
ermimi që ndien prej puthjes së misht’ të petaleve të trëndafilit tufat e kurrizëve të kafejtë të troftave në Prespë vrulli që shpalon gëzimin e vetëdijes e t’krijimit
e proverbat që jan’ rrënoja n’ sheshe historish të hershme me t’moralshmen që sillet përreth ngjarjes si shermasheku në muret me diell
koha e gjat’ që duhet për t’arritur te pafajësia e ditës urrejtja që ësht’ gjëja më e vështir’ të shkulet kur hedh rrënj’ thell’ në zemër heshtja e gjithçkaje që vjen një dit’ ku s’këndojn’ më gjaku, orët, yjet
e syt’ e saj përshkënditës zjarrmor’ e të trishtë njëherësh si një këngë sentimentale gjermane mbrëmjeve në Bremen
krisma e but’ si prej një plage e tingullit të klaviçembalit e fshehta e lumturis’ që ësht’ liria, e fshehta e liris’ që ësht’ guximi ruajtja e një gjethje ahu për t’mos humbur vjeshtën e puthjes së parë
e koha që ësht’ një e vërtetë e çiltër kushtuar shikimit e rrjedhës së gjallë ç’qe e rrjedhshme rridhte, shikuesi shikonte, rridhnim
rrapashitja e sandaleve t’ushtarëve të lasht’ në rrugët e gurta romake dashuria eklektike e një hetere, e një konkubine, e një gejshe rraskapitja prej instinktit e ankthit të afshtë
e zemrat tona ku nëse s’lind një puhiz’ e re ai që do të lindë mbi kokat tona do të jet’ një diell i vjetër
ermimi që ndien prej puthjes së misht’ të petaleve të trëndafilit tufat e kurrizëve të kafejtë të troftave në Prespë vrulli që shpalon gëzimin e vetëdijes e t’krijimit...
__________ *Samsara, (nga sanskritishtja: udhëtim përmes), koncept kryesor në induizëm ( dhe pjesërisht në budizëm e bektashizëm) që shënon rrugën në të cilën kalojnë jetët e njëpasnjëshme, rilindjet e njëpasnjëshme, në një larmi formash, të shpirtit, deri sa të arrihet çlirimi, jetë dhe rilindje që përcaktohen nga ligji moral i karmës i shkakut dhe pasojës. Në emërtimin e ciklit tonë lirik, ky term koncepti, është përdorur me kuptimin e meditimit të thellë çlirues e ngazëllues, (siç është përgjithësisht, estetika performiste e poetikës sonë lirike). Kujtoni, bie fjala, filmin e famshëm poetik "Samsara", (2011), xhiruar në 100 vendet më të bukura natyrore dhe antropologjike të botës sonë.
Durim Çaça
Comments