Sakip Cami: VUNË JETËN E TYRE NË SHËRBIM TË LUFTËS ANTIFASHISTE
Updated: 8 hours ago

Rushe Osmani (Lleshi) ishte e bija e patriotit Tush Lleshi nga Zogje e Dibrës.
Pas Salë Markes dhe Cen Lekës, fshatarët e Grykës së Vogël duke vlerësuar trimërinë dhe ndershmërinë e tij u mbështetën tek Tush Lleshi. Ai shërbeu si caush në Oranik të Dibrës. Më vonë arriti të krijonte një çetë me luftëtarë nga fshatrat Zogje, Gjuras, Shtushaj, Mazhicë, Bllacë, Topojan dhe Kovashicë dhe e vuri në shërbim të çështjes kombëtare. Ai ka qenë anëtar i Xhelisit (Kuvendit) të Dibrës. Ka dhënë kontribut gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Luftës së Dahoshishtit më 1882 dhe luftës kundër Kadri Pashës më 1881. Tushi ka marrë pjesë në Kuvendin e V të Qernanicës në Dibër të Madhe në shkurt të vitit 1899, kuvend që njihet si “Besëlidhja e Dibrës” ose “Itifaku i Madh” për luftë kundër turqve. (M. Murra, Dibra nga antikiteti në monarki, 2017 faqe 640.)
E bija e Tushit, Rushja u martua me Demir Osmanin (Kajën) nga Allajbegia (Burimi ) Maqellarë. Së bashku me të birin Kadriun, u vunë me mish e me shpirt në shërbim të Lëvizjes Nacional Çlirimtare, ku bënin pjesë edhe i vëllai Aqifi, nipat Haxhiu, Ymeri, Hamdiu, Abdurrahimi etj. Prandaj atë e thirrnin “nëna e partizanëve”.
Ishte grua trimëreshë dhe autoritare, njëlloj si i jati. Shtëpia e saj u bë vatër e luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Që në ditët e para aty u strehuan Zoi Themeli, Qazim Prishtina, Sali Hoxha, Pali Carapuli, Xheladin Krifca, Ahmet Jegeni dhe me dhjetra partizanë të tjerë që luftuan në Dibër të Madhe e Peshkopi.

Kur u plagos Haxhi Lleshi tek Ura e Topojanit më 24 gusht 1942, Nënë Rushja i hipi kalit dhe shkoi vetëtimthi në Dibër të Madhe, pa ju trembur syri fare, mori ilaçet tek mjeku, mori ushqime dhe kaloi lumin e shkoi në Langavishtë tek çeta partizane, mjekoi plagën e Haxhiut dhe në darkë u kthye në shtëpi, shkruan në kujtimet e veta Xheladin Krifca. (Dibra dhe Dibra e Madhe në luftë, faqe 65)
Në Operacionit të Dimrit të vitit 1943, vazhdon kujtimet Xh. Krifca, forcat e xhandarmërisë së bashku me gjermanët shkuan t’i djegin shtëpinë. Në shtëpi, në grazhdin e kalit, ajo kishte fshehur nipin, Haxhiun së bashku me gruan dhe djalin. Kur gjermanët dhe kuislingët nxorrën çakmakun me e djegur, ajo nxorri pistoletën nga brezi. Ndërhyri Kadri Kallçishta dhe Selim Noka dhe u tërhoqën.
Ishte trime, bujare, sa e sertë, aq edhe e dashur .
Haxhi Lleshi, Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ dhe komandant i Batalionit Partizan të Dibrës në kujtimet e tij, shkruan dhe e vendos emrin e Nënë Rushes në krye të grave dibrane që ndihmuan lëvizjen antifashiste nacional çlirimtare.
Ja si shkruan Haxhi Lleshi në librin e tij me kujtime “Vite , njerëz , ngjarje” 1996, faqe 47:” Morëm me vehte Shefki Lleshin për të na shoqëruar dhe shkuam në fshatin Burim, te halla ime Rushja e djemtë e saj Kadri e Hysen Demiri. Ishte një familje me tradita të hershme atdhetare.... Demir Osmani , i ati i Kadriut kishte marrë pjesë në Lëvizjen e Marsit 1922. ...Hallë Rushja ishte një grua trimëreshë që nuk tutej nga asnjë rrezik. Ajo e kishte ndihmuar burrin sa qe gjallë, dhe djemtë në veprimtarinë e tyre atdhetare. Para se të largoheshim , Kadriu m’u lut ta merrja në çetë.
-Po ti në çetë je, i thashë. Më shumë punon për ne se sa për shtëpinë. Apo jo, moj hallë ? Ju drejtova së ëmës.
-Sa të ketë jetën, për vatanin le të ecë e të punojë. Shtëpinë ka kush e ruan, tha halla me zemër të hapur.
-Më duket se e harrove Myslym Pezën, ka do kohë që s’ke dalë andej. Ai buzëqeshi dhe m’u afrua, sikur ta dinte se unë e kisha bërë gati letrën për Myslymin. Ma rrëmbeu nga dora dhe e fshehu diku në xhepat e setrës. “
Edhe Xheladin Krifca një nga bashkëluftëtarët e Haxhi Lleshit shkruan se Kadriu, u vu në shërbim të luftës që nga vitit 1939. Kadriu që nga viti 1939 transportonte dhe shpërndante komunikatat antifashiste që shtypeshin në Gostivar, nga Dibra në Elbasan, komunikata, që më 28 nëntor 1939, u shpërndanë në të gjithë Shqipërinë. (Xh. Krifca, kujtime , 2005, faqe 67)
Për shpërndarjen e trakteve, Haxhi Lleshi në librin e tij me kujtime “Vite , njerëz , ngjarje” 1996, faqe 32 tregon: ”Traktet i shtypte Abedin Çiçi, që dinte të përdorte makinën e shkrimit. Një pjesë të trakteve i shpërndanim në qytetet dhe fshatrat për rreth, shumicën e fusnim në Shqipëri. Megjithëse kufiri ruhej qoftë nga jugosllavët, qoftë nga italianët , shokët tanë besnikë Nuz Majtara, Shefki Lleshi, Kadri Demiri, Sulë Muça e të tjerë ishin të pakapshëm. Për shpërndarjen e trakteve na pati ndihmuar edhe Xhevdet Doda që ishte vendosur përkohësisht në Elbasan.”
Kadriu priti dhe përcolli antifashistët që u larguan nga Tirana për në Ish Jugosllavi (Dibër e Madhe dhe në viset shqiptare në Maqedoni) si Myslym Peza, Abaz Kupi, Kajo Karafili etj. I përcillte dhe i shoqëronte për të kaluar kufirin nga Burimi për në Dibër të Madhe.
Shtëpia e Kadriut dhe e nënë Rushes qe gjithnjë e hapur për të gjithë partizanët e Çetës dhe të Batalionit të Dibrës. Në shtëpinë e tij u strehuan edhe gjeneralët italianë Acci dhe Piccini, komandant dhe Zv.komandant i Divizionit “Firence” pas kapitullimit në shtator 1943 dhe bashkimit me forcat partizane në udhëtimin nga Dibra e Madhe drejt Matit dhe Krujës. (Xh. Krifca, kujtime , 2005, faqe 67)

Shkrimtarin dhe drejtuesin partizan Haki Stërmilli si dhe patriotin Ismail Strazimiri, Kadri Demiri i shpëtoi nga arrestimi dhe i mbajti për një kohë të gjatë në shtëpinë e tij. Haki Stërmilli në ditarin e tij të luftës:”Shtigje të lirisë” shkruan: “Në shtëpinë e Kadri Demirit në Allajbegi erdhën 2 çeta partizane, ajo e Grykës së Madhe dhe ajo e Grykës së Vogël, të uritura e të lodhura. Në oborrin e shtëpisë u vunë menjëherë kazanat e u përgatit ushqim për më shumë se 80 burra, u lanë rrobat dhe një pjesë e partizanëve u pajisën me ndërresa të reja. Tërë lagjja u vu në dispozicion të partizanëve e që aty u nisën në detyrat luftarake.”
Bashkèfshatari i Kadriut, ish partizani i Batalionit tè Dibrès, Hazis Asllani, né librin e tij me kujtime “Né gjurmèt e batalionit partizan tè Dibrès”, Botimet Dudaj, 2004, faqe 50 shkruan:” Né katundin tim pèrveç Kadri Demirit, qè mbante lidhje direkte me Haxhi Lleshin se ishte nip i tij, kishim krijuar njè grup antifashist tè pèrbèrè prej meje, Tush Asllanit, Seit Asllanit, Abdulla Elmazit, Falè Dukès, Enver Salès, Munir Asllanit dhe Fadil Asllanit…”
Me 7 prill 1943, vazhdon kujtimet Hazis Asllani, (faqe89), nè 4 vjetorin e pushtimit fashist organizuam njè aksion pèr prerjen e shtyllave telefonike nga Maqellara né Sllatinè. I bèmè shtyllat copa copa me sopata e sharra.Nè aksion morèn pjesè pèrveç Xheladin Krifcès dhe Met Hajrullait, qè ishin organizatorèt Kadri Demiri, unè, Seit Asllani dhe Zenel Doda.
Kadriu ishte shumë trim, i guximshëm dhe i vendosur. Ishte njohës i mirë i terrenit, i zonës dhe kryente me zotësi detyrën e korrierit dhe ndërlidhësit të njësiteve partizane nga Dibra në Martanesh dhe deri në Pezë.
Luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e vendit. Mban Medaljen e Kujtimit dhe dy Medalje Trimërie.
Edhe pas çlirimit kreu detyra të rëndësishme në ushtri dhe në organet e Pushtetit vendor dhe kudo ku punoi u shqua për korektësi, ndershmëri e përkushtim ndaj atdheut. Vdiq në vitin 2003 në Tiranë.








Comments