
1. Moment
Fatmir Terziu
E ndjej.
Lazdrimën e një gonxheje
që çel në një kopësht ku asgjë nuk e konkurron:
Unë jam kopështari i vrullshëm që zgjoj kujtime,
mes përkëdheljeve dhe buzëqeshjeve të ndjeshme,
që kanë mbetur në zemrën time …
Si një kopështar i stazhionuar nga vitet,
me një petale ia marë këngës,
dhe zgjohem në kopështin ku marrin jetë lulet
prej dashurisë dhe ëndrrës.
2. Sekonda
Sekonda të hap sytë. Sekonda të nxjerr lotë. Sekonda
britma jote e parë në Portën e Jetës.
Sekonda ritmi i të qeshurës, shpirtit, poezisë. Ajo
na mbart dhe na udhëton në kohë për të parë:
Udhën e së Vërtetës.
Sekonda është moment. Sekonda është tmerr. Sekonda
është luftë në krevatin e qëndisur nga duar me këna,
sekonda është buzëkuq i ndezur zjarr në buzët e moshës,
është nderi që të përcjell në këndin e lakuriqësisë
ku asgjë nuk i shpëton drithmës së aortës.
Sekonda është parfumi në gjoksin tënd që erëmir
fatin tënd të çbendur nga sytë
në një kopësht të mbjellur me trëndafilë.
Sekonda është fara e përzgjedhur që mbillet dhe lind
për të shkruar fatin e një jete tjetër përditë.
Me një sekondë ju dërgoni një botë
aty ku shkrihet një glob
në një lot.
Askush nuk e kupton dot sekondën
rrahjet e saj në Kalanë e madhe të Kohës
me një sekondë e shemb tërë Botën,
për sa kohë nuk e ndjen magjinë e vetë Botës.
Prandaj mos u kuturisni kot,
në rini,
lini të gjitha mënjanë, por jo një sekondë
në Dashuri.
Comments