top of page

Shefqet Meko: A mundet letërsia ta tronditë shoqërinë?

7 hours ago
5 min read

- Tre romane me një “tabelë qitjeje”: realitetin shqiptar -

 

Romanet “Vula” i Marash Mirashit, “Kandidati për Kandidat” i Arben Çejkut dhe “Ministri” i Ahmet Prençit, secili veçmas dhe të tre së bashku, janë “kirurgji” artistike e realitetit politiko-shoqëror shqiptar. Me shpirtin e krijuesit dhe përgjegjësinë qytetare, të tre shkrimtarët, që fatmirësisht ndodh të jenë edhe miqtë e mi, Mirashi, Çejku dhe Prençi, i kanë botuar librat e tyre në harkun kohor të një viti. I kam lexuar me zell të tre miqtë e mi shkrimtarë, sepse, të jemi të sinqertë, ne që shkruajmë, së pari lexojmë njëri-tjetrin, pastaj “rreshti” i lexuesve të pavarur varet nga shumë arsye. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është gjurma që lë libri, qoftë edhe tek një person i vetëm.

Dy romanet, “Vula” nga Marash Mirashi dhe “Kandidati për Kandidat” nga Arben Çejku, janë një “hosanë” letrare nga kampi që ëndërron pushtetin! P.sh., Marash Mirashi, përmes romanit “Vula”, në mënyrën më të bukur rishpalos artistikisht “betejën e vulës” mes “fidanishtes” së ardhshme të qeverisjes shqiptare! Me humor, vëzhgim të mprehtë, me ironi dhe pikëvështrime filozofike, me përkujdesje që nuk i shpëton asnjë detaj nga “realiteti i jetuar”, Marash Mirashi, me romanin “Vula”, vulos me artin e rrëfimit impotencën intelektuale mes atyre që shihen si alternativë dhe perspektivë, por që, me veprime kotësie, me “shkelmat” për një vulë, tregojnë para publikut “panairin e kotësive”. Marash Mirashi, me romanin “Vula”, ka parashkruar “vdekjen klinike” të një opozite që ka plotësuar “ciklin vetëvrasës” në sytë e një shoqërie që qesh.

Ndërkohë, romani i Arben Çejkut “Kandidati për Kandidat”, me një lloj sqime diplomatike, me zhdërvjelltësi letrare dhe depërtim të thellë në “arkitekturën e interesave”, zbulon se nuk ka shpresë “mes varrmihësve”. Personazhi kryesor i kësaj vepre artistike duket se është një njeri pa emër, por që mund t’i vësh “çdo emër”. Krijimtaria e Çejkut bën “autopsinë” e një sistemi të mbyllur dhe krejt hermetik, ku vlerat, idetë e reja, potencialet politike thjesht përdoren për konsum podiumesh, sepse pas kuintave të “zyrës së kryetarit” luhen interesa të tjera dhe “nuk ka valë telefonike”. Arben Çejku, me romanin e vet, kërkon të zgjojë energji intelektuale që mbeten të harruara, të shpërfillura dhe në letargji. Klithma letrare e Çejkut sikur ngjitet në qiell për t’u kthyer në “rrufe”…


Romani tjetër, “Ministri”, është në fakt një rrëfim dramatik nga “brenda kupolës” qeverisëse që ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Ahmet Prençi, njohës i vëmendshëm i mistereve të botës së ligjvënies dhe asaj ligjzbatuese, përmes fantazisë dhe intrigës artistike të bën “ta shtysh” gjumin për të mësuar fatin e ministrit-mister dhe Arsenit konsekuent! Edhe pse janë trille letrare, trille për të cilat lexuesi është i vetëdijshëm që nga momenti kur merr librin në duar, ato bëhen “udhëza” ku shkel fantazia dhe udhëton mendja e lexuesit. Prençi e çon “buzë varrit” personazhin kryesor, duke rrëzuar edhe qeverinë, gjë që të ngjall një admirim për autorin, i cili synon të japë “këshilla” politike, edhe pse pushtetmbajtja shqiptare është shembulli më i madh në Ballkan i shurdhërisë ndaj zërit të qytetarit. Natyrisht, nuk pritet që një roman vërtet të rrëzojë qeverinë, por së paku duhet të zgjojë një shoqëri “somnambule”.

Tre romanet e miqve të mi i kam parë nga Minnesota si tre semaforë me ngjyrat e njohura: e gjelbër-e verdhë-e kuqe. Më janë dukur “fanarë” krijimtarie në dallgët e shoqërisë shqiptare! Aq e vërtetë kjo, saqë Prençit i shkruaja: “Përgatitu, ky roman do të trondisë Tiranën”.

Pas kaq muajsh protestash në Tiranë, me ndrojtje kam pyetur veten: “A thua letërsia e trondit një shoqëri?”… Nuk mund të them se miqtë e mi shkrimtarë janë “pararoja” e revolucioneve dhe përmbysjeve, por ata së paku “nuk kanë fjetur”… Kanë ngritur zërin!

Për nga rastësia e tyre kronologjike, “Vula”-“Kandidati për Kandidat”-“Ministri” ngjasojnë me një “ortek” që rrokulliset nga maja e Dajtit dhe askush nuk alarmohet!

Nuk mund të them se tre miqtë e mi shkrimtarë, Çejku, Mirashi dhe Prençi, janë të parët dhe të vetmit që sjellin problemet e jetës në letërsinë e postrealizmit socialist. Jo. Janë të shumtë librat përmes të cilëve autorët sjellin mjeshtërisht problemet e kohës. P.sh., romani “10 gramë nder” i Namik Dokles nxjerr lakuriq gjithë veset që pushtuan pamëshirshëm shoqërinë postdiktatoriale shqiptare. Blushi trondit dhe “ndez zjarr” me çdo botim që sjell në dritën e botimit!

Por mendimet e mia vijnë vërdallë rreth tre romaneve të cituara. I turbulluar nga mendimet që më ngacmojnë rrëfimet tek “Vula”, “Kandidati…” dhe “Ministri”, me naivitet pyes veten: Mos vallë idetë e autorëve, ashpërsia dhe ironia e tyre me realitetin shqiptar u bënë “kandela” dhe krijuan reagimin qytetar, duke na sjellë 100 e ca ditë më parë revolucionin “Shpendët shalëgjatë”?!… Ja, edhe unë ngre hamendje të kota, sepse asnjë folës në mikrofon nuk u pa me libër në dorë ose duke cituar një shkrimtar bashkëkohës.

Shoqëria është mpirë. Nuk e gjallëron asgjë. Vetëm britmat. Britmat si dikur diversantët nëpër shpella…

Kujtoj se në dekadat e shkuara kemi qenë më të ndjeshëm, kemi qenë “eshkë”, duke diskutuar me një thellësi të admirueshme për problemet që shtronte letërsia. Ja, shkurt, një shembull: kur në vitet ’80 Kadare botoi tek “Nëntori” novelën “Nata me hënë”, ne nuk patëm gjumë. Diskutonim për idetë “me dy tehe” të autorit, i cili për herë të parë na sillte, ndër të tjera, një sekretar partie të dyshimtë, që të bënte ta urreje për mendimet dhe trajtimin ndaj vajzës që thuhej se “kishte humbur virgjërinë”. Kadare, me mjeshtërinë dhe fantazinë e vet, ishte futur si pyka që çan një trung lisi të moçëm. Ne i shprehnim pa frikë mendimet tona, duke admiruar fuqinë e artit rrëfimtar të Kadaresë. Ishte koha kur shoqëria lexonte me zell dhe letërsia krijonte dallgë diskutimi. Të tillë kujtojmë edhe romanin e Koço Kostës me “erën e specave në çdo hyrje pallati”… Ishte kohë tjetër, do të thonë bashkëkohësit e mi. Po. E vërtetë: ishte kohë tjetër, kur çdo gjë merrej seriozisht, edhe letërsia, që, edhe pse nën “realizmin socialist”, përsëri mundej të lëshonte “vetëtima” që kujtohen edhe sot!

E tanishmja, në fakt, ngjason me një “velje” nga çdo gjë. Shoqëria nuk lexon si dikur. Debatet nuk janë aq serioze e aq të thella si dikur; sot shoqëria shqiptare thjesht “kullot sytë” në ekrane të stërmëdha, ku idetë dhe librat seriozë mbeten “fije merimange” të padukshme, të parëndësishme. Vetëm “fjalët bombë” dëgjohen, vetëm gulçimet e një urrejtjeje të egër ndërshqiptare bëhen “kryeartikuj” televizivë!

Koha do të rrjedhë, madje shumë shpejt. Britmat e turmave do të treten në qiellin pa fund, por të mençurit e nesërm nuk do të kenë nge të merren “me turma të ndërkryera”. Ata do të lexojnë, ndër të tjera, romanet “Vula”, “Kandidati për Kandidat” dhe “Ministri” për të kuptuar terrenin real ku ndodhin lëvizjet tektonike shoqërore. E ndërsa turma do të mbetet turmë, tre librat do të lidhen respektivisht me emrat e shkrimtarëve Marash Mirashi, Arben Çejku, Ahmet Prençi!

“Vula”, “Kandidati për Kandidat” dhe “Ministri” – “trekëmbëshi” letrar i një epoke zhgënjyese!

SHEFQET MEKO

Minneapolis, 11 shtator 2026

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page