top of page

Sakip  CAMI: Nëpërmjet poemës rapsodike «Valët e Drinit të Zi » të Hazis Ndreut


HISTORI DHE  LETËRSI

 

Beteja e famshme  e Kolesjanit, dhjetor 1912   nëpërmjet poemës rapsodike «Valët e Drinit të Z » të Hazis Ndreut

 

Nga  Sakip  CAMI

 

“Ky krajl Petri po mban zi/ Unë në Lumë s’po muj me hi/ m’prenë asqerin dymbdhetmij’”....

 (Hazis Ndreu, “Valët e Drinit të Zi” faqe 46, Viti 1966

Poema rapsodike“Valët e Drinit të Zi” është një poemë historike me mbi 1200 vargje të gjata 12 rrokëshe ku për habinë e ndokujt, autori Hazis Ndreu e mbante mend përmendsh  gjithë poemën dhe e recitonte  në koncerte e veprimtari të ndryshme. Unë jam rritur me poemat e tij rapsodike, historike, shoqërore e humoristike dhe i kam mbajtur mend shumë gjatë.

Poema përshkruan kohën e luftimeve, vendet, pjesëmarrësit, prijësit, tërë teatrin e luftës, pra pothuajse është edhe një ditar lufte poetik.

 Autori Hazis Ndreu, Artist e Merituar, Nderi i Kombit, bir i Dardhës së Dibrës, i ka intervistuar  vetë  pjesëmarrësit e gjallë të kësaj lufte, ndaj poema të fut direkt në betejë, të bën edhe ty si lexues pjesëmarrës.

Ja si fillon poema:

Drini i Zi ecën me shkulma valë valë,

Tue u pëplasun nëpër kepa ballë për ballë

Herë në shtrat e herë prej shtratit, ai, tue dalë.

.......

Në nandqind e dymbëdhjetën në dhjetor,

Mbuloi dimni fushë e male, shi e borë.

(Koha e fillimit të luftës)

Në qendër të poemës është Uke Shkambi, që personifikon luftëtarin popullor, i fortë si ujk, (uk) dhe tokësor  si shkambi.  Personazhet e tjerë janë të gjithë realë, emër për emër si luftëtarët dibranë e lumjanë ashtu edhe komandantët serbë.

Ramadan Zaskoci, udhëheqës  i betejës së Lumës

 Ndërsa në Vlorë shpallej pavarësia, në Lumë dhe në Dibër bëhej luftë kundër serbit dhe në Shkodër bëhej luftë kundër malazezëve.

Lajmi se Ismail Qemali  dhe delegatët shqiptarë e shpallën Shqipërinë të mosvarme  e më vete u përhap si vetëtimë.

...Serbët e kishin marrë informacionin se në Vlorë shqiptarët do të shpallnin pavarësinë dhe nuk mund të pajtoheshin me pavarësinë dhe kufijtë e Shqipërisë. Ata donin të arrinin në Durrës përpara se të arrinte Ismail Qemali, që ta pengonin atë. Donin që të argumentonin para fuqive të mëdha se po luftojnë kundër Perandorisë Osmane dhe jo kundër Shqipërisë, se Shqipëria nuk egziston. Serbët sulmuan në të njëjtën  kohë me Dibrën  edhe  krahinën e Lumës.  Për tre ditë e tre netë  me  rradhë, lumjanë e dibranë, nga Reçi, Dardha, Çidhna , Sllova e Lura  nën drejtimin e Elez Isufit e të Isuf Xhelilit  dhe lumjanët  e drejtuar nga Islam Spahia, Ramadan Zaskoci e Ramadan Çejku, nga 15 nëntori, deri 18  nëntor 1912, me trupat e tyre, u bënë barikadë  nga qafa e Kolesjanit deri në portat e Prizrenit ndaj  një regjimenti  e dy batalioneve serbe, në 35 km gjatësi luftimi.

Harta e veprimeve luftarake në betejën e Lumës , nëntor 1912

Forcat e Lumës, Dibrës dhe Kosovës shkonin deri në katër mijë vetë, forca që e detyruan ushtrinë serbe,  të nisej e përgjysmuar nga Prizreni në drejtim të Lezhës e të Adriatikut. Ushtria turke e kapitulluar  ishte përqëndruar vetëm në kalatë e Shkodrës dhe të Janinës.

Lumjanët kërkuan armë  te administrata turke në Prizren, por administrata turke  nuk pranoi të hapte depot dhe të furnizonte me armë lumjanët të komanduar nga  prijësi i tyre   Ramadan Zaskoci.

Islam Spahija, udhëheqës shpirtëror dhe ushtarak i Lumës

Ja si e paraqit autori Ndreu kushtrimin e malsorëve;

Më mëngjes kur zbardhi drita, bumblloi lodra

Ushttoi zani, krisi pushka nëpër kodra....

Ky kushtrim i përshkojti vrimë e skutë

N’tana skajet kund nuk mbeti për pa u futë.....

Kndon manzeri i Suf Xhelilit n’Lisivalle

Peshe tue cue  gjith’ krahinën mal e zalle...

Hajdi burra, Rec e Dardhë si e kem’ zakonin

Ujë e mizë t’ja zamë serbit Kolesjanin ...

Rec e Dardhë mr malsi të Lumës jan’ bashkue

Bajn’ kuvend e lidhin besë si me qëndrue...

Hajdni burra, pra ju thirri baba Lami[1]

Filloi terri, sa ka zanë me ra akshami

N’tana cukat zini vend ke istikami....

Luftimet filluan të ashpra më 15 nëntor  kundër forcave  serbe në qafën e Kolesjanit. Ndërkohë lumjanët futën në grackën e patkoit forcat sulmuese  të një batalioni serb  nga Gryka e Shkallës së Keqe, Kolesjan, Gabrricë e Bushat.

Elez Isufi kish dërguar në Qafë të Kolosjanit mbi 400 forca të shoqëruara edhe me dy topa të vegjël dhe, me 19 nëntor 1912, gjëmimi i topave dhe thirrjet “besa-besë”, realizuan fitoren e madhe mbi ushtrinë serbe, së cilës i mbetën në fushën e betejës një regjiment ushtarësh të vrarë.

Flamuri i fitores me shqiponjën dykrenare u valëvit në fushën e betejës, në ditën që u shpall pavarësia në Vlorë.

Në këto luftime të përgjakshme, pranë Halil Selmanit të larë në gjak ranë në fushën e luftimit  edhe çidhnakët Beqir Dan Bushi, Dan Beshir Sala, Osman Liman Kariçi dhe Rushit Miftar Përseku ndërsa luftuan si të çartun  çidhnakët Destan Tota, Ferit Dauti, Halim Xhika, Sahit Xhika, Bajram Xhika, Selam Daci, Selman Xhika, Avdi Xhika, Elez Shehu, Sali Shehu etj.

Autori Hazis Ndreu përshkuan edhe veprimet taktike, edhe udhëzimet e komandantit në luftime  për krahmarrje e shpinëmarrje

“Lini t’hecin sa tu hullen n’gryk’  t’martinës

At’here  me sa t’mundeni bjeruni qafës edhe shpinës

Kur t’hyjn’  mbrenda rrethimit për rrëpinë

Kamber Musa ka me u ramun mbrapa shpine ...

Ndreu me vargje të gjetura e të bukura paraqet edhe  motin edhe gjendjen e luftëtarëve që rrinë me pushkë për syri në instikame:

Zbardhi  drita, dit’ pa diell, po burg i zi

Retë përplasen n’njena tjetrën me stuhi

Kokrra  breshni  ngjesh me akull  bien me shi

Burrat  rrinë  pushk’ për syu n’istikame

Zbath e vdeshë pa jakuce e koperane....

Elez Isufi n’mes malsorve po bërtet

Zani i tij, po, edhe tokës, i jep gajret...

Dan Zaskoci kodrës  Bicajt  shkon në kambë

Pushkën n’dorë, xixa të kuqe qet me dhambë:

Biniu  burra, sikur turqve në Këshlla !

Më tej autori përshkruan veprimet luftarake dhe trimërinë e luftëtarëve:

Xhafer Doda kah Rrapnica me gjithë Rec

Si stuhia n’maje të malit , mbi ta reshë

I ka shkulur prej llogoresh në Gjabricë

Tue i shtimun rrugës qore në në nji ngushticë...

Tabe n’tabe me lusnjanë Ramadan Cejku

Katër tabe mbrenda sahatit krejt i fiku...

N’krye të bugasë , që zen fillin ke Gestili

Vikamë  t’madhe u lshoi malsorve Suf Xhelili...

Baki Maliqi e Jakup Tota, Selman Lusha e Shaban Coka

Dan Koldashi e Hajzar Gjoka, Rrem Brahimi e Isuf Coka

Ke dy buga mes zabelit, n’nji kodrinë

Tetë malsorët janë afruemun shpin’ për shpinë.

Të tetë malsorët  sikur burrat e zamanit

N’kamb qëndruan deri në fishekun n’fund të kollanit ..

Për nën Shtiqen Hysen Daci me nahie

S’po  ja ndalin: pre në zabel e qit në korie ...

Ja si e përshkruan autori tërheqjen e armikut:

Mark Dushani ka marrë hov në pikë të vrapit

Mjekra e zezë tu ju dridhë si mjekër e sqapit

Ka humb’ shtabin , krejt i mbetën oficerat

Kuajt e shalës kanë thy qafën me gjithë kerrat...

Prej dymbdhjetmij’ nja nji mij’ po duen me thanë

Hodhën lumin dhe po qëndrojn’ me shpirt në dhambë

Dita e fitores përshkruhet në mënyrë të tillë:

Kaloi nata, zbardhi drita, ndriti vendi

Ndriti Rruna me Gjallicë, edhe Shkëlzeni...

Elez Isufi me gjith’ krenë të vegjëlisë

Janë drejtue dhe kan’  dalë në mes të kojrisë

Dan Zaskoci në të djathtë i rrin Elezit

Dy kollana, nji për qafe e nji për brezit

Përmbas tij vjen Xhafer Doda shpatullgjani

Kah vloi pushka, besa vetë i pari rrani

Ram Ciku trup të lehtë si skifteri

N’jetë të vet  kurrë  bosh s’i shnoi mauzeri

Përmbas tyne Senë Daci e Suf Xhelili

Mustakkuqi  bash si gjethe trandafili

Me kta krenë sot nuk asht Islam Spahia

Brinj’ në brinj’ plagë të thellë i dha Serbia....

S’do të harrohen Hazis Xhaferi e Dali Lami

Hasan Rama, Xhafer Sula e Fal Kasami

S’do të harrohen Kamber Musa e Sul Salia

Mbushën Shejet nji sahat me postaqija ...

Dhe në mbyllje të poemës vjen paralajmërimi:

...Mbaje cakun ku e ke/

Tjetër herë mos u kap me ne:/

Po t’lakmojn  me na marrë tokën, /

 Në Shqipni do tua bajmë gropën.


Elez Isufi, komandant i forcave dibrane

Pas tërheqjes së forcave të mbetura serbe përtej Bicajve,  drejt Kullës së Lumës, kontigjenti i dibranëve nën udhëheqjen e Elez Isufit  u shkëputën nga beteja dhe u drejtuan nga Dibra e Poshtme. Elez Isufit i erdhi njoftimi se ushtria serbe po sulmonte Dibrën nga ana e lindjes. Forcat e Elez Isufit që e kishin kryer detyrën më së miri në mbrojtje të vëllezërve të tyre lumjanë, tani ishin të detyruar të marshonin në drejtim të Dibrës së Madhe në mbrojtje të vëllezërve të qytetit të Dibrës.

Lumjanët i ndoqën serbët edhe  në Kullën e Lumës, ku forcat e mbetura u rrethuan nga lumjanët   dhe u dëmtuan rendë. Edhe një batalion që u nis t’u vinte në ndihmë, nuk çau dot, veç të nesërmen.  Karrot e kuajt  e ushtrisë serbe ishin  shkatërruar e asgjësuar dhe ushtarët e dy kompanive  të shpëtuara, duke mbajtur armët e renda dhe municionin mbi shpinë, mezi u grumbulluan me 17 nëntor natën afër Vermicës dhe  vonë natën u tërhoqën në  Zhur.



Në Betejën e Lumës  kanë rënë dëshmorë më shumë se 200 luftëtarë, lumjanë dhe dibranë dhe janë plagosur  edhe shumë  të tjerë.


[1] Islam  Spahija

32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page