Migel Flor: OAZI I KTHJEDHET I POEZISË

MARISSA ASHIKU - OAZI I KTHJEDHET I POEZISË
I lexoj vargjet e Marissës dhe mendoj se ndonjëherë, edhe pse mbytjet e miqve na pengojnë të shohim gjithçka, kjo nuk është justifikim për të mos kërkuar vetë atë që vërtet është e bukur dhe cilësore...
Disa krijues në fakt duhet t’i kërkosh edhe atëherë kur nuk të dalin përpara. Sepse talenti i vërtetë nuk bërtet gjithmonë... shpesh rri i qetë, si një lule që çel në një cep të fshehur të kopshtit.
Kështu e gjeta edhe Marissën time sot....
Ajo është racionale në varg, por e thellë në ndjenjë. Me vetëm tre vargje mund të nxjerrë në dritë kuptimin e një poezie të tërë. Pak fjalë, shumë kuptim... Një pikë ujë që të lë në shpirt gjithë shijen e shiut.Vërtet sot i nxorri dhëmbët vjeshta...dhe unë u ndala tek faqja e saj të gjeja një vjeshtë që buzëqeshte edhe pse lotonte..
U mjaftova të ndalem te këto katër grimca poetike që ajo ka sjellë në një status.
“Ndjenjë”
Mos qaj, flutur.
Hëna e ftohtë
s’t’i djeg flatrat.
Flutura është brishtësia, shpirti që kërkon dritën, por edhe njeriu që trembet nga e ftohta e botës. Hëna është e largët, e ftohtë, e paarritshme, por drita e saj nuk arrin ta djegë fluturën. Është një ngushëllim ...mos ki frikë nga ftohtësia e natës, sepse shpirti yt ende ka flatra.
“Pritja”
Një pjatë mbi tavolinë.
Ushqimi ftohet,
zemra jo...
Këtu Marissa bën diçka shumë të bukur...e merr një pamje të zakonshme dhe e kthen në metaforë të asaj që mungon...
Pjata është aty. Tavolina është aty. Ushqimi pret dhe ftohet. Por ajo që nuk ftohet është zemra.
Pritje që nuk matet me temperaturën e ushqimit, por me temperaturën e dashurisë. Mund të ftohet gjithçka mbi tavolinë, përveç shpirtit...
“Prehje”
Zë gjinkalle.
Heshtja e thellë
ngërthehet në fushë...
Heshtja bëhet një trup.

Zëri i gjinkallës, në vend që ta prishë , e bën atë edhe më të dukshme. Varg shumë i bukur, një tingull i vogël që na bën të dëgjojmë pafundësinë.
Fusha nuk është vetëm peizazh. Bëhet një hapësirë ku heshtja ka zënë rrënjë.
Dhe fjala “ngërthehet” e bën heshtjen fizike, sikur ajo të ketë duar të shtrëngojë tokën dhe ta mbajë në gjoks.
“Drita”
Nuse e stolisur
në syrin e kohës,
pagjumë ditë-natë.
Më metafizikja nga të katërta.
Dritë që vishet nuse. Kohë që bëhet shikim.. Nuse që qëndron zgjuar brenda këtij syri, ditë e natë.
Katër tituj: Ndjenjë, Pritja, Prehje, Drita.
Katër gjendje gruaje..
Marissa nuk ka nevojë t’i shpjegojë. thjesht i lë të flasin përmes figurës, heshtjes dhe një fjale të situr mirë.
Kjo është arsyeja pse e quaj poezinë e saj të përmbledhur, por jo të varfër.
Përkundrazi....Është si një farë e vogël që, sapo bie në mendjen e lexuesit fillon të lëshojë rrënjë.
Është më shumë se një grua e talentuar.
Është një qenie njerëzore e bukur, me një buzëqeshje që të magjeps dhe me një ngrohtësi që nuk mbetet vetëm në fytyrë. Pasqyra e shpirtit janë sytë. Dhe në sytë e Marissës duket ajo dritë që nuk mund të mësohet në asnjë shkollë arti.
Ajo është Marissa jonë.
“Jonë” sepse e gjen kohën të tregojë respekt, dashuri dhe mirësi në shumë mënyra. Sepse di të jetë pranë njerëzve edhe përtej vargut.
Personalisht jam e mendimit se: Para se të jesh poet, shkrimtar apo artist, duhet të jesh njeri.
Ndryshe, ku do ta gjejë vargu yt gjithë atë forcë dhe ngrohtësi që i duhet për të mbijetuar?
Lexoj çdo ditë vargje të akullta. Dhe shpesh, kur ndalem te artiste si Marissa, më shkrin bora e kohës. Më laget qerpiku nga mallëngjimi, por edhe nga një shpresë e vogël se në këtë brez që shpesh na duket i lodhur nga zhurma, ka ende poetë e artistë të vërtetë.
Oazet e Saharave poetike, që po mbulohen nga pluhuri i vargjeve pa shpirt, ndonjëherë lagen nga burime të tilla dhe shuajnë etjen.
Poezia e Marissës është një prej tyre.
Kam një të përbashkët me të: jemi të dyja mërgimtare.
Ndoshta koha, largësia, ajri i vendeve të huaja dhe klima e mallit na kanë mësuar të ndiejmë ndryshe. Ndoshta malli i Marissës është i veçantë pikërisht sepse e veçantë është edhe poezia e saj.
Ajo nuk e bërtet mallin.
E lë të pikojë.
Si vesë mbi një lule nate.
Si dritë hëne mbi një dritare të largët.
Kur shkruaj për miq e mikesha krijuese, për artistë që i ndiej të vërtetë, gjithmonë kam dëshirë që një ditë të jem ulur me ta në një tavolinë, të pi një kafe, të shijoj nga afër buzëqeshjen e tyre, urtësinë, mençurinë dhe atë pjesë të shpirtit që nuk mund të futet në asnjë libër.
Vargu është vetëm një drejtim..
Njeriu është destinacioni.
Mirë apo keq, jemi shumë që shkruajmë. Por shumë pak i ngjajnë Marissës dhe shumë pak u ngjajnë vargjeve të saj.
Poezia është art.
Është mesazh.
Është mall.
Është bashkim.
Dhe Marissa di t’i përcjellë të gjitha këto me një thjeshtësi që nuk ka nevojë për zbukurime..
Ajo është një lule e çelur larg vendlindjes, por me rrënjët ende në tokën e saj.
Një buzëqeshje qiellore mbi një poezi të realizuar bukur...
Një oaz i vogël në Saharanë e madhe të fjalëve.
Lexojeni Marissa Ashikun.
Art nuk është vetëm fjala.
Art është Njeriu!








Comments