Halil Rama: Sfida e redaktorit të Shtëpisë Botuese Enciklopedike…

Redaktimi i veprave të diktatorit/Dokumenti që flet për një “revolucion” redaktorial
KËRKOI NDRYSHIMIN E VEPRAVE TË ENVERIT, GUXIMI I REDAKTORIT ALI HOXHA
Halil RAMA
Mjeshtë i Madh
Letra e panjohur e redaktorit që kërkoi korigjimin e një formulimi historik...
Si kundërshtoi redaktori Ali Hoxha, emërtimin “Jugosllavi” për krahinat shqiptare në veprat e Enver Hoxhës
Kur historia u përplas me redaktimin zyrtar, Ali Hoxha: Është jashtë realitetit historic të vendit tonë…
Në veprën 49-të e në vijim të ish-diktatorit Enver Hoxha, qëllimisht është tentuar që krahina të tëra shqiptare të mbetura përtej kufirit tonë shtetëror, si Dibra, Tetova, Gostivari, Prizreni, Ulqini etj, të njiheshin de facto si territore Jugosllave, ndonëse në to flitej për një kohë të largët kur Federata Jugosllave ende nuk ishte krijuar. Ka qenë ndërhyrja energjike e ish-redaktorit të Shtëpisë Botuese Enciklopedike Ali Adem Hoxha, i cili falë kurajos, urtësisë dhe mençurisë guxoi dhe shmangu një tentativë të tillë ogurrzezë.
Në Arkivin e Shtetit gjendet një letër, me të cilën, Ali Adem Hoxha, redaktor në Shtëpinë Botuese Enciklopedike, alias “8 Nëntori” (1983-1993) argumenton se është krejtësisht e gabuar të shënuarit e emrit “Jugosllavi” në kllapa pranë emrave gjeografikë të përkatësisë shqiptare, si: Dibër (e Madhe), Guci, Gjakovë etj, në veprën 49 të Enver Hoxhës.
Pasi e ka bërë këtë sugjerim në mbledhjen e Redaksisë së Treguesve me 26 Mars 1986 për treguesit gjeografik të veprës 49 të ish diktatorit, redaktori Ali Hoxha, e thellon më tej këtë ide, duke ju drejtuar zyrtarisht Drejtorisë së Shtëpisë Botuese “Nëntori”, ku në një letër prej dy faqesh (format A4) me shkrim dore të një kaligrafie perfekte, argumenton domosdoshmërinë e heqjes të fjalës “Jugosllavi” pranë emrave të qyteteve a krahinave shqiptare, të cilat asokohe ndodheshin në juridiksionin e ish - Republikës Federative të Jugosllavisë.
Në të mirë të mendimit që ato emra gjeografikë të mbeten të hapur, pra të pashoqaruar me fjalën Jugosllavi, prof. Ali Hoxha paraqet tre argumente bindës.
Së pari, nëqoftëse pranë tyre do të shënohej fjala “Jugosllavi” (Brenda kllapave), siç është vepruar në veprat tjera (41-48), në radhë të parë nuk do të pasqyrohej drejt përmbajtja e veprës; do të bihej në kundërshtim me atë që është shkruar në tekst. Dhe konkretisht, në faqen 515 të veprës 49, ku, veç të tjerash përmenden edhe krahinat Dibër, Guci, Gjakovë, Pejë, Plavë, Prishtinë, Prizren dhe Shkup, flitet për periudhën e kryengritjeve të popullit shqiptar në vitet 1910-1912 në mbarë Shqipërinë, si dhe për veprimtarinë e Ismail Qemalit dhe të patriotëve të tjerë shqiptarë për përgatitjen e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), për t’u çliruar nga sundimi pesëshekullor Osman.

Së dyti, redaktori A.Hoxha argumenton se ato krahina në atë kohë nuk kanë qenë as nën administratën malazeze, pra as nën atë jugosllave, as “de jure” as “de facto”, pasi fjala në vepër është për një periudhë shumë kohë më përpara se pazarllëqet e traktateve të Fuqive të Mëdha të viteve 1913, 1915, apo të vitit 1917. Përfundimisht, me kurajo qytetare civile, redaktori Hoxha, shkruan se në periudhën për të cilën bëhet fjalë në veprën e ish udhëheqësit komunist shqiptar, ato ishin pjesë përbërëse e truallit amtar shqiptar, të pandara, por si dhe krahina tjera shqiptare, atëhere ishin të pushtuara prej Perandorisë Turke. Prandaj, po të shënohej pranë tyre fjala “Jugosllavi”, jo vetëm që s’ka asgjë me të vërtetën historike (është jashtë realitetit historik të vendit tonë por dhe të faktit që në atë kohë ende nuk kishte as Jugosllavi), por do të ishte edhe një interpretim i gabuar, ose më sakt një shtrembërim i së vërtetës të pamohueshme.
Së treti, redaktori Hoxha, që kishte ardhur në këtë institucion të rëndësishëm pas një përvoje të gjatë si mësimdhënës dhe drejtor shembullor i disa shkollave në Krujë e Dibër, dhe si përkthyes në gjuhën arabe në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” (kishte mbrojtur arabishten me gojë e me shkrim në Universitetin e Shetit të Katarit “Doha”-Universieti i EZ-HERIT në Kajro), argumenton se “duke i lënë hapur emrat e lartpërmendur, përveç së mirës, asgjë të keqe nuk ka. E kundërta, të shënuarit e emrit ‘Jugosllavi’ brenda kllapave pranë tyre, përveç së keqes aasgjë të mirë nuk ka. E keqja është se, në një këndvështrim më të thellë ajo është jo vetëm antishkencore, sepse pohon që është jashtë së vërtetës historike, por mbi të gjitha është antishqiptare”. Për faktin se prej më shumë se dymijë vjetësh vazhdon të citohet Ptolemeu për një hartë gjeografike, Prof. A.Hoxha shkruan se merret me mend se ç’pasoja mund të ketë ai citim në veprën e udhëheqësit shqiptar, prej armiqve shovinistë fqinjë për qëllimet e tyre të mbrapshta, ndonëse në të vërtetë nuk është aspak mendim i tij”.
Pas kësaj ndërhyrje të këtij personaliteti në fushën e gjuhësisë u bë një “revolucion” , me vlerë, sa ideoprofesionale, aq edhe patriotike dhe nga vepra 59 e më pas në vijim, e ish udheqësit komunist shqiptar, u hoq dhe nuk është përmendur më emri “Jugosllavi”.
DISA PERSONALITETE TË LETËRSISË ARABE
JANË ME ORIGJINË SHQIPTARE
Një tjetër dokument interesant që gjendet në Arkivin e Shtetit, është letra që Prof. Ali Hoxha, që nga Doha (Katar) i dërgon Drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, Prof. Bahri Becit, më 24.12.1993.
Këtë letër, ku thekson se shumë figura të shquara të letërsisë arabe janë me origjinë shqiptare, ai e dërgon nga Katari ku po ndiqte një kurs disa mujor për gjuhën arabe.
Ja ç’farë shkruan më konkretisht Prof. Ali Hoxha:
“Nga leksionet e letërsisë arabe, kam mësuar se shumë figura të shquara të letërsisë arabe janë me origjinë shqiptare. Një ndër ta, vlen të përmendet Mahmud Sami Barudin, themelues i shkollës filozofike me emrin ‘Medresetul Alijau Vel-Baëth’, autor edhe i hymnit të revolucionit egjiptian, etj”.
Nisur nga sa më sipër Prof. Ali Hoxha i bën të ditur prof. Bahri Becit, se në bisedat që ka patur me personalitete shkencore të Katarit, në universitetin e Dohas, u ka sugjeruar vendosjen e lidhjeve shkencore me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe konkretisht me Institutun e Gjuhësisë e të letërsisë, si dhe me Institutin e Historisë. Po ashtu ai bën të ditur se për këtë problem ka folur edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Qendrës Shkencore të Universitetit të Katarit, Dr. Hassan A.Ma’ayergi, në dy takime që ka patur me të.
KONTRIBUTI AKADEMIKO-SHKENCOR I PROF. ALI HOXHËS
Prof. Ali Hoxha, në harkun kohor prej afro gjysmë shekulli ka një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e studimeve historike dhe shkencore.
Pas lirimit me kërkesën e tij nga funksioni i Drejtorit të Shkollës Grykë Nokë, Dibër dhe me fillimin e bashkëpunimit si bashkëpunëtor i jashtëm shkencor me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe me Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, Ali Hoxha do të shquhet për kryerjen e disa studimeve me vlera të rralla historiko-shkencore.
Kështu i një rëndësie të veçantë është Studimi “Mbi lokalzimin e Fushës së Betejës së Torviollit” (Me Fushë Çidhnën e Dibrës së Poshtme të sotme), botuar me autorësinë tij në “Studime Historike”, Nr.3 (1979) dhe ribotuar në “Studime për epokën e Skënderbeut”, volumi II, Tiranë 1979, fq.564-572.
Po në kontekstin e historisë skënderbegiane, Ali Hoxha ka meritën e kryerjes së studimit “Karakteri atdhetar i luftrave të Skënderbeut”, referuar në Sesionin Shkencor të mbajtur në Tiranë më 25 Nëntor 2012, botuar në gazetat “Republika” dhe “Rruga e Arbërit”.
Kontributi i Ali Hoxhës konsiston edhe në referime shkencore në disa evente të rëndësishme, si p.sh referati i tij në Konferencën Kombëtare për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe kulturës së tij (5-8 korrik 1982) me temë: “Vështrim historiko-gjuhësor mbi toponimet e trevës së Dibrës” (me bashkëautor), botuar në revistën “Studime filologjike”, Nr. 3-1982.
Në ndriçimin e të vërtetave historike, ky personalitet i mirënjohur i botës akademike, ka kontribur edhe me referatin “Rezistenca e Çidhnës dhe e mbarë Dibrës në masakrën e vitit 1466”, referuar në Sesionin Shkencor të oraganizuar në Peshkopi më 1 Nëntor 1985, nga Komiteti Ekzekutiv i Dibrës, në bashkëpunim me Institutin e Historisë të Akademisë së Shkencave, me rastin e promovimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë, studim ky që ndikoi në vendosjen e një pllake përkujtimore në vitin 2018.
Edhe në sesionin shkencor, organizuar në Peshkopi më 1982 dhe së dyti në Tiranë, organizuar nga Akademia e Shkencave me 20.12.2029, ka mbajtur referatin “Kryengritja popullore e shtatorit 1913 në Dibër”.
Në dosjen e tij gjenden edhe dhjetra studime e referate të përgatitura nga ai me nivel të lartë shkencor, të karakterit teologjik, të botuara në disa revista shkencore.
PAK NGA CV E ALI ADEM HOXHËS
Në dosjen personale si ish - kuadër (që ndodhet në Arkivit e Shtetit, Dega Rrëshen, ku janë përqëndruar dokumente arkivore të disa rretheve të velilindjes), gjenden disa karakteristika të Ali Hoxhës, të nënshkruara nga titullarë vendor e qëndror, të institucioneve ku ai ka punuar. E përbashkëta e tyre është datëlindja e tij më 1.11.1940 në fshatin Laçes, Çidhën të Dibrës, si dhe shkollimi në të gjitha nivelet, deri te diplomimi në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Histori-filologji, dega Guhë - Letërsi dhe Specializimet pasuniversitare një vjeçar për gjuhë arabe në Universitetin e Shtetit të Katarit, në Doha dhe për filozofi në Universitetin Al-Ez’herit në Kajro, Egjipt.
Por ndonëse në disa karakteristika të firmuara nga autoritete lokale për vitet e rinisë së tij, kur ka shërbyer si mësues i lëndës së gjuhës dhe leximit letrar dhe drejtor shkolle në Zall Dardhë, Grykë Nokë e Fushë Çidhën, vërehen tendenca për t’ia zbehur shkëlqimin në këto shkolla, madje edhe për t’i shënuar “njolla” në biografi, gjithsesi nuk kanë mundr t’ía mohojnë trashëgiminë, si biri i klerikut të shquar Adem Hoxha – i dënuar me internim në Ventotene të Italisë për dy vjet (1940-1942) si antifashist dhe për heroizmin e trimërinë e treguar në provokacionet greke të Gushtit 1949, i dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me “Medaljen e Trimërisë”.
Por, e kundërta konstatohet në karakteristikën e datës 30.6.1982, me firmën e ish-kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Dibër, Skënder Dema, ku vlerësohen niveli i lartë i mësimdhënies (mësues i kategorisë së parë mbi 20 vjet në Dibër), eksperienca e përvoja e mirë në këtë drejtim, zgjedhja e tij si kryetar i lëndëve shoqërore; aktivizimi në detyra shoqërore deri kryetar i organizatës profesionale të shkollës e nënkryetar i Shoqatës të gjuhëtarëve të rrethit; kontributi akademiko - shkencor si bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe aktivizimi pranë Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave, ku ka pregatitur dhe mbajtur referate e kumtesa, për të cilat i është akorduar edhe leje krijuese nga këto institucione.
Jo vetëm këto merita e kontribute me vlerë, por nga CV (Curriculum vitate) e tij mësojmë se Prof. Ali Hoxha, në harkun kohor të 8 viteve (1991-1998) ka spikatur me profesionalizmin e tij si përkthyes i katëgorisë së dytë i gjuhës arabe, në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, Tiranë (1983-‘’84); si redaktor i kategorisë së dytë po në këtë institcion (1985-1993); si redaktor i kategorisë së parë në Shtëpinë Botuese Enciklopedike, Tiranë (1984-1993); si mësues i gjuhës arabe dhe i gjuhë - letërsisë shqipe në Medresenë e Tiranës (1991-1998); si zëvndësdrejtor i saj (1998-1999) dhe si kryeredaktor i gazetës “Këshilla”, organ i Fondacionit të Kur’anit.
Si mësues për shumë gjenerata, ai do të mbetet në mendjet e tyre si prind i dytë, si mësuesi dhe udhëzuesi më i mirë i mundshëm për të ardhmen, si modeli i një njeriu të dashur, të butë, i afërt për të gjithë. Po ashtu ai do të mbahet mend për produktin e tij akademiko - shkencor shumëdimensional. Tek ai ka spikatur kontributi i tij i madh në lëvrimin shkencor të gjuhës letrare, i sitentizuar në punimet e tij me karakter studimor - shkencor, në artikujt e botuara në ish gazetën lokale “Ushtima e maleve” e në revistat studimore shkencore të Instituteve të Akademisë së Shkencave dhe si bashkëdrejatues a kryeredaktor i “Drita Islame”.
Prof. Ali Hoxha është gjithashtu redaktor gjuhësor i veprës së Alia Izetbegovic, (ish-kryetari i parë i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës së pavarur) “Arratisja ime në liri” (Kujtime nga burgu).
Ky kontribut i vyer i këtij personaliteti me rrezatim kombëtar është shpërblyer me dhënin e titullit “Qytetar Nderi” i Komunës Arras, Dibër (nga ish-këshilli i kësaj komune, me vendim nr. 11, datë 15.04.2005, me motivacionin "Për kontributin e tij të shquar në punën kërkimore shkencore, lidhur me historinë dhe traditat etno-kulturore të krahinës së Çidhnës së Dibrës”; me “Çertifikatë Mirënjohje nga Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e arsimit dibran, për virtytet dhe vlerat e larta morale e kombëtare, të përcjellura tek brezat ndër vite” dhe me “Mirënjohje” nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë (Tiranë, më 18.02.2012) me motivacionin “Për punën dhe përkushtimin në rritjen cilësore dhe profesionale të gazetës ‘Drita Islame’, me rastin e botimit të 20 vjetorit të saj.
Pikërisht për këtë kontribut madhor në zhvillimin e arsimit shqiptar dhe për produktin akademiko-shencor shumë cilësor, Prof. Ali Hoxha zë vend nderi në panteonin e vlerave, si personalitet i shquar i arsimit, kulturës dhe shkencës shqiptare.
* Mjeshtër i Madh








Comments