top of page

Sadik Përvetica: Rendi i ditës: "RRAH PORTI PESËVJEÇAR"

  • May 7
  • 3 min read

Mbledhja e asaj dite kishte një rëndësi shumë të madhe.

Mu për këtë, ajo kishte zgjuar aq shumë interesimin e njerëzve, të cilët kishin mbushur sallën plot.

Kryetari i Rrethit të Rrathëve të Rrahur Rrëmisht qysh më parë (ju e dini që punët e rëndësishme, gjithmonë rregullohen tjetërkund, para se të shkohet në mbledhje) Djali i Ndrikullës së Hardahushit, zoti Adalet Brifshehti, pasi rregulloi kravatën vertikale (sipër saj kishte vënë solemnisht edhe një kravatë të kuqe flutur) shtyu karrigen prapa për ta nxjerrë barkun e madh nga nëntavolina dhe u ngre ngadalë e me mundim në këmbë.

Në sallë ra heshtja. Njerëzit po pritnin me padurim fjalën e tij.

Barkaqok Adaleti nxori një letër të zhubravitur në xhepa dhe filloi të lexonte një nga një, të gjitha pikët e rendit të ditës, duke kërkuar menjëherë miratimin e njerëzve për secilën prej tyre. 

Kur erdhi në pikën tridhjetë nëntë, u ndal dhe mori frymë pak. Fshiu djersët me një mindil të qëndisur skajeve, nga  kushedikush) dhe tha: “Ndoshta edhe ju u lodhët pak, por unë kam me shti edhe diçka këtu, përfundi kësaj pike, megjithëse nuk po di a me shti, a mos me shti…E kam fjalën, pikërisht, për raportin pesëvjeçar të punës sonë – padyshim shumë të suksesshme dhe shumë të dobishme e të rëndësishme, për kombin, kuptohet. Ndaj tani unë po ju pyes juve: A me shti, a mos me shti këtu diku?”- ngrehu kokën dhe pyeti edhe me shikim (dhe me njëfarë krenarie të veçantë) të gjithë të pranishmit!

“Shtine, shtine! Qysh mos me e shti! -i ndenji gati, si gjithnjë, Nastradini, kushëriri i parë dhe krahu i djathtë i tij.

“Jo, bre, mos e shtin, pashë Zotin, se u bo tepër -ia priti dikush nga mesi i sallës, pa ditur për sherrin e tyre.

“Paj, mos baftë me e shti këtu, atëherë shtine tjetërkund -u dëgjua edhe fjala e të tretit, siç dëgjojmë nganjëherë fishkëllimën e ndonjë fisheku qorr...!

“O, shtine ku t’mundesh, pashë Zotin, veç shpejt, se na zuri nata! -ndërhyri edhe një tjetër.

“Mirë, pra, por… A ka edhe dikush me shtue a me shti edhe diçka dikund deri këtu ku arritëm?” -pyeti kryetari i Rrethit të Rrathëve të Rrahur Rrëmisht qysh më parë.

“Paj…, edhe unë pata me shti diçka dikund, por nuk po di qysh me ia bo e ku me shti” -foli edhe njëri nga një kënd i errët i Sallës së Madhe.

“Paj, të gjithë kemi nga diçka me shti dikund, bre vëlla, por…le pashë zotin! Gjithë këto pika të rendit të punës, e puna jonë kurrkund!” -shfryu njëri mu pranë tavolinës së kryesuesit.

“Valla, pata me folë edhe unë diçka, por s’po di a me folë, a mos me folë” -foli një plak, atje kah dritarja, mbështetur me duart në krryle.

“Fol, axhë, fol. Veç shpejt” -e nxiti kryesuesi, Adalet Brifshehuri.

“Po më jepni leje, a? Ani. Po ia nisi, pra...Veç mos me më thanë masanej: pse fole” -lëshoi shikimin pyetës përreth plaku me krryle.

“Veç shpejt, veç shpejt!” - e nxiti prapë dikush nga salla.

“Epo, bre mixhë, nuk po mund durohem pa folë, veç tue punue kështu si sod dhe tue thanë -për punë kaq të ransishme, si këto të sodit: “Veç shpejt, veç shpejt” dhe “shtine ku t’munesh!” -tash i kemi punët kështu siç i kemi! Edhe diçka: Kyfarë Rrah Porti juaj Pesëvjeçar që po e përmendni ju, a duhet t’i përfshijë tana punët që asht dashtë të kryhen për pesë vjet, apo…?!-pyeti plaku me krryle.

“Duhet, axhë, duhet. Vetëm vazhdo ti” -e nxiti prapë dikush të fliste plakun me krryle.

“ E qysh bahet, bre mixhë, për gjithë këto punë kaq të ransishme, sod ju po nguteni kaq shumë dhe po thoni: “Veç shpejt, veç shpejt” dhe: “Shtine ku t’mundesh?!” -shprehu habinë e vet plaku me krryle.

Në Sallën e Madhe të mbledhjeve, në ato çaste disa filluan ta mbanin barkun nga të qeshurat, disa të tjerë t’i fshinin lotët, kurse të tretët, komentonin diç me nervozë dhe, mbase, miratonin me kokë dhe u jepnin të drejtë vërejtjeve që i bëri plaku me krryle.

Dielli filloi të fshihej ngadalë prapa Kodrës Pas Bregut, ndërsa “aktivistët” e Rrethit të Rrathëve të Rrahur Rrëmisht qysh më parë, ende po bisedonin për rendin e punës së ditës… !

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page