Sakip Cami: Qamil Poda – guerilasi që u bë komandant i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 21, 2025
- 3 min read

Qamil Poda – guerilasi që u bë komandant i Flotës Luftarake Detare të Shqipërisë
(Monografi nga historiani ushtarak Dr. Kol. Asllan Zemani)
Nga Sakip Cami, studiues
Sapo ka dalë nga shtypi monografia kushtuar njërit prej ushtarakëve më jetëgjatë dhe më përfaqësues të Forcave Detare Shqiptare, Qamil Podës. Autori i librit, Dr. Kol. Asllan Zemani, historian ushtarak i njohur, autor dhe bashkautor i shumë veprave në fushën e historisë ushtarake, ka drejtuar për vite me radhë Arkivin Qendror të FARSh dhe Muzeun e FARSh. Edhe në këtë botim ai është mbështetur në burime të shumta arkivore, si nga Arkivi Qendror i Shtetit ashtu edhe nga Arkivi i Forcave të Armatosura.
Sipas reçensentit të librit, Prof. Ass. Dr. Bernard Zotaj, Qamil Poda përfaqëson një figurë unike për nga kohëzgjatja dhe rëndësia e shërbimit në Flotën dhe Ushtrinë Shqiptare. Nga kartela personale e oficerit mësojmë se ai shërbeu plot 20 vjet në Forcat Detare: nga viti 1961 deri më 1974 si shef shtabi dhe zëvendëskomandant, ndërsa nga viti 1974 deri më 1982 si komandant i Flotës Luftarake Detare (FLD). Ai drejtoi FUD-në në periudhën e pajisjes dhe modernizimit të saj, duke qenë njëkohësisht komandant baze detare, brigade dhe shtabi.
Qamil Poda mori gradën e nënkolonelit në mënyrë të menjëhershme për merita të veçanta dhe vendimi për heqjen e gradave e gjeti kolonel. Si komandant force, atij i takonte grada e nënadmiralit apo e gjeneralit me dy yje. Ish-Presidenti i Republikës dhe bashkëkohësi i tij, Alfred Moisiu, shkruan në parathënien e librit se Qamil Poda ishte një protagonist i vërtetë i ecjes përpara të Forcave Detare, një institucioni që Shqipërisë i kishte munguar për dekada.
Qamil Poda lindi më 22 nëntor 1925 dhe ishte pasardhës i prijësit atdhetar Zylyftar Poda. I rritur në një mjedis thellësisht patriotik, ai kreu shkollën e mesme në Tiranë dhe paralelisht u angazhua si guerilas partizan, për të kaluar më pas në Brigadën III Sulmuese. Studimet për artileri i kreu në ish-BRSS gjatë viteve 1946–1949. Më vonë shërbeu si komandant i R3A të RKP-së në Elbasan dhe, nga mesi i viteve ’50, u rikthye sërish për studime në Bashkimin Sovjetik, këtë herë në fushën e flotës detare.

Një kapitull më vete i librit i kushtohet jetës familjare. Bashkëshortja e tij, Afërdita Poda (Fuga), bijë e familjes atdhetare Fuga – familja që hapi dyert e shtëpisë për Kongresin e Lushnjës – luajti një rol thelbësor në edukimin e katër fëmijëve të tyre. Sot, pasardhësit e Qamil Podës mbajnë detyra dhe kontribute të rëndësishme në jetën publike, diplomatike dhe institucionale të vendit.
Autori i këtyre rreshtave nuk e ka pasur fatin ta ketë komandant Qamil Podën, por dëshmitë e ushtarakëve që kanë punuar me të flasin me respekt dhe mirënjohje. Libri shfaqet si një bashkëudhëtim me komandantin në vitet e sakrificave për mbrojtjen e atdheut dhe njëkohësisht si një homazh për veteranët e LANÇ-it dhe të Ushtrisë, veçanërisht të Forcave Detare.
Në hyrje të librit, Dr. Kol. Asllan Zemani shkruan: “Lavdia më e madhe që u transmetohet brezave është lavdia e heshtur e gjithë plejadës së oficerëve… Koha i ndryshon njerëzit, por jo imazhin e tyre.” Kjo monografi shkon përtej portretizimit përkujtimor tradicional dhe ndërton një analizë të qëndrueshme mbi dokumente arkivore dhe burime primare. Ajo ruan një ekuilibër të kujdesshëm mes tekstit, fotografive, jetëshkrimit dhe vlerësimeve, duke e vendosur figurën e Qamil Podës në një kornizë reale historike, larg mitizimeve formale.
Me konsulencën e ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FARSh, ambasador gjeneral Dr. Pëllumb Qazimi, ky botim mbetet një vepër e nevojshme dhe me vlera të veçanta, që pasuron ndjeshëm fondin e literaturës së historisë ushtarake shqiptare.
(Redaktoi dhe formuloi: Fjala e Lirë)









Comments