top of page

Ruzhdi Gole: TOKË FLUTURIMI

3 hours ago
2 min read

   ( cikël poetik)

*

Detin lë pas

poshtë kodrat

qiellin lexoj në ajër,

shoh krahun e avionit

degëz' drithërimi ndoshta

valë dhe gjeth' nga krahët.

Jashta,

në të ftohtë 

mes hojeve të ajrit

krahët e avionit s'i ndjehen,

zjarrmive buzë puth mes reve?

Mirëfilli së thelli,

këtu, dikund tjetër 

më valëzojnë krahët.

Poetin lexoj në ajër.

*

Se si më duken, 

njëherë ato nuk mugen

veç të bukura, të hajthme,

qeshin plot hir, xixa buzëve

herë ikona, herë afër përqafje.

Gjatë s'i vështroj dot

njerëzit ngahera nguten

hipin shkallët 

pas lënë aeroport,

ah, t'isha bileta e fundit

e fluturimit 

për tutje

me një nga ikonat

fshehtas

përqafje në gjoks.

*

Në Erlangen shëtis me pemët...

Ato më rrinë përkrah 

në të gjitha çastet

prej tyre

gjethojnë bletë.

Hoje të gjelbërta

dita dhe nata,

të gjitha 

çastet 

bletë të paqme në Erlangen.

*

Pyll ndin 

se po puthet 

nga buzë dimri,

i kthjellët syri i ujrave

më i freskët gjaku alpin,

çdo rrekje shkund 

hapat e fundmë hirin,

të kraharojmë ... më pa u thinj.

Hirnon horizonti

merr frymë me hope

mbrëmja pyllit ia rrëzëllin kryqet,

në Nuremberg jetoj sonte 

dhe miliona hapa larg  

rrethrrotull atje

me mortjen

mes grushteve...

*

Më pak se të tjerët e ndiej atdheun

dheun e tretur të Atit Kastriot,

Përkrenarja ime është thyer

edhe dehur nga triumfet 

tona kalorsiake atbotë.

Vetëm një Skënderbe 

trokon përkrah meje, 

më sheh mua

me hijen shegë të krisur,

gjaku që pikon 

s'është më dehje

por bir i arratisur...

*

Pa pandehur

jo aq pa pandehur 

por si kujtesë në Nuremberg 

më shfaqet një nga fantazmat 

më rrëngjethëse të planetit,

Njerëzimi kujtohet për eshtrat 

që ia thyen në terr 

dhe ende 

kurrkund s'i gjen

ende sot

në epokën e vranët

të ofshamave me helm...

më duket sikur edhe sot 

plasariten statujat

vet kontinenti.

Në Nuremberg,

një brengë m'afrohet

më shumë se një jetë.

 

Jo pa pandehur, por kujtesë...

*

Shputat e mugut, të tjera hapa

drobitur ca nga plasat e jugut

ndez' nga fluturat, flakëzat.

Duke jetuar veriun 

kreshtëza, shpella

shputat e mugut 

dredhojnë dinake,

borën e lume lënë 

tek kufiri i turbullt 

vet fshihen diku 

gjurmë pa naze.

*

Acari gjerman sonte rri këmbëkryq...

Bota kërkon gjithandej shandanë

jo bota e madhe por ajo e vogëla

që nis nga hapi i mbramë 

për të shkuar në hënë 

jo në hënën veç mall

por rënë pellgjeve 

përmbys.

Acari gjerman

askund fshehur, askund përzënë

sonte rri këmbëkryq plot shandanë.

 

*

Këtu, 

në Nuremberg

mëngjesi mbi fshatra

harliset frymëshenjtë.

Po atje tek vendi im ?

 

Mëngjesi ushqen 

nga pak fshatarakët,

fusha ofshan 

nga therrja në shpinë

pi ujëra e baltëra

përtyp

bukëpakët.

Mbjellja atje ofshan gjatë 

cekët e thellë, 

dy kallëza 

ah, sa pak  

për kurorë pastë 

nga korrjet e ardhshme,

tash për tash 

mëngjesi 

ushqehet 

nga frutet 

e pemës erë

fshatarakët e mi 

me kothere perëndimi 

ushqehen afër ndajnate.

*

Shoh jashta...

Terri zë vend nëpër eter

mbi peisazhe të larmë, 

m'afrohen degë zogj 

pa u ndjerë

zbresin nga qielli ngjiten lart.

Sot, të gjitha të fshehtat

më shumë i fsheh bota

kur fluturojmë ngahera

me krahë duralumini,

terri

jashta përjashta

nder teshat e zeza

për çaste të ngrohta

zë vend

ndonjë lugine

shpejt nuk ka fat zgjimi...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page