajo e Emin Kuklit. Ai... Ai është Gjovalin Gjeloshi, por këtu flasim për librin. Është libri që mbetet, jo “qejfmbetjet” tona që janë të pashmangshme.

“Balta që (s’)duam” nuk është thjesht një publicistikë bujqësore. Ky libër është një “Lahutë Malësie” e dashurisë për punën dhe tokën që na mban gjallë. Gjovalin Gjeloshi me këtë libër dëshmon se është një “asqer” i tokës dhe punës mbi të. Ai nuk ndihet i përbuzur të flasë për fshatarin që punon tokën, që lodhet dhe “fle mbi parmendë”, ai nuk ngurron të kritikojë “tangërllëkun” qeveritar ndaj bujqësisë dhe fermerit dhe me të gjitha shkrimet mbetet një “pishtar” fjale për “baltën tonë”. Unë besoj se publicistika e Gjovalin Gjeloshit është një prurje e jashtëzakonshme jo vetëm në publicistikën rurale, por edhe një mburrje se nga njerëzit “e baltës” dalin filiza dhe “pemë plot kokrra”.

Argëtohem në Minneapolis, duke shfletuar librin e Gjovalin Gjeloshit “Balta që (s’)duam”. Në 492 faqe të këtij libri thuhen të gjitha “lëngimet” e bujqësisë shqiptare. Në gati 125 artikuj të përzgjedhur, autori ngre probleme madhore të bujqësisë, pyjeve,natyrës, jetës së fshatit dhe me dhimbjen e një gazetari që e do fjalën si “shpatë” progresi, nuk kuresn asgjë. Me një gjuhë që di ta përdorë vetëm Gjeloshi, me lakonizëm publicistik që ai mjeshtërisht e shkruan, me një tematikë shteruese të përfshirë në këtë libër, publicistika e Gjovalin Gjeloshit shënon një kulm të lartë të botimeve rurale të deritanishme në Shqipëri. Ndërkohë, me pasionin e madh të të shkruarit, Gjovalin Gjeloshi synon dhe arrin të jetë një “Gjergj Fishtë” i publicistikës rurale shqiptare. Ai nuk harron asgjë në meditimet e veta intelektuale dhe i trajton thellësisht të gjitha temat e nxehta të bujqësisë shqiptare dhe “kur shan shefat” e qeverive qysh nga rënia e sistemit “Lavdi PPSH!”.

Lexon shpirtin e trazuar të publicistit të lindur Gjeloshi dhe përfytyron se çdo ditë, madje tri herë në ditë, Kryeministri, ministrat, deputetët, këshilltarët, gjykatsit, prokurorët, kryebashkiakërt, opozita dhe protestuesit, tri herë në ditë “mbllaçitin” punën e bujkut shqiptar: ulen në tavolinë të ushqehen. Nuk ka rëndësi se si kjo energji shfrytëzohet, por një gjë është alarmante: bujku dhe bujqësia shqiptare janë të harruar edhe pse “mëkojnë” gjithë shoqërinë shqiptare.Është kjo harresë e shpërfillje shkaku kryesor i “shkretirës”  në fshat, përballë së cilës kuja e dhimbëshme dërrmon shpirtin.

Gjeloshi ka meritë të madhe: ngre në kulme kritike një realitet të harruar e të braktisur, që do të kërkojë kohë të rigjallërohet.Ringrtija do vijë ani se Gjeloshi ka “çelësat e kashtës”. Ai ka vetëm fjalën. Argumentin. Të vërtetën. Të gjitha këto “Gjeli” nga Lezha i sjell mrekullisht në një libër si “Balta që (s’)duam”. Vërtet e duam apo nuk e duam baltën që na rriti dhe baltën që “do të na hajë”? Gjeloshi mbetet alarmant dhe unë bashkohem me këtë “alarm publicistik”.

Ju që qeverisni, ju që protestoni, ju që krekoseni në ekrane. Lexoni Gjeloshin të kuptoni baltën dhe “baltosjen” tuaj. Ta duam baltën që na rriti. Ta duam Shqipërinë. Këtë thotë libri i Gjovalin Gjeloshit.

Unë vijoj ta shfletoj në Minneapolis dhe pëshpëris: “Gjovo mbeti ‘qibritkë publicistike’”. Dhe gëlltis një gotë verë  e cila më shijon si “Kallmeti” që  më gostitën 45 vjet më parë te shtëpia e Gjeloshëve në rrethinat e Lezhës.

Shefqet Meko,  Minneapolis, MN, USA, 24 Tetor 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page