Ruzhdi Gole: SKICA POETIKE
- 2 hours ago
- 2 min read

SKICA POETIKE
*
Përhera mbi det ...
shoh
perëndimin
asnjëherë retë.
*
Nuk jetova fëmini currilash
as kodër me far
mbi kokë,
Harta ime është Shushica
vetëtima e jugut
me parzmore
hejesh
gjoks.
*
Sythet e reve
mbijnë këtu
tjetërkund,
jetoj
më mirë
me retë
se me rreshkjen
pluhurin e zymtë.
*
Deti jeton etjen e vet...
Herët e pashë
e njoha
ai ecën para meje
se bota
më ngadalë e më shpejt.
Asnjëherë s'e pashë
të më mbulonte krejt..
*
Jugu plot rreze, rreze plot rrezm,
Jugu gazmohet, hov përpjekjet
diku na mban
diku na lë
heshtje
të zezë.
E zezë heshtja ?
O ç'fat shkruar, o ç'fatbardh...
Njeriu hesht kur eshtrat
i kërcasin plot zëra
tinguj e fletëza
dallgë të reja
jo për varr.
*
Qetë - qetë fle, trazuar
përmbys, në brinjë,
0, mos lëndofsha
as afshin tënd
nga shtati yt
afër detit
lëndinë.
Pa u ndi përgjum' shpejt veten
humba rrezesh, sythe resh,
ti bie mbi mua
jo anës
thellë deteve
plot dallgë
lëndina haresh.
*
Gishtat luajnë në pianon e detit
me valë më të kaltra
hutime shpendi.
Hare, pakogjë.
Deti sheh veten aty ku e bredhim
me këmbë me krahë
edhe me zë.
*
Rrokulliset një degë
vetull këputur,
kryet
po lart
sytë nuk shohin turbullt.
Më mbështjell
një gjeth
flutur.
*
Pjergulla e mbrëmjes
në Currila
shpejt
rrethohet
nga një tis i ëndërrt,
Të dashuruarit
pjergullojnë
fshehtas
jo
fshehtas
veç zemër.
*
Kufiri këtu
matanë kufiri,
viti grafullon
tjetër gjuhë
të njëjtin hi trazon dimri..
*
Retë
gjer
në thua
shkundin gishtat,
Nga retë
shirat lulëzojnë
currilat freskojnë
nuk i përmbytin currilat.
*
Deti
i sheh të gjitha,
gjithçka nën ujëra xhvesh,
Deti nuk skuqet,
skuqet gjer tek thinjat
e njeriut që duket sikur mbyll sytë
sikur i ka harruar hutimet aq shpresë.
*
Flu-bardh' unë quaj çdo pulëbardhë
përhera lart në mes të fluturimit
dhe nëse do plagosej krahëve
Ajo
do përpiqej të ndihej e gjallë
do kërkonte jo ecjen
por të përpjetave
ngadhnjimin.








Comments