Ruzhdi Gole: MËDITJE ME QIRA.
- 14 hours ago
- 6 min read

MËDITJE ME QIRA. (tregim)
Përroi, paksa i shurdhët, mbante vesh. Dëgjonte pak. Dëgjonte fëshfërimën e ujërave në zajet e veta. Zajet e lëmuar ndiheshin të qetë dhe të paqtë. U ndriste kurmi zallor. I g'zoheshin vendit ku rrinin gjatë, pa hedhurina pisllëqesh, mbetje kimike, ndryshqe krevatesh, llomotitje të qelbura nga punishtja kurrizdalë plot tela e telashe uje.
(Më marrsh të keqen, o këmba ime! Shputa më djeg, por ç'të bëj? A ecet zbathur në këtë rrëpirë ? Do duroj.
E mora me vete gjësendin ?... Edhe ajo më duhet : ta harroj. Pendë zogu lehton, por më duhet patjetër me vete. Urdhër. Urdhër me gojë. Me gojë e me shkrim. Dhëndër nuk jam, as krushk. Krushqit ikën, unë dhëndër jam, dhëndër i ri. Shëndet mashkullor. Patjetër, me hir e pahir, do kthehem sonte në Majëbardhë.
Oooo, po më ndjek pas një ketër ? Ketër, o ketër ndillmë pak fat! )
Zajet e njihnin mirë njeritjetrin në ditët diellore. Ndonjëherë përgjumeshin nga mesdita, e cila ashtu përveluese dhe e prushtë hutohej, këputej nga vapa dhe i përhapte krahët gjithandej. Në motin gushtor zajet nuk e shtynin njeritjetrin. Atyre u vinte keq kur ndonjëri prej tyre shkelun nga këmbësori i nxituar, donte a nuk donte, rrëshqiste më tej duke i përplasur shpejt e keqas kryet e tij. Veç një ofshame si keqardhje për të ikurin, zajet që nuk ishin shkelur afroheshin menjëherë me kërcim të beftë ose me një rrëshqitje nanuritëse poshtë ujit afër njeri-tjetrit. Zajet jetonin me ujë, rreznaja, lëmyshqe. Zajet jetonin me muzikë. Ata, sa lindnin, mëkoheshin nga natyra veriore, e cila të merrte në qafë me bukuritë e saj, por...
(Njeriu i dytë duhej të ngjitej tërpjetë. Vinte nga gropa. Katun'thi Luglig pas krahëve të tij nxirrte nga mushkëritë qymyr të padjegur mirë, nxirrte nga goja një erë të rëndë nga stalla e lopëve dhe e kuajve aty afër.
-Shpëtova... po shpëtoj pak, fare pak nga të vjellat dhe tensioni i ulët i gjakut. Gjithçka bie erë e pjerdhur në Luglig. Ngrehina ku fle e ulët, përdhesë, baltovinë. Shtatë-tetë kilometra në pyje gjer në qytet më bëjnë mirë. Po shkoj. Si do kthehem ? Ujqërit nuk të falin! Eh, ç'fat?! Të rroptohesh gjithandej. E mora a ta blej në qytet gjësendin? Urdhër me gojë, me gojë e me shkrim. Me nuhatje dhe luhatje. Këmbët baltë, kurrizi erë djerse. Nëna gjys' njeriu.. A do mund të kthehem sonte në Luglig ? Si do ta gjej nënën? O Zot, po sikur? Mos, o Zot, jepi pak qetësi. Ajo nuk di shqip. E la Vunoin për të ardhur me mua këtu.
Tani duhet t'i picërroj sytë. Po hyj në shtegun e dhelprave.)
Zajet ledhatohen nga dora e njeriut. Njeriu i njeh mirë zajet e përroit. Njësoj si dhëmbët e tij. O, sa i pavend e i pa mëshirshëm ky krahasim. Njeriu i njeh mirë gishtat e tij, mollëzat, thonjtë, të cilat deri.diku u afrohen zajeve. Pa thonj.
Njeriu përpara se t'u afrohet zajeve freskon duart, llërët, fytyrën. Valëzon gishtat mbi ujë e nën ujëra dhe...dhe çuditërisht zajet i afrohen vet atij në pëllëmbë pa u prekur prej gishtrinjve.
(Frymori i tretë ngjitur majë peme, me këmishë të zbërthyer dhe fanellë leshi ngrinte e valaviste në ajër një gjësend, që nuk shquhej qartë. Kjo paqartësi ngacmoi kureshtjen e një zogu, i cili iu afrua njeriut vrullti, zgjati sqepin t'ia rrëmbente gjësendin. Njeriu, gjysma lakuriq, shtrëngoi grushtin e tij dhe e tërhoqi me vërtik tek vetja, me aq vërtik sa grushti iu përplas tek gjoksi dhe gjësendi iu mblodh lëmsh.
-Ç'zog ? Ky duhet të jetë i vetmi zog grabitqar këtyre anëve. Zogjtë tanë në jug të shplodhin, s'të rrëmbejnë asgjë.
Bëri të zbriste nga pema ngadalë kur gjësendi i rrëshqiti nga duart dhe gjarpërisht,sa hap e mbyll sytë, u preh tek bytha e trungut.
-Ooo, prit, prit se erdha. Ja tani...
Kujt i foli? Askush nuk dukej të afrohej. Aaaa, I foli gjësendit. E mori gjarpërueshin, e shkundi, e palosi dhe e futi tek çanta e rropatur dhe e gërvishur. -Patjetër duhet. Urdhër. Urdhër me sy e me vesh.
Sonte, kismet, do fle në qytet në hotel. Të ha njëherë ç'më do barku ! Gjellët në mencën e sharrave në Murranë janë faqe e zezë, ujë fare, yndyrë mikrobesh.
Kreshta rrxonte fërfëllizë, degë të shqyera nga tufani, që sa merrte vrull i përplaste grushtet e veta tek drurët. Ç'më ranë mbi kokë ? Bohçe pishe?)
O, sa i lumtur katun'thi i katërt nga vinte njeriu tjetër. Secili prej të katërve mbante gjësendin me vete.Të paktën njëherë në muaj kur i thërrisnin në qytet. Nxitonin, e lidhnin, e zgjidhnin, e bënin gogël të madhevogël. Rrethrrotull qafës së tyre shihej një përskuqje e lehtë plot bulëza djerse. Gjithçka varej nga qafa e secilit.
(Sot e gjeti agai të më therrasë? A do kthehem dot në Shushunjëz ? E kam edhe natë për kokën e natës! Më pret Afroviti tek plevica. Eh, moj Afroviti, eh! S'u ngope njëherë, s'u ngope. Mushkë je. Mushkë që harbohesh, me kafshon, ulëret, zbutesh. Po gjithë ato mollaqe që ke ti kush t'i ngop? Unë, moj unë se burri yt të kthen shpinën kur vjen nga miniera. Ha, pi e gërhet gjumsh. I rroftë nusja nga Qishbardha ! Erdhi tjetri nga mali ushtar në Qishbardhë e shtiu jo me pushkë po me zemër tek zemra e Afrovitit. Ia mbathi ajo nga sytëkëmbët! Dashni e madhe prej kurve. Pisllek i madh. I lumtë bytha, i lumtë! Gjet' burrë.
Gjet' haur për hairin e vet, thuaj, ku të vërë e përplas kokën. ku të shtrin shalët. Më rrofsh, moj minierë, më rrofsh! Ma bërë ushtarin azgan tjetër njeri. Ia këpute brinjët, ia more frymën! Matuf fare tani ai. Mua ma zbardhe faqen e burrit! Përhera e kam plot koburen, koburen për nishan. Po ç'nishan ? Ndezur kandili im. Ç'kandil? Kandili ka matufi i Afrovitit se unë e kam ... kallam.
Ah, sa m'u kujtua ? E kam a se kam me vete atë...gjësendin? Urdhër. Urdhër me buzë e dhëmbë.)
Pylli ecte përkrah një frymori të ri e të panjohur. Pylli e ndiqte nga pas, donte ta ndalte mes drurëve të riun frymor. Ai s'kapej që s'kapej. Fluturonte, si i thonë, me këmbë e me duar, gëzonte si i thonë, me leshëra e tesha. Pupthi ai, pupthi pylli. Ca drurë po laheshin në Cem, aty po lahej edhe i riu. E shihje aty ku e doje ti. Hipur mbi kal bajraktari pa qenë bajrak. Herë me ballin e mbështjell me rrobë mjegulle, here veshur me uniformë ushtarake. Pa spaleta. Këtu nuk jam i saktë. Ky njeri i ri njëzetvjeçar dhe i moçëm tek të njëqindat rrethohej nga kreshta, të cilat edhe mund të drithëronin menjëherë kur ai u mvrenjtej, plasariteshin kur ky njeri i prekte me dorë. I mbante gradat tek spaletat qysh në djep. Dyshoj t'i këtë mbajtur qysh kur doli nga vëra e s'ëmës.
Sikur të ulej ndonjë vargmal poshtë këmbëve të tij do të shkulej gjithçka mbi dhe, mbi dhera, mbi shtylla tensioni, mbi korije e zabele, mbi kocka rrëpirash e buzë të ngrira hejesh. Rrufetë do trembeshin, do hynim në shpella e aty do jetonin një përjetësi fatkeqe, të turpshme.
Nga erdhi ky njeri? A e njeh kush? Kur dhe ku ka lindur? Në ç'gjendje civile mund t'ia gjejmë gjeneralitetet?
Dikush thotë : pyesni pushtetin e vogël. Ja, pushteti I vogëlth u nis të pyes pushtetin e madh. E pyeti. Pushteti madhor tha : pyesni Harpagonin, pyesni Tartufin. Asgjë e saktë, asgjë për t'u zbuluar. Dikush tha : -pyesni Al Kaponen. Dikush pyeti : -Al Kaponen e hershëm? Jo, Jo - turfulloi Kali vigan i Skënderbeut. Ne tani, për dreq të dreqnive, kemi Al Kaponen tonë. Atë pyesni.
Edhe unë, siç duket nga të gjitha gjasat, nuk do t'i shpëtoja rrokullimës për të zbritur në qytetin e bukurisë, por...
Por nuk po rrokullisesha kokë e këmbë se ato i nisa të mbërrinin përpara në qytet e të shihnin dhëndrin e Lumbardhës si qeshej, si i dukej atyre çehrja e Lugligës me nënën e pamundur e pa shqipe, a e njihnin nga rrënjët gjer në thepa Murranën? Po Shushunjëza ngjante ndopak me shushunjën ?
Frymorët, tre-katër, katërmbëdhjetë secili me gjësendin e vet ndër duar. Dikush fshihte djersën, dikush mbërthente kopsat e pantollave, dikush lante tek një vijë ujë çizmet, dikush ... Secili bëri lakun e vet. Jo, jo lakun e vet. Lakun e tyre kishte mote që ua kishte shtrënguar koha. As e krishterë, as gjysmëhënë.E krishterë, gjysmëhënë. Gjësendi shfaqi fytyrën e vet. Gjjësendet shfaqën petale, zogj, orën e Tiranës, plepat e Currilave, ndonjë ketër.
Të gjithë këta frymorë i kishte thirrur pushteti. Veç me kravata duhet të shkonin atje. Sqimatarë, uniformë, rreshta. Urdhër. Urdhër me bythë. Por...
Përhera vjen një nxitim, një e papritur. një fëshfëritje lozonjare, një rrokopujë rrapëllitëse. Frymorët nuk ecnin që nuk ecnin. U kishin ngrirë këmbët. Kravatat u liruan vet nga qafat e tyre, tre-katër qafa, katërmbëdhjetë, të gjitha me erë të rëndë djerse dhe të fëlliqura nga zogjtë...U nëpërkëmbën shkallëve, aty i jepnin dorën njeri - tjetrës, aty shtyheshin cili të dilte më shpejt përjashta, mekur nga frymëmarrja.
Jashta u afruan dhe u bënë bashkë si një tufë gjarpërinjsh me dhe pa helm...








Comments