Ruzhdi Gole: PANDEHMË FTOHME.
- 20 hours ago
- 4 min read

(poe-prozë)
Ftohma e beftë sikur vërshoj nga shpellat përqark ngrehinës. Menjëherë nga çatitë po binin cikma. Ato përziheshin me njera-tjetrën, treteshin tek balta që rrëshqiste përreth. Gjithçka nxitonte para syve të mi jashta nga dritarja e shkallëve.
Mos harro peshkun - dëgjova zërin e gruas, teksa kisha dal nga guva e shtëpisë.
Jashta, pashë disa frymorë te trembur nga kjo e beftë që dukej sikur po ngrinte krye ndaj frymorëve të tjerë, që ishin xhveshur më shpejt. Dikush duke ecur lehtas me trupin e tij të rregjur e dikush me frymën e njomësht të tij. Sa ia behu cikma të tjerë frymorë u gëzuan dhe nisën të xhvisheshin edhe më nga teshat e tyre duke vrapuar në bregun e detit. Ajri, gjithandej plot gulçe, vetëm tek bregu mbushte mushkëritë e veta. Pandehma këqyrte gjithçka, numëronte Vijat e Bardha, mbikalimet, shkundtte herë pas here rrasat e saj. Siç po dukej, simboli i rëndomtë i çdo dite të shkuar pak nga pak ndoshta dhe njëherazi do të daravitej sëbashku sot me tablotë, penelatat, kolltukët, kremrat, prezervativat e... f'tyrës, stërvitjet e ligjërimit.
Ku ka peshk sot, moj grua - i thashë vetes. - Mbrëmë, pas atij qameti, askush nuk është nisur për lundrim.
Gjithandej, përmes ngrehinës sa të zymtë e lozonjare, shihja e dëgjoja që Fjala mbante përkrah fjalën. Një për të gjithë, besuar të gjithëve, tani siç ndjehej e po dukej, nuk i besohej më askujt...
Në një parafytyrim të vetetimtë para meje tundeshin e shkundeshin rrjeta peshkimi, fenerë gjysma sysh, lëmyshqe e ndonjë peshk i tymosur nën yje.
Ç'yje?-qesha me veten. - Eshtë mëngjes.
Ngrehina jetonte mikpritje. Shpesh mikpritjet e besimet fetare e detare, jo aq detare-fetare tek ajo; n'përkëmbeshin qysh në lutjen e parë, qysh në lundrimin e parë. Kërcinj e trung, shkelje kurore, mbytje direku, rrahje, gjakderdhje. Gjithë kjo rrëmujënajë, o Zot! Atëhere gjithçka gulçojnë keqas, gjithandej qante ngashërimi.
Syve të mi a para syve të mi kërcente një peshk. Vetëm një? Halat e tij shpërndaheshin, hynin në flegrat e ajrit.
-Do të ta sjell peshkun, o grua... Në mos peshkun do të të sjell një guackë.
Ecja përkrah Pandehmës. Asaj s'i bëhej vonë se e shihnin a nuk e shihnin frymorët e tjerë, ata që nuk i afroheshin ose që pëshpërisnin n'për dhëmbë ndonjë mëdyshje, pakënaqësi endacake. Pakënaqësitë ngriheshin lart, ecejaknin përkrah njera-tjetrës, pas ose vraponin përpara. Të tjera pakënaqësi tështinin, i zinte një kollë e paprerë. Çapiteshin dorakëmbas e fshiheshin mbas supeve të njera-tjetrës. Ngrehina mbushur plot me medaljone dikur tani dukej më së miri e grabitur. Kjo mospërfillje e saj ndaj minares së rrëmujës dukej paksa (ndoshta) dhe shumë tinëzare pasi lutjet nuk këndoheshin nga minarja vetëm për minaren.
Shpellat e ngrehinës gogësinin gjatë mëngjesit, çelnin sytë e tyre diçpak në mesditë. Në mbrëmjemesnatë shpella dilte nga errësirnaja e saj e qarkonte gjithandej gjithçka. Njera pas tjetrës, secila shpellë ndizte llullën e saj, tymoste hundë e buzë të ngrehinës. Ngrehina vet tingëllonte fuqishëm hundë e buzë.
(Ku janë peshkatarët?- pyeta veten.)
Pandehma, asnjëherë, nuk qeshte pa derdhur lotë prej pabesie e zhgënjimi a guximi të vonë njëherazi dhe asnjë nga pandehmat nuk qante pa bërtitur e u rrahur keq nga cikmat brenda tyre. Cikma, sa dilnin jashtapërjashta nga goja e errët shpellore përgojoheshin gjithandej si të shthurrura, kërcënuese e të padenja për të jetuar e përqafur grykas ngrehinën popullore.
Ngrehina, në të vërtetë, nuk qarkohej nga asnjë gojënate, siç e quaj unë shpellën, asnjë cikmërrëmujë. Ngrehina qarkohej nga zinxhirë të padukshëm, plot gjemba, gropa të plasura me erë myku e pjellash të pagroposura ende ose të groposura atykëtu kalimthi. Fare kalimthi sa për të mos ngrënë ndonjë ndëshkim të rëndë nga kontrolli sanitar.
Ftohma nuk ndëshkohej asnjëherë. Ftohma s'ishte ndëshkuar as kur kishte ardh' çakërqejf e pa ftesë në zjarrminë e gushtit, pale në gusht gunën që vinte pas. Për hir të së vërtetës i takonte të krenohej se po zaptonte gjithçka. Ftohmës, nuk dihej kush ia kishte marr, rrëmbyer e përlarë gunën që u duhej frymorëve. As tashmi nuk dihet se kush ua kthen paqësisht jo aq paqësisht gunën njerëzore frymorëve nga mesi i nëntorit tonë flakadan.
Frymorët aty xhvisheshin akoma, aty visheshin. Disa vishnin vetëm njerën këmbë të pantollave e njerin krah të këmishës duke gjykuar e dyshuar se Ftohma ia bënte gjithçkaje me hile dhe zjarrmia nuk mund ta përzinte e përcëllonte ftohmën pa dëshirimin e saj.
Përqark shihja këpucë të zbathura, që tërhiqnin zvarrë plehurina. Ato endeshin andej-këndej, poshtëpërpjetë të gjenin këmbët e frymorëve. Frymorët sa gjenin këmbët e tyre (këta argatë kokulur të baltës e të llohës, të nxehtësisë e të pllaquritjeve,) dhe sa i rehatonin gishtrinjtë e mbufatur me kallo, u arratiseshin krahët.
Kujt donin t'ia prisnin krahët ? Njeriut?
Njeriut të dikurshëm, të këtushëm, të nesërm?
Mjaft, mjaft, mjaft.!...
Jetojmë mjaftueshëm për të mos u arratisur nga ky vend, për të mos e mallkuar.
Kë të mallkojmë? Cipën tonë të ndritur e te zbërdhylët, fenerin sy lundrues ?
I ktheva kryet Pandehmës së ngrohtë mëngjesore. Ajo ia ngrohu pak paksa duart ftohmës sime.
Moli belbëzonte nga anijet e peshkimit.
Ç'të shoh?
Pas, mua, po më ndiqte një peshk, jo peshk, por një guackë për gruan. Asnjëherë nuk jam kthyer bosh duarsh në shtëpi edhe kur gishtat i kam lenë diku dikund dikur...








Comments