SHEFQET MEKO: 1 SHTATORI- MIRËNJOHJE QË NDRIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 3 min read

-Pa ato 16 ditë-fillim shtatori, nuk do të isha ky që jam. Dita e diktaturës që na hapi sytë-
Ata me diploma nga koha e diktaturës, e fshinë nga kujtesa dhe historia edhe 1 shtatorin, siç fshinë e shkatërruan çdo gjë tjetër. Por nuk ka më festë të bukur sesa dita e parë e shtatorit: vjeshtë e begatë e dijes. E zhbënë! Si varrmihës të gjithshkaje, “epilepsia politike” e shqiptarëve me diploma që dit-fillimi kishin 1 shatorin e bukur, groposën çdo vlerë të krijuar nga mendjet e ndritura në kohë të zymta… Puna e brezave të shumtë u shkallmua nga “idealistë të përmjerrë”…, por krenarë!
Më 1 Shtator 2025, nuk bie zilja e bukur e shkollës, që brezave të tërë u hapi sytë, solli dritë, solli gëzim që edhe pse “bardh e zi” ishte gëzim diturie…(E shtynë për më vonë!!!) Në ditë të tilla shtatori “u zunë” edhe udhëheqësit e ndritur që na dërdëllisin për “vizione evropiane” duke shpërfillur çdo gjë shqiptare…Edhe pse 1 shtatori lidhet historikisht me vet shpalljen e mbretit Zog, mbeti dita më e bukur e disa brezave ëndërrimtarë. Diktatura nuk e “retushoi” këtë ditë. Pse e fshitë nga historia 1 shtatorin? Kush ishte ajo mendje rakitike, që tha “Jo më 1 shtatorë”?!… “Ju shitoftë Zana!” (siç thonë në Shkodër), të gjithëve ju që urreni 1shtatorin e diktaturës. Ishte festa më e bukur e dijes, shpërthimi i dëshirave dhe ëndrrave, dita plot emocione e prindërve që me duart plot kallo, na çonin te shkolla duke qeshur në sy, si simbolika më e kuptimtë e asaj kohe me “dhëmbë të prishur”, ku shpresa kishte vetëm një “varkë shpëtimi”: Librat e shkollës e “lokomotiva” e parë ishte Abetarja Shqip. Ato 1 shtatorë të bukur, (për mua plot 16, për të tjerë 8 apo 12, sipas fatit) një ditë na bënë të hipnim në trena, drejt Tiranës e shkollave me emër nëpër Atdheun tonë.
Ju, deputetë, ndonjë edhe me diplomë të sajuar, apo edhe “trimi i dhjetorit” që merrte provimet në vitet 90-të me “revole në xhep”, jeni mëkatarë të servilizmit dhe viktima të mosdijes tuaj. Pse nuk ngeli në politikën e sotme asnjë student i shkëlqyer i kohës sonë? Mbetën trushplarët. Mbetët ju, që zhdukët dhe vodhët çdo gjë, çdo të mirë ndërtuar me djersë, me mund e mendje shqiptare, sepse ju erdhët në politikë si aksident dhe mbetët impotentë në ide dhe vizione, ose thjesht “gra llafazane”… Por nuk vidhni dot kujtimet e brezit tim dhe mirënjohjen tonë kolektive për ata Mësues të mrekullueshëm, nga ABC-ja deri tek Leksionet e Vështira! 1 shtatori duhet të kishte mbetur Ditë-Monument vetëm për këtë lloj nderimi!
Ne ikanakët morëm me vete kujtimet tona, sepse po të kishim mbetur aty edhe ato do t’i kishit privatizuar për “ankandin e radhës”. Ne ikëm që të kujtojmë! Kujtimet tona nuk janë nostalgji, as “debulesë diktature”, ato janë të vërteta dhe të paretushuara. Unë jam një nga ikanakët shqiptarë që guxoj të “duartrokas” diktaturën për ditë fillimin e shkollës më 1 shtator për dekada të tëra! Këtej nga jemi shpërndarë, shohim çdo ditë se si ruhet kujtesa edhe ajo më e hidhura, sepse kujtesa është Drita e së nesërmes!
1 Shtator 2025! Kujtoj çastet e bukura të së shkuarës sime dhe “puth” së largu, me fuqinë e fantazisë sime, duart që ndërtuan shkolla gati në çdo fshat, “ledhatoj” mendjet e tipografëve që radhitën shkronja shqip mes avujve të plumbit për abetaret e librat shkollorë, u përulem gjithë Mësueseve nga klasa e parë deri në universitet, kujtoj ata të pafat që nuk patën shansin tim të vinin në universitete… Ata, të mençurit që nuk iu dha mundësia, të përvëluarit për shkollë e dituri që humbën të harruar. Atyre, po të mos u dhunoheshin dëshirat e të drejtat për arsimim, ata, ata do të mund të ishin opozita dhe politika e vërtetë shqiptare…. “Të heshturit” e dijes kurrë nuk patën shansin e barabartë, sepse edhe kur mundësia u krijua, të diplomuarit e diktaturës u bënë “diktatorë në demokraci…” duke dhunuar çdo liri individi…
1 Shtatori, sipas meje, mbetet një galeri festive që pushtetarët dhe lakmitarët e qeverisë tinëzisht e harrojnë me kapadaillëk, por jo ikanakët e shumtë. Pa ata 16 fillim-shtatori, unë nuk do të isha qytetar amerikan, madje as që mund të shkruaja këto radhë, ndaj: Mirënjohje Mësuesve. Mirënjohje Dijes! Jemi me fat që diktatura nuk i burgosi të gjithë të mençurit...
E fshinë nga kujtesa 1 shtatorin në Shqipëri, që rastësisht sot në Amerikë përkon me Ditën e Punës! Ironi e historisë, por a ka punë më të madhe se DIJA?...
Minneapolis, 1 shtator 2025
1 shtatori ishte dita në të cilën tradicionalisht hapej viti shkollor në shkollat shqiptare. Muzikë, lule, tullumbace, shumë fytyra shumëngjyrëshe dhe të qeshura në oborret e shkollave - të nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Por pse u zgjodh data 1 shtatori…? Kjo vinte nga shumë arsye, por kryesorja ishte se në të gjithë vendet e Kampit Socialist mendohej se fëmijët të mund të ndihmonin në problemet e bujqësisë.
Përndryshe, në shumë vende të tilla të këtij ish-kampi, viti shkollor fillon ende më 1 shtator. Ky është rasti në Republikën Çeke, Rusi dhe shumicën e republikave të tjera ish-sovjetike. Në Greqi, dita e parë e shkollës është në mesin e gushtit. Në Itali, megjithatë, nuk janë me nxitim - zilja e parë…