top of page

SAZANI KERKON TE BEHET DEPUTET


Fiqri Shahinllari

Shkrimtari poet Perparim Hysi keto dite te para te Prillit percolli ne rrjetet sociale ca pyetje dhe kerkonte pergjgje nga lexuesit e miqte e tij . Njera nga pyetjet, e para, ishte:

" Perse fjala "turme"

Rimon me fjalen" zhurme"

Dhe ben asonance me " rruge"?

Pasi lexova tere pyetjet e mikut tim krijues u "yshta " t'i pergjigjem atij dhe lexuesve te tjere vetem per pyetjen e pare duke me ngacmuar sentenca qe e kam permendur dikur ne nje nga shkrimet e mia ku theksoja se "Turma te do agresiv"Po me mire lexoni nese mundeni e nuk bezdiseni miq te mi keto shenime te meposhteme, frymezuar nga persona konkrete por te letrarizuar nga ana ime...

...Listat e partive për deputetë po behen apo jane bere? Sidoqofte sedra karrieriste e Sazanit po e guduliste ate çdo ditë e më tepër. Ai nuk linte rast pa shfrytëzuar staturën e tij te re. Nëpër mbledhje, kur nuk ishte ndonje epror i tij, Sazani i kishte mbushur mendjen vetes se ai kishte staturën e eprorit, vetë zot, vetë shkop. Veç ta shohesh atë kur qëndron në tavolinë midis vartësve të tij! Pamje burrërore, serioze. Sa krenari dhe burrëri shpreh fytyra e tij! Merr penelin dhe pikturoje: Napoleon! Vetë Napoleoni! Për mbledhjen e parë pa drejtor, se tani ishte vetë ai drejtor e shkuar drejtorit, ai ishte pregatitur një ditë më parë. “Oratori duhet ta sundojë gjindjen”-bisedon shpesh me vetveten. Në shtëpi bëri prova para pasqyrës, duke marë poza nga më të ndryshmet. Provonte, fjala vjen, kur duhet ngritur vetulla e djathtë, kur duhet bërtitur, në cilën minutë nga ora e fillimit të fjalimit duhet bërë ndonjë shaka me kripë, në cilin pozicion duhet mbajtur dora e majtë mbi foltore, kur duhej buzëqeshur(sakën të qeshnje se binte serioziteti) e të tjera hollësira..Gdhiu e nesërmja. Ora e mbledhjes kishte trokitur.. Ja tek mer fjalën Sazani. Ngrihet në këmbë dhe ecën nëpër sallën e mbledhjes, duke shkelur i qetë, me hapa të matur, të lehtë. Dukej sikur shkëlqente nga një gëzim i brëndëshëm. Ai i kishte mbushur mëndjen vetes se kur fliste ai dëgjuesit mbeteshin me gojë hapur. Karriget nuk kërcisnin nga lëvizjet.Vetëm miza dëgjohej nëse kishte. Njerzit qëndronin drejt sikur t’u kishe vënë pendulin e muratorit.“Numëri një“ i drejtorisë së përgjithëshmë dhe, kuptohet, i kësaj mbledhjeje të parë për Sazanin, pa të tjerë sipër tij, filloi ligjërimin: “Të nderuar zonja e zotërinj pjesmarrës në këtë mbledhje të rëndësishme, të dashur specialistë të kësaj zyre që me punën e saj i jep tonin gjith dikasterit…” Mirëpo ai nuk vazhdoi gjatë. Avniu, nga një rreth i kategorisë së dytë, dukej vërtet sikur i përpinte fjalët e Sazanit, por ai në fakt, gojën hapur, me gjuhën pak si jashtë , po dremiste duke gërritur fort. Sazanit sikur i ra tavani në kokë. Thirri:

-Avni, çfarë po bën o i shuar?

-Urdhëro?-u përgjgij tjetri i zënë në befasi?

-Po fle?-të pyeta. Këtë shprehje pyetëse,“numëri një” u duk sikur e bëri me ulërimë. Ishte i shpërfytyruar, me vetullën e djathtë ngritur lart që i dridhej nga histerizmi që i shkatoi indiferentizmi i Avniut. U skuq në fytyrë, iu ntrashën dy damarët e qafës. Vuri duart në bel dhe pyeti: Ka ndonjë tjetër që kërkon ta kthejë sallën në hotel? Ka?

-Kam qëndruar tërë natën pa gjumë zoti Saz..-u mundua të shfajësohej Avniu.

-Jashtë, jashtë qelbanik! Nuk lejoj unë njeri të pështyjë në çorbë. Mbledhja është e rëndësishme dhe ti rrufjan fle. Shpejt , dil jashtë se ta ndreq unë samarin ty teknefes i dreqit.

Avniu u zverdh në fytyrë jo nga frika por nga inati, nga zemërimi, megjithatë e përmbajti veten dhe tha qetësisht:

-Agim shkodrani të ka vënë epitetin servil, se vetëm servilizmin tënd si një handikap shumë të avancuar shihte te ty kur ishe vartës i tjetërkujt ,para të cilit kruspulloheshe e bëheshe pulë, grimcë rëre, tani që je epror unë po shikoj anën tjetër të personalitetit tënd: burracërinë tënde,pavarësisht se shndrrohesh në skifter e çakall dhe kujton se ta kanë frikën njerzit. Ik ore mbushu tutje. Pirdhu!

Ishin disa kolegë të tij që e kandisën Avniun të dilte jashtë, pasi drejt tij po vinin rojet e dikasterit. U pa puna. Mbledhja nuk ia arriti qëllimit paçka se ajo vazhdoi sipas planit.

Sazani nuk e priste këtë reagim. Ai nuk e dinte se Avniu ishte me shkollë të lartë dhe i zoti në punën e vet, njeri me eksperiencë të madhe në punë e në jetë. Dhe mbeti për një moment si i shastisur. Në sytë e të tjerëve u bë një grusht, u tkurr si doku në ujë. Por, nuk e dha aspak veten. Ai e kishte pompuar veten në mënyrë të tillë, sa nuk i bënin përshtypje reagimet e të tjerëve poshtë tij. Në dukje krenar, në brëndësi njeri amorf e plastelinë deri në llaçkavitje në përulësi, atij nuk i vinte turp prej të tjerëve. Kishte një synim: Të ngjitej lart. Dhe për këtë qëllim ai ishte kail të shkelte edhe mbi zverk të njerzve të tij më të dashur, t’i shiste ata. “Do të hiqem zvarrë, do të puth bythën e eprorëve të mij të tanishëm që janë për të më përkrahur për t’u bërë deputet-thoshte ai me vete-pa le të më pëbuzin e të thonë ç’të duan të tjerët për mua. Edhe nëse nxij tani, do të shkëlqej më vonë kur të hipi shkallëve të hierarkisë. Do më quajnë krrimb disa, pun’e madhe! E çë pastaj? A s’më thua Sazan Gega-i drejtohej në heshtje vetes- flutura krahëshkruar të cilën e admirojnë të gjithë a nuk ka qënë në fillim një krimb zvarranik i mbështjellë në mëshikëz?

Puna ia deshte Sazanit që ta shoqëronte eprorin e vet në takime e mbledhje të ndryshme. Ai vihej në përgjim e ndjekje të çdo xhesti e përjetimi të eprorit, nuk i shpëton asnjë buzëqeshje, asnjë vrejtje të fytyrës së tij. I qepet si rrodhe e si manar, i mban shefit iso në buzëqeshje ose në melankoli, sipas rastit. Me një fjalë shikimit të tij të mprehtë nuk i shpëtojnë as nuancat më të vogla të fytyrës së shefit. Dhe do ta imitojë, do t’i bëjë qejfin. Me ndihmën e tij-shpresonte “numëri një”i depertamentit te rendesishm te partise - ai do të shpallej kandidat për deputet.

Dhe Sazani ëndërronte kolltukun e deputetit, synonte postin. Oh, ç’ëmbëlsi të sjell lavdia! Por për të arritur deri te lavdia ehuaa sa punë duhet. Duhet kujdes i madh. Se po të mos kujdesej ai në radhë të parë për veten e tij, kush mund të kujdesej tjetër më shumë e më mirë se ai? Duhet folur gjithandej se jo gjithmonë heshtja është flori. Të jesh drejtues në një funksion të lartë, siç ishte ai, do të thotë të jesh politikan, të dish të flasësh, të bësh kolektivin për vete. Ashtu siç bëjnë deputetët. Po të mos jenë të gojës atyre nuk u shkon njeri pas. Turma nuk vete pas njeriut që është i heshtur si peshku. Dhe ai kështu do të bënte. Do të fliste në miting para turmave të egzaltuara të cilat pëlqejnë gojtarinë e fortë, të zjarrtë, të egër. Dhe ai flakë do të lëshonte nga goja kur të fliste. Bënte prova para pasqyrës. Spektator kishte vetëm një njeri: Xhemalin, të atin. Ë më të lumtë thërriste Xhemali, më fort, më fort. Turma të do agresiv. Imito Duçen te Piaca di Venecia, Hitlerin në ekstazë! Ashtu, ashtu. Fliste kështu babai dhe duartrokiste. Sazani e mijrafishonte këtë duartrokitje të t’et dhe e kthente në duartrokitje frenetike të turmës. Se në turmë s’ka rëndësi në je baba apo bir. Bëhesh njësh me njerzit e tjerë. Sepse në turmë humbet individualiteti i njeriut. Ai gëlltitet nga masa e madhe e mitingashëve dhe bëhet palë në psikologjinë e turmës e cila, shpesh, duartroket edhe atë që i ka hipur mbi zverk.

“Dëgjo Sazan e këshillonte Xhemali-Përsërite edhe një herë atë momentin kur të flasësh për perspektivën. S’ka gjë, le të mos të kuptojnë njerzit se edhe nuk kanë faj. Ç’janë ata që do të dëgjojnë? Ca shurrdhjesa, mund të jenë edhe biçimsëzë që nuk dinë nga lidhet gomari, por ama ata të japin votë. Pastaj rëndësi ka televizioni këtu more bir. Ai ta zbardh o ta nxin faqen. Fjalët lavdëruese që do të thuash për Partine tende e cila do të të propozojë për t’u zgjedhur deputet dhe fjalët qortuese e agresive për kundershtaret politike duhet të jenë të stërholluara artistikisht. Përdor fjalë të urta dhe i formulo ato që të tingëllojnë si moralizime”.

***

Epilog nga filxhani i kafese:

Opinionistet e pavarur qe e dime se cfare do thone pa nisur akoma debati parashikojne se:Tërë kakapërrosja si këndezi mbi pleh e Sazan Geges do vyshket dhe ai do ulet poshtë. Nuk e propozuan për deputet. Partia që e mori nga bangot e shkollës dhe e vendosi në kolltukun zyrtar të synuar nga shumëkush që e meritonte atë vënd pune, nuk do i fitoje zgjedhjet. Të vinje në punë kuletën tani për tani ishte herët. Por ai ka fat. Nuk do e levizin nga zyra. Do ta lenë specialist të thjeshtë hë për hë. Kështu do çfryhet tullumbacja dhe që andej do dale lëtyra që u kallte sëllibën specialistëve të tjerë të zyrës. Tek Sazani, tek ky njeri i vogël në inteligjencë dhe gjigand në mëndjemadhësi e i përvëluar për karierë të pamerituar, njerzit e thjeshtë do shikojne vetkrenarinë dhe zuzarepsjen, vetlavdërimin dhe vetpërulësinë.

Në bllokun e lagjes ku jetojne Sazani dhe Xhemali e kishin pregatitur opinionin e banorëve se Sazan Gega së shpejti do të bëhej njeri i madh, do të ishte deputet e më tej kush e di? Me të parë, me të bërë. Ngjarjet rrodhën kundër ëndërrimit me sy hapur të të dy banorëve, at e bir dhe ja, banorët e bllokut të banimit do i shikojnë ata te dëshpëruar, si dy njerëz që u bënë gaz i botës dhe që kanë mbytur në vetvete ndjenjën morale që e bën njeriun njeri. Banoret, te rrahur me vaj e uthull nga jeta e dine fare mirë se në këtë botë jallane e kopuke, duhet të mbash veten e të mos çuditesh me gjëra që vërtet janë për t’u çuditur.

Fiqri Shahinllari

(Nga cikli Seriozitet me buzeqeshje)

50 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page